More
    KreuLetërsiBibliotekë"Pse s’më the 'nuk të dua'?", tregime nga Mimoza Kuchly

    “Pse s’më the ‘nuk të dua’?”, tregime nga Mimoza Kuchly

    Pse s’më the “nuk të dua”?

    Historia e peshkatarit Nedipso

    Atë mëngjes ndjeva se rashë në dashuri me ty; ulur me miqtë e tu, duke shijuar pushimin pas aventurës suaj të peshkimit. Të shihja dhe nuk kuptoja asnjë fjalë nga ajo gjuhë me të cilën filozofët e vendit tënd më kishin paralajmëruar se “dashuria të verbon”.

    Mbërrita një javë më parë, me një valixhe dhe pa asnjë rezervim, pa blerë asnjë libër me udhëzimet e nevojshme. Sapo zbrita në tokë, ndjeva se perënditë nuk e kishin mbajtur rastësisht me hatër këtë ishull.

    Koha e një birre të freskët më mjaftoi të gjeja hotelin dhe të shihja ç’kishte më të rëndësishme për t’u vizituar, ndonëse qëllimi ishte “të bekohesha” në ujërat termale shumë të njohura të atij vendi.

    Gjithçka më mbante në ajër. Shkëmbinjve të bregut kërkoja gjurmët dhe fantazmat e perëndive, ndërsa uji i nxehtë gjallëronte çdo ind të trupit dhe shpirtit tim; zhytesha duke e lënë veten të notonte në pritje të dy krahëve që do të më shpinin thellë e më thellë magjive të atyre ujërave që përvëlonin gjithçka brenda meje.

    Që nga ai mëngjes të kërkoja me sy, me mendje, me zemër, me shpirt, me afsh, e nuk të gjeja askund. Ishulli ishte aq i vogël, por arrinte të të fshihte ty, peshkatarin misterioz; mbi ballë flokët si shkuma e dallgëve i shpupuriste era, sytë që depërtuan thellë brenda meje kishin ngjyrën e algave fshehur thellësive, buzët e spërkatura nga kripësia e detit fshiheshin nën mjekrën që të shtonte misterin dhe dëshirën për t’i përkëdhelur.

    Dikush të thirri “peshkatar Nedipso i perlave” e që prej asaj dite fillova t’i shoh këta gurë të çmuar me një tjetër ndjesi.

    Kjo ishte si ato njohje që, ose lexohen në libra, ose shihen në filma.

    Sa herë që shëtisja nëpër breg, ndieja mbi vete vështrimin tënd, trupi përkëdhelej nga prania jote e padukshme, zemra gufonte tek ndiente heshtjen e zërin tënd, sytë admironin shpirtin e një aventurieri që netëve kërkonte perlat nën udhëheqjen e sirenave dhe gjithçka lutej të më shfaqeshe sikur vetëm për një çast.

    Koha shkoi duke të pritur dhe ja tani, anija që vjen të më marrë më duket si “Theoria” e Sokratit.

    Pikërisht në atë moment, më tërhoqi vëmendjen një makinë që uli shpejtësinë dhe vura re, në vendin e shoferit, dy sy që më ngulën një vështrim të shoqëruar nga një buzëqeshje të cilën e njihja tashmë, por që, në atë çast, m’u duk sa e ngrohtë, aq edhe e palexueshme.

    Ishe ti, peshkatari im. Ishim parë aq pak dhe kishim përjetuar aq shumë. Doja të vrapoja, por nuk arrija t’i urdhëroja dot gjymtyrët; doja të zgjasja njërën dorë për të të përshëndetur, por të dyja më kishin ngrirë; doja të pëshpëritja diçka, por muskujt e buzëve nuk më bindeshin; edhe ajri u kthye në një pengesë të pakapërcyeshme. Makina rrëshqiti ngadalë tek më kot pres frymëkëputur, që ti të dilje prej saj.

    Imagjinata ime dëgjoi frenimin e fortë të makinës, pa daljen tënde dhe ndjeu përflakjen e puthjeve tona në krahët e njëri-tjetrit.

    Po e përjetoja thellë këtë ngjarje dhe e ndieja që ishte aq e bukur sa edhe e dhembshme kur mendoja ndarjen e gjatë nga ajo njohje e shkurtër. Gjithçka brenda meje ishte mbërthyer nga ankthi jo aq i mbërritjes së anijes sesa pritjes sate.

    Pasi e kuptova se nuk do të vije të më thoshe lamtumirë, m’u duk e pakuptimtë përse kishe ardhur kaq pranë meje. U ngjita në anije shpirtlënduar mes dhjetëra hamendësimesh.

    “Më në fund!” – theu skenarin zëri i një djaloshi që nga uniforma ishte anëtar i ekipit, kur sapo u dëgjuan tri sinjalet e nisjes së anijes. “Është për ju, nga bregu”, – më foli me një buzëqeshje të ëmbël dhe më zgjati një pako të mbështjellë me algat ende të lagura. Me sytë nga bregu, pa e vështruar, u orvata me zor t’i buzëqeshja.

    Thonë se edhe duart e Zotit janë gjetur në rrjetën e peshkatarit; nuk dija se çfarë mund të kishte në atë pako. E hapa, pra, menjëherë, pa mundur ta falënderoja, teksa gishtat u ftohën nga një shishe, ku dikush kishte mbyllur një thirrje të dëshpëruar! Brenda asaj shisheje ndodhej vargu i perlave, të cilin e kisha parë në vitrinën e një dyqani të mbyllur ditën kur ishim takuar rastësisht. Ishte me siguri një mesazh i ardhur nga deti, prej peshkatarit “tim”, por cili prej nesh kishte shpëtuar falë këtij mesazhi?

    “Perlat nuk janë gjë tjetër veçse piklat e vesës që hedh hëna natën në guaska për njeriun. Por jo secila prej atyre piklave mund të shndërrohen në perlë. Fatlum kush e gjen një të tillë!” Një çast ndjeva trupin dhe shpirtin të më drithëroheshin tek m’u kujtua ajo ditë kur zëri yt para vitrinës në fjalë m’i pëshpëriti pas shpine.

    Sa herë kalova ato ditë para atij dyqani duke shpresuar të të shihja sërish, por ai nuk u hap, as ti nuk u duke dhe as perlat nuk munda t’i blej.

    E vura vargun e perlave në qafë si një përqafim të shumëdëshiruar me një rrjetë “përse”-sh dhe ngrita shishen në ajër duke përshëndetur nga bregu “peshkatarin e perlave” që asnjëherë s’më tha: “Nuk të dua!” Përse?!

    Jo çdo “përse” mbart një përgjigje, o peshkatari im Nedipso!


    Më duaj, por jo vonë

    Ende pa hyrë në sallonin e errët, m’u përplas në fytyrë ajri i rëndë i një kokteji cigaresh me uiski, gjë që ndihej për herë të parë në studion e tij. I përhumbur, sapo më pa, hapi derën pa përshëndetur dhe me kokën ulur, këmbëzvarrë, u drejtua nga kanapeja, pa folur.

    “Paske vendosur të bëhesh murg!”

    Me shpejtësi iu afrova dritares duke larguar perdet e rënda dhe hapa kanatet. Me një lëvizje po aq të shpejtë ndeza makinën e kafesë dhe nisa të zbraz tavolinën nga tavllat me bishtat e cigareve. Kur dhoma u ndriçua, vura re pranë statujës së papërfunduar fotografinë.

    Mbuloi fytyrën me duart që iu drodhën dhe i mbajti derisa u ambientua me ndryshimin e dritës. Nga lënia e mjekrës dalloheshin faqet e rreshkura, flokët e zbardhur prej duhanit, balluket i fshihnin zgavrat e syve të lodhur, të përskuqur e të bufatur. M’u duk sikur ishte futur në ujë, ose ndoshta nga tulatja në kanape. Prej një jave nuk ishim parë, gjë që ndodhte rrallë në grupin tonë.

    Fotografia ishte e Melisës, ndër vajzat më të bukura të fakultetit. Për habinë tonë, u ndanë në vitin e fundit, para diplomimit. Në periudhë sezoni jo të gjithë e kishin mendjen aty. Asnjëherë nuk na foli për motivin, në jetën e tij ishte i vetmi episod që nuk njihnim. Shpirti mbetet labirinti më i vështirë për t’u zhbiruar.

    “E mban ende varësen? Të kujtohet para tre vjetësh, ditën e Shën Valentinit, kur i ramë kryq e tërthor qytetit me makinën e re të Rexhit që t’ia falje? Nuk kuptoj, të dy të pamartuar, pse nuk lidheni? Dymbëdhjetë vjet nuk janë shumë?” Pas hapjes së dritareve dhe aromës së kafesë dukej se po fitonte ngjyrën e njeriut normal. Zgjati dorën, tërhoqi fotografinë i përmalluar. Ktheu një gllënjkë nga filxhani dhe iu afrua dritares. Qëndroi një moment duke parë nga kopshti, thithi oksigjenin e pastër me sytë nga statuja dhe duke e krahasuar me foton e saj, vazhdoi:

    “Ajo mbetet e mrekullueshme, si ditën e parë. Si është gatuar shpirti i njeriut! Trishtimin nga gëzimi e ndan veçse një gramë pafajësie, papjekurie apo pasigurie. U njohëm të rinj dhe nuk i dinim provat e njëpasnjëshme të jetës.”

    Duke e parë ashtu të dërrmuar, kuptova se njeriu nuk e mat pjekjen me dashuritë, por me humbjet. Duart vazhdonin t’i dridheshin, gjë që nuk i ndodhte.

    “Ajo mbeti shtatzënë para diplomimit”.

    Shtanga. Gjithë qenia ime u përplas në kolltuk. Rrëfimi i një burri dhembka më shumë.

    “U solla keq. E akuzova se e kishte bërë me qëllim. Çfarë papjekurie, kur ne ndodheshim dy në këtë histori. Isha më shumë i trembur sesa i dehur. Gjithçka ndodhi tepër shpejt. Nuk di t’i jem lutur Zotit aq shumë që të kthente shiritin pas, por jeta nuk është shesh xhirimi”.

    Tani e kuptova largimin e saj prej nesh dhe nuk ia falja vetes që asnjëherë nuk u përpoqa ta pyesja përse e të mund t’i gjendesha pranë. Ende më rëndë, e paragjykova duke e bërë fajtoren kryesore për ndarjen.

    “Para disa kohësh më tregoi gjithçka, ndoshta për të çliruar shpirtin. Shtatzënia ishte e pamundur, nuk do t’ia arrinte dot deri në fund pa rrezikuar veten apo fëmijën. Nuk mund ta sillte në jetë një krijesë nga e cila po atë ditë do të braktisej, siç kisha bërë unë”.

    I vetmi skenar që s’më kishte shkuar në mendje, donte vetëm heshtjen time.

    “Ajo më buzëqesh prej një cope kartoni sikur do të më thotë se ka një pjesë nga unë kurdoherë. Më deshi aq shumë, sa më mbajti larg ligështimit. E desha aq shumë, sa tani po dehem e nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta mbyll këtë kapitull”.

    U zhyt në kolltuk duke mbuluar sytë me duart që ende i dridheshin. Veç heshtja mund ta ngushëllonte.

    “Po martohet. Do të largohet përfundimisht. Ka një zinxhir që përpiqem, por nuk mund as ta shmang e as ta këpus: zëri më sjell para syve portretin, portreti ngjarjet, ngjarjet kujtime e nostalgji – e pasojat e gjithë kësaj, dhembja. Tani gjithçka u mbyll!” – dëgjova klithjen e shpirtit të një burri të dashuruar deri në dhembje. – “Kafshët e egra, pas ndeshjeve, lëpijnë plagët për të mos u infektuar, derisa të mbyllen. Atë po bëj. E desha shumë, por tepër vonë…”

    Jashtë u dëgjua boria e makinës së Rexhit dhe në të njëjtën kohë zilja e derës që ndoshta dikush prej tyre i binte me ngulm. Kishim vënë në plan të dilnim për drekë.

    E mpirë, e hapa e përhumbur dhe me sy gjysmë mbyllur.

    Melisa e veshur me një fustan ngjyrë dielli që u hodh në krahët e Vinit, i cili i pëshpëriste me zjarr: “Të adhuroj! Kush këtë torturë e shpiku, i ndrittë shpirti, ndonëse i takon pavdekësisë. Nuk është vonë të duash.”

    Ata përqafoheshin mes lotëve të padurimit, dashurisë, dëshirës.

    Epilog i tillë shkruhet vetëm nëpër libra.

    Ktheva kokën nga salloni, ku vura re Vinin që vendosi fotografinë e saj në bllok, edhe pse ai këmbëngulte gjithmonë se kujtimet më të bukura janë ato që ruhen në shpirt.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË