More
    KreuOpinionRoberto Bolanjo: Kudo ndihem i huaj

    Roberto Bolanjo: Kudo ndihem i huaj

    INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE POETIN E NJOHUR, ROBERTO BOLANJO

    Roberto Bolanjo jeton nja dyqind metra nga deti, në Blanes, një qytezë me tridhjetë mijë banorë, gjysmë ore larg Barcelonës. Jeton në një shtëpi me të shoqen dhe dy fëmijët që tani po flenë. Kërkon qetësi në zhurmë, preferon burgun e heshtur e nganjëherë të padurueshëm të të shkruarit. Jashtë, një hënë vjeshtake ndriçon atë çka ka lënë nata. Në korridoret e shtëpisë ka nja tre mijë libra. Bolanjo tymos cigare gjithë lakmi dhe pi Coca-Cola, ngaqë likeri i ka acaruar mëlçinë. Në sytë e tij shkëlqen ironia. Shkrimtari 50-vjeçar kilian nuk i ka qejf intervistat, ai mendon se gjithçka që ka rëndësi janë librat e tij, por, më në fund, pranon të bisedojë mbi disa çështje.

    Ju keni punuar me poezinë, gjini çdo ditë më e izoluar nga rrethi botues. Ç’mendoni për poezinë si art dhe si fenomen në kohën e tanishme?

    Nuk besoj se poezia do të zhduket. Dyshoj se për njëfarë kohe, poezia po pëson metamorfozë, transformim, hibridim. Sigurisht, sot është e vështirë të shiten shumë libra me poezi, siç ndodhte me librat e Bajronit, ama Lord Bajroni vazhdon të jetë dhe kjo mjafton. Ndoshta poezia tani mbijeton te disa romane. Ose në forma jo të vlerësueshme, forma bastarde, produkte të getove dhe të margjinacionit. Mbase, kur të vdesë poeti i fundit lirik, poezia do të rilindë prej hirit të vet.

    Te “Detektivët e egër” ka tema kryesore që spikatin. Një prej tyre është mërgimi, një mërgim që, midis vendeve të tjera, përfshin Meksikën dhe Spanjën…

    Interesante është se kurrë nuk jam ndier i mërguar. Ndoshta po, nëse do të kisha jetuar në Suedi, por dyshoj se edhe në Suedi, jo. Ajo që është e vërtetë është se në këto vende jam ndier i huaj, ama i huaj jam ndier kudo, edhe në vendin tim, në Kili. Kam qenë një fëmijë pedant, kësisoj, qysh fëmijë ndihesha i huaj.

    A jeni një i zhgënjyer nga politika apo mërgimi juaj ka të bëjë më shumë me kërkimin e lirisë individuale?

    E vetmja liri tek e cila besoj është liria e individit, ose në tërësi te liritë e individëve. Një liri individuale, të cilën e kemi në dorë, mjaft e ndryshueshme, mjaft e paqartë, veç, tani për tani, është e vetmja që kemi. Unë nuk jam një i zhgënjyer nga politika, edhe pse motivet për këtë nuk më mungojnë as mua dhe askujt tjetër, sepse politika, sipas një rregulli të përgjithshëm, është një çerdhe gjarpërinjsh. Vazhdoj të prirem nga e majta, edhe pse e di që e majta, qysh prej më se gjashtëdhjetë vjetësh, qëndron mbi një arsyetim bosh, mbi një shpallje të fryrë që mund t’u shërbejë (kjo ujëvarë e vendeve të zakonshme) horrave sentimentalë. Në të vërtetë, e majta reale është horrllëku sentimental i rafinuar.

    Kaq vite pas rënies së dhunshme të Salvador Aljendes, si e kuptoni Kilin që nga larg?

    Kam përshtypjen se demokracia po vendoset, e cila tashmë është gjë e madhe, dhe se shoqëria dalëngadalë po mëson të bashkëjetojë. Sigurisht, me koston e sakrificës së kujtesës për disa gjëra, pra, me disa lobotomí.

    Cilët shkrimtarë kanë qenë themeli i edukimit tuaj sentimental letrar dhe cilët nuk do t’i këshillonit për t’i lexuar?

    Servantes, Stendal, Rimbó, Poe. Nga secili lexoj çfarë dua dhe çfarë mundem. Të paktën, këtë natë e kam të pamundur të jap këshilla se cili shkrimtar nuk duhet lexuar.

    Nga proza aktuale çfarë ju tërheq?

    Nga proza latino-amerikane: Rodrigo Rey Rosa, Daniel Sada, Rodrigo Fresán, Alan Pauls.

    Ç’mendoni për autobiografiken në letërsi?

    Në njëfarë mënyre, gjithçka është autobiografike, ajo çfarë tregohet, kalimthi, kotësia e të shkruarit autobiografi.

    Ç’do të thotë për ju data 11 shtator?

    Një fatkeqësi. Fillimi i një valleje të ngjashme me atë të San Vitos. Do të thotë rënia e Aljendes, festa kombëtare e Katalunjës që të kujton një tjetër disfatë, sulmi i kamikazëve mbi Kullat Binjake që ishte një disfatë e tretë e kulturës përballë fesë. 11 shtatorin katalan nuk e kam provuar në mishin tim, por, nëse do ta kisha provuar, do të heshtja, ndryshe do të isha një vampir apo një i pavdekshëm. 11 shtatorin kilian e jetova, e vuajta dhe, meqë isha njëzet vjeç, po ashtu e shijova. 11 shtatori njujorkez më kapi në Milano, ku ndodhesha me time shoqe dhe dy fëmijët tanë. Kur pashë shpërthimin, menjëherë më shkoi mendja tek imazhet që kishim për Luftën e Tretë Botërore, gjatë viteve tetëdhjetë.

    Jeni duke shkruar një roman voluminoz, ç’mund të thoni lidhur me këtë?

    Ka më shumë se një mijë faqe dhe, siç mund ta marrësh me mend, nuk mund ta thuash me pak fjalë. Të shkruash diçka kaq të gjatë, të lodh. Siç thotë Pavese, të punosh, lodhesh. Edhe unë lodhem, çuditërisht, me një lehtësi të paparë. Por kjo është puna ime dhe duhet të vazhdoj.

    Çfarë ju vjen në mendje kur dëgjoni këta emra: Sesar Vajeho (César Vallejo)?

    Virtyt dhe shtrembërim. Lirika që vetushqehet.

    Huan Karlos Onetti (Juan Carlos Onetti)?

    Për më të mëdhenj se tridhjetetre vjeç.

    Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges)?

    Zemra e modelit të Amerikës Latine.

    Pablo Neruda?

    Dy libra të jashtëzakonshëm dhe asgjë më.

    Gabriel Garsia Markes (G. García Márquez)?

    Një njeri i kënaqur që ka takuar gjithë ata presidentë e kryepeshkopë.

    Mario Vargas Josa (Mario Vargas Llosa)?

    Njësoj si tjetri, por më i hijshëm.

    Gijermo Kabrera Infante (Guillermo Cabrera Infante)?

    Një shkrimtar i çuditshëm. Në të vërtetë, nga gjithë këta shkrimtarë që më përmendët, më interesojnë vetëm Vajeho, Oneti dhe Borhes.

    Intervistoi: Alfonso Karvahal

    Përktheu: Bajram Karabolli

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË