Romani “Tri jetët e zotit P.” i Virgjil Muçit
Në përmbledhjen paraqitëse të romanit, pikërisht në paragrafin përmbyllës, shkruhet: “Dhe në fund një këshillë për lexuesin: mos u rrek t’i veshësh një emër të përveçëm personazhit dhe /ose personazheve. Një përpjekje e kotë, e pafrytshme dhe, në fund të fundit, e padobishme; thënë më shkoqur një grackë ku shkojnë e gremisen naivët e mendjelehtët që nuk shohin përtej hundës së tyre.” …
Dy epitetet ndezin sidoqoftë sirenat e alarmit për t’i qëndruar larg gremisjes. Por honet janë aty, një hap larg lexuesit. Heq dorë prej individualizimit, por përgjithësimi nuk të ndahet. Vjen së pari në formën e shifrave; “1984”. Autori: George Orwell. Ky roman i konsideruar si shembull klasik letrar i narrativës politike dhe distopike vjen nga mesi i shekullit të kaluar. I pasuar prej një tjetër vepre, me të njëjtin autor: “Ferma e kafshëve”. Afërmendsh, kjo nuk është rastësi. Ndodh prej shtysës që të jep modelimi i një vepre, jo të zakonshme, ku shtjellohet triada e jetës së një njeriu, metamorfoza e së cilës, është sa tronditëse, aq dhe reflektive. Për këdo që njeh veprat, është e qartë se Winston Smith-i i Orwellit dhe z. P. i Muçit e shohin njeri-tjetrin nga pozicione të ndryshme. I pari, një punonjës, i dyti një udhëheqës. Ajo që i bashkon, është tjetërsimi edhe pse në kahe të kundërt, që do të përcaktojë rrugëtimin e secilit. Kjo vlen për personazhet e librave, por jo për autorët që i kanë ngjizur. Parë në këtë optikë, ngjashmëria e anglezit Orwell dhe shqiptarit Muçi, është mekanizmi që të nxit të thellohesh në kuptimin e kohëve, të fenomeneve, në motivet që sendërgjojnë të keqen, duke e fshehur me të mirën fiktive. Kur ke kuptuar këtë, ndien dhimbje për pafuqinë e fjalës të kujtdo që i falet së vërtetës. Të kuptohemi; nuk dua të fajësoj fjalën. Ajo është sublime për sa kohë i shërben kësaj së dytës.
E tillë ka mbetur në romanin e Virgjil Muçit. E veshur me nuanca të forta alegorie, sarkazmi, satire, ajo mëton ta çojë lexuesin te thelbi i asaj që do të thotë. As më shumë e as më pak, gjuha e përdorur është ezopiane. Jo si titull rrëfimi, por si mjet për të rrëfyer. Virgjil Muçi, ende pa marrë penën në dorë, ka qenë i qartë për të gjithë ngrehinën e veprës së tij dhe padyshim edhe për përdorimin e arketipave të njohur, por që i ka mishëruar me zotësi falë kulturës dhe mjeshtërisë së prozatorit që njeh jo vetëm zejen, por dhe teknikat për ta përsosur atë. Mjaft të shohësh mënyrën se si ai e përdor Mitologjinë. I shmanget rrezikut të përsëritjes së fabulave të njohura, prej sa shekujsh tashmë, por që si autor i ka aq të nevojshme, sepse përmes tyre ka lirinë e plotë të shprehjes e të veprimit. Në një trupëzim të lëvdueshëm artistik, na ve para syve dhe na kthen në kujtesë, figura mitologjike, të imagjinuara, herë, herë, disi ndryshe, prej atyre që kemi njohur, por shumë të afërta në qasje e sjellje me persona realë, që i kemi ndeshur dhe me të cilët na ka takuar të thithim të njëjtin ajër, në të njëjtin shekull. Ndaj për lexuesin është mundim krejt i kotë, përpjekja për t’i shpëtuar krahasimit. I pazëshëm, por imponues, jo si entitet letrar, por si mekanizëm i mendjes, ai shoqëron leximin nga faqja e parë deri tek e fundit. Këtu e gjen të udhës të kujtosh këshillën e autorit dhe i jep të drejtë atij. Pavarësisht prej aventurës groteske ku e hodhi deliri i madhështisë zotin P., ai nuk është gjë tjetër përveçse një viktimë e pasionit për të sunduar. Në këtë kuptim as nuk është, dhe me sa duket, nuk do të jetë i vetmi, edhe pse duke iu afruar mbylljes së rrëfimit, autori na ka futur në një tjetër atmosferë, me bindjen ose thjesht dëshirën e mirë të tij, për të ngjallur shpresën e një bote ku sundon drejtësia, paqja dhe dashuria njerëzore.
Në këtë mjedis, utopik, për lexuesin e sotëm, Virgjil Muçi, na e sjell personazhin e tij si bletërritës. Jo një i zakonshëm, por me emër në zanatin e tij. Do të dukej si trill i shkrimtarit, që mund të kuturiste e ta hidhte z. P., në çdo profesion që mund t’i shkrepej, pa i dhënë llogari askujt, por Muçi nuk ka shkruar një libër me rastësi. Apikultura është një gjetje e menduar, që të drejton te qëllimi i shkrimtarit. Në shkolitjen e tij na jep një dorë përmendja e thënies së Anshtajnit, sipas së cilës, “nëse bletët zhduken nga faqja e dheut, njerëzimit i mbetet vetëm katër vjet jetë.”
A është ky elementi që të nxit të besosh se kalvari nga kaluan jetët e z. P, ka qenë dhe katarsisi që i duhej për të prekur vlerat e vërteta për të cilat duhet të luftojë njeriu? Nëse nuk ke qëndruar me vëmendje të plotë mbi radhët e kësaj rrëfenje, mund të hysh në qorrsokak. Adrenalina që vjen prej fuqisë së pushtetit, nuk është fashitur te z. P. Ai thotë: “Unë jam prijësi i lumtur i një grigje që e zgjodha vetë. Janë të rrallë ata që e gëzojnë këtë fat të lum.” Edhe në pak radhë, ngre kokë hedonizmi i tij. Retorika e tij është buçitëse. Ai është mishërim i përulësisë dhe i dijes, njëkohësisht. Ai thotë atë që u pëlqen të tjerëve të dëgjojnë, duke u përpjekur të shpalosë kinse nderimin për vlera të tilla, që sipas tij, u zhdukën për faj po të njerëzimit. Z. P. jo pa qëllim i mëshon kolektivizimit të fajit. Po të bënte të kundërtën, duhet të ishte i pari në radhën e atyre që marrin përsipër të bëjnë “mea culpa”. Edhe po të dojë, nuk e bën dot. Dukjen mund ta latosh, por thelbin jo.
Në planetin e ri ku u zgjua, z. P është i destinuar të ruajë dukjen. Ndërkohë që do të vazhdojë me të njëjtin pasion të sundojë grigjën e zgjedhur, prej fatit që i ra, do të thosha, dhe jo prej tij, duke ushqyer mbase të njëjtën ëndërr, me sundimtar dhe të sunduar, pavarësisht përfytyrimeve mbi një realitet që shkon përtej kornizave të një vepre letrare.
Tiranë, më 29.11.2024