More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRei F. Hodo: “Ka diç që (s’)Tëbind” në poezinë e Agron Tufës

    Rei F. Hodo: “Ka diç që (s’)Tëbind” në poezinë e Agron Tufës

    Refleksione mbi vëllimin “Njeriu buzë lumit”, Agron Tufa, Onufri 2024

    Edhe pse “është e vjetër mosmarrëveshja midis filozofisë dhe poezisë” (Platoni), shtegu që të krijon mundësinë e re të mendimit mund të gjendet edhe në fjalët e poetit e filozofit francez Paul Valéry, i cili ndër të tjera shprehet se: “Disa vepra krijohen nga publiku i tyre. Disa të tjera krijojnë publikun e vet. Të parat iu përgjigjen nevojave të ndjeshmërisë natyrore mesatare. Të dytat krijojnë nevoja artificiale që në të njëjtën kohë i përmbushin.” Poezia është formuar e tillë, për të rilindur nga vdekja e saj dhe për të qëndruar pafundësisht ajo që është. Nisur nga sa më sipër, edhe tërësia poetike e vëllimit “Njeriu buzë lumit”, pra kjo poezi, formëson një lloj uniteti, një lloj harmonie midis njeriut të gjallë, botës së gjallë dhe njeriut të vdekur, botës së vdekur. Pra, përmbush ato nevoja që i krijon si veten, për veten.

    Nga një sy praktik i hedhur mbi vëllimin në fjalë, shquan se brenda tij jetojnë gjashtë libërtha të cilën konturojnë vetveten dhe njëkohësisht rrojnë në një përbashkësi sa të çuditshme aq edhe me arsye. “Lumi i brinjës”, “Yll në pezhishkë”, “Teh drite”, “Gjuetia e deleve të zeza”, “Goja epshore e agut”, “Kredo e re” janë eshtrat që formatojnë shtatin e radhës poetik të poetit e prozatorit Agron Tufa.

    Gjithnjë e kam parë letërsinë si një formë e përsiatjes për vetë vdekjen. Shkrimtarin dhe poetin si një rrëfimtar të vdekjes; vdekja si një nevojë për rrëfim, si gjendje apo si periodë e nevojshme për t’u çliruar nga e pathëna. Edhe në krijimet e vëllimit në fjalë, vdekja zë një hapësirë të konsiderueshme edhe si subjekt, edhe si ornament ndihmës i poetit. Në poezinë “Matanjetë”, autori sendërton marrëdhënien ndërmjet njeriut (që njëkohësisht është edhe një tjetër shtyllë e vëllimit në fjalë) dhe vdekjes, pas aktit. “…mbas kalimit në Matanjetë,/ pata nji përballje të ashpër me realitetin/ e premtimeve të papërmbushuna.” dhe gjithashtu “…me e la vedin/ e me kthye me vdekë/ siç vdiset.” Ndoshta sipas një ligjësie të paracaktuar, të vdekurit nuk munden të kthehen në jetë por autori kujdeset të gjejë lidhjen e munguar të njeriut me vetë fatin e tij. “Matanjetë” të ngjan si plotfuqi e materies mbi shpirtërore, e vdekjes mbi jetën. Kësisoj, kjo përballje është një moment i nevojshëm, i pashmangshëm, për sa kohë duhet të vijojë evolucioni. “Tan jetën e lume njeriu dashka me u përpjekë/ me pasë nji dekë krejt për vedin.” por për ç’arsye mund të lindë kjo kërkesë? Autori paraqet shpjegimin në vargjet më tej por a është kjo kërkesë edhe një formë e përjetësisë, ku vetë qenia kërkon të veprojë në të dhe sikurse citohet në vargjet: “Mbetet, po thonë, dhe nji mundsi e prapë:/ me u ngritë lugat” Me kapërcye/ edhe nji herë nd’atë jetë,/ me ua shti lëngjyrën bjerrakohsave,/ me i ç’mësue prej dobsive t’mia,/ me e la vedin/ e me kthye me vdekë/ siç vdiset.”

    Poezia “Kredo e re” shënjohet si misioni i gjithëkahershëm i Poetit. Pikërisht atë të cilin Quasimodo e quante “punëtorin e ëndrrave”, vetë poeti, poetin e ngarkon me një barrë të rëndë të cilën e jetëzon në sa vijon: “E ç’dreq poeti na qenke/ kur s’je në gjendje/ ungjillin tând ta shkruejsh/ me vêna të hapura mbi letër/ dhe burrninë e fundit ta qesësh/ në bedenat e së pamundunës?” Asnjëherë nuk do të kishte pasur poetë nëse nuk do të kishte probleme që duhet të zgjidhen. Në shembullin në fjalë, poezia shtrihet në krejt qenien dhe kërkon të stimulojë çdo organ të qenies të arrijë pikërisht atë që kërkon poezia, atë unitet që përmendet në krye të këtij shkrimi.

    Poezia “Elegji e pamundur” shënjohet si misioni i gjithëkahershëm i Njeriut. Përmes një loje brenda të njëjtëve dhe brenda të ndryshmëve, autori rreket të shtrojë dhe të zgjidhë dilemën e rradhës. Duke hedhur sytë nga trilli: “Duhet trilluar, ormisur i tillë truk i rrallë,/ sa mes të gjallësh të ndihesh i gjallë.” njëkohësisht  hedh sytë nga shmangia: “Ah, njësoj beter të rënden të dyja palët!/ S’gjen prehë tek të vdekurit, s’gjen prehë tek të gjallët!” Poeti shpreson, ndonëse përmes dhimbjes ai sërish mundohet që “në Matanjetë prapë do ëndërrojmë,/ sikur sapo zgjohemi, sikur dëshirojmë/ një Fillim të ri, një rikthim të dytë/ që ta rrisim veten njësh me utopitë.”

    Poezia “Njeriu buzë lumit” shënjohet si misioni i gjithëkahershëm i Unit në raport me kohën. Të ngjan si një marrëdhënie e pandërprerë midis shpirtit, vuajtjes apo të vërtetës. “Asht një garë shkatërruese/ me u përballë çdo grimëkohë me rrjedhën,/ me imazhet mendore “me rrjedhë a me qenë”,/ që lumi pavetëdijshëm t’i shuen si gurë gëlqerorë/ tinëzisht ndër zgavra.” Shpirti i njeriut padyshim që gazohet nga veprimi i tij, duke e pranuar si të vërtetë. Kësisoj, duke e pranuar këtë të vërtetë, ai çlirohet nga makthi i kohës por njëkohësisht edhe nga dhimbja. Këtë mund ta hasim në vargjet si vijojnë: “Njeriu buzë lumit/ e mbledh rrjedhën vorbull/ ndër vedi,/ bahet turbinë/ e shpërthen në dritë.” Por ndërkaq, nga ana tjetër, në fundin e poezisë, autori na lë të kuptojmë se ai që e mund vuajtjen, le ta bekojë atë ngase është ajo që mund të dërgojë tek hyjnia: “Por ti, së paku, mundesh me mbetë/ veç nji gjurmë drite, deri në fikje,/ në rrjedhën e pamort.”

    I njëjti mision vërehet edhe tek poezia “Ose jeta është e shkurtër, ose zgjimi është i vonë”. Mund të themi se nga poezia në fjalë kuptoj që do të duhet qoftë edhe vetëm një element guximi ose për ta kërkuar të vërtetën ose për ta ndërtuar atë. Pikërisht këtë të fundit, autori e paraqet në vargjet si vijojnë: “Kësaj jete i ngjitesh në majë veç me pak gjëra, në këmbë,/ ashtu si alpinisti: një çantë, litar dhe kthetra dëbore…/ Shkarkojeni veten – këtë anije tonazhi të rëndë/ dhe flakini ëndrrat e mëdha në rrjedhën pluskore –/ pa grimë keqardhjeje! Nuk përmbushen kurrë!/ Lumi i fryrë i brinjës i merr të tëra me vete,/ si trarët e mëdhenj. Të krimbur e të kalbur,/ kur shembet me rropamë një urë. / Kjo jetë do pesha të lehta dhe lyp shëndet atletik;/ utopitë janë krusma ndër hekatomba flijimi./ Që nën vete mos t’ju gorromisin ëndrrat e mëdha –/ ruajeni njërën brinjë prej lumi si valvul shkarkimi.” E ndërsa mundohesh, arrin të kuptosh se vetëm nëpërmjet humbjeve mund të shkosh tek fitorja; kjo fitore është e vërteta njerëzore, e vërteta e çdo vlere.

    Në poezinë “Bëhu hiç e bjer në fashë”, autori përpiqet të pohojë atë ç’ka është njerëzore e tij si më të mirë. Ai nuk mund ta pajtojë atë me njerëzoret e tjera, në të kundërt do të kishte zbritur në një nivel më të ulët, thuajse shtazor. Nëpërmjet vargjeve si vijojnë: “Lidh një besë, bëj një pakt: tragjedia vjen vërdallë. / Dil nga loja, mos aktro – ferrit bjeri pashë më pashë:/ pa përvojë, pa dëshmi – bëhu hiç e bjer në fashë!”, autori në mëson se sa më shumë që jeta brenda shpirtit feston, aq më e pasur bëhet të qenit njerëzor.

    Në përfundim, do thoja se të shkruarit e një vëllimi të tillë, ashtu si vetë procesi i të shkruarit, mbetet vëzhgim i vetes dhe i botës, vëzhgim i qenies njerëzore të parë si të veçuar dhe si pjesë të kolektives. Autori arrin të shpalosë të gjitha funksionet e poezisë dhe nëpërmjet tyre kërkon një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse. Në të gjithë vëllimin mund të gjejmë mundim të pafundmë, grindje, sprovë, enigmë, shqetësim apo edhe pasiguri.

    I gjithë mendimi i autorit është i fshehur në vargje, e ky mendim është i njëjtë me cilësinë e një fruti për të na ushqyer. “Njeriu buzë lumit” është një ftesë e hapur për leximin e poezisë cilësore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË