Spiro Gjoni, Udhëtimi letrar i Sazan Golikut
Shkenca letrare është një labirint pasqyrash. Shkrimtari pasqyron jetën, studiuesi pasqyron shkrimtarin, një tjetër studiues pasqyron sivëllanë e vet.
Ndërkaq, nëse shkrimtari e pasqyron realitetin duke e shndërruar, studiuesi që e analizon atë synon drejt një objektiviteti sa më të lartë dhe të njëjtën gjë bën autori që shqyrton kritikën e kritikës. Tani po e vëmë veten në këtë rol të fundit duke thënë fjalën tonë, ashtu si mundim, për një studiues që analizon një autor bashkëkohës në një monografi të gjerë.
Roli ynë nuk është natyrisht ai i një gjykatësi, po më tepër i një dragomani që e çon studiuesin te lexuesi, ose i një deshifruesi të kodit shkencor të autorit që është vetë deshifrues i kodit artistik të shkrimtarit.
Spiro Gjoni në monografinë “Udhëtimi letrar i Sazan Golikut” që vjen si kurorëzim pas disa veprash të tjera shkencore (monografi apo përmbledhje studimesh), “udhëton” në brendësi të botës së një autori bashkëkohës, Sazan Golikut alias Pandeli Koçit, rreket për të depërtuar në poetikën e këtij autori, në fijet e çuditshme që e lidhin mesazhin me formën dhe i japin jetë.
Një tipar me të vërtetë i veçantë që kapet nga studiuesi është shumëllojshmëria, një shumëllojshmëri gjinish dhe llojesh ku mbizotërojnë llojet e shkurtra si skica dhe parabola që janë të parapëlqyerat e shkrimtarit dhe gur prove për talentin e tij. Larmia tipologjike në veprën e Koçit është tepër e madhe, kalohet vazhdimisht nga proza te poezia, nga poezia për të rritur te poezia për fëmijë. Shkrimtari e provon talentin e vet, ndonëse më rrallë, edhe në llojin e novelës dhe në një rast të vetëm, në atë të romanit. Në të dyja llojet shënon arritje.
Edhe tematika dhe problematika dallohen për një gjerësi të veçantë që s’e përjashton thellësinë, një gjerësi që shtrihet në dy rrafshe, në histori e në gjeografi.
Studiuesi vë re një konstante në krijimtarinë e Golikut, një vatër të ndezur që e ndriçon tërë krijimtarinë, temën e lirisë. Kjo temë shtjellohet, qoftë në plan patriotik, qoftë në plan social dhe etik. Në këto dy plane të fundit vihet re një kushtëzim historik.
Spiro Gjoni e ka parasysh çështjen e angazhimit të detyruar që rëndonte mbi shkrimtarët në periudhën gjysëmshekullore të diktaturës dhe rrezikonte lirinë e shprehjes dhe zhvillimin e lirë të individualiteteve krijuese.
Studiuesi Gjoni pohon me të drejtë se “liria kombëtare është e cunguar në vlerat e saj për aq kohë sa nuk shoqërohet me lirinë individuale dhe shoqërore” dhe kjo për Golikun është “e qartë dhe e kuptueshme”, prandaj, pas trajtimit të konfliktit të shqiptarëve me pushtuesit, ai e shtrin më tej nocionin e lirisë. Po, në kuptimin e vet të plotë, kjo temë do të mund të shtjellohej, siç ndodhi në fakt, vetëm në krijimet e Golikut të shkruara në periudhën e pasdiktaturës dhe që përfshihen në përmbledhjet “Aventurat e lirisë”, “Trekëndëshi i qiellit të zi”, “Aksion në shkumën e vaskës” dhe “Pas heshtjes”.
Format e reja të lirisë zbulohen dhe pasqyrohen te liria e të burgosurve në diktaturë, te pohimi i të drejtave universale për liri individuale. Goliku nënvizon studiuesi, nuk është për një liri kaotike, por për një liri të mendjes dhe të shpirtit që respekton lirinë e tjetrit.
Nënvizohet pra se tema e lirisë, e përhershme në shkrimet e Pandeli Koçit, gjeti shprehjen e vet të plotë dhe u bë shkak për një hop krijues në veprën e autorit vetëm në periudhën e pasdiktaturës që i solli një lulëzim të ri krijimesh në lloje të ndryshme, në krye të të cilave janë skicat dhe parabolat aq të dashura për të.
Një tjetër tipar që zbulohet me mprehtësi nga Spiro Gjoni, i cili përpiqet të hyjë në brendësi të botës poetike të autorit është paparashikueshmëria e cila, sipas tij, e detyron gjithnjë studiuesin të korigjojë dhe plotësojë klasifikimet e veta.
Gjithashtu studiuesi vëren me mprehtësi një lloj dinamizmi që e ndjek Golikun, alias Koçin, në tërë krijimtarinë e vet më shumë se shtatëdhjetëvjeçare, një lloj “vrapi” të figurshëm që ka nisur qysh në rininë e vrullshme të autorit dhe zgjat ende në pjekurinë e tij të vonshme që e ka ruajtur çuditërisht vrullin e rinisë, një aftësi e përhershme për të rinuar vetveten.
Pandeli Koçi, si nënvizon edhe studiuesi dhe kjo përbën një nga karakteristikat më të veçanta dhe të rëndësishme të krijimtarisë së tij, nuk rrezikohet nga ajo “ftohtësi” e pleqërisë që do të krijonte një shkëputje midis mesazhit dhe formës, duke parapëlqyer thellimin në mjetet teknike, formale, atë shkëputje së cilës iu tremb Mjeda kur e la përgjysëm poemthin “Scodra”, i cili kishte arritur vërtet një përsosmëri formale, po mund të humbiste lëngun e valë të frymëzimit, tharmin jetësor.
Për çudi, Sazan Goliku e ruan të paprekur atë tharm dhe e derdhi në krijimet e veta në poezi e në prozë. Për një “rini” shpirtërore mund të dëshmojë edhe fakti që Pandeli Koçi, edhe në moshë të vonë, i qëndron besnik poezisë.
Një tjetër tipar që zbulohet nga studiuesi Gjoni, të cilit Pandeli Koçi i qëndroi besnik deri në fund, është fryma shqiptare që dallon çdo krijim të tij, një tipar i rëndësishëm ky në kohën tonë, të prirur ndaj kozmopolitizmit, një tipar që vërteton rrënjët etnike të autorit, identitetin e tij kombëtar.
Gjithashtu, një veçori që e përshkon tërë krijimtarinë e Koçit, siç pohon studiuesi, është autobiografizmi që nis nga autobiografizmi naiv i skicave të para poetike për të vazhduar dhe për t’u thelluar në krijimet e viteve të pjekura.
Autobiografizmi do të paraqiste rrezikun e egocentrizmit. Po studiuesi nuk e zbulon asgjëkundi një kufizim të tillë. Autobiografizmi i Koçit është dëshmi sinqeriteti dhe i jep ngrohtësi veprës së tij.
Një vatër tjetër e ndezur në krijimtarinë e Golikut që vihet re nga studiuesi, krahas temës së lirisë është tema e dashurisë që trajtohet prej tij që nga periudha gjysmëshekullore e diktaturës kur spostohej në plan të dytë në periudhën e sotme ku tema në fjalë ka gjetur vendin e vet. Studiuesi vë re me të drejtë, që poezitë me temën e dashurisë janë nga më të ndjerat e Pandeli Koçit dhe gërshetojnë mjeshtërisht elementët romantike me elementët realiste.
Gjithashtu vihet re që trajtimi i kësaj teme u qëndron larg skajshmërive, mbetet në caqet e një ekuilibri të shëndetshëm, për çka dëshmon lëvrimi nga ana e Golikut të një nënteme të trajtuar rrallë në poezinë erotike, nëntemës së dashurisë bashkëshortore, të cilën ai e lëvron në mënyrën e vet, të papërsëritshme.
Studiuesi synon të zgjidhë disa enigma të krijimtarisë së Golikut. Një prej tyre, mjaft intriguese është parapëlqimi i tij ndaj poezisë dhe prozës. Spiro Gjoni arrin në konkluzionin se këto dy mënyra krijimtarie përbëjnë dy dashuri paralele për këtë autor, të cilave ai u qëndron besnik deri në fund.
Një enigmë tjetër është ajo nëse ky autor që e realizon plotësisht vetveten në poezinë dhe prozën për të rritur, arrin të realizohet gjithashtu në krijimtarinë për fëmijë. Kësaj enigme studiuesi i kushton një kapitull të veçantë “A është Sazan Goliku shkrimtar për fëmijë?” Studiuesi me të drejtë e thekson literalitetin e letërsisë për fëmijë, gabimisht e nënvlerësuar nga disa pseudostudiues që nuk e kuptojnë veçanësinë e saj, e sheh atë si art të fjalës, po aq, në mos më shumë se sa letërsia për të rritur.
Gjithashtu, Spiro Gjoni, kur analizon problemin, domethënë, përfshirjen e Pandeli Koçit në bashkësinë e autorëve për fëmijë, nuk mjaftohet me kriterin sasior (njëzet e tre veprat për fëmijë të botuara nga ky shkrimtar), po e përfshin kriterin cilësor dhe zbulon një tipar kuptimplotë në poezinë dhe prozën e tij të këtij lloji, aftësinë dhe mjeshtërinë e tij që të gjendet natyrshëm dhe të shkrihet me botën e fëmijëve, me dëshirat, interesat dhe përjetimet e tyre. Pranë këtij tipari nënvizon thjeshtësinë në komunikimin me të vegjëlit, duke përdorur “armët” e tyre.
Studiuesi ndalet në format zhanrore të zgjedhura nga Goliku dhe shpjegon shkaqet e kësaj përzgjedhjeje. Duke i shpjeguar ato arrin në një thënie sintetike që i ngjan një aforizme. “Çdo poezi e Sazanit është një përrallë dhe çdo përrallë e tij, bart dhe përcjell një frymë poetike”.
Kështu, në mënyrë të natyrshme, studiuesi arrin në përfundimin pohues të pyetjes së shtruar: “po, Sazan Goliku është edhe shkrimtar për fëmijë dhe një shkrimtar që e thotë fjalën e vet dhe komunikon me këtë publik tepër të veçantë dhe nazeqar”. (fjalët janë tonat).
Tre nga kapitujt më të realizuar të monografisë janë ato që i kushtohen tri veprave të veçanta të Pandeli Koçit, tri veprave që i përkasin prozës së gjatë, dy novela dhe një roman, i vetmi i shkruar prej tij, novela për të rritur “Zjarr dhe zjarr”, novela për fëmijë “Kërkimi” dhe romani për fëmijë “Komitët e Malit të Bardhë”. Janë të tria vepra të pjekurisë së Sazan Golikut.
Studiuesi e quan romanin e vetëm të Pandeli Koçit si kulmin e krijimtarisë së tij, një vërejtje e guximshme kjo, po që ai përpiqet ta argumentojë. Kjo vërejtje dëshmon se Spiro Gjoni ka depërtuar në thellësi, jo vetëm në shtrirje të veprës së gjerë që analizon dhe që përbëhet prej shumë krijimesh në poezi e në prozë, po për çudi prej një romani të vetëm. Studiuesi Gjoni e sheh këtë vepër si kalimin e Golikut në një stad më të lartë krijues ku veçoritë e tij artistike lartësohen dhe fuqizohen.
Studiuesi analizon imtësisht tematikën dhe problematikën e këtij romani dhe përbërësit e ndryshëm origjinalë të formës së tij. E përkufizon në mënyrë të goditur si “roman aksioni” dhe përligj dinamizmin e ritmit të rrëfimit në këtë roman që nuk u lë shumë vend përshkrimeve, sheh vlerën estetike të tij edhe në aspektin kompozicional, strukturimin në dy shtylla kryesore që është me të vërtetë i përshtatshëm për lëndën romanore që përmban dhe origjinal, në konçizitetin e karakterizimit të personazheve të cilët ndriçohen edhe në rrafsh psikologjik, në “përshkrimet tepër mbresëlënëse të natyrës shqiptare” në figuracionin e pasur letrar.
Studiuesi vëren gjithashtu që ky roman i menduar për fëmijë dhe të rinj, në fakt i drejtohet lexuesit të të gjitha moshave.
Analiza shprehëse dhe të goditura janë edhe ato të dy novelave që e befasojnë lexuesin qysh në titull “Një zjarr i dyfishtë në mendjen dhe shpirtin ilir” dhe “Dashuria fillon në shtëpi”. E para karakterizohet jo vetëm nga zbërthimi i brendisë dhe i formës (“Zjarr dhe zjarr”) por nga ndonjë debat i ndezur me ndonjë studiues tjetër, madje edhe me vetë autorin për të përcaktuar risinë tipologjike të kësaj novele që përkufizohet si novelë jotipike filozofike, po me elementë të novelës filozofike.
Në analizën e novelës së dytë “Kërkimi” që nuk bëhet në mënyrë të ftohtë, por me shumë entusiazëm dhe përkushtim, nënvizohet thelbi i saj, lartësimi i dashurisë në familje, i lidhjeve midis brezave që në atmosferën e sotme rrezikojnë të humbasin. Protagonisti është një hero i dashurisë birnore, konkretisht i dashurisë për të atin, që të sjell ndërmend një personazh tjetër të paharrueshëm, Markun e romanit “Zemra”, hero të dashurisë për të ëmën.
Mihali, protagonisti i kësaj novele, është katërmbëdhjetëvjeçar kur niset në kërkim të të atit, të internuar nga pushtuesit fashistë. Ai luan në novelë edhe rolin e rrëfyesit të ngjarjeve që shihen në optikën e veçantë të një adoleshenti. Novela, pra, ka një problematikë si social-politike ashtu edhe etike, ka një temë të patrajtuar në letërsinë tonë për fëmijë, çka nënvizohet nga studiuesi Gjoni.
Kapitulli i fundit i monografisë zbulon një aspekt të panjohur të Golikut, e sheh atë si kritik, jo si një kritik profesionist, por më tepër si një shkrimtar që shkruan për sivëllezërit me ndieshmërinë karakteristike të shkrimtarit, që shkruan recensione dhe artikuj dhe madje në një rast ngrihet në nivelin e trajtimit të problemeve teorike. Studiuesi i quan si të arrira shkrimet e tij kritike, duke vënë re që Pandeli Koçi përqendrohet te evidencimi i vlerave për shkrimtarët që analizon.
Po rimarrim tani një shprehje të studiuesit që kemi analizuar dhe po themi “tani që i erdhi fundi udhëtimit tonë”, në “Udhëtimin letrar të Sazan Golikut” (diçka e veçantë: një udhëtim brenda një udhëtimi tjetër!), mund të pohojmë se kjo monografi ka një nivel shkencor dinjitoz, është shkruar me ngrohtësi dhe pasion, me një gjuhë sa shkencore, ashtu edhe të thjeshtë e të qartë, me një stil dinamik, që komunikon me lexuesin.
Edhe nëse ka ndonjë pohim të diskutueshëm, në tërësi studimi është mbështetur në një njohje të mirë të krijimeve të analizuara dhe të kritikave të shkruara për to, autori nuk bie, as në entuziazëm të tepruar, as në qëndrime nihiliste, ruan një drejtpeshim të mbështetur në argumente logjike solide, çka është tepër e rëndësishme për çdo punim shkencor.
Gjithashtu, siç e thamë edhe më lart, monografia zotëron një forcë komunikuese në saje të së cilës, pavarësisht nga ndonjë zgjatje, nuk bëhet kurrë e lodhshme, as e mërzitshme, po mbetet plot tharm jete, si autori i analizuar.