More
    KreuIn memoriamQazim Shehu: Skënder Karriqi - njeriu dhe studiuesi që do të kujtohet

    Qazim Shehu: Skënder Karriqi – njeriu dhe studiuesi që do të kujtohet

    Skënder Karriqi është një studiues i hollë dhe i apasionuar i letërsisë dhe i artit,njëkohshëm ai ishte një veprimtar shoqëror i spikatur e njëherit  një arsimtar i devotshëm ,si dhe drejtues arsimi e kulture  në rrethin e Bashkinë Librazhd për shumë vite.Gjatë kësaj kohe e gjatë këtyre punëve që kreu si mësues,inspektor e drejtues arsimi,si drejtor i QKF,ai manifestoi personalitetin e tij krejt ndryshe nga shumë  të tjerë,duke u spikatur për dijet e tij të gjera në lëmë të literaturës shkencore -letrare,në fushë të folklorit apo të studimit të mitologjisë dhe filozofisë së lashtë e të re.E jo vetëm kaq,por ,mbi të gjitha, për dashamirësinë e tij ndaj krijuesve të tjerë,për komunikimin e hapur ,për logjikën e ngulët të argumentimit dhe të interpretimit,gjë që e bënte të pranueshëm dhe një njeri  që dinte ta shërbente fjalën me aromën e dijes.

    Për të arritur deri këtu,atij iu desh të punonte gjatë,sistematikisht,të kërkonte e hulumtonte,të krahasonte e të veçonte përkatësisht tema që ai merrte për shqyrtim.Punoi shumë dhe arriti deri te teza e doktoraturës”Prometeikja në letërsinë shqipe”, të cilën e mbrojti me sukses nën udhëheqjen e profesor Ali Xhikut.

    Natyrisht, ishte një temë e vështirë,e rrahur nga shumë studiues kalibri,veçmas nga profesor doktor Rexhep Qosja,por Skënderi nuk u tremb, duke treguar se nuk ka tema apo çështje  të  ezuaruara deri në fund,se gjithnjë temat e mëdha nuk i shterojnë burimet e tyre,mjafton t`i gjesh ato burime të fshehura dhe t`u hapësh rrugën që të rrjedhin e të shkojnë te njerëzit.Dhe studimi për Prometeun përbën një qasje interesante në vështrimin e tij, prej organizimit strukturor,motiveve që kap,trajtesës së Prometeut nga autorë shqiptarë si Kadare,por edhe autorë të huaj.

    Mbasi mbaroi punë me Prometun e tij të dashur,Skënderi shkroi një varg artikujsh, shumica e të cilëve u botuan në gazetën prestigjioze “ExLibris” dhe që tërhoqën vëmendjen.Ai botoi shkrime profesionale për Kadarenë, Besnik Mustafajn,Bashkim Hoxhën,Namik Doklen Koçi Petritin ,kryesisht vështrime për prozën  e poezinë e tyre.

    Shkrimet e Skënderit dalloheshin prej vështrimeve të holla e frazës elegante,prej  gjykimit të mprehtë dhe  që shkonte në kapjen e dukurive estetike,duke mos u zgjatur në rrëfime subjektesh apo të dhëna të tjera jashtëletrare.Kultura e gjerë dhe  marrja me lexim e me letërsi si pjesë e pandashme e veprimtarisë së tij ditore,ia jepte këtë mundësi,por edhe intuita e lindur,zgjuarsia,përvoja e grumbulluar,të gjitha  vinin e bashkoheshin duke u harmonizuar në një të tërë e duke përvijuar stilin e tij origjinal të të shkruarit,  ku esenca ishte intelek tualizmi i hollë dhe mjaft tërheqës.

    Kështu, shkrimet e tij u bënë modele  të të gjykuarit e të të shprehurit estetik,ku akti i të shkruarit vinte si përgjegjësi për fjalën dhe si forcë e fshehtë ndikuese, në saj të trajtesës  studimore dhe kritike të tij.

    Shkrimet e Skënderit dallohen nga moderniteti dhe faktologjia  ,por sidomos do të veçoja në to interpretimet e mençura që bënte,duke u profilizuar kështu  si një zë i kritikës bashkëkohore shqiptare për mënyrën sesi ai u  qasej  teksteve letrare e duke  i veçuar ato jashtë kontekstit të trajtimit socologjik,por brenda vështrimit estetik.

    Si studiues i folklorit,i legjendave dhe miteve të Luginës së Shkumbinit në Librazhd,Skënderi u ndal në kufirin aty ku ndahen gegë dhe toskë, veçoi dallimet, afroi të përbashkëtat dhe solli shembuj të padiskutueshëm të këtij dallimi e ndërveprimi.

    Si drejtor i QKF, ai i mblodhi këngët popullore, shkroi tekste e, në bashkëpunim me kompozitorin e talentuar Naim Gjoshi që i muzikoi ato me dashuri e profesionalizëm, bëri që këto këngë të viheshin në buzët e fëmijëve të talentuar dhe të kishin jehonë ,pa u përzier me intonacione të reja, duke u dhënë atyre përfytyrimin e mundshëm  sesi mund të ishte muzika e lashtë ilire në këtë zonë.

    Kjo punë e madhe gjeti pëlqimin e miratimin e një mase të gjerë njerëzish,që e vlerësuan atë në trajtën e respektit ,duke bërë që emri i Skënderit të rritej e të merrte domethënien që merr një emër i shquar.Dhe vërtet ai ishte një emër i shquar jashtë bujës mediatike,jashtë propagandës, që shpesh diktohet  apo manipulohet.Kjo nuk i duhej,sepse ai ishte i ndërgjegjshëm për vlerat e tij,për veprën që po krijonte çdo ditë  duke shkruar shkrime interesante dhe që tërhiqnin vëmendjen e njerëzve,të cilët  vërtet dinë të lexojnë dhe i kanë të shkathëta recepturat dhe perceprimet e tekstit.

    Duke qenë një drejtues dhe punonjës i nstitucioneve kulturore që vareshin nga Bashkia Librazhd,ai ndihmoi në organizimin e shumë konferencave shkencore, siç ishte Konferenca Shkencore për Aranitët, ku ai bashkëpunoi me studiuesin tjetër të njohur çermenikas,Avni Alcani.Po kështu shkroi mjaft skenarë për filma dokumentarë,të cilat i lexoi edhe vetë.

     Edhe në veprimtaritë e tjera në ceremonitë vlerësuese për dhënie titujsh e çmimesh,në përurime librash,skenari do të ishte i Skënderit,skenarë që ai i ndërtonte me një fjalësi të zgjedhur e plot përkushtim,duke bërë të mundur që këto veprimtari të mos organizoheshin  me diskutime pa bereqet ,por me qasje reale e profesionale  të vlerave.Kjo nuk i hante kohë,sepse ai kohën e menaxhonte lehtësisht prej përgatitjes së mirë dhe përvojës së pasur që kishte.

    Nuk mund të harrohen takimet me të,sajdisjet që të bënte,mirëkuptimi që krijonte me mendjen e tij të hapur e të gjerë,por njëkohësisht  ai dinte të krijonte një mjedis shoqëror ku ndiheshe mirë.Njeri i debatit me nerv të kulturuar, ku kundërshtia nuk  sillej si ego e sëmurë,Skënderi dinte ta “çarmatoste” tjetrin përmes shembullit dhe argumentit pa e prekur klimën e debatit.Kjo sepse ishte i kulturuar ,kjo sepse ishte dashamirës dhe i zoti.

    Lajmi për ikjen e tij nga jeta erdhi e papritur për shumëkënd që e pati njohur,që pati folur dhe biseduar me të,duke u marrë edhe si jo i saktë ky lajm,por mjerisht, ishte i vërtetë..

    Për atë që e ka njohur dhe e ka pasur mik ,edhe për ca kohë ky lajm do të qëndrojë  midis së vërtetës dhe një trilli të sëmurë.

    Ai la pas një humbje në fushë të kulturës dhe të studimit duke paramenduar se ishte në kulmin e energjive krijuese dhe mund të jepte shumë e më tepër në këtë lëmë.Mund të jepte shumë e më tepër në organizimin e veprimtarive kulturore-arsimore  në Bashkinë Librazhd,por edhe njerëzit e artit dhe të kulturës së këtij qyteti nuk do të ndiejnë më atë përkujdes dhe inkurajim që ai u jepte të tjerëve e sidomos atyre që kishin vlera letrare  dhe që shkëndijonin talent.

    Mbi të gjitha,Skënderi la pas  një dhimbje të madhe për gruan ,Lumen,dy vajzat e tij,të afërmit e  të gjakut.

    Ndërsa ndaj këtij fakti të trishtë,  i duhet nënshtruar si  i pakthyeshëm,siç ishte ikja e një njeriu para kohe,assesi nuk i duhet nënshtruar harresës ndaj kujtimit të një njeriu,të një personaliteti krijus  veçmas.

    Lamtumirë  Skënder!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË