Ora është gjashtë e një minutë. Është ende errësirë por unë jam ngritur që menatë pasi në orën gjashtë duhet të hap portën e madhe të varrezave. Jam rojtarja. E di, është pak e çuditshme, zakonisht rojet e varrezave janë burra. Por kjo që ruaj unë nuk është varrezë e thjeshtë, kjo është paksa ndryshe dhe ka nevojë për duart e një gruaje. Tani kuptohet, kur lind nevoja për punë të rënda, bashkia sjell disa burra dhe i kryejnë ata fët e fët. Por pjesën tjetër e bëj unë.
Unë jam rojtartja e varrezës së të panjohurve. Varreza ku unë punoj është e mbushur me varre njerëzish të panjohur, pa familje, pa miq.
Ndaj dhe këto varre kanë nevojë për duart e një gruaje që t’i pastrojë, t’u mbjellë lule, t’i heqë barërat e këqija, të lutet për ta, e jo rrallë herë të derdhë lotë. Kjo grua jam unë.
Jam këtu që prej 32 vitesh. Historia e kësaj varreze nisi krejt thjesht. Në një kanal vaditës u gjet trupi i pajetë i një burri. Fshatari që e gjeti lajmëroi policinë e kështu kufoma e të mjerit u dërgua në morg. Policia nxori njoftime kudo me lajmërimin e vdekjes së një burri, vjeç 77, i veshur kështu e ashtu, me flokë të thinjura, me një shenjë të prere në faqen e majtë e detaje të tjera, në mënyrë që dikush nga familjarët apo ndonjë që e njihte të bëhej i gjallë e njeriu i gjorë të përcillej si duhej në dynjanë tjetër. Mirëpo askush nuk u paraqit në polici, as në spital e morg. Trupi i burrit mbeti për ditë me radhë atje.
Të gjendur mes kësaj të papriture (qyteti ynë nuk kish patur më parë raste të tilla) punonjësit e morgut, policisë, spitalit e bashkisë u bënë bashkë e i dhanë zgjidhje. E varrosën plakun në një tokë të braktisur. Mbi krye i vunë një gur. Asaj toke që banorët e dinin të braktisur më vonë i doli pronari, po këtë histori do ta gjeni në shënimet e mia. Atje kam shkruar për varrezën e të panjohurve dhe gjithçka që ka patur lidhje me të. Kam mbajtur dhe një regjistër të detajuar për varret e njerëzve, mënyrën se si kanë vdekur.
Kështu lindi varreza e të panjohurve. Pas burrit që ngriti siparin, toka aty vijoi të mbushej shpejt me varre. Arsyeja ishte e thjeshtë: vendi po kalonte kohë krize. Njerëzit lëviznin nga vendlindja për të kërkuar punë gjetkë e domosdo që kalonin në qytetin tonë. Duket qyteti nuk i mirëpriste dhe kufomat ndiqnin njëra – tjetrën. Kështu ndodhi që një natë dhjetori, kur i ftohti kish arritur kulmin, në qoshen e rrugës “Kandil” një grup prej katër vetash, tri burra e një grua, të gjenin vdekjen nga acari. Pastruesit e natës që gjetën kufomat ngritën qytetin peshë me ulërima. Procedura u përsërit, trupat në morg, lajmërime kudo, asnjë përgjigje, katër varre të reja me katër të panjohur iu shtuan qytetit. Për një periudhë kohe nuk pati më vdekje të panjohurish. Ndërsa varreza e madhe e qytetit po mbushej me shpejtësi. Dukej sikur vdekja kish vendosur të tallej paksa.
Por si u bëra unë pjesë e asaj varreze? Kur u varros trupi i plakut, nuk di të them përse por tri ditë më vonë unë u zgjova herët, mbusha një bidon me ujë, këputa lule në kopshtin tim dhe u nisa drejt varrit të atij burri të panjohur. Ia laga varrin, i vura lule përsipër, thashë një lutje për të e teksa po ngrihesha të ikja, Naseri, pronari i agjensisë së funeralit, më pa. U përshëndetëm si ngaherë dhe unë vijova rrugën. Por ditën kur varrezës iu shtuan katër varre të reja, Naseri erdhi e më takoi. Fillimisht bisedoi me mua e pasi unë dhashë një çerek pohimi, ai shkoi të diskutonte në bashki. Ishte idea e tij që unë të punësohesha tek varreza e re, ishte një gjest fisnik për të nderuar ata njerëz që preheshin atje.
Më thirrën në bashki, më pyetën a dëshiroja të punoja në mirëmbajtjen e varrezës së të panjohurve. Nuk e di se ç’forcë më nxiti të thoja bindshëm se doja. Dhe ashtu u bë. Fillimisht unë shkoja siç do të shkonte një i afërm. U hidhja ujë, shihja për barëra, mbillja lule. E për këtë më paguanin një rrogë minimale. Por gjithsesi unë e bëja me qejf atë punë. Por kur varreza filloi të rritej, bashkia e pa të nevojshme ta rrethonte e ti vinte një portë. Dhe qe një periudhë kur varret u shtuan shpejt e në masë. Një grup sirianësh, dy transgjinorë, një adoleshente që vrau veten, një grua që u gjet e therur në koshin e plehrave, një fëmijë i mbytur që nuk u mor vesh kurrë se si kishte ardhur deri në qytetin tonë. E shumë nga këto histori pa emër, pa zë, pa kurrgjë. Askush nuk mundi ti identifikonte viktimat. Njerëz të huaj, askush nuk i njihte, askush s’ia dinte historinë, dhembjet, ëndrrat, brengat, mallin, askush. Ata ishin thjesht dhe vetëm të panjohur. Varroseshin në heshtje, pa zhurmë e bujë, në tokën e braktisur që ishte vetëm për ta. Varroseshin dhe harroheshin nga të gjithë, vetëm nga unë jo. Unë i shihja çdo ditë. Jetoja me ta, flisja, këndoja, qaja e lutesha pranë tyre.
Naseri kur pa se varreza po mbushej me shpejtësi bëri një tjetër lëvizje por kësaj radhe pa më pyetur mua. E rregulloi punën në mënyrë të tillë që unë të kisha një vend ku të qëndroja. Ai më shihte çdo mëngjes me bidona me ujë, lule e dorashka tek merrja rrugën tek varreza. Në krye të javës bashkia ndërtoi një shtëpizë të vogël për mua, të cilën unë e kandisa sipas qejfit tim. Ishte e premte kur punonjësi i bashkisë më dorëzoi çelësat. Orarin ma caktuan 6 e mëngjesit me 6 të pasdites. Por nëse dëshiroja mund edhe të flija natën atje, për ta nuk përbënte asnjë problem.
E shtuna më gjeti para portës së varrezës. Një dryn i madh priste ta hapja. Hapa vetëm një anë të portës dhe u drejtova nga shtëpiza. E hapa dhe atë. Ishte një shtëpizë druri, e vogël, e këndshme, me një dritare të ngushtë nga e cila dallohej një copëz qielli i përzier me re. Vura përtokë çantën që kisha me vete. Pastaj nisa të nxirrja prej andej një qilim me rombe, një kanaçe për të hedhur ujin, një ikonë me Virgjëreshën Mari dhe Krishtin fëmijë. I lashë përdhe dhe dola. U nisa drejt shtëpisë prej nga mora një stol, dy jastekë, një batanije, dy tasa, lugë. Kisha një tryezë të vogël, por do ta çoja në rrugë të tretë. U ndala tek dyqani i Eftit ku bleva disa gozhdë.
Në rrugën e tretë solla tavolinën, dy gota, sapun, çekiç, lopatë, një thikë xhepi, dy panorama. Pasdreka më gjeti duke ngulur gozhdë në dërrasat e shtëpizës. Tri gozhdë për kornizat dhe katër për varëse rrobash. Kur dielli perëndoi unë e kisha përfunduar sistemimin e dhomës. Një pamje e këndshme kënaqte sytë e mi. Dola, e kyça derën, po ashtu dhe portën. Pastaj nisa të zbrisja drejt udhës së shtëpisë.
Kështu filloi rrugëtimi im me të panjohurit e varrezës. Ditë pas dite, javë pas jave e muaj pas muaji, u mësova me heshtjen, me qetësinë e përjetshme, me këngët e zogjve, me hijet, rënkimet pa zë e erën e vdekjes. U mësova me aromën e dheut të sapo hapur, e dheut të thatë e të ndenjur, e dheut të lagur nga shirat e vjeshtës. U mësova me ëndrrat e frikshme, me ujin e njelmët, me lotët që ktheheshin në kristale, me rrënjët e dala të pemëve shekullore që mbrëmjeve u ngjanin gjarpërinjve, me gjethet e rëna, me erën që tundte eshtrat, gurët e varreve pa emër, pa histori, pa jetë.
Netëve kur kthehesha në shtëpinë time e ndjeja veten të huaj. Asgjë s’më ngrohte, as shtrati, as muret, pikturat, pianoja, oborri. Asgjë s’më përkiste. Vetëm lulet ma kënaqnin shpirtin, vetëm ato ishin pjesë e imja pasi ato ua çoja mëngjeseve miqve. E kështu e këputa fillin që më lidhte me botën e të gjallëve. Tashmë unë i përkisja botës tjetër. Dukej se dhe bota më kish harruar, mënjanuar. Që kur fillova punën si rojtare e varrezës së të panjohurve, qyteti më veçoi. Fjalë e përshëndetje të pakta, të rralla, kalimthi. Dilja vetëm për nevoja e pastaj ose në shtëpi ose në varreza. Kjo ishte rutina ime. Mesa duket do kisha marrë hije dheu pasi shihja se çdokush më shmangte. Po mua aq më bënte e aq më bën ende.
Prej disa kohësh tashmë, e kam bërë zakon që pasi ha drekën, ulem në stolin e vogël, mbështës një fletore mbi tavolinë dhe shkruaj. Kam nisur të rrëfej që nga momenti kur u hap varri i parë e deri më tani. Faqe të tëra mbushur me histori njerëzish. Kam rrëfyer për mënyrat se si kanë takuar vdekjen këta mëkatarë. Se si i gjetën njerëzit e këtij qyteti, si u sollën, si i harruan. Kam shkruar për rutinën time në varrezën e të panjohurve, për disa ngjarje jo “normale” që kam ndeshur gjatë punës sime të përditshme. E në fund po shkruaj për amanetin tim. Nuk e di se kur do të vijë ora ime, por për siguri po e lë gati letrën me dëshirën time të fundit. Nuk po e citoj të gjithën pasi është e gjatë, por thelbi është ky:
Duke qenë se unë jam lindur e rritur në këtë qytet, kur vdekja të vijë për mua, nuk ka pikë dyshimi që do të varrosem në varrezën e qytetit. Kam familjarë, miq e dashamirë por edhe sikur të gjithë këta ti kthenin shpinën kufomës sime, do mjaftonte besnikëria e Naserit që unë të gjeja vend në varrezën e qytetit. Naseri më ka dashur që në rini por jetët tona rrodhën në drejtime të kundërta. E megjithatë ai e ruan respektin dhe dashurinë për mua me fanatizëm. Pra, do mjaftonte Naseri për të më varrosur siç duhej.
Por është pikërisht kjo gjë që unë nuk dua. E pra, nuk dëshiroj të varrosem në varrezën e qytetit. Dëshira ime është të prehem në varrezën e të panjohurve. Mbi krye një gur pa emër. Kjo është ajo që dua. Të mbetem anonim për këdo që rastis të kalojë para varrit tim, të harrohem nga ata që më deshën, që më njohën. Naseri do ta vuajë këtë vendim por besoj se në fund do të më kuptojë.
Kjo është letra ime e fundit, që padyshim do të përfundojë në duart e Naserit. Deri atëherë unë do vazhdoj të kujdesem për të panjohurit e mi, deri ditën kur dhe unë do të jem një e panjohur, e ndoshta dikush do të kujdeset për dheun, gurin, lulet e barërat e varrit tim…