More
    KreuArte pamoreQemal Agaj: Picasso, Guernica, Gjon Mili

    Qemal Agaj: Picasso, Guernica, Gjon Mili

    Pas tij dhe brenda tij qëndron Spanja

    Forca e Pikasos, fuqia demoniake e artit të tij i ka rrënjët në tokën e Spanjës, violent, vend i apasionuar ku ai kishte lindur. Franca me krenari e deklaron Pikason të sajën dhe kjo ka arsye duke marrë parasysh vjetët e qëndrimit dhe angazhimit të ngushtë me pikturën franceze, por Spanja është stamposur e pashlyer në zemrat e fëmijëve të saj.

    Një peizazh i ashpër, një populli varfër dhe aristokrat, mistik dhe tokësor, bujar dhe që nuk duron, i ashpër dhe i apasionuar, me një të qeshur të çiltër, muzikë të egër dhe sa vdekje kërkues. Vishen me pelerina të zeza në vdekje dhe e imitojnë atë në festa me therje rituale të demave shoqëruar me këngë e valle. “Vdekja ka shkruar Frederiko Garsia Lorka – është një fund. Ajo vjen dhe perdja ngrihet. Në Spanjë të vdekurit janë më të gjallë se të vdekurit e çdo vendi në botë.’’

     Ky është kombi, ku natyra komplekse u ka dhën artistëve të saj tema pa fund. Paraardhësit e Pikasos ishin fisnikë të dorës së dytë dhe ai gjithmonë e ka quajtur veten një fisnik i lindur. Spanja gdhendi djaloshin Pikaso. Ai ishte një piktor i formuar kur la vendlindjen në moshën 22 vjeç, në një moment deçiziv të jetës së tij.

    Në Francë ai ndihej gjithmonë i huaj dhe akoma vazhdon të flas spanjisht. Arti i tij i ka rrënjët në subjekte spanjolle, si kitara dhe lufta e demave, është mbushur me sensibilitet spanjoll, që nga Blue Periode- një vizion keqardhës i një jete komplet të varfër- deri në agoninë intensive në Guernika, duke i sjell ndërmend Spanjës imazhete vuajtjeve të pafund të Krishtit. Duket sikur veprimtaria e tij e pafund ishte riafirmim i padurueshëm i jetës në fytyrë të armikut, qëndrimi i të cilit gjithmonë shfaqet si hije në shpirtin spanjoll.

    Guernica – thirrje zemërimi

    In the painting I am working on, which I will call Guernica, I clearly express my horror of the military class that has sunk Spain into an ocean of pain and death.’’

    Pablo Picasso

    Në 40 vjetët e para të krijimtarisë, Pikaso ishte pothuajse plotësisht i zhytur në artin e tij, duke mos i kushtuar vëmendje problemeve që shqetësonin gjeneratën. Ka p.sh. pak jehonë në veprat e tij Lufta e Parë Botërore. Kur shokët e tij si, si Guliem Apoliner , Xhorxh Brak u përfshinë në ushtri, ose të tjerë u shtërnguan të largohen nga Franca, Pikaso akoma një qytetar spanjoll, qëndroi në Paris duke dizenjuar kostume magjepëse për “Diaghilen’s Ballet Russes.’’

    Çfarë përfundimisht e ndryshoi atë ishte Lufta Civile e Spanjës. Agonia e tokës që e kish mëkuar dhe formuar, e goditi tmerrësisht dhe e detyroi më së fundi të mbledh veten. Edhe atëherë ai ishte i vonuar në gjetjen e një qëndrimi të përshtatshëm. Në 1936, kish pranuar të bëj një tablo për pavjonin e Republikës së Spanjës në Panairin Ndërkombëtar në Paris, por kishin kaluar gjashtë muaj pa bër asgjë.

    Në mbasditen e 26 Prillit, 1937, bombardues gjerman në mbështetje të Frankos, rrafshuan qytetin e vogël Guernika. Lajmet tronditëse arritën në Paris në 28 Prill. Ato e shkundën Pikason. Pamjet rrënqethëse të violencës dhe vuajtjet i përmbytën imagjinatën. Pikaso reagoi menjëherë, me gjithë qënien e tij dhe përgjigja, patjetër ishte me pikturë.

    Me gjithë zëmërimin që zjente brenda tij, ai punoi me shumë kujdes. Guernika nuk u hodh në telajon e madhe – 7.8 m. x 3.5 m. – me nxitjen e një dite, ishte rezultat i një pune ndën një tension që nuk e kishte jetuar më parë dhe, si në shumë vepra të tij të mëparshme, u parapri nga studime paraprake, që sollën gjithë ato emocione, gjithë fuqinë e mendimeve origjinale, gjithë eksperiencën e tij, në një fokus, Guernica. Kjo duhej të ishte akuza e tij kundër vrasësve dhe që të ishte e suksesëshme duhej të përdorte talentin në shkallën më të lartë; nuk kishte vend për improvizime të nxituara. Ky angazhim i gjithë qënies së tij, bëri që në pesë javë, duke punuar me intensitet, kompletoi tablonë e famshme, një përkujtimore për të vrarët e pafajshëm dhe një manifest kundër luftës.

    Gjithë ky intensitet pune, që në skicat e para në 1 – 10 Maj, deri në përfundimin e tablosë, 4 Qershor, janë ruajtur me kujdes në fotografimet nga partneria e Pikasos, Dora Maar. Ato përshfaqin ecurinë e tablosë dhe pamje mahnitëse të artistit gjatë punës si nuk ishin parë ndonjëherë

    Analizë:

    Tabloja u ekspozua në Pavjonin e Ekspozitës të Republikës Spanjolle në 12 Korrik, 1937. Por çfarë thotë kjo pikturë? Në këtë pikë çdonjëri është dakord, që esencialja është denoncimi i krimeve të luftës, egërsisë së pakuptimtë, urrejtjes dhe masakrimit të të pafajshmëve.

    Nuk është madhësia që të godet, më shumë se sa të qënët në prezencë të një bote, ku emocioni vetë është i gjerë pakufi. Në vështrim të parë, nuk dallohet mungesa e plotë e ngjyrave. E zeza, grija dhe bardha, një gam ngjyrash që të sjellin ndërmend gjëra të ndryshme si pelerinën e errët të Spanjës. Kontrasti i së mirës dhe të keqes janë të natyrshme, çfarë nuk është e natyrshme janë ulërimat, figurat e shpërndara me shprehje të dhimbshme në ekstrem, dhe po natyrshëm lind pyetja: “A të tërheq kjo pikturë? Dikush mund të përgjigjet shkurt, po ose jo, porky dikushi mund të jap një përgjigje shumë më të kuptimtë nëqoftëse pyetet: “Çfarë thotë kjo pikturë? “

    E fuqishme, tronditëse dhe me lëvizje konfuze të figurave, nuk kuptohet menjëherë përse janë këto klithma. Nuk ka shenja bombardimi, nuk ka aeroplanë, rrugë të shkatërruara, s’ka turma që lëvizin. E gjithë çfarë na jepet, hedhur si pa rregull në kanvas, është një numur i vogël viktimash në momente agonie dhe tmerri.

    Shpërndarë në tablo në një kaos të vërtetë shikon pjesë trupash. Lart në mes të tablosë, një dritë elektrike rrezaton në errësirë si një sy. Poshtë një kal i dobët duke ulëritur me një shtizë ngulur në gjoks. Ndën thundra trupi i një njeriu si një skulpturë e thyer me copa të qarta, një dorë e zgjatur në të majtë të pikturës, tjetra kapur një shpatë të thyer, që takon një lule të vogël. Në të djathtë të kalit një grua e tmerruar zgjat kokën nga një dritare dhe dora e saj e gjatë mban një llampë vajguri, që pothuajse arrinë kokën e kalit. Një tjetër grua posht saj, me gjurin dhe putrën e madhe duke lëvizur me mundim drejt qendrës. Në të djathtë lart, një grua duket e mbërthyer nga rrënojat në zjarr me krahët e zgjatur lart dhe kokën e anuar mbrapa duke klithur me agoni. Agonisë së saj i përgjigjet një tjetër grua me fëmijën e vdekur në duar duke vajtuar me kokën lart drejtuar nga demi, që shfaqet në errësirë i qetë, pa emocione dhe me kuptim të fshehtë. Duket qart që demi nuk është viktim.

    Për disa demi ka lidhje me arenën e toreadorëve, pas së cilës Pikaso ka qën gjithmonë i magjepsur. Për të tjerë përfaqëson popullin e pamposhtur spanjoll.

    Por çfarë janë ankimet që i drejtohen? Janë ulërima, akuza apo kërkesë për ndihmë? Është demi Shenjtë apo Djall? Kur është pyetur Pikaso, përgjigja ishte e shkurtër, “Demi është një dem. Është e drejta e shikuesit të shoh atë që dëshiron të shikoj.’’ Konceptimi me kuptime alegorike dhe simbole, e ngre tablonë në nivelin e një Mitologjie Universale. Në këndvështrimin historik, tabloja dhe vetë qyteti i vogël Bask me më pak se dhjetë mij banorë, janë kthyer në legjendë.

    Gjon MILI, 1937 -1949

    “Në 1939 , Mili amator filloi të fotografoj për LIFE. Kështu filloi një karierë brilante në studimin e portreteve, karakterizuar nga përdorimi me sukses në kombinimin e ‘strobe’ , ‘high speed’ dhe ‘light photography’, që arritën kulmin në serinë e vizatimeve me dritë nga Pablo. Picasso.’’

     TOM ANG

    Sigurimi nga Prof. Harold E. Edgerton në vitin 1937, i një paisje, “electronic flash,’’ me një kohë-zgjatje mjaft të shkurtër, 1 / 1.000.000 e sek., nxiti fantazinë e Milit, ndërroi kursin e jetës së tij. Si kujton Mili: “Për herë të parë kuptova që koha në të vërtetë mund të bëhej të ndalonte, tekstura mund të ruhej me gjithë lëvizjet e menjëherëshme dhe violente.

    Pas një viti eksperimentesh me paisjet e reja në një kishë të abandonuar në New Jersey, paraqitet në revistën LIFE, që në më pak se një viti në qarkullim po mbizotëronte kioskat e gazetave. “Zhvillimi i shpejtëi fotogazetarisë “shkruan Mili “nxiste oportunitet për të avancuar në diçka krejt të re. Unë dëshiroja të kontriboja në të, të isha pjesë e saj.’’

    Pasioni për artin e shtyti Milin të marr një hap të guximshëm. Do të linte dhjetë vjetë pune në Westinghouse si inxhiniernë fushën e kërkimeve në ndriçim me të ardhura të sigurta,për të filluar në një fushë të re të panjohur për të. Por vizioni i Milit ishte i qartë. “Unë vazhdova të bindja veten se për një periudhë kohe do të isha i vetmi fotograf gjendje të përdorja këtë burim drite magjike aq të sofistikuar.’’

    Fantazia dhe aftësitë e Milit në fiksimin e lëvizjeve të njeriut në fotografi, kanë ngelur një nga arritjet e tij më të shquara. Në më pak se tre vjet si fotograf për LIFE, Janar 1942, hap ekspozitën e parë personale në Muzeumin e Artit Modern (MoMA), në New York, “DANCERS IN MOVEMENT.’’ Benjamin Kathra në librin e tij, “Blue Notes in Black and White’’, shkruan: “Ekspozita DANCERS IN MOVEMENT në MoMA, me fotografi të Gjon Milit, demostron zotësinë e tij në përdorimin e ‘Strobe’ dheStop time’. Imazhet e kërcimit klasik dhe atij modern, tregojnë për aftësinë e Milit të na jap efekte teknike marramendëse, duke ruajtur në të njejtën kohë individualitetin e subjektit.’’

    Gjon Mili, skicë nga Qemal Agaj

    Në Dhjetor 1942, realizon ëndrrën e tij. I ngarkuar nga LIFE shkon në Hollywood. LIFEboton gjashtë imazhe, shoqëruar me artikullin me titull, “HIGH – SPEED CAMERA GOES TO HOLLYWOOD – GJON MILI MAKES STARS STAND STILL,’’ ku midis të tjerave shkruhet: “Për të marrë imazhet e botuara në këto faqe, LIFE dërgon Gjon Milin në në udhëtimin e tij të parë në Hollywood. Atje, në Mekën e ndriçimit dhe efekteve speciale, Mili i tregoi botës së filmit, që ai po ashtu ka disa truke të reja në të fshehtat e fotografisë.’’

    Në 15 Janar, 1943, sëbashku me Prof. Harold E. Edgerton, hapin ekspozitë në “Brooklin Muzeum “me titull: “Stroboscopic Photo Exhibit.’’ Në buletinin informativ shkruhet: “…Ndërsa Prof. Edgertone ka aplikuar shpikjen e tij fillimisht për kërkime në laborator, bashkëpuntori i tij, Gjon Mili e ka përdorur në fotografinë komerciale. Shembujt e të dey rasteve, për kërkime shkencore, apo komerciale, përbëjnë pjesën më të mdhe të ekspozitës, që është instaluar në nga Departamenti i Fotografisë të Muzeumit.’’

    Në Gusht, 1943, LIFE boton 25 fotografi nga kërcimi, “The Lindy Hop’’ . Këto fotografi të Milit janë nga më spektakolaret e marra ndonjëherë me këtë kërcim aq popullor në Amerikë në atë kohë.

    Studioja e tij, që Henri Cartier Brenson e quante, Athina e Nju Jorkut, dhe muzikantët exhazit, një depo djersitëse plotë tym duhani, ishte kthyer në një qendër argëtimi me muzikantët e xhazit më të shquar të kohës në orët e vona. Jehona e këtyre mbrëmjeve dhe imazhet nga “Jam Session’’ botuar në LIFE, 11 Tetor, 1943, bën që shoqëria kinematogrfike Warner Brothers, të angazhoj Milin në filmin me metrazh të shkurtër, “Jammin the Blues.’’ Me regjizor Gjon Milin, ky film ka ngelur Ikon në filmat e kësaj gjinie. Në vitin 1945, “Jammin the Blues’’ është zgjedhur për ruajtje nga Libraria e Kongresit në “United Nation Registry,’’ i cilësuar si, “Culturaly, Historically and Aesthetically, Significant.’’

    Përdorimi me sukses i fotografimit me dritë të patinatores, Carole Lynne, botuar në kopertinën e LUFE, 26 Mars, 1945, shënon një kthesë në artin e Milit. As ai nuk e mendonte se këto imazhe do të tërhiqnin vëmendjen e piktorit më të shquar të kohës, Pablo Pikaso.

    Në 1946, angazhohet si fotogazetar në Konferencën e Paqes në Paris, ku fotografon dhe përfaqësuesin e Republikës së Shqipërisë, Enver Hoxha. Në një informacion të Biblotekës Nacionale të Francës shkruhet: “Gjon Mili, pjestar i redaksisë së revistës Amerikane LIFE, aktualisht është në Paris si fotogazetar zyrtar i Konferencës së ‘ 21-ve. ‘ Konsideruar si një nga fotografët më të shquar në SH.B.A., ndën kujdesin e Zyrës së Inteligjencës Amerikane, po ekspozon deri në 10 Tetor fotografitë e tij të fundit në Galerie du Bas. “

    Në fjalën e hapjes të ekspozitës, Jean-Paul Sartre midis të tjerave thotë: “…Gjon Mili nuk kënaqet thjeshtë të fotografoj njerës të shquar, ai e bën çdo imazh një provë, një eksperiment…nëqoftëse Mili të bën pjesë të koleksionit të tij, ai ju ka vëzhguar, ai do t’ju njoh plotësisht.’’

    Ja si e komenton shefi i tij, George P. Hunt në LIFE, 18 Shtator, 1964: “Njerëzit e shohin Milin dhe punën e tij në këndvështrime të ndryshëm. Vëmendja konstante për fotografi me kuptim i kujton Jean-Paul Sartre një milingona ngrënës duke nuhatur botën për subjekte dhe duke kapur njerëzimin me kameran e tij. Një reporter në Konferencën e Paqes në Paris e përshkruan Milin, si një zog duke kërcyer para-mbrapa midis dritave dhe kamerave. Mili parapërgatit tekstet e fotografive më shumë se cilido tjetër…Mili di çfarë dëshiron dhe e di çfarë dëshirojmë ne, dhe rrallë ndodh të mos i plotësoj të dyja.’’

    Me këto arritje, në këtë vrull eksperimentimesh teknike të reja në fotografi, Mili u ngarkua nga LIFE në 1949, të fotografonte Modernistët Europian, sigurisht mes tyre dhe Pikason. Në atë kohë, Mili akoma në kërkim të Artit të Fotografisë, Pikaso me “Guernica “e kishte konsoliduar emrin e tij si artisti më influencues i kohës dhe me pllakatin ,’’ The Dove,’’ – bazuar në një litografi të një pëllumbi dhe zgjedhur nga Aragon për Kongresin Botëror të Paqes në Paris, Prill, 1949, tashmëishte dhe një figurë e shquar në lëvizjen për paqe.

    Nëse mund të gjykohet se arritjet në ato dhjetë vjetë i kishin dhënë Milit një lloj sigurie, si rrodhën ngjarjet, takimi me Pikason u kthye në një preokupim të vërtetë për fotografin. A do të ndihej i qetë përpara figurës impozante të artistit? Përpara syve ti tij kafe të errët çuditërisht të mëdhenj për fytyrën e tij ?

    Picasso duke vizatuar me dritë, fotografi nga Gjon Mili, 1949

     Në librin e tij, “Picasso’s Third Dimenssion’’, Mili shkruan : ’’ Vetënxitës, brilant dhe i paparashikuar, Pikaso është hyjnor. Nuk mohohet magnetizmi i tij. Nuk ka shpëtim nga tërheqja e gravitetit që ndjen nga prezenca e tij.’’

    Fotografi i shquar dhe shoku i Milit, Robert Kapa, që ishte ngarkuar të fotografonte artistin në atë kohë, Gusht, 1949, kujton: “Në Golf-Huan, në Rivierën Franceze, gjeta një shok të vjetër, Gjon Milin. Mili vishej dhe dukej si dordolec, që e bëri atë të hynte në zemrat e njerëzve në qytetin e vogël bregdetar. Problemi i tij ishte hynte në zemër të Pikasos. Në valixhet e tij nuk kishte xhaketa mbrëmjesh, por një sasi dritash të mëdha dhe të vogla. Mendimi i tij ishte të bënte Pikason të vizatonte në hapësirë me një dritë të vogël.’’

    Mili ia arriti qëllimit. E magjishmia ndodhi. Në tridhjetë sekonda, Pikaso i dha emrin Milit si fotografi më i shquar në përdorimin e strobe dhe flashlight. Fotografia e Pikasos duke vizatuar me dritë në errësirë një centaur – që për mua emërtimi centaur është i dyshimtë – Kjo fotografi, vazhdon të komentohet si një arritje e rrallë në bashkëpunimin e dy artistëve.

    Nga ana tjetër , Mili i shtoi artit të Pikasos përveç pikturës, skulpturës…një gjini tjetër, vizatimet me dritë në vend të një lapsi.

    Takimi i Milit me Pikason në 1949 dhe takimit tjetër, 18 vjetë më vonë, 1967, nga doli libri, “Picasso’s Third Dimension,’’ 1970, mendoj të jet subjekt i një shkrimi të ardhshëm.

    Referenca:

    Gjon Mili, “Picasso’s Third Dimension’’, 1970.

    Gjon Mili, “Photographs & Recollections’’, 1984.

    LIFE, 30 Janar, 1950.

    LIFE, 27 Dhjetor, 1978.

    Patrick O’Brian, “PICASSO’’, 1976.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË