Nga Evalda Paci
Figura dhe emri i Atë Benedikt Demës O.F.M. lidhen pazgjidhshmërisht me kontribute që priren nga historia e shtypit françeskan, leksikografia shqipe, por edhe nga historiku i botimeve mbi mësimin e parimeve themelore të besimit të krishterë dhe praktikës liturgjike në gjuhën tonë. Perspektiva e mësimit të fesë dhe të besimit katolik në shkollat shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të kaluar konkretizohet, ndër të tjera, në një botim disavëllimësh për përpilimin dhe shqipërimin e të cilit u angazhua në veçanti Atë Benedikt Dema.
Mësimi i përgjithët i besimit (Apologjetika) që botohet në Shkodër nga Shtypshkroja “A. Gjergj Fishta” në vitin 1943, mbështetet në një model të shkruar në gjuhë të huaj e të hartuar prej dr. A. König, docent i Universitetit të Breslaut.
Ai paraqitet në përmasat e një trajtese mjaft të gjerë e serioze, me synime të qarta nga përafrimi me përmbajtjen e Biblës, me kulturat e hershme jo domosdoshmërisht i.e., me antikitetin, por edhe me historinë e religjioneve. Veçanërisht, referimi ndaj Besëlidhjes së Vjetër përkon plotësisht me një prirje të qartë ndaj zbërthimit të teksteve të saj në një dritë që sqaron më së miri elemente të Besëlidhjes së Re, sidomos pjesëve që lidhen drejtpërdrejt me shfaqjen konkrete të Mesisë në Ungjijtë. Në këtë pikëpamje nënvizohet qartë qëllimi teozofik dhe teologjik i të shkruarit të kësaj vepre dhe caktimit të saj për një auditor liceal e shkollor.
Puna e shqipëruesit Dema ofron një panoramë të gjerë hulumtimi sa i takon besnikërisë së sjelljes së mjaft elementeve leksikore e konceptuale në këtë fushë, por edhe përurimit të mjeteve të gjuhës sonë në realizimin e një përshtatjeje aspak të thjeshtë, aq më tepër nëse destinatari konkret do të jetë student i liceut të naltë klasik e real.
Pa dyshim, kurrikulat shkollore të atëhershme shfaqen të pasuruara në pikëpamje përmbajtësore mjaft të arsyetuara nëse u referohemi edhe botimeve të tjera, përfshirë këtu shqipërime gramatikash latine (Sintaksa dhe vëllime ushtrimesh të plota); histori qytetërimi të hershëm greko-romak, një pjesë e mirë e të cilave gjithashtu kanë parë dritën e shtypit në tipografinë Atë Gjergj Fishta. Mund të vërejmë në këto vëllime kaq të rëndësishme gërshetimin e dimensioneve që mëtojnë nga didaktika e metodologjia, rikthimin e vëmendjes nga disiplina themelore, si historia e antikitetit, filozofia antike e ajo mesjetare, shkencat e natyrës që qenë objekt vëmendjeje edhe në veprat e mesjetës së vonë dhe që e bëjnë mjaft interesante dhe objekt qasjesh të ndryshme veprën e shqipëruar nga Atë Benedikt Dema O.F.M.
Historia e Kishës së Romës, në veçanti periudha e problematika e Koncilit tridentin, gjejnë pasqyrim e shpjegim të zgjeruar në vise të veçanta të këtij shqipërimi, që ka të bëjë me mësimin e besimit katolik, për të vijuar më tej me vlerën që paraqesin përkthimet e Ungjijve në gjuhët përkatëse amtare, me një referim konkret edhe ndaj teksteve të disponueshme në atë kohë në gjuhën tonë e që lidhen me emra të spikatur të historisë së shqipërimit të tekstit biblik.
Bleni me titull Mësimi i veçantë i besimit (Shkodër, 1944), i treti në radhën e serisë përkatëse, por i dyti si pasues i botimit të vëllimit të parë të saj në gjuhën shqipe, përbën një zgjerim dhe zbërthim të natyrshëm të mjaft koncepteve të cekura në vëllimin e parë të sipërcituar.
Duket ky i fundit më i thjeshtuar në pikëpamje të trajtimit të nënndarjeve tematike që kanë të bëjnë me vetë besimin katolik, por edhe në këtë pjesë të veprës kujdesi ndaj terminologjisë përkatëse dhe përfshirja e argumenteve sa filozofike aq edhe teologjike përbëjnë prirje të qarta e konsekuente në shtjellimin e përmbajtjes së saj.
Në paragrafë të caktuar të këtij vëllimi vihet re qartë se përmbajtja nuk shkëputet prej një misticiteti që buron nga vetë shpjegimet që kërkojnë, pa dyshim, referime etimologjike dhe historike, por nga ana tjetër kjo përmbajtje shfaqet më konkrete dhe më e lehtë për t’u ndjekur në pikëpamje të shkallës së vështirësisë së brendësimit të tekstit.
Është e mundur, pa dyshim, të gjurmojmë përdorime që kujtojnë autorë paraardhës që ndërmorën sprova të shqipërimit të teksteve të caktuara nën synimin që të ishin funksionale në raste shërbesash liturgjike, por edhe të vëmë në dukje modele formimi dhe ndërtime që marrin domethënie pikërisht nën veshjen që i jep në këtë vepër shqipëruesi ynë, Atë Benedikt Dema.
Pavarësisht natyrës së veprave që Atë Benedikt Dema ndërmerr të shqipërojë në këto vite, gjithsecila bëhet pasqyrë e një formimi specifik dhe të admirueshëm në fushë të terminologjisë së liturgjisë, por edhe e reflektimit të përdorimit të një sërë modelesh formimi që cekin e përfshijnë disa kategori semantike, njëkohësisht edhe klasa të caktuara fjalësh. Në çdo vështrim që synon të nënvizojë kontributet e Atë Benedikt Demës në këtë lamije hulumtimi e pune këmbëngulëse, duhet theksuar me bindje se ky formim pasqyrohet edhe në ruajtjen e natyrës së trajtesës dhe në përshtatjen me një nomenklaturë që bën të mundur të jetë edhe më e zgjeruar fusha e emërtimit të nocioneve të caktuara.
Përdorime të caktuara bëjnë të nënvizosh bindjen se ndërtimet që në njëfarë mënyre u promovuan në veprat e letërsisë së vjetër shqipe, gjejnë një vijimësi të natyrshme në këto shqipërime. Kësisoj, të tilla botime, që bëhen edhe më të vyera me kalimin e viteve dhe janë përfaqësuese të sprovave për të plotësuar një panoramë të shqipërimit të punimeve në fushë të liturgjisë, por edhe pjesëve nga Ungjijtë apo patrologjia kryesisht latine që domosdoshmërisht përfshihen si elemente tekstore ilustruese në përmbajtjen e tyre, bëhen dëshmi e eficiencës së zgjidhjeve të ofruara kohë më parë nga autorë paraardhës.
Nga një vëzhgim i hollësishëm i përftesave që bëhen objekt përdorimi në këto shqipërime, mund të nënvizohet prirja për terma sa më të përshtatur, ndër të cilët veçojmë hyjnderim, parafolje, parathanje, parandjesi, parakênë, por edhe shpjegime në shqipe që u pranëvihen termave dogmatikë në gjuhën latine.
Në rastet e shqyrtuara, Atë Benedikt Demës mund t’i atribuojmë pa ngurrim merita autorësie për vetë zgjidhjet jo thjesht leksikore që ofron ndaj një regesti terminologjik aspak të thjeshtë për çdo gjuhë, jo vetëm për shqipen. Në pikëpamje të modeleve të formimit, gjejmë me vend të veçojmë një sërë ndërtimesh që në kuptimin kategorial, por edhe fjalëformues, janë emërzime trajtash me origjinë ndajfoljore, emra veprimi, emra prejfoljorë të tipit kena e gjêja, por gjithashtu edhe fjalë plaka (të moçme) që plotësojnë hijshëm tekstet e këtyre shqipërimeve. Nuk lëmë dot pa përmendur pranëvënie përdorimesh, si Kêna e njisija e Hyjit; Natyra e vetít e Hyjit; Njinija e Trinija e Hyjit, të rëndësishme si në pikëpamje të vendit që zënë në përbërje të veprës së Artur König, ashtu edhe po aq të rëndësishme në pikëpamje të nëntekstit që realizohet nëpërmjet këtyre përdorimeve të pranëvëna.
Dema ka njohur dhe ka vënë në përdorim, pa dyshim, shkrimet e autorëve të letërsisë së vjetër shqipe, por siç duket edhe nga shënimet me të cilat plotëson brendinë e shqipërimit të mësimit të besimit katolik në liceun e naltë, ai ka njohur dhe konsultuar shqipërimet e varianteve ungjillore të Atë Xanonit e të Dom Lekë Bitrojt, pse jo edhe të Kristoforidhit, të cilat edhe i citon duke i diferencuar konkretisht në disa pasazhe të punimeve në fjalë. Plotësimi i nomenklaturës së konceptit të Krijuesit, por dhe të krijimit në dritën e historisë së fesë e të filozofisë me plot atribute e ndajshtime, duhen konsideruar vlerë e aftësisë së shqipëruesit për të bërë tekstin sa më të afrueshëm dhe të qartë e të saktë me lexuesin e tij. Ndërtime si fe, besim e religjion gjinden në paragrafë të caktuar të këtyre shqipërimeve, duke qenë fjalë kyçe që shënojnë pika të rëndësishme në të cilat është ndalur si autori, ashtu edhe vetë shqipëruesi si përshtatës i tekstit në fjalë: Besimi i ynë do të jét i fortë e i qindrueshem, d.m.th. na nuk do të dyshojm vullëndetisht per kurrnji të vërtetë fetare e do të jemi gati, qi mâ parë të bierrim gjithshkahen, t’apim edhe jeten vetë, se t’i biejm mohit fés. (Martyrët shêjten.) Besimi i ynë do të jét i plotë d.m.th. na do të besojm pa perjashtim të gjitha të vërtetat e zbëlueme; do të jét edhe i gjall, d.m.th. do të jetojm si na mëson besimi, prandej do t’i largohemi së keqes e do të bajm vepra të mira. Nji kësi besimi âsht vepra mâ e randsishmja e nderimit të Zotit e nji dhantí e bukur, qi mendja e nierit bân para gjithdijes e vertetsís së Hyjit.
Duhet vënë në dukje se veçanërisht në përbërje të këtyre vëllimeve të konsultuara të Mësimit të besimit katolik gjinden jo pak fragmente nga Ungjijtë dhe nga Besëlidhja e Vjetër. Duke qenë destinuar të jenë elemente ilustruese në përmbajtje të një punimi shpjegues e shtjellues të mjaft prirjeve që kanë të bëjnë me njerëzoren dhe përballjen e saj me hyjnoren, mistikën dhe thelbin e besimit te Zoti, reflektimin e besimit në jetën e individit, këto elemente tekstore në më të shumtën e rasteve paraqiten koncize dhe jo fort të gjata.
Është po aq e qartë se në botimet që Atë Benedikt Dema, asokohe profesor në Lyceun “Illyricum” të Shkodrës, përzgjedh të shqipërojë dhe t’ia ofrojë një auditori kryesisht intelektual dhe që zotëron një kulturë fetare, gjurmohen natyrshëm pasazhe dhe elemente introduktive që të kujtojnë si ligjëratat e plota në pikëpamje tematike në veprën e Bogdanit, ashtu edhe pjesë të tjera nga doracakët kateketikë që në gjuhën shqipe panë dritën e botimit dhe të ribotimit, duke na ofruar edhe variante të njëpasnjëshme të Besojmës, gjithashtu edhe të lutjeve të tjera themelore në liturgjinë e përditshme. Veprat që ndërmori të shqipëronte Atë Benedikt Dema O.F.M. mbartin edhe përmasën didaktike që ka të bëjë me një lloj brendësimi përmbajtësor të vetë Biblës, por jo më pak atë ezegjetike dhe pedagogjike. Ngërthimi i natyrshëm, por edhe i arsyetuar, i tyre vihet re në secilën prej këtyre sprovave që mbartin përkujdesjen e thelluar prej shqipëruesi nga ana e tij.
