U shua përfaqësuesi i fundit i asaj avangarde që solli një kthesë të fuqishme në poezinë dhe në prozën shqipe. U shua shkrimtari që e ngriti letërsinë e atdheut të vet të vogël dhe të nënvleftësuar në nivelin e krijimtarisë më të mirë europiane dhe botërore.
U shua shkrimtari që gërmoi në terrenin pjellor të historisë dhe të miteve për t’i folur së tashmes, për të luftuar në mënyrë klandestine me një nga diktaturat më të egra të shekullit të njëzetë.
U shua biri i Gjirokastrës, i Shqipërisë, i tërë botës, Ismail Kadareja.
Krijimtaria e tij shtrihet në dy periudha fatidike historike, periudha gjysëmshekullore e diktaturës komuniste dhe periudha tridhjetvjeçare e pasdiktaturës.
Ai u përket dy shekujve, shekullit kontradiktor të njëzetë që përmbysi shumë mite dhe u përpoq të ngrinte të reja dhe shekullit kaotik të njëzetenjëtë, shekullit të arritjeve të larta teknologjike dhe të përmbysjes së shumë vlerave ideologjike dhe etike.
Në tërë veprën e Kadaresë ndeshet një galeri vigane personazhesh nga më kontradiktorët që u përkasin kohëve të ndryshme, shtresave të ndryshme, gjinive të ndryshme, madje kombësive të ndryshme, ndonëse mbizotërojnë shqiptarët, “bijtë prej letre” të shkrimtarit, më të gjallë se krijesat, të cilave u dha jetë biologjike.
Ata do të mbijetojnë, duke hyrë në pavdekësi.
Emri i shkrimtarit do të shkëlqejë tani si një yll i ndritshëm në qiellin e errët të kujtimit.
Lamtumirë, vëllai ynë, bashkëkohësi ynë, Ismail!
Përshëndetje, shkrimtari ynë Kadare, që hyre në gjirin e përjetësisë!
Ti, bir i qytetit kështjellë le pas vetes një kështjellë të ndërtuar me gjakun dhe eshtrat e shpirtit tënd.