More
    KreuArte pamoreProf. Dr. Luan Topçiu: Bujar Luca dhe arti i tij i hijshmërisë...

    Prof. Dr. Luan Topçiu: Bujar Luca dhe arti i tij i hijshmërisë së epërme

    Vepra e artistit Bujar Luca është ndër ato që të kaplon me shikim të parë dhe të ngjall emocione të forta. Ç’ka të bie në sy është rafinamenti i rrallë, sqima artistike, eleganca, hijshmëria, vetvetshmëria, natyrshmëria. Ai mbetet një magjistar i sintaksës, i kombinimeve të shenjave, incizimeve në sipërfaqen e telajos apo të letrës. Piktori shqiptaro-francez ravijëzon në rrugëtimin e tij artistik tiparet e artit të tij më të mirë, duke mënjanuar gjatë rrugës të gjitha ato elemente që do të pengonin shprehjen e tij artistike më të epërme, më të pastër dhe më elokuente. Në shumë syresh nga veprat e tij, ai mbërrin në zonat e artit me forma të qashtra, të lira, me sintaksë dhe morfologji të përkryer. (Plafond, Acrylique sur toile;  alphaimagique, Codex 333 …) etj

    Elementetët dytësorë nuk shqetësojnë më punimet e tij, ndërkohë që veprat janë të plota, me një gjuhë të zgjedhur e plot sqimë. Fin dhe i proshkët, i beftë dhe poetik gjithëherë, artisti Bujar Luca është ndër artistët që u beson tërësisht mjeteve plastike të artit vizual. Arti, që ai e realizon në mënyrë virtuoze e të shpenguar,  i besohet tërësisht intuitës së tij, instiktit artistik, impulseve të brendshme, të cilat shndërrohen në udhërrëfyese të procesit të krijimit.

    Desemantizimi i veprës

    Në shumë nga punimet e Bujar Lucës, vepra është e desemantizuar, e çliruar nga kuptimi literal dhe referencial, të cilat i redukton ose i eliminon për t’i hapur rrugën një interpretimi të hapur, sugjestiv, për ta bërë veprën të kujdo dhe të akëcilit: sepse vepra sugjeron, ofron, sjell para receptorit atë që mund të rindërtohet prej tij. Kjo vepër kërkon patjetërsisht një rol aktiv dhe krijues të receptorit të saj. Me fjalë të tjera, në vend që të paraqesin objekte ose skena të posaçme, veprat e desemantizuara përqendrohen në aspekte formale si ngjyra, forma dhe tekstura; kuptimi dhe mesazhi janë më pak të dukshëm dhe më të vështirë për t’u interpretuar drejtpërdrejt, por janë më të lira, më evokuese, më të hapura, më sugjestionuese për interpretimin vetjak. Interpretimi është subjektiv dhe vetanak. Receptori është i ftuar të eksplorojë dhe të interpretojë, bazuar në përvojat dhe perceptimet e tij, më shumë sesa në veprat me referenca të jashtme dhe të qarta, veçanërisht ato mimetike. Në vend që të ofrojë një mesazh specifik, vepra synon ndikimin estetik dhe emocional mbi shikuesin. Shenjat mund të të interpretohen si zogj, si pemë, trungje, si gjurmë lëvizjesh të befta, si imazhe ëndrrash që janë gjithçka dhe asnjëra syresh.

    Bujar Luca fokusohet në përdorimin e linjave, formave, teksturave, frazave plastike, për të krijuar efekte vizuale dhe impakt emocional. Veprat bazohen mbi shprehishmërinë gjestuale, sepse bazohen mbi spontanitetin, instinktin artistik. Piktori shkel shtigjet e panjohura në të cilat e çon intuita artistike dhe nënvetëdija. Ai vendos në një dialog hapësirat plot me ato bosh, duke i besuar gjesteve plastike në një hapësirë të posaçme. Hapësira është vendi ku marrin kuptim shenjat, gjestet, frazat figurative. Hapësira bosh është ajo që vitalizon gjithçka që është konkrete, e lexueshme, e kapshme, gjithçka që frymon në të. Hapësira është ajri që ndihmon të shihen qartë loja grafike, dialogu mes shenjash dhe linjash, incizimet, harmonia apo disonancat që krijohen prej asaj që është e figurshme.

    Historia e artit modern njeh përvoja të ngjashme si në pikturën abstrakte të Wassily Kandinsky-t, Mark Rothko-s, të cilët përqendrohen në ngjyrë dhe formë më shumë se në pasqyrimin e objekteve, apo në ekspresionizmin abstrakt. Në veprat e Jackson Pollock përdoren gjeste spontane, për të krijuar forma abstrakte; po kështu edhe në veprat e artit minimalist përdoren forma dhe ngjyra, të reduktuara në esencë, pa detaje përshkruese.

    Gjesti figurativ dhe tradita botërore

    Mjeti, mbi të cilin bazohet tërësisht vepra e artistit vizual Bujar Luca, është gjesti figurativ, qasja spontane, përmes përdorimit të lirë dhe elegant të lëvizjeve të brushës, të penës apo lapsit, i cili të kujton lëvizjen e ekspresionizmit abstrakt dhe gjithashtu traditat e artit aziatik, veçanërisht atij japonez dhe kinez. Piktori shqiptaro-francez shkel në traditën e artit modern të Jackson Pollock me “drip painting” e tij, të Willem de Kooning-in, krijuesit të përzjerjes së figuratives me abstrakten, duke krijuar një tension të veçantë në veprat e tij. Piktura gjestuale në artin Perëndimor padyshim është e ndikuar nga arti aziatik. Artisti japonez, Shikoku Samukawa, me përdorimin e teknikave të kaligrafisë tradicionale, krijoi veprat e tij abstrakte dhe u shndërrua në një urë lidhëse midis kaligrafisë dhe pikturës abstrakte. Kinezi Zao Wou-Ki, koreani, Lee Ufan, çelën mundësinë e komunikimit midis artit aziatik dhe artit modern perëndimor.

    Traditat aziatike, të përqendruara në spontanitetin dhe kontrollin e brushës, kanë kontribuar në zhvillimin e një qasjeje më intuitive dhe natyrale në pikturën moderne.

    Bujar Luca, duke iu besuar tërësisht mjeteve të artit, gjuhës së pastër plastike, është një artist autentik. Ai i beson gjithëçkaje që buron së brendshmi, që vjen së brendshmi, duke krijuar frazat e tij plastike, të çlirëta, të vetvetishme, të shkathta, delikate. Artisti hedh dritë mbi misterin e krijimit, mbi shtysat e mistershëm të intuitës, mbi proceset e padukshme shpirtërore dhe psikologjike, mbi dinamikën e krijimit, mbi mekanikën e lëvizjeve të befta dhe plot magji. Herë ato janë krijuese të tensioneve, herë të harmonisë të paqtë, herë janë të rrjedhshme, të lira, varësisht nga dispozicioni i artistit. Arti i krijuar në mënyrë spontane dhe improvizuese shpesh kap emocionet dhe ndjenjat e çastit të artistit, duke ofruar një pasqyrë të pastër dhe të çiltër të gjendjes shpirtërore të tij. Është, pikërisht, ky element i sinqeritetit dhe i vërtetësisë e bën artistin autentik, të papërsëritshëm.

    Krijimi i vetvetishëm e lejon Bujar Lucën të eksplorojë ide të reja dhe të eksperimentojë me teknika të ndryshme, pa u ndjerë i kufizuar nga planifikimet paraprake. Ky lloj eksplorimi e çon artistin në inovacione dhe zbulime të rëndësishme artistike. Liria për të krijuar pa kufij e lejon Bujar Lucën të zhvillojë një stil të veçantë dhe të dallueshëm, duke i bërë punimet e tij origjinale dhe unike.

    Arti gjestual,  muzika Jazz dhe koreografia

    Shpesh arti i Bujar Lucës të kujton muzikën Jazz, e cila bazohet po në lirinë e improvizimit dhe spontanitetetit, në ndjenjat e çastit. Sepse lëvizjet spontane në artin modern ngjajnë së tepërmi me tingujt e muzikës jazz, që transmetojnë një gamë të gjerë emocionesh dhe gjendjesh. Intesiteti, kahu dhe shpejtësia e lëvizjeve emetojnë energji, tension, gazmim, trishtim, dramacitet, lirizëm dhe shumë nuanca të tjera emocionale. Përdorimi i ndryshëm i teksturës dhe ngjyrës në mënyrë spontane tek telajoja e Bujar Lucës të krijon ndjesi të ndryshme vizuale dhe emocionale, duke të komunikuar mesazhe të thella, të brendlshme. Pavarësisht se mund të mos ketë një narrativë të qartë, një vepër arti mund të ketë një ndikim të thellë emocional falë mënyrës së përdorimit të formës, ngjyrës dhe kompozimit. Edhe pse spontaniteti dhe liria janë të rëndësishme ai u beson tërësisht atyre, Bujar Luca zotëron një ekspertizë të thellë teknike. Këto njohuri teknike e lejojnë të manipulojë materialet në mënyrë të sofistikuar, duke krijuar efekte vizuale të ndërlikuara, si muzikantët e jazz-it, që niveli i lartë teknik profesional u lejon të improvizojnë me liri dhe saktësi dhe i bën që të mbajnë nën kontroll frazën, kontekstin, atmosferën. Nga ana tjetër, arti i Bujar Lucës ka fuqinë t’i ofrojë shikuesit një përvojë personale unike edhe prej faktit se piktura tij gjestuale krijon një asosacion të plotë me koreografinë. Piktura gjestuale dhe koreografia ndajnë shumë elemente të përbashkëta, veçanërisht kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes artistike dhe spontanitetin. Të dyja format e artit fokusohen në përdorimin e lëvizjeve për të krijuar një shprehje të veçantë dhe unike. Koreografët krijojnë lëvizje dhe sekuenca të frymëzuara nga emocionet, muzika dhe hapësira. Liria e shprehjes është thelbësore për të krijuar një interpretim të ndjeshëm dhe të fuqishëm në skenë. Të dyja format e artit kërkojnë një ndjeshmëri të thellë dhe një përkushtim ndaj momentit krijues, duke i lejuar artistët të komunikojnë me publikun në mënyra të fuqishme dhe të papërsëritshme. Në punimet e Bujar Lucës ndihet lëvizja, dinamika, vallëzimi i linjave dhe i njollave, befasia e lëvizjeve të papritura.

    Arti kompleks i Bujar Lucës evokon bukurinë e muzikës jazz, magjinë e lëvizjeve koreografike, finesën e mjeshtrave aziatikë, duke i besuar, tek e fundit, tërësisht mjeteve të artit figurativ që ka zgjedhur dhe talentit të tij të jashtëzakonshëm për të luajtur dhe realizuar gjithçka që ai dëshiron të shprehë përmes artit të tij. Veprat e tij janë shpesh të ekspozuara së bashku, si për të hartuar një ligjëratë me to dhe secila syresh është një sintagmë e mëvetësishme, por dhe pjesë e së tërës. Bujar Luca është një mjeshtër në artin e tij, është një magjistar i sugjerimeve plastike, një artist fin dhe padyshim një personalitet tejet i rëndësishëm i artit bashkëkohor.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË