More
    KreuArte pamoreQerim Vrioni: Emocionet e një fotografi (sprovë)

    Qerim Vrioni: Emocionet e një fotografi (sprovë)

    Si në  çdo veprimtari krijuese në fushë të  arteve,  edhe në krijimin e fotografisë, emocionet janë element nxitëse, që  e shtyjnë autorin për ngjizjen e saj. Këtu fjala rreh për fotografët të cilët mëtojnë të krijojnë foto arti. Atyre, aparati iu është shtuar si një gjymtyrë dhe fotografimi si shqisë  me të cilën janë përherë në “gjueti” a “peshkim” të pamjeve që do të përngrijnë (fiksojnë) në pelikolën e filmit e më pas në letrën fotografike. Veçantia, po të shprehemi në mënyrë figurative, qëndron në vozitjen gjithë ditës me varkën e tyre, aparatin, në detin e fotografisë. Prej çastit kur imazhi godet syrin dhe mendjen e fotografit  deri sa fotoja bëhet gati për të “parakaluar” në ekspozitë ose të paraqitet në album, kryhen disa procese krijuese mendore e teknike. Pa dyshim, çdo kohëndarje e këtyre proceseve  shoqërohet me emocione vetjake të ndryshme.

    Para se të shkrepet aparati, ajo  që ndodhet përballë fotografit, nëpërmjet syrit, “përtypet”  nga vetëdija dhe ndërdija e njeriut. Kur këto të  dyja, barabar ose njera më shumë  se tjetra bien në një “mendje” se tanimë gjithçka është në rregull, menjëherë ato i u hapin “shtegun” përudhjeve të mëtejshme. Aparati shtrëngohet pas fytyrës, frymëmarja mbahet, trupi ngrin, e nga sistemi qendror nervor urdhërohet ajo lëvizja klasike e gishtit tregues mbi butonin e shkrepjes. Ndërkaq, shembëllimi në të dhjetat e sekondës, ose edhe shumë më pak, kalon (si në vrimë të gjilpërës) nëpër objektiv dhe ndehet përgjithmonë mbi film. Nga ky nëpërkalim atij i humbet një përmasë (thellësia) dhe  shndërohet kështu në një figurë të rafshët, pra dypërmasore.

    Shtypja e mollëzës së  gishtit  tregues mbi butonin e shkrepjes i jep fund trysnisë ndjesore të krijuar nga imazhi mbi fotografinë, e në atë lëvizje mekanike (mish-metal) kalon si “shkrepje rrufeje” një rrymë e lartë emocionale, a ndoshta nje tension i ndjeshëm bioelektrik. Vet fjala “shkrep” (aparatin), që simbolizon fotografimin, në gjuhën shqipe përdoret edhe për rrufenë, si dhe për daljen e shkëndijave kur përplasen dy sende. Kjo fjalë ka një tingëllimë shumë të afërtë me zhurmërinë e obturatorit gjatë fotografimit (shkrap) dhe sipas fjalorit të termave letrare, përbën një onomatope të pastër. Pra, një proces teknik, bazë për një krijim artistik, emërtohet në shqip me një figurë letrare. Ndoshta kjo përbën një “epërsi” të gjuhës tonë ndaj të tjerave në lëm të fotografisë Këtu,  merita i përket atij fotografi shqiptar  me shpirt poeti, deri tani i panjohur, aty nga fillimi i shekullit XX, i cili e shqiptoi për herë të parë. Më pas me këmbëngulje ai e përdori në vijimësi në vend të ndonjë fjale të huaj, siç ndodhte e ndodh rëndom. Në rastin e fotografimit, dy subjektet janë: Njeriu dhe mjeti (fotografi dhe aparati) dhe xixat ose shkëndijat janë fotografitë, fryt i mendimit dhe i veprimit të të dyve. Shkrepja shoqërohet nga zhurma (e ëmbël për fotografin) e hapje-mbylljes së obturatorit që tejçon nga veshi në tru kumtin se shëmbëllesa “u prangos”. Pra, edhe nje shqisë më tepër, ajo e dëgjimit, merr pjesë në procesin e fotografimit, çka  natyrshëm shton emocionet.

            Pas këtij çasti, të rrahurat e zemrës së fotografit ulen disi, por pa u normalizuar, sepse nuk është përpunuar fotoja në laborator, dhe ai nuk e ka  prekur krijimin e tij, fotografinë, madje as me shikim. Ndonëse përbën  një proces teknik, ai është shumë  i rëndësishëm. Stampimi në laborator, ku fotografia përfundohet (teknikisht) gjithashtu ka emocionet e tij. Letra e ndjeshme, e bardhë në dukje, pasi ka kaluar nga zmadhuesi është “mbarsur” me shëmbëllimin. Në vaskën  e zhvilluesit, ajo dalngadalë e pjesë-pjesë, ngjyroset nën  veprimin e reaguesve kimike. Kështu nis “mpiksja” e fotografisë. Fotografi, tanimë i bërë vetëm sy, vëren si formohen, të themi flokët, vetullat, sytë e pjesë të tjera të një portreti, e kur mbaron ravijëzimi, ai heton se sa ia ka arritur qëllimit me këtë foto. Kjo kohështrirje ndjesiplote ha disa minuta të “mëdha” e duhet pritur të formëzohen edhe fotot e tjera që të dalë në përfundime për punën fillimisht teknike.

        Për natyrën e mënjëanshme të artit fotografik, puna nuk mbaron me stampimin në letër të imazhit. Kjo sepse, në ndryshim nga piktori, i cili pasi e mbaron veprën, vendos datën dhe emrin dhe le mënjanë penelin , fotografi duhet të bëjë zgjedhjen e  më të mirës ndër disa që ka përpara. Me këtë kuptojmë përcaktimin e fotografisë përfaqësuese, ngaqë për veçoritë e këtij arti, rregullisht për çdo pamje aparati  nuk shkrepet vetëm një herë (përjashtohen rastet kur imazhi që po fotografohet është në çastet e konsumimit të tij përfundimtar). Duke pasur në duar shumë foto për të njëjtën pamje a subjekt (me ndryshime të parametrave teknikë, si  këndmarrja, shkallët e diafragmës, fokusimit dhe kohës, por që ndryshojnë vlerën e fotos), fotografi duhet të përveçojë atë më të bukurën, më të goditurën, gjithmonë sipas tij. E këtu nuk ka matematikë, sepse vepron më shumë ndërdija  dhe ai e ka të vështirë të lërë mënjanë disa foto e të mbajë vetëm një,  mbasi të gjithë gishtat e dorës dhembin njësoj. Pas disa mëdyshjesh ai duhet të  vendosi, e  tani rahjet e zemrës përsëri shpeshtohen. Kjo përzgjedhje kërkon shije të hollë artistike dhe shpërfaq kësisoj nivelin estetik të fotografit. Si të thuash, është një proces teorik ku ndërthuren në përpjestime të papërcaktuara estetika dhe psikologjia e fotografit. Atij tanimë, i duhet “të hedhë dorën e të zgjedhi mollën”, e kjo të jetë e tillë që të nesërmen të mos “e hedhë dorën “ sërish. Këtu një peshë të madhe ka edhe gjendja shpirtërore e atij që zgjedh. Fotografia, duke bërë një krahasim figurativ, themi se është rezultante e dy vektorëve, dritës dhe kohës, ose dhe më ndryshe, ajo është si një bimë të cilën e mbjell e para, por e korr e dyta. E para, e domosdoshme për t’u ngjizur fotografia, por e pamjaftueshme për të “qëndruar më këmbë” pa mbështetjen e  kohës që është shumë e pamëshirshme dhe e paanshme në përcaktimin e vlerave artistike, çka shfaqet  në përballjet me publikun. Koha përbën kushtin që fotografia e mbjell nga drita të “vegjetojë” gjatë, e me këtë nënkuptojmë bashkëjetesën me shikuesin, numërimin e kohës drejt pafundësisë.

    Le të kthehemi tek përcaktimi përfundimtar i fotos më të mirë. Kujtojmë se fotografi i madh Gjon Mili, për të arritur te fotografia “ikonë”, “Pikaso duke vizatuar me dritë”, ka qëndruar pranë piktorit të madh me ditë të tëra dhe e ka shkrepur aparatin qindra herë. Me këto fotografi, Mili ka botuar edhe  nje album-monografi “Dimensioni i tretë i Pikasos” ku përfshihet pjesa më e madhe e fotove të piktorit, i cili paraqitet duke vizatuar me dritë. Në zgjedhjen e fotos së sipërpërmendur të Milit ka ndikuar veçanërisht intuita e tij artistike dhe mendimi i përgjithshëm ka “nënshkruar” se ai ka goditur në shenjë.

    Ndoshta mendohet se me përzgjedhjen e fotos më të mirë shqetësimet e fotografit kanë mbaruar,  emocionet janë mpakur e janë normalizuar  dhe rahjet e zemrës. Fotoja kërkon emër, dhe këtë e kërkon nga “babai” i saj. Ai duhet ta vrasë përsëri mendjen,  t’i rritet adrenalina e të përveshi rishtas mëngët. Këtu përjashtohen rastet kur titullin e ka pasur në dorë para fotografimit dhe pikërisht ai titull e ka nxitur ta bëjë atë foto. Fotografi përpilon një listë titujsh që shkurtohet duke e studiuar deri sa mbetet vetëm ai që autori e vendos ndënë foto. Kujtojmë fotografinë e njohur të Gegë Marubit me katër shkrimtarët. Në atë kohë fotografi e titulloi thjeshtë, por me shumë kuptim “Dy breza letrarësh”. Ka edhe raste kur fotos i ndryshohet emri nga analizat që i bëhen , si p.sh., fotoja “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktari i Shalës” e Kel Marubit, sot në shtyp botohet e emërtuar “Dorëzimi i armëve”. Ndonjëherë fotografët i bien shkurt, sidomos kur kanë mëdyshje dhe ngurime dhe i quajnë  fare thatë fotot e tyre “Pa titull”, e kështu edhe me pak  “dredhi”, i detyrojnë shikuesit të ngulen e të përsiatin gjatë para tyre.

           Tani fotografia është gati dhe autori e vendos para publikut në ekspozitë, në album, në shtypin e shkruar në median elektronike, në rastet më fatlume në muze (“mejdanet” e fotografisë) dhe pret gjykimin e shikuesve. Kjo drejtëz kohore është pafundësisht e gjatë dhe përcjell tek autori përshtypjet e shikuesve të cilat lindin ose rilindin emocione të dikurshme, por edhe të paprovuara. Përmendim se edhe sot vlerësohen me nota të ndryshme, gjithmonë “kaluese”, fotografi që janë realizuar dhjetra vjet më parë.

    Këto na bëjnë të mendojmë se emocionet e fotografit janë të shumta, të mënjanshme dhe të vazhdueshme ashtu sic ndodh natyrshëm me artistin në procesin e krijimit të veprave artistike. Por a nuk ja vlen që të jetohet me emocione  të tilla ?!

    Tirane, 2005

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË