More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRami Kamberi: reflekse për një tregim të Zija Çelës

    Rami Kamberi: reflekse për një tregim të Zija Çelës

    1. Në vend të hyrjes

    Tregimi “Zonja, kam një lutje për ju!” i shkrimtarit Zija Çela është një nga ato krijime që e tejkalojnë narrativen e zakonshme dhe e shndërrojnë përvojën individuale në një reflektim universal mbi vetminë, humbjen dhe kufijtë e ekzistencës njerëzore. Përmes një ngjarjeje të thjeshtë, takimit të narratorit me një burrë të moshuar, Çela ndërton një atmosferë që shkon përtej realitetit të dukshëm, duke i dhënë lexuesit mundësinë të hyjë në botën shpirtërore të personazheve dhe të ballafaqohet me pyetjet më themelore mbi jetën, vdekjen dhe shpresën.

    2. Analizë e strukturës dhe rrëfimit

    Rrëfimi është në vetën e parë, gjë që krijon një intimitet të menjëhershëm midis lexuesit dhe narratorit. Ngjarja shpaloset gradualisht: një ecje e zakonshme në trotuar, një takim i papritur, dhe një bisedë e ngarkuar emocionalisht. Kjo teknikë narrative e bën tregimin të duket sikur ndodh në kohë reale, duke i dhënë ngjarjes autenticitet dhe ndjesinë e një dëshmie të gjallë.

    Personazhi i burrit të moshuar është qendra emocionale e tregimit. Ai paraqitet me gjeste të vogla, por të fuqishme: “me krahët e lidhur prapa”, “me kurrizin që po i përkulej”, “me sytë e rimtë”, imazhe që jo vetëm e vizualizojnë figurën e tij, por edhe simbolizojnë gjendjen e tij shpirtërore:

    • lodhjen,

    • braktisjen, dhe

    • humbjen e shpresës.

    Çela, e portretizon këtë figurë si një njeri të mbërthyer midis së kaluarës dhe së tashmes, ku kujtimet janë më të gjalla se realiteti.

    3. Temat qendrore

    Tregimi është një reflektim i qartë mbi vetminë. Burri i moshuar jeton vetëm, i braktisur nga fëmijët që kanë ikur jashtë dhe të fokusuar në prona, ndërsa bashkëshortja i ka ndërruar jetë. Ai nuk flet vetëm për të kaluarën, por për një dhimbje të tanishme, të cilën e ndien në çdo ditë të mbetur. Madje, ai e mban mend me saktësi të frikshme datën dhe orën e ndarjes nga jeta të bashkëshortes, një tregues i humbjes së tij të thellë dhe i boshllëkut që ajo ka lënë pas.

    Ky motiv i vetmisë së pleqërisë lidhet drejtpërdrejt me temën e kalimit dhe vdekjes. Tregimi e përshkruan këtë periudhë si “moshë mavri, me mjegull e pamundësi”, një metaforë që përmbledh mjegullën e kujtimeve, pafuqinë fizike dhe mendore, si dhe ndjesinë e humbjes së orientimit. Kjo nuk është thjesht një periudhë biologjike e jetës, por një gjendje ekzistenciale.

    4. Simbolika dhe mesazhi filozofik

    Simbolika në tregim është e qartë dhe e fortë. Hapi i ngadaltë i burrit të moshuar, krahët e lidhur prapa dhe kurrizi i përkulur janë shenja të një udhëtimi që nuk është vetëm fizik, por edhe shpirtëror. Narratori e përshkruan këtë lëvizje si një marshim “jo drejt shtëpisë së tij, por diku gjetkë, drejt e në skëterrë”, duke aluduar për afrimin me vdekjen dhe zbrazëtinë.

    Fjalët e narratorit në fund, “Zonja, kam diçka për ju… lërini burrat ta bëjnë kalimin para jush!”, janë një lutje, një apel moral dhe filozofik që del nga zemra e një njeriu që ndien mëkatin dhe frikën për të kaluar kufirin e së shenjtës,  “sovranitetin e Zotit”. Kjo fjali sintetizon frikën njerëzore nga vdekja dhe dëshirën për të pasur ende një rend moral në universin e rrëmujshëm të dhimbjes dhe humbjes.