Veçanërisht në blenin e dytë për nga radha e botimit të kësaj kolane vihet re nënvizimi i një synimi: shkrirja e qartë e dimensionit teologjik me atë doktrinar e kateketik. Nënvizohen të vërtetat e fesë, por edhe të mësuarit e nocioneve dogmatike në proces të katekezës apo praktikës së liturgjisë, sidomos kur përshkruhen detaje të një kulture specifike që ka të bëjë me Meshën shêjte dhe çdo hollësi tjetër që lidhet me zhvillimin e saj, detaje këto që kanë të bëjnë edhe me meshtarin, edhe me besimtarin. Sakraliteti i këtyre elementeve plotësohet nga vetë regjistri gjuhësor i përdorur, që dëshmon njohuritë e thella të shqipëruesit në një sërë fushash, nga të cilat nuk lëmë pa veçuar atë të historisë së kulturave fetare e vijimësisë së tyre të pasqyruar në besimin katolik. Pa dyshim që të tilla shqipërime janë njëkohësisht një burim i rëndësishëm dokumentar për studiues të dialektologjisë shqipe e në veçanti të asaj historike. Një dimension i tillë vihet re në veçanti në botimin Jeta e krishtenë, i cili është konceptuar të shërbejë si një librec këshillesh e mësimesh sidomos për civila intelektualë.
Jeta e krishtenë (librec këshillesh e mësimesh sidomos për civila intelektualë), në dukje një libërth modest në pikëpamje vëllimi, por mjaft interesant në pikëpamje të gjurmimit përmbajtësor, përbën një shtysë të goditur për të përmbushur qasje me variante paraardhëse doktrinash a doracakësh kateketikë që edhe pse më të përmbledhur falë faktit që kanë pasur objektivin e të përmbajturit në përmasa compendiumesh sintetike, përmbajnë në thelb një nomenklaturë të tërë elementesh e emërtimesh që gjinden gjithashtu edhe në variantin e shqyrtuar të Benedikt Demës. Ky botim i fundit jep shkas gjithashtu për hulumtuar ndaj një prirjeje po aq të veçantë në përkujdesjen ndaj tekstit nga ana e Benedikt Demës, duke qenë se i ofrohet mundësia të introduktojë variante lutjesh themelore të ngulitura në gegnishten e asaj kohe.
Të shkruarit në nji gegnishte konsekuente dhe skrupuloziteti ndaj një regesti terminologjik kompleks që mbart qartë përpjekjen për të emërtuar saktë e duhur çdo nocion të rëndësishëm të fushës së liturgjisë dhe teologjisë, mbetet një prej tipareve qenësore të këtyre shqipërimeve. Elemente të rëndësishme të një jete mendore që ka të bëjë drejtpërdrejt me praktikën religjioze në vise të caktuara të Shqipërisë (u referohemi dhe përdorimeve si kryqa, rruzare, medaja, kemi, shkandull), mbijetojnë edhe sot e kësaj dite duke shërbyer edhe si relikte të një spektri më të hershëm, por dhe të gjerë, kulturor e mendor.
Vetë veprat që u përpunuan nga Atë Benedikt Dema O.F.M. përfaqësojnë në vetvete modele të veçanta në pikëpamje të ndërthurjes së disa elementeve përmbajtësore që evokojnë, pa dyshim, edhe doracakë kateketikë apo liturgjiarë me përmbajtje dhe lutjesh themelore në fushë të praktikës fetare, dhe vepra me prirje nga ezegjeza dhe didaktika biblike. Qasja e tyre me të tjera vepra analoge që disponojmë falë një tradite të pasur shkrimore të promovuar nga Dom Lekë Bitroj, Atë Jak Junk S.I., Vinçens Prennushi, Donat Kurti, Justin Rrota e prelatë të tjerë bën të mundur shprehjen e mendimit se një periudhë e tillë kohore ka shënuar me anë kontributesh konkrete një tjetër shtysë në ecurinë e shqipërimit dhe përshtatjes së veprave fetare në traditën e besimit katolik. Ato meritojnë vëmendje në pikëpamje të shkallës së lëvrimit të shqipes dhe kontributit në drejtim të promovimit të pasurisë kryesisht leksikore të shqipes. Profili prej shqipëruesi i Atë Benedikt Demës O.F.M. shënohet ndjeshëm nga këto kontribute të realizuara në gjysmën e parë të viteve ’40 të shekullit të kaluar e që kanë të bëjnë me mësimin e fesë e të besimit, mësimin e moralit dhe historinë e Kishës e të krishterimit. Konkretësia e tyre bën që ato të radhiten si ndihmesa themelore në fushë të shqipërimit dhe të tekstit liturgjik dhe atij biblik, duke qenë i përfshirë ky i fundit në çdonjërën prej veprave që u ndërmorën në këtë trajtesë.