Astrit Bishqemi, ‘Izi, qeni shpëtimtar’, Erik Botime
Astrit Bishqemi, nuk resht që nuk resht së shkruari e së botuari për moshat e fëmijëve dhe të rinjve. Krahas librave të vëllimshëm studimorë, përmendim “Histori e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj”, Tiranë 2014 me 880 faqe, lexikoni “Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, 1886-2017”, Prishtinë 2017 me 465 faqe, “Bibliografi e kritikës letrare për fëmijë”, Tr. 2017 me 728 faqe etj. apo edhe artistikë, si romani me katër vëllime “Klik: rrapatushët”, “Shën Grushti” etj. etj.- nuk nënvleftëson edhe botimet e vogla. I tillë është edhe ai, që tashmë së fundi autori u dhuroi lexuesve të vegjël: “Izi, qeni shpëtimtar”, botuar nga shtëpia botuese “Erik”, 2023.
Si vëllim ky libër me tregime e përralla për të vegjlit është i vockël (ai ka gjashtë tregime dhe tri përralla), por tematika përfshin një galeri ngjarjesh e personazhesh. Po e themi që në fillim: është fat i madh për fëmijët që ta kenë në bibliotekat e tyre dhe ta lexojnë, sepse do të gjejnë në të veten e tyre, qoftë në ngjarjet, qoftë edhe në personazhet, njerëz apo kafshë qofshin.
Tregimet e prof. Astritit kanë një cilësi të përbashkët: janë realiste. Autori ka një përvojë të madhe nga jeta. Ka qenë mësues dhe edukator në të tria ciklet e sistemit të arsimit tonë: të ulët, të mesmë e të lartë. Ngjarjet janë marrë nga jeta e përditshme dhe janë shkruar me shumë dashuri, thjesht, qartë e bukur, me një gjuhë të përzgjedhur, me një fjalor të pasur e, mbi të gjitha, me pasion të veçantë dhe me ndjenjë. Lexuesi fëmijë do të gjejë në to jo vetëm ngjarje interesante, por edhe personazhe po kaq interesantë, me një botë të pasur, me një naivitet të çiltër, këmbëngulës e të gjallë, dinamikë.
A nuk të tërheq, për shembull, tregimi i parë i librit, “Pemë apo perime”? Sa e zgjuar, kureshtare dhe këmbëngulëse është vogëlushja Driola, e cila në orën e diturisë së natyrës “replikon” me mësuesen nëse fruti i ullirit duhet të futet te bashkësia e pemëve apo ajo e perimeve.
Shumë interesant është edhe tregimi “Kolltuku i zi”, që shpreh ndryshimin e madh si karaktere ndërmje fëmijëve të pasur e atyre të varfër. Revolta e të varfërve arrin deri aty sa t’i vënë zjarrin atij kolltuku që me të drejtë autori e quan “i zi”. A nuk është kjo ide aktuale edhe në ditët tona?
Po kështu ndodh edhe te tregimet e tjera. Tek “Izi, qeni shpëtimtar” (Emri i qenit, Izi, ka dy kuptime: anglisht – i thjeshtë, i zakonshëm; shqip – qen i zi, zijosh) shprehet besnikëria e qenit, i cili parandjen tërmetin dhe, me këmbënguljen e tij, shpëton Markun e vogël së bashku me familjen nga goditja, duke mos i lejuar të futen në shtëpi, e cila më tej shembet. Ky krijim të edukon dashurinë për kafshët shtëpijake, konkretisht për qenin, të cilin fëmijët e kanë aq për zemër. Shumë tërheqës është edhe tregimi “Pusi i vjetër”, ku përshkruhet dashuria e nënës për fëmijën, vetmohimin e saj, përpjekjet e të rriturve, sakrificat e tyre për të shpëtuar jetën e djaloshit që bie në pus.
Në këtë libër fëmijët do të njihen edhe me vogëlushen Era, e cila me zgjuarsinë e saj, del fitimtare ndaj ashensorit “mendjemadh”. Po kështu, sa gaz na fal edhe tregimi “Kush e shkelte kufirin”, shkruar sipas kujtimeve të Atë Stavri Çipit, ku “shkelësi” i vërtetë i kufirit nuk del ndonjë diversant, person i huaj, siç pritej, por një shpend, sorra vjedhacake.
Në përrallat, edhe aty autori është mjeshtër i ndërtimit të tyre, duke i rrëfyer qetë e duke vënë në dukje vese të këqija të kafshëve e të shpendëve (nënkupto edhe njeriun), të cilat të rrezikojnë edhe jetën. Kështu e pësojnë Laraska mendjemadhe dhe Sorkadhja mendjelehtë. Autori u mëson të vegjëlve se armiku mbetet armik, ndaj duhet të jemi gjithmonë vigjilentë e të mos besojmë se ata ndryshojnë karakter. Për nga stili, mund të themi se shkrimtari na ka dhënë dy lloje përrallash: përrallën popullore të përpunuar e të ngritrur në nivel më të lartë artistik (krijimi “Samari gërdallë”) dhe përrallën e krijuar nga ai (dy përrallat e tjera të vëllimit).
Sa pranë botës së lexuesve është autori! Ai i këshillon fëmijët, u hap horizonte dijeje, nëpërmjet ngjarjeve. Le të bëjmë paralelizmin midis dy tregimeve: “Pemë apo perime” dhe “Kolltuku i zi”, ku ballafaqohen fëmijë e mësues të dy epokave. Sa e çiltër dhe kureshtare është nxënësja Driola, sa e vëmendshme, e kujdesshme është gjithashtu mësuesja, e cila me qetësinë e saj krijon një mjedis të këndshëm në marrëdhëniet me nxënësit. Në tregimin tjetër mësuesi zëvendësues është i rreptë, i vrazhdë dhe i dhunshëm. As që bëhet fjalë për marrëdhënie të ndërsjella, të drejta, të çiltra midis nxënësve e mësuesit “mustaqemaçok”. Ndaj me të drejtë fëmijët ngrihen kundër padrejtësive dhe, me eshkë, i vënë zjarrin kolltukut të “agait të vogël”.
Duhet vlerësuar edhe një vlerë tjetër artistike që përshkon krijimet e këtij autori: befasia artistike. Ajo jo vetëm e ngre nga ana teorike këtë veçanti të letërsisë për fëmijë (kam parasysh këtu tekstin teorik të këtij profesori për shkollën e lartë, “Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë”, SEIKO 1997, ribotuar i zgjeruar më 2006). Këtë cilësi autori e zbaton edhe vetë së pari në krijimet për lexuesit e vegjël. Kështu, në librushkën që shqyrtojmë, na pret befasia në shumë krijime: tek tregimi “Pemë apo perime” (ulliri hyn te perimet, e përdorim te sallatat, por ai është frut i një druri, jo i një bime me kërcell barishtor), te “Ashensori mendjemadh” (vogëlushja e zgjuar e vë në lëvizje ashensorin edhe pa ndihmën e çipit: mendja e njeriut triumfon mbi makinën), te tregimi “Kush e shkelte kufirin” (del sorra në vend të një njeriu shkelës), te përralla “Samari rrangallë” del se mjeshtri plak i fshihte verdhushkat e floririt, fryt i kursimeve, i djersës së vet, pikërisht në atë samarin rrangallë, ku nuk i shkonte mendja asnjë njeriu. Dhe e papritura, befasia artistike, është se plaku i varfër që e blen këtë samar, pas disa ditësh vjen dhe e kthen, se… samari ia ka bërë kurrizin tërë plagë gomarit të tij) etj. etj.
Veçanësi tjetër artistike është edhe gjuha e autorit, siç e përmendëm më sipër. Ajo është e thjeshtë (por jo e thjeshtëzuar, e pasuron fjalorin e lexuesit), e ngrohtë, komunikuese, dashamirëse e na duket si një bashkëbisedim mësues-nxënës, prind-fëmijë, gjysh-nip, krijues-lexues. Kjo gjuhë e pastër dhe e pasur i bën ngjarjet tërheqëse, interesante dhe i portretizon më së miri personazhet fëmijë apo kafshë, duke ngjallur te lexuesi i vogël jo vetëm kërshëri, por edhe krenari, dashuri e respekt, si dhe qëndrim të drejtë ndaj veseve të dëmshme.
Një komponent i rëndësishëm, sidomos në një vepër për fëmijë, është edhe ilustrimi i tij. Nga shtëpia botuese “Erik” kanë parë dritën e botimit disa libra për fëmijë të Bishqemit. Veç për ilustrimin e librit në fjalë nuk mund të themi fjalë shumë të mira. E pranueshme është kopertina, madje edhe ajo e pasmja me fotografinë e autorit pranë një grupi skulpturor, me diçiturën e gjetur fëminore (“Gjyshi rrëfen, ndërsa nipi dhe… shkrimtari, xhaxhi Astriti, dëgjojnë”). Por këtë gjë nuk mund ta themi për disa nga ilustrimet e brendshme, të cilat herë-herë as nuk zbërthejnë siç duhet përmbajtjen e tregimit apo të përrallës. Bie fjala, te krijimi “Pusi i vjetër” na jepet një pus i rregullt, me muraturë rrethore mbi tokë, ndërsa tregimi bën fjalë për një pus që nuk është i tillë dhe nga mungesa e asaj murature fëmija rrëzohet brenda tij). Por këto janë mangësi që mund të riparohen në një botim të dytë. Ne e kemi fjalën më tepër te ajo që i takon autorit, te përmbajtja e vëllimit.