    5. Në vend të përfundimit

    Tregimi “Zonja, kam një lutje për ju!”, i Zija Çelës është më shumë sesa një histori e zakonshme takimi. Është një tablo e fuqishme e realitetit social dhe shpirtëror të shoqërisë shqiptare bashkëkohore, ku pleqëria shpesh është sinonim i braktisjes dhe harresës. Çela arrin të prekë thellë lexuesin, duke e ftuar të reflektojë mbi marrëdhëniet familjare, mbi përgjegjësinë njerëzore dhe mbi kalueshmërinë e jetës. Përmes këtij tregimi, shkrimtari na kujton se vetmia e njeriut nuk është thjesht çështje moshe, por një gjendje që e vë njeriun përballë vetes, kohës dhe Zotit.


    ZONJA, KAM NJË LUTJE PËR JU!
    nga Zija ÇELA

    Me një gazetë nën sqetull, po ecja ngadalë në trotuar, kur dëgjova hapa pas meje. Papritur, dikush m’u ndal në anë. Një burrë i moshuar, në masën e trupit tim, me krahët e lidhur prapa dhe kurrizin që po i përkulej, më vështronte duke picërruar sytë e rimtë, i sigurt se më në fund kishte gjetur dikë, me të cilin mund të fliste. Fjalët e para që më tha ishin:
    “Nuk e di sa kohë ka kaluar, por më ke takuar dikur te dera e shtypshkronjës, unë isha portieri. Dhe atëherë ma ke zgjatur dorën ja, kështu!”
    Shpejtova t’i përgjigjesha menjëherë, sepse tani ishte ai që po ma zgjaste dorën. Duke ecur së bashku, ngaqë më dukej aq i drobitur, e pyeta për shëndetin, familjen, jetesën. E kishte patur të gatshëm vërshimin dhe u zbraz në çast.
    “Jetesën? Unë jetoj vetëm, – tha. – Krejt vetëm jetoj. A kam fëmijë? Dy djemtë kane ikur jashtë, nuk pyesin më për mua. Ata duan prona. Po ku t’i gjej unë pronat, në brirët e kaut t’i gjej?! As ime shoqe…”
    Këtu i reshti goja, me gjasë kishte dalë ku i dhimbte më fort. Për një grimë i mbylli sytë duke u gëlltitur në boshllëk, pastaj shkundi qerpikët e rrallë dhe më hodhi sërish atë vështrimin e drobitur.
    “Vetëm jetoj, – përsëriti. – Ime shoqe ka ndërruar jetë. Qyshse shkoi andej kanë kaluar katër vjet, shtatë muaj e tetëmbëdhjetë ditë. Nuk gaboj, ka qenë ora njëmbëdhjetë e gjysmë kur mbylli sytë. Me të sotmen bëhen katër vjet, shtatë muaj e nëntëmbëdhjetë ditë. Edhe sikur për rrobash ta kisha tërhequr, nuk ndalohej dot, kurrsesi nuk munda ta ndaloj. Gjithë këto kohë më ka lënë fillikat, vetëm pra, krejt vetëm!…”
    E pashë si u pushtua nga mjegulla e  letargjisë, pastaj teksa largohej me krahët e lidhur prapa, kurrizin e përkulur dhe hapin e ngadaltë. Aq të ngadaltë hapin, sa dukej sikur nuk donte të lëvizte përpara. Ngjante sikur nuk ishte nisur për në shtëpinë e e tij, por diku gjetkë, drejt e në skëterrë.
    Kushedi përse më përshkoi një drithërimë, si të ishte rrymë elektrike. Isha në pragun e mëkatit por megjithatë, pa dashur ta tjetërsoja zërin e brendshëm, thashë me vete këto fjalë:
    “Zonja, kam diçka për ju. Kur vjen ajo mosha e vështirë, mosha mavri, me mjegull e pamundësi, jeni të lutura të mos nxitoheni, lërini burrat ta bëjnë kalimin para jush!”
    A kam më shpresë? Po, ende më mban një shpresë që të mos kem mëkatnuar deri në atë shkallë, sa të kem prekur sovranitetin e Zotit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË