More
    KreuIn memoriamQazim Muja: Parisi pa Kadarenë: anatomia e një harrese në Kafe Rostand

    Qazim Muja: Parisi pa Kadarenë: anatomia e një harrese në Kafe Rostand

    Parisi është mësuar që gjithmonë ta mendojë veten si kryeqytet i kujtesës, si një qytet që nuk jeton vetëm nga e sotmja, por nga grumbullimi i historisë së shekujve, nga gjeologjia e mendimit, nga sedimentet e fjalës së shkruar. Në Paris, edhe një gur ka biografinë e vet; edhe një kafene bëhet relikte, edhe një tavolinë shndërrohet në altar. Mjafton që mbi të të ketë pushuar mendimi i një njeriu që e ka marrë dhe e ka kuptuar seriozisht fatin e fjalës.

    Vizita ime në Kafe “Rostand”, në skajin e Parkut Luksemburg të Parisit, nuk ishte një kapriço sentimentale, ishte një test etik i qytetërimit. Një provë e imja nëse Parisi di ende të dallojë midis turistikes së kujtesës dhe kultit të mendimit. Por pasoi befasia që nuk ishte e thjeshtë. Ishte filozofike, sepse të hysh në Kafene “Rostand”, jo si turist, por si lexues i një libri që mban titullin “Mëngjeset në Kafe Rostand”, i krijuar pikërisht këtu, do të thotë të hysh me pritshmërinë e natyrshme se aty megjithatë duhet të ketë mbetur diçka: një shenjë – simbol, një fjali, një heshtje e shënuar për autorin e tij. Jo si luks, por si minimum etik i kujtesës kulturore.

    Por aty, fatkeqësisht, nuk kishte asgjë. Asnjë pllakë, asnjë shënim, asnjë hije respekti. Vetëm tavolina, e zhveshur nga historia, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Sikur aty të mos ishte ulur për dekada një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptar e evropian – Ismail Kadare. Sepse Kadare nuk ishte thjesht një klient i rregullt. Ai ishte një qenie që e mendoi Parisin, e shkroi, e përktheu në gjuhën e vet, e vendosi në dialog me Ballkanin, me historinë, me tragjedinë, me metafizikën e pushtetit dhe të fajit të po atij pushteti. Dhe se Parisi, në librin e tij, nuk është dekor: është laborator mendimi. Dhe megjithatë, Parisi real hesht. Pjer Nora, në teorinë e tij “lieux de mémoire”, “vendin e kujtesës” e përkufizon si hapësirë ku ndërpritet harresa spontane dhe institucionalizohet kujtesa. Kafe “Rostand” duhej të ishte pikërisht një vend i tillë. Por ajo kishte zgjedhur të jetë vetëm hapësirë shërbimi. Duke refuzuar shenjën, kujtesën, ajo kishte refuzuar funksionin moral. Valter Benjamin do ta quante këtë varfëri përvoje të një qyteti që prodhon imazhe, por jo domethënie, që sheh shumë, por mban mend pak. Parisi i muzeve, i bulevardeve dhe i monumenteve, në këtë rast, na del si qytet që ka harruar pikërisht atë formë kujtese që nuk mund të shndërrohet në produkt.

    Në momentin që nuk gjeta asnjë shenjë për Kadarenë, Parisi filloi të zhdukej para syve të mi. Jo fizikisht, por ontologjikisht. Luvri u shndërrua në një depo estetike, Kulla Eifel në një skelet inxhinierik metali të ftohtë, Versaja në një teatër të zbrazët glorifikimi, Orsej në një arkiv të bukurisë pa frymë, Shanzelize në një arterie të thjeshtë tregtare, Porta Triumfale në retorikë të zbrazët, pa triumf… Sepse, siç kujton Fuko, pushteti i diskursit qëndron te ajo që përfshihet dhe te ajo që përjashtohet. Kadare, i papërfshirë, e demaskon këtë mekanizëm.

    Andaj dhe arkitektura, pa mendim, është trup pa shpirt. Një qytet që nuk shënon poetët dhe shkrimtarët e tij, ose ata që e kanë menduar dhe përshkruar atë qytet, (pra edhe Kadarenë), fillon të humbasë të drejtën morale për të quajtur veten metropol kulturor.

    Problemi nuk është kafeneja. Problemi është marrëdhënia e qytetërimit me krijuesin. Kafeneja është vetëm simptomë, sepse në shumë raste në Evropë, e sidomos në Paris, kafeneja nuk është biznes; është institucion. Ajo ka qenë laborator revolucionesh, strehë ekzili, shkollë kujtese. Të përmendim p.sh. Café de Flore, Les Deux Magots, Cafe Procope (pothuaj aty pranë Cafe Le Rostand), nuk jetojnë nga kafeja, por nga mitologjia e mendimit që kanë strehuar, sepse vizitorët e rregullt të tyre ishin Sartre, de Beauvoir, Camus, Picasso, Hemingway, Salvador Dalí, James Joyce, ato ishin vendi ku lindën idetë e ekzistencializmit, ose në Cafe Le Procope, e hapur në vitin 1686, ku u mblodhën Voltaire, Rousseau, Diderot, Franklin, dhe ku debatohej filozofia.

    Kadare, shkrimtari që ndërtoi ura mes të ashtuquajturës Lindjes së Frikës (lexo – Ballkanit) dhe Perëndimit të Dyshimit përmes veprës së tij, duke përdorur letërsinë si një medium të fuqishëm për të kapërcyer ndarjet kulturore, politike dhe ideologjike, mbetet pa shenjë kujtese pikërisht aty ku mendonte më lirshëm. Është ironia e një qytetërimi që di të ekspozojë gjithçka, por harron të nderojë mendimin që, siç thuhet, nuk bën zhurmë turistike.

    Dhe ideja ime për ta përplasur librin “Mëngjeset në Kafe Rostand” mbi atë tavolinë pranë së cilës rreth tre dekada krijoi Kadare, nuk është gjest teatral as emocional. Është gjest filozofik, është akt kritik, një contre-mémoire (kundër kujtesë). Një formë rezistence ndaj estetikës së zbrazët të qytetit. Një akt i vogël rebelimi kundër indiferencës së madhe. Një protestë e heshtur, por më e zëshme se çdo pllakë bronzi. Sepse librat nuk kanë nevojë për mure, muret kanë nevojë për libra.

    Nëse do të kthehesha sërish në Paris, nuk do të shkoja as në muze, as në kulla. Do të shkoja sërish te ajo tavolinë. Dhe do ta lija aty librin “Mëngjeset në Kafe Rostand”, jo për t’ia kujtuar stafit, por për t’ia kujtuar Parisit vetveten e tij. Kjo nuk do të jetë protestë, do të jetë rikthim i mendimit dhe mendimtarit në vendin e vet. Një Paris që nuk pranon Kadarenë në topografinë e vet simbolike, rrezikon të mbetet vetëm kryeqytet i fotografisë apo imazhit, jo i mendimit. Dhe qytetet pa mendim nuk janë më qytete, janë vetëm destinacione, qoftë ky edhe Parisi.

    NJË KOMENT

    1. Një nga rrëfimet më të bukura që kam lexuar…krejt i sinqertë dhe me një domethënie skrupuloze. Tepër dinjitoz, për një thesar të patjetērsueshëm nëpēr kohëra, siç është vepra e I. Kadaresë. Më 4 ose 5 korrik…( kur kishte 2 ditē që shkrimtari ynë ishte ndarë fizikisht prej të gjithëve), rasti e solli të ulem në karrigen e kafesë Rostand, ku shkruante Kadareja, në shenjë nderimi…Por veç ndjesive jo të zakonta që provova, ndjeva edhe një trishtim. Ngaqë nuk vura re atypari diçka të shkruar që do ishte një homazh, e që më vonë do të shërbente edhe si një kujtesë…Eshtë jo vetëm në nderin e miqve të ngushtë të Kadaresë, por dhe të atyre që gëlojnë në mënyrë frekuente në atë kafene që ta ndreqin gabimin e madh të harresës. Ajme dhe përfaqësuesve të ambasadës sonë atje!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË