KreuLetërsiShënime mbi libraRei F. Hodo: Kthimi në moskohë: Rudolf Marku dhe koha e poezisë

Rei F. Hodo: Kthimi në moskohë: Rudolf Marku dhe koha e poezisë

Refleksione mbi vëllimin “Kthimet” (Onufri, 2025)

Çdo vëllim i ri me poezi është një ngjarje. Kjo, jo vetëm prej faktit se ujërat ku noton poezia janë turbulluar ndjeshëm e s’duket kund ai deti i qetë, por edhe për atë ç’ka forma dhe përmbajtja e tyre përfaqëson. Ajo, edhe sipas akademikut Ali Aliu, mbetet “forma më e ndjeshme e komunikimit estetik” dhe studimi i këtij komunikimi na formon “studimin e vetëdijes estetike të një shoqërie” (R. Qosja).

Rudolf Marku  dhe vëllimi i tij me poezi “Kthimet” (Onufri, 2025) na vjen si amalgamë disafytyrëshe. Eksperienca, vargu i pjekur, poezia frymëzuese janë disa karakterstika qendrore që përshkojnë botën poetike të tij.

Përmasa njerëzore, kthimi dhe kujtesa tek “Tirana, kjo grua” dhe “Kujtim i largët”

Jo vetëm në poezitë që do veçohen më poshtë, por në tërësi në të gjithë vëllimin, kthimi (si koncept qendror në poezi) nuk shfaqet vetëm si një rikthim në hapësirë, në kohë apo si një proces nostalgjik. Ai pasqyrohet si një proces thellësisht ekzistencial dhe etik. Në dy poezitë e përzgjedhura për këtë përmasë, subjekti lirik përballet me humbjen, vdekjen dhe trashëgiminë (morale) të prindërve. Krijimet “Një vizitë në shtëpinë e fundit të prindërve” dhe “Kujtim i largët” mund të konsiderohen edhe si një bashkim apo diptik me bazë të njëjtën temë, ku fuqia që mbart kujtesa ndërthuret me pamundësinë e kthimit fizik. Kujtesa mbetet forma më e mirë e rezistencës ndaj kohës dhe historisë.

Kthimi si përballje me pamundësinë, burokracinë dhe vdekjen

“Vij te shtëpia juaj,/ edhe pse e dija se do qëndroja jashtë, para portës që nuk hapet më kurrë.” janë dy vargje të cilat menjëherë e hapin poezinë me kthimin si një pamundësi. Mund të biem në një dakordësi kolektive kur themi se shtëpia e prindërve është ndoshta figura origjinale dhe më intime përs a i takon origjinës. Si e tillë, në poezi, edhe pse ajo është një hapësirë e mbyllur përfundimisht, vjen si një monument i heshtur i humbjes. Kthimi nëpërmjet portësnuk hapet më kurrë do të jetë tanimë poetik, disi traumatik nëse mbështetemi tek fjalët e P. Ricoeur sipas të cilit, rikthimi në të kaluarën është përballje me atë që nuk mund të ribëhet më.

Më poshtë, R. Marku na ofron dy metafora krejt ekzistenciale. Koncepti i rrugës është i gjendur në poezinë moderne gjerësisht dhe nuk mjaftohet leximi i saj si një distancë fizike, por si akumulim i kohës, fundi i së cilës duket i pashmangshëm. Vargu “Nuk them se rruga nuk ishte e lodhshme dhe e gjatë” përforcohet nga ai pasardhës “se distanca nga jeta deri te vdekja është vetëm një hap”. Ky aforizëm poetik mund të konsiderohet edhe si filozofia e krejt vëllimit ku autori i bashkëngjitet mendimit ekzistencialist të Camus apo Heidegger, të cilët vdekjen e shohin gjithnjë pranë jetës.

Poeti na përball me një përshkrim gati-gati tragjik të prindërve, u vesh atyre karakterstika biblike apo mitike nëpërmjet të cilave formon figurën apo modelin e martirit të heshtur të jetës së zakonshme. Ato nuk janë heronjtë epikë. Tragjedia e tyre e vetme është heshtja. Këtë sentencë e hasim tek vargjet “Pleq të gjorë…”; “rrënuar nga plagët e jetës, nga pesha e gurëve që mbajtën mbi shpinë,/ nga terroret me peshë sarkofagësh, nga pabesia e frikshme e jetës.”

Në vijim, autori bën një ndërfutje disi prozaike, të një gjuhe administrative që në poezi, qëndron jo në habitatin e saj. Duke vendosur këtë, autori krijon një moment të fortë poetik, një kthesë ndoshta ironike teksa na tregon se në një botë si e jona ku funksionon sistemi modern, ky i fundit është i aftë ta kontrollojë jetën apo lëvizjen e të gjallëve. Megjithatë, është po ky sistem ai që mbetet i pafuqishëm përballë vdekjes. Vargjet “Duhet prova e adresës, shenjat e identitetit,/ llogaria bankare, plus viza që duhet marrë në konsullatë!” na përballin me burokracinë përballë vdekjes.

Fundi i poezisë vjen edhe si një përballje realitetesh, edhe si një imazh kozmik. “Nuk arrita t’i varros në kodrinë” dhe “në periferinë më të largët të qytetit” shfaqen si dy simbolika. E para, mbetet dëshira për të parë nga lart jetën ndërsa e dyta, jo vetëm një simbolikë gjeografike, por si mungesë e kujtesës. Ndërkaq, “një yll i vogël feks” bën që autori t’i shohë prindërit nga ky yll i vogël. Po ashtu, në këtë moment kemi të bëjmë edhe me një përmbysje: janë të vdekurit ata që shohin së lartmi. Ndërkaq, një heshtje e veçantë metafizike paraqitet tek vargu “sferat qiellore nuk flasin në gjuhën e të gjallëve.”

Kujtesa si veprim nga babai tek historia

Poezia hapet me vargun deklarues të thjeshtë në pamje të parë, por që qëndron themelor: “Kujtimi i babait tim” i cili na e paraqet kujtesën jo thjesht neutrale. Ajo na vjen si një kujtesë e trashëguar ose thënë ndryshe, një përvojë të cilën vetë subjekti nuk e përjetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por e ka të transmetuar emocionalisht. Gjithashtu, poezia futet në një trajektore mitike dhe natyra shfaqet si një forcë ndëshkuese kur autori thotë se “lumi rebelohej si një zot pagan”.

Një referencë biblike me rëndësi është ajo që shfaqet pikërisht tek vargu “varkën biblike të Noes”. Në këtë rast kjo figurë shërben të na kujtojë katastrofën. Kemi të bëjmë me instinktin e mbijetesës, jo shpëtimin.

“Veç im atë nuk u tremb” na paraqet heroin real, atë etik dhe jo epik. Heroin që futet në ujë jo duke e parë këtë si sfidë ndaj natyrës, por si zgjedhje morale të tij përballë frikës. Pikërisht këtu lind edhe heroi, ai i cili del nga vetja duke vepruar për tjetrin.

Përmasa erotike tek “Histori dashurie” dhe “Në moskohë”

Poezitë e përzgjedhura vendosin përballë njera-tjetrës rrafshe që pikëtakimin kryesor e kanë tek erotika. “Histori dashurie” dhe “Në moskohë” kanë të njëjtin burim, të njëjtin subjekt të trazuar (në rastin konkret). Fillimisht kemi përballjen me një dashuri të cilën po e quajmë fragmentare, pra e jetëzuar tek figura femërore si trup, si imagjinatë dhe si objekt i fshehtë; në rastin e dytë kemi të bëjmë me një erotikë që është ngritur mbi konceptin e mungesës, edhe pse themeli përqendrohet në një subjekt të vetëm. Kemi dy poezi nga të cilat, të parën e shohim të ngrihet në një rrafsh social ndërsa poezinë tjetër në një rrafsh më metafizik.

Hapësira e kënaqësisë dhe braktisjes nga erotike trupore e shtratit

Që në vargjet e para, autori na përgatit për përballjen me një triptik mjaft interesant: “me njërën isha në shtrat, tjetrën e mbaja në kokë, të tretën në zemër, në fshehtësi”. Përpos triptikut erotik, këtu shohim edhe prezencën e shtratit, i cili shihet si subjekti apo hapësira klasike e erotikës fizike. Nëse do të duhet të kërkonim ndihmë në mendimet e Sigmund Freud, atëherë do të pohonim, bazuar në mendimin e tij se erotika në dimensionin e saj më të drejtpërdrejtë lidhet me libidon (realizimi trupor), se ka ndodhur krejtësisht plotësimi i dëshirës fizike. Megjithatë nuk duhet harruar se erotizmi është edhe një tension i vazhdueshëm midis shkatërrimit dhe bashkimit. Këtu mund të gjejë vend edhe koncepti i për-kohshmërisë së erotikës trupore. Pra, sipas edhe mendimeve të Bataille, kënaqësia ka gjithmonë një kahje nga prishja. Në poezi, është realiteti ekonomik ai që e zhvesh erotikën nga petku i idealizmit njëkohësisht duke e shndërruar shtratin edhe në vend kënaqësie, edhe në vend zhgënjimi: “jeta është e shtrenjtë, çmimet rriten çdo ditë”.

Nga një subjekt praktik, poeti na kalon tek fantazia. Është pikërisht “tjetrën e mbaja në kokë” ajo që erotikën e zhvendos në rrafshin imagjinar. Madje, poeti arrin deri aty sa ta shndërrojë atë në figurë të idealizuar, tërësisht publike duke perifrazuar “sapo u shpall miss i vitit 2040”. Erotizmi përtej zhvendosjes, bëhet disi i njëanshëm, ai është i bazuar tek fan-tazia, tek distanca për sa kohë figura femërore është shndërruar në një imazh të konsumueshëm në publik. Pra, ajo që më lart ishte një erotikë e qendrueshme, këtu i ngjan më shumë një udhëtimi aventuresk.

Ndërkaq, autori na paraqet edhe sublimen, figurën e tretë: “vajza të cilën e mbaja në zemër, në fshehtësi”, e cila erotikën e lartpërmendur e shndërron në erotikë të ndaluar. E gjithë dëshira e autorit vendoset në planin e kujtimeve, të mallit apo edhe të fantazisë. Këtë të fundit mund ta gjejmë në vargun “sa herë i shoh të lozin të pafajshëm në park”. Erotizmi në këtë rast është i përqendruar tek heshtja dhe vetëpërmbajtja. Subjekti e arrin kënaqësinë e tij duke shfrytëzuar distancën, kënaqësinë e mungesës, atë të pritjes, të një fragmenti të vetëm.

Nga sa më sipër, mund të themi se është pikërisht ndarja triptike: erosi trupor, erosi imagjinar dhe erosi shpirtëror apo i fshehtë; është pikërisht ky triptik struktura e të cilit mund të na dërgojë tek ndarja klasike që Platoni e përshkruan më së miri tek Simpoziumi. Pra, evoluimi i dashurisë nga trupi drejt shpirtit. Vetëm se në poezinë tonë, të treja dashuritë përfundojnë në humbje.

Erotika si mungesë

Nga një rrafsh praktik, poezia “Në moskohë” na zhvendos në një rrafsh metafizik. Ajo formëson një plan të ri në të cilin erosi shfaqet si boshllëk kohor dhe jo si akti klasik trupor. Këtë mund ta gjejmë edhe tek vargu i parë themelor “Numëro orët që s’kemi qenë bashkë”. E tërë poezia na mëson se mungesa bëhet njësia matëse kryesore. Dëshira lind nga mungesa, jo nga ajo që kemi në zotërim. Erotika është një pritje e pafundme, nuk është thjesht dhe vetëm realizim.

Poezia ka në shtatin e saj dy simbole universale, të fuqishme. Ato shfaqen në vargun “sahatet e Zvicrës do çakordoheshin nga pesha,/ kulla e Big Benit do binte në Tamiz”. Këto dy përmendje bëjnë që kohën ta shohim si të universalizuar; nga njëra anë saktësia dhe nga ana tjerër ritmi historik perëndimor, ç’ka do të thotë se erotika ka aftësinë e madhe për ta çrregulluar këtë mekanizëm. Një hiperbolë e vërtetë erotike e cila shndërrohet në një përvojë ekstreme.

Autori arrin të bëjë kohën intime; ta shndërrojë erotikën përmbi të gjitha sistemet duke krijuar sistemin e tij. Ky sis-tem i ri i përjashton të gjitha format historike të matjes së kohës dhe poeti shprehet si vijon: “Një kalendar i ri do krijohej…,/ një kalendar i ri ku masa e matjes së kohës/ do të ishte veç mungesa jote”.

Mund të themi se autori na bën të mundur njohjen me një vizion të ri ndaj erotikës. Të dyja poezitë e ngrenë erotikën në rrafshin e mungesës. Në poezinë “Histori dashurie” është fragmentarizimi dhe realiteti socio-ekonomik ai që e krijon mungesën. Në poezinë e dytë, mungesa arrin një nivel ontologjik, ajo bëhet masa kryesore e matjes së kohës. Gjithashtu, me rëndësi është fakti se në të dy rastet qëllimi erotik nuk përmbushet. Ai ndodh ose të shpërndahet në disa figura, ose të përqendrohet tërësisht në vetëm një subjekt sa e tjetërson atë në metafizikën e dhembjes dhe mungesës.

Përmasa heroike tek “Si mund të vrasim një poet” dhe “Histori e letërsisë shqipe”

Një tjetër koncept që kam dashur ta theksoj është pikërisht ai i herozimit. Të dyja poezitë që përmendëm na furni-zojnë me një shfaqje të re të tij, larg konceptit tradicional, heroizmit epik apo atij luftëtar fitimtar. Autori e sendërton figurën e heroit jo si atë të një të pathyeshmi me shpatë ndër duar, por i jep jetë heroit të ri, poetit. Këtë figurë të re, ndonëse të pambrojtur, ai e formëson si të pathyeshëm nga pikëpamja morale. Kjo nënkupton se ai nuk vjen tek lexuesi si heroi i triumfeve prej betejave fizike. Ai mbërrin nëpërmjet dhembjes, vuajtjes dhe qëndresës. R. Marku ia del ta sjellë heroizmin nga fushat ku ngjasin përballjet luftarake tek mijëra vargje apo rreshta ku frymon ndërgjegjia e fjalës.

Tek “Si mund të vrasim një poet”, autori në plotëson me një analizë krejt të saktë duke na e paraqitur heroizmin si një proces që ndodh historikisht, në qendër të të cilit ndodhet përndjekja. Ai na sjell shembujt nga Roma e Athina dhe mbërrin deri tek shekulli XX dhe totalitarizmat e tij. Nëpërmjet kësaj, tregohet konflikti i gjithëkohshëm që ka poeti me pushtetin. Megjithëkëtë, përtej zhdukjes së poetit (heroit) mbetet fitorja e tij në planin moral. Fjala e tij fiton gjithnjë ndonëse në antikitet ai helmohej; gjatë periudhës së perandorive ai internohej dhe gjatë diktaturave, ai zhdukej. Ndaj dhe heroi (poeti) mbetet martir i së vërtetës.

R. Marku shkon akoma të tej. Ai na shtron para një ironi krejtësisht heroike duke zëvendësuar vrasjen fizike me atë që buron prej indiferencës. Pra, heroi (poeti) përballet sot me një formë të re, më të rafinuar të eleminimit të tij. Kjo shoqëri ia del mbanë ta bëjë këtë duke mos e lexuar poetin. Një veprim i tillë e shtyn akoma më tej heroizmin sepse poeti (heroi) vijon të frymojë, por duke mos patur lexues. Është produkti i heroit ai që formëson heroizmin e heshtjes.

Nga një plan gjithëpërfshirës dhe më universal, autori, në poezinë “Histori e letërsisë shqipe” e konkretizon të gjithë idenë e tij në letërsinë e shoqërisë tonë. Të gjithë shtatin e poezisë ai e ngre si një katalog heronjsh, të cilët në dallim nga epika klasike që liston fitimtarët, në rastin tonë ajo liston shkrimtarët: të persekutuarit, humbësit, të varfërit apo të hum-burit.

Heroizmi në këtë rast është më tragjik, është ai i vuajtjes dhe i qëndresës. Poezia është heroizma e një epike kolektive në qendrën e së cilës qëndron sakrifica. Autori na tregon se e gjithë kjo sakrificë është ndërtuar jo mbi triumfin, por mbi përndjekjen.

Poeti nuk është heroi i fitoreve. Poeti është heroi i humbjeve. Ai e sfidon historinë duke mos u shpërblyer për asnjë çast nga ajo. Për poetin, heroizmi qëndron tek ndërgjegjia dhe jo tek forca. Poeti mbetet heroi i së vërtetës së fjalës dhe jo heroi i fushës së betejës epike.

Mund të them se vëllimi “Rikthimet” ndërton etikën e mungesës në disa raporte. E shohim në raportin njerëzor, në raport me dashurinë e fragmentarizuar apo edhe me heroin e ri. I gjithë vëllimi është një botë me shtëpi të mbyllura, me kalendarë që bien dhe poetë të cilëve iu mbyllet goja. E çfarë mbetet? Mbetet integriteti i të vërtetës dhe i fjalës së lirë, mbetet dinjiteti i poetit, i njeriut përballë kohës, mungesës dhe/apo historisë. Mbetet rezistenca e tij.

I gjithë vëllimi të sjell ndër mend vargjet: “… Zhurmë e lëndimeve një çast rri në zenith./ Pas vjen një buf gjyqtar, e turmat ftohtë përbuzin/ Po ti qëndro si shkëmb, i zymt’ i qet’ i gjith.”

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË