More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRaimonda Belli Gjençaj: Kur penën e përkthimit e mban dora e shkrimtares

    Raimonda Belli Gjençaj: Kur penën e përkthimit e mban dora e shkrimtares

    Përsiatje mbi romanin “Në shtëpinë e pianistit” dhe përkthyesen e tij

    “Shkrimtarët krijojnë letërsinë kombëtare, ndërsa përkthyesit i japin asaj frymën universale.”  Kjo thënie e shkrimtarit portugez José Saramago, më erdhi në mendje ndërsa mbyllja faqen e fundit të librit “Në shtëpinë e pianistit”, të autorit holandez Jan Brokken, përkthyer nga shkrimtarja Diana Çuli, nën siglën e shtëpisë botuese “DITURIA”. Një vepër letrare shijohet plotësisht kur lexuesi pushtohet nga dy elemente kryesore, emocionet dhe padurimi për t’i shkuar deri në fund, sa më shpejt që të jetë e mundur. Në rastin ideal, lexuesi duhet të jetë në një terren të panjohur për të, të mos ketë dijeni as për personazhet, as për subjektin dhe, natyrisht të ketë kërshërinë për përfundimin. Por ndodh të lexosh fundin në tri fjalë të fillimit dhe kërshëria të mbetet e njëjtë. Kështu ngjau me “Në shtëpinë e pianistit”, në të cilën unë hyra përmes aurës së përkthimit të Diana Çulit. Autorja e shumë librave, skenarëve dhe përkthyesja e qindra faqeve, të sjella në shqip nga letërsia e huaj, ndër vite, tashmë, ishte garancia se ky libër e meritonte kohën e leximit. Te një vepër me elemente biografike ekziston gjithmonë rreziku i pranisë së frymës së reportazhit, kur autori nuk është mjaftueshmërisht i zoti që të ecë në dy binarë paralelë të gazetarisë dhe letërsisë. Unë zbulova se Jan Brokker është një shkrimtar i mirëfilltë që përvoja e punës si gazetar e ka bërë dallues në kuptimin e plotë të fjalës peizazhin e veprës së tij letrare. Në fakt, pianistin, ai e njeh falë këtij profesioni dhe që nga çasti i parë, midis tyre do të ekzistojë ajo marrëdhënie sublime që e quajmë miqësi. Është kjo njohje e zgjatur në kohë dhe e thellë në vlerësimin e njeri-tjetrit, që ka bërë të mundur ngjizjen e këtij libri, që të mban të lidhur pas vetes edhe kur ia di fundin historisë. Sepse një vepër letrare nuk është një rrëfim i thjeshtë i diçkaje që nxit një autor për ta hedhur në letër, por është një kompleks i tërë ku ndërthuren ngjarje reale me trillin e fantazisë, tregimi i të cilave vjen pastaj përmes stilit, leksikut, situatave, ku gëlojnë të panjohurat e jetës së personazheve, që lexuesi intrigohet t’i zbulojë. Këtu jemi te përgjithësimi. Ne biem dakord që një vepër e mirë letrare duhet të përcjellë kulturë. Jo thjesht në kuptimin e të shkruarit. Lexuesi duhet të përfitojë jo vetëm kënaqësi estetike. Një vepër letrare e një autori të huaj na jep gjithmonë mundësinë të zbulojmë vende të tjera, mendësi të tjera, sjellje e zakone të popujve, që jo rrallë i gjejmë të ngjashëm edhe me veten. Gazetari Jan Brokken, ndërkohë dhe një udhëtar i spikatur, që ka parë botë me sy, i shërben me përvojën e pasur, shkrimtarit me të njëjtin emër. Ky dualizëm magjik ndihet dhe në libër, përmes të cilit lexuesi nuk mbetet vetëm në Amsterdam. Ai ka fatin të “shëtisë” dhe të shijojë panoramën që shpesh kap skaje të paimagjinueshme, sepse të merr me vete dhe të shpie në hapësirat e pafundme të ish Bashkimit Sovjetik, jo përmes përfytyrimit të autorit. As falë rrëfimeve të pianistit të famshëm rus Juri Egorov, të cilit i është kushtuar ky libër. Ky udhëtim është një sipërmarrje reale, që Jan Brokken e merr përsipër bashkë me rrezikun që i kanosej si shtetas i huaj, në një vend komunist. Kjo falë intuitës së gazetarit, por që e shpalos me emocione të veçanta në cilësinë e shkrimtarit. Sidoqoftë jo çdo element i jetës arrin të bëhet pjesë e letërsisë. Zotësia e një shkrimtari del në pah kur ai di të zgjedhë ato të duhurat dhe kur i ve në veprën e vet në masën e duhur dhe me një qëllim të caktuar. Letërsia të lejon të bashkosh copëzat reale të mozaikut me trillimin sepse vetëm kështu do të kishte kuptim dhe do të vishej me joshjen e duhur, një libër. Dhe kjo ndodh falë talentit të autorit. Që ndërthur mjeshtërisht biografinë personale me biografinë profesionale. Duke qëndruar te kjo e dyta, duhet thënë se njohuritë e mira të romancierit Brokken, në fushën e muzikës, kanë bërë që portreti i pianistit Juri Egorov, të shfaqet para lexuesit me vërtetësinë dhe madhështinë e merituar. Po kështu tingëllon i natyrshëm plazmimi i elementit biografik edhe në përkthim. Merita këtu është e përkthyeses – shkrimtare, Diana Çuli, që aftësinë e spikatur për letërsinë biografike e ka shpalosur në një nga romanet e saj, ndër më të mirët, që kemi, të titulluar “Engjëj të armatosur”. Duke e pranuar këtë si një përputhje rastësore që ia ka lehtësuar punën përkthyeses Çuli, një pohim tjetër të vjen në mendje. Ballafaqimi i saj me një strukturë të pasur të gjuhës muzikore, që vesh pothuajse gjithë ngrehinën letrare, ka qenë “thembra e Akilit” për të. Një sfidë që përkthyesja e ka fituar plotësisht, jo vetëm falë kulturës personale, por edhe bindjes se dyert e dijes janë aty; mjaft të dish të trokasësh.  Pa asnjë dyshim, Diana Çuli ka gjetur pragun e duhur dhe nuk ka ikur nga mjedisi muzikor pa marrë përgjigjet e duhura për të gjitha pyetjet e saj. Këtë e dëshmon çdo faqe e romanit që përshkohet nga jeta e një pianisti, që fle dhe zgjohet me muzikën. Në këtë mënyrë, përkthyesja ia ka bërë denjësisht shërbimin librit “Në shtëpinë e pianistit”. Po kështu, ngulmuese, për çdo fjalë dhe ngjarje, ajo përpiqet ta sjellë sa më afër lexuesit edhe atmosferën e një vendi të madh si ish Bashkimi Sovjetik, duke mos anashkaluar shpjegime që lidhen me shprehje të caktuara, me zakone dhe mjedise, të cilave një shqipërim i pasaktë apo i sforcuar do t’ua humbiste hijeshinë. Sepse Diana Çuli nuk është “besnike”, por është krijuese, pa e tradhtuar tekstin që merr përsipër të përkthejë. Diana Çuli shquhet për kulturën gjuhësore. Një njohëse dhe lëvruese e pa të metë e shqipes, si zotëruese e mirë e Italishtes, Frëngjishtes dhe Anglishtes, nuk ka reshtur së kërkuari për të zbuluar visaret e veprave letrare në gjuhët origjinale. Që një përkthyesi, i duhet njësoj si fryma. Ajo i jep veprës së përkthyer gjallërinë, ritmin, kreativitetin. Ajo bën që lexuesit t’i kthehet besimi, ndonjëherë i munguar ndaj vlerave artistike të librave që përkthehen te ne. Është detyrim i lëvruesve të fushës letrare ta mbajnë të palëkundur këtë besim. Qe rritet natyrshëm, kur, si në rastin tonë, pena e përkthimit bie në dorën e një shkrimtareje.

    NJË KOMENT

    1. Knaqsi leximi t’jesh i vetvetës edhe në çaste t’rënda, mbase të mërztshme erërash gjithfarëshe prej ngado dhe ku do. Exlibriss, tash më pjesë e pa ndashme jete, edukimi kulturore. Tash më jemi mishnuar me ,,Exlibris” pa të cilën jo vetëm se qemë t’munguar por në terr thua se. Kujtoj se Exlibris duhet t’zgjeroj hapsirë edhe për krijuesit Shqip jo vetëm tërsisë ballkanike, por edhe të disaporës, natyrisht vlerash t’njëmendeta të krijuesëve serioz të fuhshave të ndrushme të bërjes ART.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË