Robotika metafizike e Gjelosh Gjokajt
Gjelosh Gjokaj, ishte një krijues i vizionar, i cili filloi të krijojë vepra të artit figurativ, duke u marrë me motive inovative me të cilat vendosi kufijtë në mes të artit paraprak poetik modern dhe atij bashkëkohor. Si artist i arrirë me vlera të qëndrueshme shihet se ka qenë i ndikuar nga trashëgimia kulturore e vendlindjes. Në krijimin e vlerave të njëmendta autori operoi me një mjeshtri të rrallë në një periudhë krejt ndryshe, pa e ndërthurur parapraken me risitë në vazhdimësi, në këtë rast konkret – me ROBOTIKËN. Përmes kërkimit të përpiktë, i vendosur për një eksperimentim bashkëkohor jo të zakonshëm, krijimet e tij morën kuptim dhe forma tjera, vizualisht duke ngjarë në robotë, si objekte mjaft atraktive të cilat, në shikim të parë, dukeshin të pakapshme për pjesën më të madhe të audiencës, të cilat veshtirë të besosh se cilës kohë i takojnë. Si reflektim i kësaj faze, të cilat mund të vlerësohen si metafizike e me shprehje roboti, janë disa punime, siç është grafika HEGJEMONIJA (akuatintë).
Hegjemonia është portret me një anatomi paksa të çuditshme joorganike, që autori, pothuajse, e qëndisi me vija që ngjajnë në tela të grumbullur dhe të futur kryesisht në sy te gropuar e të çuditshëm, bashkë me objekte të tjera të harmonizuara. Këto paraqitje kësisoj të bëjnë të mendosh se janë në dirigjim të një piloti i cili, çdo minutë, mund të ju ndërrojë formë për t’i rikombinuar në një koncept tjetër, i cili na shpie deri te e ardhmja e largët teknologjike, përkatësisht te inteligjenca artificiale.
Gjeloshi nuk e ka krijimin e rastit, por finalen e rrumbullakimit të veprës e ka menduar mirë. Puna e tij është mjaft e përkushtuar, e prerë dhe e detajizuar deri te pika-vija e fundit fugale. Bazuar në këtë cikel, Gjokaj krijoi formulën specifike të matematikës artistike, si nga koncepti po ashtu edhe nga aplikimi teknik. Simbolika konceptuale e këtij cikli mund të lidhet me disa kohë, por unë i shoh dhe i rëndis më shumë me qasjen e kërkimit teknologjik dhe metafizik të asaj kohe, meqë shumë lehtë lidhet më këtë kohë të zhvillimit marramendës teknologjik, kohë kjo e cila mundëson që të gjitha objektet të dominuar nga trajtat gjeometrike të Robotikës, përmes metodave dhe aplikacioneve të ndryshme kompjuterike, mund t’i fusim në lëvizje për ta krijuar një film të animuar, jo dekorativ të zakonshëm për një industri bashkëkohore filmike.
Sa më shumë qëndrojmë para këtyre veprave na krijohet bindja sikur janë të ngurta, por nëse përqendrohemi më thellë, duket se lëvizin për të na treguar një cak të synimit të autorit i cili, sipas asaj që mund të vlerësohet, e parandiente një ardhmëri ndryshe të të krijuarit. Duke i analizuar këto objekte të kësaj faze, ato na bëjnë të dialogojmë me to, duke na kërkuar t’i deshifrojmë në mënyrën tonë. Kështu, me qëndrim dhe vlerësim real, shohim se krijohet një dramë moderne virtuale unike, ku si aktorë (personazhe) janë po këto objekte atraktive të krijuara në trajta kënddrejta (ortogonale) harkore, që krijojnë imazhe mjaft joshëse, së bashku me komponentat tjera që përmbajnë veprat.
Ky cikël nuk përcakton kohë, është fluid edhe pse është realizuar në mesin e viteve të 70-ta, dhe ngjason në këtë kohë e cila do të na udhëzojë në një tjetër kohë, për ta inkoporuar konceptin e Gjokaj me fanta-shkencë si makineri robotike. Pikturat e Gjeloshit të këtij cikli, për nga teknika aplikuese janë të pasura dhe të ngjeshura mjeshtërisht me ngjyrë, kanë simbolike statike makinerike të cilës do t’i jep jetë tridimensionale zhvillimi marramendës teknologjik.
Gjokaj në një mënyrë gjatë gjithë jetës kërkonte vetën në toka dhe shtete të ndryshme. Kjo e mundësoi që puna e tij të vlerësohet nga shumë kritikë vendorë dhe ndërkombëtarë, e posaçërisht ata italianë, të cilët në vlerësimet e tyre e kanë veçuar si artist eksperimentues, të guximshëm, por edhe të jashtëzakonshëm, per qasjen e tij konceptuale, të shprehjes dhe dellit krijues. Historiani dhe kritiku i artit Dario Micacchi (1977) e veçoi si artist teknologjik të asaj kohe i cili paksa e prek këtë cikel të Gjokaj.
GRIHËSI/MPREHËSI, pikturë që u realizua në 1975, me përmasa 180×200 cm. shtrihet në rrafshin e prerë horizontal qendror, ku dominon prapavija e patinuar e njëtrajtshme pa elemente të marra nga natyra, e që ngjason në një mur me qindra nuanca të shkrira në një ngjyrë të vetme kafeje të betonuar. Ndërsa në pjesën e poshtme dominon ngjyra e hirtë me tonalitete paksa më të detajizuara përmes kontrastit, i cili shërben si bazë e fortë e objekteve. Boshti kryesor, ose pikë ekuilibri në pikturë, është subjekt-objekti metalik, me formë gjeometrike pa strukturë dhe sistemim anatomik, i pikturuar me mjeshtri të përkushtuar duke e robotizuar bashkë me qenin afër tij. Vazhdon me elementet, si qafëza (jakë) e bardhë e cila e mbanë me intensitet lidhshmërinë me konceptin e pikturës dhe të simboleve tjera, të cilat krijojnë një dramë pamore vizuale, duke përcjelli porosi të fuqishme drejt ardhmërisë së imagjinuar nga autori, ku sot me këtë cikël veçohet si artist para kohe.
Edhe në veprat tjera në vazhdim të këtij cikli si Eksodi (1975), Ushtarët e vdekur (1974), Karroca e fëmijëve (1974/75, Parzma e Gjeneralit (1975), Pa titull (1975), Gruaja ne dritare (1974), Kova e kujtimeve (1974), Sorrati i zogjve (1975) i hasim këto karakteristika.
Ndoshta në tërësi këto punë të krijuara sipas imagjinatës të artistit të veçantë Gjokaj, mund të lidhen me jetën sociale ekonomike dhe politike te asaj kohe. Por, sidoqoftë, kombinimet e figuracionit të veprave të këtij cikli janë më shumë se aq nga këndvështrimi i këtyre viteve, të vlerësuara në mënyrë konceptuare reflektojnë ndryshe, sepse leximi dhe deshifrimi i tyre sot është më i thellë dhe i zgjeruar, janë më shumë se metale te mbetura të asaj kohe të ekuilibruara mjeshtërisht.
Njëkohësisht robotikën e Gjelosh Gjokës e shoh si një skenë që vallëzon me muzikën elektronike të kompozuar në mënyrë fluide dhe të ndjeshmërisë së audiencës ndaj saj.