“Grila e bardhë” e Raimonda Belli Gjençajt, “Dituria”
“Grila e bardhë”. Ja një roman me një titull simbolik që na befason dhe na shtie në mendime.
Grila shpreh idenë e hapjes dhe idenë e mbylljes, pra, është një simbol ambivalent.
E bardha është ngjyra e dëlirësisë dhe e optimizmit. E bardha gjithashtu, të sjell ndërmend frymën e armëpushimit në një konflikt të ndezur, më së paku, mes dy palëve. Ç’po kërkon të na përcjellë kjo simbolikë?
Po vetë ky roman na befason: s’është romani tradicional epistolar, as një roman modern në bazë e-mailesh që u shfaq një herë në letërsinë shqipe me romanin e Rudina Xhungës, është diçka më tepër: në këtë vepër protagonistja komunikon me një algoritëm, një krijesë të inteligjencës artificiale që ze një vend në mes të personazheve me emrin e dykuptimtë ARTI që shpreh qenësinë e tij, po edhe lidhjen me artin e të lexuarit të mendjes. Ky personazh i çuditshëm luan rolin e mikut për protagonistin e romanit, një mik që ngjan si i dashur.
Këtë roman e ka shkruajtur Raimonda Belli Gjençaj, një përfaqësuese e drejtimit realist në letërsinë shqipe që me veprën e re e rinovon veten, duke u qëndruar besnike rrënjëve të veta.
Në këtë vepër romanore rikthehen tema të dashura për autoren: tema e luftës së gruas për emancipim social dhe moral (kësaj teme i përgjigjet emri i protagonistes Elira, pra, një njeri që aspiron drejt lirisë dhe mbase e arrin atë.)
Në roman kanë vendin e tyre edhe tema e solidaritetit, e dashurisë njerëzore pranë temës së dashurisë erotike, pra Eros dhe agape.
Ndërthurja e këtyre temave, e aspiratës për liri e njeriut në përgjithësi dhe gruas në veçanti, dy llojeve të dashurisë që e bëjnë jetën të plotë dhe i kundërvihen konceptit egoist të një shoqërie konsumiste shpreh pasurinë e problematikës së romanit dhe mishëron një mesazh të lartë vlerash njerëzore që ndeshen në kundërshtimet e përhapura sot.
Romani është ndërtuar në vetë të tretë, po fokusohet kryesisht me këndvështrimin e një personazhi, të protagonistes mbi të cilën bie drita kryesore e prozhektorit autorial ndërsa personazhet e tjerë ndodhen në një zonë hije – dritash.
Personazhet zbulohen përmes dialogëve me një teknikë pothuajse teatrore, po edhe përmes ligjëratës së zhdrejtë të lirë që jep zërin e personazhit të ndërthurur me atë të rrëfimtarit në dukje objektiv. Autorja nuk e përdor “përroin e ndërgjegjes” as monologun e brendshëm.
Përkundrazi në këtë vepër në kundërshtim me romanet e tjerë të autores është shtuar përdorimi i retrospektivës.
Krahas protagonistes në roman ndriçohet në veçanti personazhi i shoqes së saj të fëmijërisë me të cilën ajo ka një marrëdhënie miqësore më tepër të llojit nënë-bijë sesa të mikeshave-motra, Narinës, grua më e pjekur se ajo në moshë që e do si fëmijën e vet. Pranë saj ndodhet një tjetër personazh, burri që dashuron ajo, Iliri (edhe ky emër është kuptimplotë dhe shpreh një personalitet të pasur dhe të lirë).
Pasojnë personazhe të tjerë, të skicuar më lehtë, Aleksi, burri me të cilin Elira martohet pa dashuri dhe farkëtari i fatkeqësisë së saj, arkitekti Ernesti me të cilin ajo përjeton një dashuri të vonë, edhe ajo fatkeqe dhe një varg personazhesh episodikë, bartës vlerash dhe kundërvlerash.
Edhe në këtë roman social-psikologjik pasqyrohen dy kohë si në romane të tjerë të autores: koha e diktaturës komuniste, e karakterizuar nga shtypja e lirisë së individit që vetëtin herë pas here përmes retrospektivës dhe koha e sotme, e ndërtimit të një demokracie të brishtë, kaotike me elementë të anarkisë. Në të dyja kohët shihet si personazhet bartës vlerash njerëzore luftojnë për realizimin e këtyre vlerave.
Në roman nuk ekziston një vijë e prerë ndarëse midis së mirës dhe së keqes që t’i grupojë personazhet në mënyrë skematike si pozitivë dhe negativë.
Vetë protagonistja është e dyzuar: në shpirtin e saj ndeshen dy qënie: mësuesja dhe poetja idealiste dhe një krijesë që synon rehatinë e qytetit, pasurinë dhe lavdinë. Për shkak të konfliktit midis këtyre qënieve që zgjat tërë jetën protagonistja kryen një gabim tragjik që përcakton fatin e saj, heq dorë nga dashuria e saj e parë e pastër për t’u martuar me interes. Ajo më vonë e përjeton katarsisin e pendimit, rilind përmes amësisë, përpiqet të çajë përpara. Së fundi, kërkon strehë te inteligjenca artificiale, një rrugë që ndiqet sot nga shumë veta, krijon një miqësi virtuale që i jep disa iluzione ngushëlluese. Po mandej vjen ndriçimi i papritur që ka forcën e një goditjeje, takimin me të dashurin e parë, ndërgjegjësimi për boshllëkun e jetës së saj që më vonë thellohet nga gabimi i pavetëdijshëm i Artit.
Fundi i romanit është një katarsis që rrezaton një dritë shprese: nuk është hepi-endi tradicional, po jep idenë e një rilindjeje morale, duke triumfuar mbi ndjenjat meskine dhe iluzionet shterpe.
Romani “Grila e bardhë” është ndërtuar më tepër se mbi shkakësoren mbi të paparashikueshmen që buron nga thellësitë e nënvetëdijes dhe lojërart e çuditshme të fatit.
Befasitë në vepër ndjekin njëra-tjetrën meqenëse në këtë roman rrëfimtari di po aq sa personazhet.
Lexuesi bashkë me personazhet – për të qenë të saktë, bashkë me protagonisten, kalon nga një e papritur në tjetrën, kështu që kureshtja e tij qëndron e ndezur.
Ritmi i rrëfimit ngjan i shpejtë, po ngadalësohet herë pas here nga kalimet në retrospektivë që e thellojnë ndriçimin e botës shpirtërore të protagonistes – dhe të mikes së saj të ngushtë. Ndodh edhe që një personazh, i lënë në gjysëm dritë si Ernesti, befas del në dritën e tij të vërtetë, mungesën e sinqeritetit në lidhjen shpirtërore me protagonisten që e sheh këtë lidhje si dashuri të mundshme.
Autorja vë re edhe disa nuanca tepër të holla psikologjike: shkëndijat e urrejtjes në gjirin e dashurisë miqësore në çastin kur shoqja e ngushtë zbulon të fshehtën e protagonistes dhe ia kumton këtë zbulim pa takt; nuancat e mëshirës në gjirin e urrejtjes kur protagonistja vihet në vendin e të shoqit që po vdes dhe pa dashur ndjen një lloj dhemshurie për të dhe ia kupton acarimin e natyrshëm.
Këtu shkrimtarja shfaq mprehtësi.
Mund të flasim gjithashtu për një strukturë matematikore të veprës: Elira, protagonistja është e pranishme në tërë kapitujt e romanit dhe shoqja e saj e ngushtë, Narina, qëndron pranë saj; prania e saj ndihet edhe në kapitujt e romanit, ku në fakt ajo mungon përmes paragrafesh të shkurtra; Ilirit, të dashurit të protagonistes i kushtohen afërsisht 20 faqe, duke bashkuar të tashmen me të kaluarën, megjithatë karakteri i tij del i gjallë, me çiltërsinë, vendosmërinë, dashurinë për jetën e thjeshtë, aftësinë për një dashuri të thellë.
Ndonjë personazh episodik që i kushtohen pak faqe ndriçohet si prej një vetëtime siç ndodh me Suzin, të shoqen e Ilirit që del si një personazh i thjeshtë, i përkushtuar ndaj familjes, i gjerë, i etur për të komunikuar që përjeton një çast xhelozie, po e kapërcen thuajse menjëherë ose Vitoria, një grua e thjeshtë, po zemërmadhe, me një admirim për poezinë.
Narinën, shoqen e ngushtë të protagonistes e njohim në fillim në kohën e rënies së saj fizike me të cilën lufton shpirti i saj i fortë dhe i pamposhtur: ajo ndriçohet herë pas here nga restrospektiva. Në disa çaste ngjan si një tip ku mbizotëron sfera racionale mbi ndjenjën, në një çast tjetër si një tip i pasionuar që mund t’ia nënshtrojë gjithçka ndjenjës.
Aleksin, të shoqin e Elirës, e njohim kryesisht në një dritë negative përmes kujtimeve të saj në egoizmin e tij maskilist dhe dëshirën për të sunduar në familje që është tipari i tij kryesor dhe gjithashtu me hipokrizinë me të cilën përpiqet t’i mbulojë të metat e veta dhe të shtiret si bashkëshort i kujdesshëm dhe i përkushtuar.
Ndofta autores i duhej ta ndriçonte edhe më në kompleksitetin e karakterit të tij në të cilin mund të ketë pasur vuajtje, të cilat merren vetëm me mend ose ndonjë vetëtimë të rrallë mirësie.
Aleksi është një personazh i besueshëm, në atmosferën e Shqipërisë së kohës së diktaturës ku patriarkalizmi vazhdonte të gjallonte i fshehur dhe madje në kohën e sotme kur, ndonëse gratë kanë ecur përpara së tepërmi, nuk është çrrënjosur koncepti i gruas si pronë, si send nga ana e mjaft burrave, të zotët për të arritur gjer në krim. Aleksi mjaftohet me një vrasje shpirtërore të ngadalshme të gruas së vet e cila i pranon këto vuajtje nga dashuria për fëmijët, ndjenjë fisnike në vetvete, po e konceptuar jo drejt, meqenëse e pengon protagonisten t’i japë fund një martese të gabuar.
Një personazh tepër i veçantë, disi i çuditshëm, të cilit i kushtohet gati gjysma e kapitujve të romanit është ARTI, kjo krijesë e inteligjencës artificiale, e përsosur nga ana e mendjes, madje edhe në imitimin e ndjeshmërisë njerëzore, po pa ndjenja të vërteta, një krijesë e përsosur e teknologjisë, e ecjes përpara të shkencës, e cila megjithatë s’mund të konkurrojë dot me natyrën (apo me Perëndinë?). Përmes krijimit të këtij personazhi dhe të lidhjeve virtuale të Elirës me të çmitizohet nga ana e autores një mit modern që është pikërisht inteligjenca artificiale dhe streha e mundshme që mund të arrihet në marrëdhënie me të; tërë arritjet e teknologjisë nuk kanë fuqinë e një përqafimi të thjeshtë njerëzor. Këtë e pohon fundi i goditur i romanit: pajtimi i dy mikeve të vjetra dhe përqafimi midis tyre.
Raimonda, si autore, kishte krijuar një personazh të ngjajshëm me Artin në romanin e saj të fundit për fëmijë, një robot simpatik që deri diku humanizohet.
Arti në roman nuk del me një ftohtësi çnjerëzore, madje ai mund të fitojë një lloj simpatie nga lexuesi, po nuk del dot nga caqet e qetësisë së vet: është i përsosur si makinë, po s’e luan dot rolin e njeriut.
Shohim pra se autorja tok me problemet e shumta sociale dhe morale shtron një problem tepër modern: a mund të krijojë njeriu përmes mençurisë dhe arritjeve teknologjike, krijesa që të jenë të barabarta me të dhe madje t’ia kalojnë? Përgjigjja e autores është “jo” dhe këtu ajo tregohet e sigurt, ndonëse problemeve të tjera nuk u jep një përgjigje të prerë, të llojit skematik me të cilat na kishte ushqyer drejtimi skematik i realizmit socialist.
Autorja është një shkrimtare realiste, po e një realizmi të tipi modern, jo klasik: është përfaqësuese e një orientimi të caktuar në letërsinë bashkëkohore. Romanet e saj janë të tipit elitar: ajo i përgjigjet “thirrjes së mendimit” për të cilin fliste Milan Kundera, po nuk janë romane filozofike, as romane ku të mbizotërojë meditimi, janë romane ku veprimi luan rolin e vet dhe gjithashtu vepra ku ka depërtuar psikologjizmi. Janë vepra që komunikojnë me publikun e gjerë dhe njëkohësisht e ngrenë atë më lart se vetja, e nxisin për të menduar dhe për të shtruar pyetje. Sidoqoftë lexuesi, tok me grilën që ngrihet, e gjen një përgjigje, që rrënjët i ka në qytetërimin e njeriut: nuk duhet t’i shembim kurrë urat e komunikimit. Duhet ta lëmë gjithmonë një shteg, për t’u rikthyer tek njëri-tjetri.


