Me dëshirën e përdorimit të të gjitha mjeteve të komunikimit, pianisti Amir Xhakoviq paraqitet para artëdashësve e në veçanti para admiruesve të artit pianistik edhe me këtë CD. E konsideroj një sfidë këtë realizim me vepra pianistike të zgjedhura nga 10 autorë të vëndeve të ballkanit të titulluar “THE BALKAN PIANO” volumi i parë, sfidë e cila bazohet në tre faktorë të rëndësishëm:
1. Amiri tashma ka një eksperiencë, karierë e përvojë të pasur artistike;
2. Ka arritur të ketë një njohje të thelluar mbi autorët dhe krijimtarinë pianistike të autorëve të vëndeve që i është rreferuar;
3. Jep një kontribut modest por të rëndësishem për ta bërë të njohur këtë art dhe për vëllazërimin përmes artit dhe kulturës;
Idea në lidhje me përmbajtjen e kësaj CD-je te pianisti, duket se ka qenë një stretegji që ka ardhë duke u realizuar natyrshëm, sepse që në vitin 2022 Amir Xhakoviq paraqitet në koncerte të rëndësishme me “Peizazhe pianistike nga Ballkani”.
Gjatë këtyre ditëve pata kënaqësinë që repertorin e këtij albumi jo vetëm ta dëgjoj, por edhe të mbaj në duar partiturat e ti shikoj me vëmendje. Prandaj në fjalen time pa u thelluar shumë, do të përpiqem të evidentoj disa dukuri që i karakterizojnë përmbajtjet objektive dhe përmbajtjet subjektive të këtyre veprave, duke mbajtur parasysh se ato janë bërë realitet falë aftësive interpretative teknike dhe artistike të pianistit Amir Xhakoviq.
Albumi hapet me pjesen “DRIVE”(2006) të autores Kroate Sonja Drakuliç(1963).
Vepra karakterizohet nga një energji dhe vrull zhvillimesh melo-ritmike e harmonike të paqëndrueshme e befasuese. Ndërthurja e copëzave melodike, thyrjeve ritmike kryesisht me faktura të ngjeshura në akorde por edhe melodike, si dhe pasazheve që përshkojnë vrullshëm tastierën, tregojnë një përgatitje të lartë teknike në ekzekutim. Në këtë atmosferë kaq dinamike, mjedisi paraqitet si një moment i qetë e relaksues, por me një situatë të brëndëshme psikologjike që lëvizë edhe në formën e imitacionit. Vepra ka një gjuhë muzikore kontemporane dhe pianisti ka arritur ta realizojë ate me korrektësi, duke organizuar me kreativitet situatat e përshkruara më sipër. Duke dëgjuar e shikuar këtë vepër por edhe ndonjë tjetër të këtij albumi, më vjen mendimi se sot teknologjia e shkrimit dhe përpunimit të materialit muzikor në procesin krijues mund të realizohet edhe me ndihmen e kompjuterit, por interpretimi mbetet krejtësisht vepër njerëzore.
Vepra e dytë vjen nga kompozitori Bullgar Pancho Vladigerov(1899-1978). Nga “EPISODES” op.36(1941) është zgjedhur pjesa nr. 4 “IMPROVISATION”.
Është një vepër e bukur me përshkrime melodike e harmonike pasionante romantike, që përshkohet edhe nga intonacionet popullore të vëndit të origjinës së autorit. Ajo është e ndertuar në një formë tre pjesëshe të përbërë, ku mesi paraqitet si përpunim. Në tërësi vepra ka një logjikë kompozicionale e një unitet të gjuhës muzikore dhe mjeteve artistike të përdorura. Frazat melodike, gjuha harmonike dhe pasazhet pianistike, japin atmosferën e një vepre post romantike. E gjithë kjo vjen e realizuar mjeshtërisht dhe e ngritur në nivelin e një tablloje të pasur ngjyrimesh pasionante, nga loja brilante e Amirit.
Albumi vazhdon me prezantimin e Suitës për piano në A major op. 27(1960) të kompozitorit nga Maqedonia Tomislav Zografski(1934-2000).
Duke dëgjuar pesë pjesët e shkurtëra të kësaj suite, të krijohet ideja se je duke soditur një ekspozitë me piktura, ku secili nga autorët ka stilin e vet. Pjesa e parë SINFONIA në tonalitetin e dritshëm La maxhore, është një allegro e shkruar në stilin e pastër të muzikës barok. Pjesa e dytë INTERMEXO është një andantino në tonalitetiun La minor, e trajtuar si një këngë ninullë e qetë. Melodia e saj kalon me elegance në përdorime intonative kromatike e alteracione. Harmonia karakterizohet nga bashkëtingëllime dizonante dhe surprizon me kandencimin në La maxhore në masen e fundit. Interesant është numri 3 PASSAGGIO që sjell një tjetër brëndi në formën trepjesëshe në të cilën pjesa e mesit në kontrast ka një gjëndje intriguese. Pianisti është treguar i kujdesshëm e kreativ në interpretimin e dy numrave të fundit, që janë të njëjtë me dy numrat e parë. Numri i katërt që është i njëjtë me numrin e dytë që mbante titullin INTERMEXO, tani mban emërtimin ROMANZA, është trajtuar më ngadalë e me ndjesi më poetike. Ndërsa pjesa e pestë Finale, megjithëse është e njëjtë me materialin e pjesës së parë, është trajtuar ritmikisht më shpejt, energji e vrull, duke përligj në formë konkluzive përfundimin e krejt veprës.
Nga kompozitorët e Kosovës kemi Rafet Rudin(1949) me veprën Preludium “LES CLOCHES ARBËRESH”(1993)
Vepra mban shënimin e autorit Lugubre(i zymtë) dhe përshkohet nga një gjëndje me përmbajtje të zymtë e të thellë dramatike. Notat në partiturë janë hedhur pa asnjë kufizim a inkuadrim, që përveç teknikës së përdorur në shkrimin e partiturës, të krijon përshtrypjen e përshkrimit të një mendimi dimensional të shtrirë thellë në kohë. “Këmbanat Arbëreshe” bien dhimbshëm herë lehtë si jehonë e ngarkuar me peshën e ndjenjës së brengës të largët, e herë bien si klithma të forta. Herë me tingëllime në intervalet kuintë – kuartë që të ngjallin trishtim e boshllek, e herë si klithma therëse në bashkëtingëllime dizonante. E gjitha kjo e ndërthurur ndërmjet edhe me grumbuj tingujsh të lidhur në copëza melodike me brum intonacionesh kombëtare, që herë ngjajnë si gurgëllima krojesh e herë si rrëke e ujvara vizatimesh pasionante tingullore. Diku dëgjohet në akorde edhe një korale. Kjo gjëndje e pikëlluar dhe ky peizazh i pasur sonor e artistik, është realizuar me shumë dashuri, kulturë, korrektesë, teknikë e frymëzim.
Autori i pestë në album është Vojin Komadina nga Kroacia/ Serbia/ Bosnje-Hercegovina/ Mali i Zi (1933-1997).
Nga ky autor janë zgjedhur “TWO MINUETS”(1985)
Janë dy pjesë të këndëshme e të çiltra pianistike lirike, të dyja në ritmin vallëzues të valësit në kohen ¾, e para Andante con moto dhe e dyta Andante moderato. Ato karakterizohen nga një gjuhë muzikore që ndërthur elemente të melosit gazmor popullor, ndertim e formë klasike, shjellime pasionante me kalime harmonike tipike romantike, shpesh edhe me tingëllime disonante. Interesante janë kalimet melodike të papëgatirura maxhor-minor, në një mënyrë kapriçioze. Kjo atmosferë na vjen e bukur nga një lojë elegante me fraza muzikore të trajtuara shpesh me një rubato të lehtë, dhe me ekuilibre sonore të vendosura me kujdes. Merita e pianistit është se elementët e ndryshëm stilistikë të përdorura në të dyja miniaturat nga autori, i ka studiuar me kujdes e me maturi e i ka bërë një frymë në unitet e në funksion të mendimit artistik të autorit.
Një tjetër gjuhë e stil muzike sjell vepra “AWAKENING” (Zgjimet) e autorit Dusan Bavdek(1971) nga Sllovenia.
Kjo vepër e kompozuar në vitin 2010 është shkruar me një gjuhë mjetesh muzikore bashkëkohore dhe karakterizohet nga shumë ndryshime agogjike. Fillon me një strukturë ritmike konvencionale të vendosur në regjistër shumë të lartë të intrumentit në një notë të vetme në pianissimo, e gradualisht parti pasurohet e bëhet aktiv me kalime pasazhesh pianistike impenjative në aspektin teknik, në të cilin dëgjohet e fshehur si lajmotiv figura konvencionale. E gjithë kjo lojë është tejet e pasur me vizatime e ngjyrimeve ekspresive dinamike me rritje graduale, me kontraste e kulminacione, me përdorimin e zhdërvjellët të krejt diapazonit të tastjerës. Arpezhiatat e vendosura në bashkëtingëllime dhe akordet disonante, e rrisin më tej tensionin duke krijuar efekte me impresione e përmbajtje ekspresioniste. Pa hyrë në detaje të veçanta të mudësive të instrumentit, ndihet vëçanarisht efekti sonor që krijohet edhe nga përdorimi i pedalit. Në disa raste kalimet ledhatuese sonore, të ngjajnë si vezullime vibruese. Vepra mbyllet me figuren ritmike konvencionale që paraqitet me mjete ekstremisht të kursyera, e vendosur në notën Si në regjistër të lartë në pianissimo, që ngjan “si një pupël vallëzuese”. Kjo vepër delikate është realizuar nga Amiri me një artikulim perfekt e organizim organik të partit muzikor mjaf kompleks.
Nga repertori që Amiri padyshim ka njohur ma mirë, ai Shqiptar, ka zgjedhur nga Aleksander Peçi(1951) veprën “BAROKJARE”(2013).
Titulli “BAROKJARE” që është i përbërë nga emërtimet “Barok”, stili i epokës që në muzikë zgjati ndërmjet viteve 1600-1750, dhe “Jare” grupimi i repertorit brilant të këngëve qytetare shkodrane, si dhe elementët me tendenca moderne që autori ka për tendencë të përdorë në artin e tij, përbëjnë thelbin e logjikës kompozicionale dhe pikat mbështetëse të lëvrimit të mendimit krijues që Peçi ka përdorur në ekuilibër për krijimin e kësaj vepre. E konsideroj një vlerësim që autori i bën jares shkodrane duke e bashkuar me një emërtim që ka bërë epokë.
Është zgjedhur tonaliteti melankonik Sol minore për një shtjellim të pastër melodik. Njëra pas tjetrës frazat muzikore shtrihen në kohën ¾ në Adagio, të pasuruara me zbukurime melodike e melisma, që hijeshojnë si qëndisi të punuara me shumë shpirt, dashuri e pasion. Në sfond një fakturë funksionale dhe e kursyer harmonike, evidenton thjeshtë e bukur kalimet e shmangiet e sekuencave melodike të frymëzuara, herë me trajtime e alterime të papritura elementësh intonative kromatike, e nganjëhere që na kujtojnë kadencimet e dashura e të sheqerosura të këngëve popullore lirike shkodrane. Duke dëgjuar këtë realizim, më vjen të them se kemi të bëjmë me një frymëzim që mban dy dashuri: dashurinë e autorit për Shkodrën dhe botën e pasur lirike e origjinale të këngëve shkodrane, dhe natyrshëm dashurinë e pianistit për qytetin e tij të lindjes, për natyrën e për bukuritë e shpirtit njerëzor, pjesë e së cilës është edhe ai vetë.
Aleksandar Perunoviç(1978) nga Mali I Zi është autori i radhës, me veprën “METAGLASSWORK”(2014)
Në këtë vepër përveç të gjitha mundësive shprehëse muzikore të instrumentit, janë vendosur nga autori në partiturë edhe të tjera efekte sonore si goditje të pedalit, goditje nga sipër e instrumentit dhe prekje të lehta tingush në akorde. Pavarësisht se vepra në hyrje dhe mbyllje ka një gjendje të qetë ku dëgjohen tinguj që përbëjnë akordin do minore, e gjitha shtjellohet në një tension psikologjik dhe ankth. Shënimi Allegro inquieto hap siparin e një situate alarmante. Vepra zhvillohet vrullshem si një tokatë me ndryshime të shpeshta dinamike e strukturash ritmike, që krijojnë një gjëndje maramendëse, në të cilën i vetmi që për asnjë çast nuk duhet të humbasë mëndjen është pianisti. Aftësitë e mira teknike të Amirit, bëjnë që sfida të realizohet mjeshtërisht dhe të përcillet ide artistike. Coda kthen gjendjen e parë, por tingujt e Do minorit tashma realizohen me pickimin e telave në picikato.
Përdorimi i pedalit për shumë efekte sonore është thuajse në të gjitha veprat kontemporane, ashtu si edhe në këtë vepër.
Kompozitori i njohur nga Serbia Milan Mihajloviç(1945) është i zgjedhuri i Amirit për të qenë pjesë e albumit me “TREE PRELUDES”(1986-1989)
Gjuha dhe logjika kompozicionale që i karakterizon të tria këto vepra të vogla pianistike, është e njëjtë dhe tregon qartë dorën dhe stilin që ka përdorur autori. Janë bashkuar bukur dhe mirë mundësitë shprehëse dhe teknike të instrumentit të pianos, me përshkrime impresioniste sonore melodike, harmonike dhe një sfond që lëviz me vizatime pasazhesh.
Preludi i parë Andante sostenuto – fillon me një hyrje të qetë dhe vazhdon me një part që kërkon ekuilibër në mes mendimit që mbart melodia në dorën e majtë dhe dorës së djathtë që si sfond lëviz me pasazhe të gjalla.
Preludi i dytë Non lento – është një pjesë me përshkrime të qeta meditative.
Preludi i tretë Allegro – ashtu si i pari mban në dorën e majtë idenë në konture të qarta melodike, ndërsa dora e djathtë lëviz me pasazhe të gjalla duke krijuar në tërësi gjendje të paqëndrushme. Preludi mbyllet ashtu si fillon i pari Andante sostenuto, duke krijuar një gjendje të qetë – meditative, dhe duke na kujtuar disa intonacione e e kalime melodike të dëgjura më parë.
Albumi mbyllet me veprën JETTATURA (1999) të kompozitorit Grek John Psathas (1966)
Duke lexuar informacionin në lidhje me titullin, mësova se Jettatura apo mal occhio ka të bëjë me syrin e keq. Pra jettatura, apo syri i keq sipas një bestytënie të lashtë, është vështrimi me zili që hedh magji të keqe, të padëshiruar në jetën e dikujt.
Vepra është një moto perpetuo me energji të lartë, e shkruar me një part impenjativ me shtrirje të gjërë gjendjesh emocionale. Fakturat e gjalla shtrihen nga regjistri i ulët në dorën e majtë duke goditur tastjerën me forcë dramatike, deri tek tingujt ma të lartë që fluturon të godasë dora e djathtë. Ndryshimet agogjike ritmike me ndryshimet e gjendjeve dinamike nga pianissimot deri tek sforcandot e klithmat me tre forte, janë evidente. Në bulëzat melodike të fshehura mes pasazheve pianistike, dëgjohen karakteristikat modale të muzikës greke. Interesant janë artikulimet e tingujve të çveshur melodik në regjistër shumë të lartë të instrumentit, që ngjajnë si pëshpërima e cicërima enigmatike e të padeshifrueshme zogjësh. Kjo vepër e relizuar me sukses në këtë album, për pianistët e klasit është një provë serioze e një sfidë që kërkon përgatitje shumë të lartë teknike e artistike.
Në përfundim dua të them se kujdesi për ta bërë të mundur realizimin me sukses të albumit THE BALKAN PIANO Volumi One, e ka vënë Amirin në kërkim për të gjetur kushtet e duhura duke bërë të mundur regjistrimin në Sallen e Koncerteve në Shtëpinë Svetosavski në Nish të Serbisë me daten 05 mars 2024, duke luajtur në instrumentin e markës C. BACHSTEIN D 282 Concert Grand, si dhe duke siguruar bashkëpunimin me agjensinë prestigjioze TOCCATA CLASSICS.
Me prezantimin e këtij albumi, pianisti Amir Xhakoviq i ka bërë një shërbim artit muzikorë, kulturës tonë dhe rajonit të Ballkanit.
Shkodër, me 26.10.2024