More
    KreuOpinionProf. Dr. Klara Kodra: Jakov Xoxa dhe realizmi i romaneve të tij

    Prof. Dr. Klara Kodra: Jakov Xoxa dhe realizmi i romaneve të tij

    Jakov Xoxa është një nga romancierët më të fuqishëm dhe origjinalë shqiptarë.

    Shkrimtari e ka kërkuar gjatë vokacionin e vet të vërtetë, romanin, duke provuar më parë lloje më të vogla të prozës, madje edhe dramën, për të shpërthyer më në fund në një kryevepër si Lumi i vdekur. Ky autor i dha për herë të parë letërsisë shqiptare një roman përnjimend realist (të shpjegohemi më qartë, realist kritik) në kohën kur sundonte drejtimi artificial dhe i ngurtë i realizmit socialist.

    Romani shqiptar pati rrugën e vet të veçantë me vonesa dhe djegie etapash. Kjo ndodhi meqenëse ky lloj nuk erdhi në dritë veçse dy shekuj më parë në krahasim me disa shekuj të romanit europian.

    Lindi çuditërisht si romantik për t’iu kthyer më vonë sentimentalizmit që në letërsinë shqiptare e pasoi romantizmin në vend t’i paraprinte dhe zgjati deri në vitet 30-të kur do të shfaqeshin disa elemente të modernizmit me romanin “Pse?” të Sterjo Spasses që sillte “heroin pa cilësi”, pra një kundërhero.

    Kjo dukuri, e vonuar në krahasim me romanin evropian, ishte përkundrazi e parakohshme për romanin shqiptar, ende në fëmijërinë e vet, prandaj u receptua negativisht nga kritika dhe publiku.

    Ishte një dukuri e parakohshme, meqenëse ishte e lidhur me modernizmin në një kohë kur romani ndër ne nuk ishte i pjekur ende si realist.

    Romani i po asaj kohe i Haki Stërmillit ndërthurte sentimentalizmin me shfaqjet e para të realizmit. Edhe romani i mëvonshëm i vetë Spasses ishte një roman realist me elementë të romanit utopik.

    Po drejtimi i realizmit nuk arriti të zhvillohej plotësisht në letërsinë shqiptare se ia ndërpreu rritjen një drejtim artificial si realizmi socialist, i cili e thellonte vërtet problematikën sociale, po duke e futur në kallëpe skematike.

    Jakov Xoxa me forcën e talentit të vet i shkundi rregullat e romanit social që po lindte në vitet 50-të, duke sjellë në jetë krijesa rakitike si “Çlirimtarët” e Dhimitër Shuteriqit, “Përmbysja” dhe “Këneta” e Fatmir Gjatës ku racionalizmi mbyste jetën e gjallë.

    Edhe Spasseja në romane të asaj kohe si “Ata nuk ishin vetëm” dhe “Afërdita përsëri në fshat” do të infektohej nga ky skematizëm i cili do të vazhdonte gjatë dhe do të përqafohej kryesisht nga shkrimtarët mediokër, po nën trysninë e faktorëve jashtëletrarë, do të rëndonte edhe mbi shkrimtarë të talentuar.

    Jakov Xoxa me “Lumin e vdekur” i rikthehej realizmit kritik ndonëse shkrimtari u detyrua ta fshihte nën pelerinën e realizmit socialist.

    Ky roman, plotësisht i realizuar nga ana estetike, do të ishte i pari i një sage romanore që do të pasohej nga romanet “Juga e bardhë” dhe “Lulja e kripës”.

    Mund të vihet re një veçori gjer tani e pazbuluar nga kritika. Që në titujt e këtyre romaneve ndeshim elementet e kozmogonisë tradicionale, elementin UJË (“Lumi i vdekur”), elementin AJËR (“Juga e bardhë”) dhe tërthorazi elementin TOKË (“Lulja e kripës”), meqenëse te toka rriten lulet, sidoqë ishte fjala për një lule të pazakonshme.

    Kjo sagë romanore të kujtonte sagat e fillimit të shekullit të njëzetë “Sagën e Forsajtve” të Gollsuorthit, “Budenbrokët” e Tomas Manit, “Veprën e Artamonovëve” të Maksim Gorkit.

    Po të gjitha këto vepra kishin vënë në qendër familje borgjeze.

    Për herë të parë lindte një sagë që kishte në qendër të vet fshatarësinë si shtresë shoqërore (konkretisht fshatarësinë myzeqare) dhe ishte shkruar nga një autor që sillte nga realiteti i vendlindjes së vet, Myzeqesë, njerëz të gjallë në dejet e të cilëve gati mund ta ndiesh si qarkullon gjaku.

    Personazhet e Xoxes kanë mendësinë e tyre, “vizionin e vet” të jetës, madje edhe gjuhën dhe frazeologjinë e vet karakteristike. Janë tipike, po kanë njëkohësisht individualitetin e vet të papërsëritshëm. Autori rimerr dhe zhvillon te karakteret e pasqyruara traditën e shfaqur dikur te Kuteli dhe Migjeni te llojet më të vogla të prozës. Xoxe zbaton mimezisin e romanit realist kritik, motivimin socialo-psikologjik të karaktereve.

    Këtë sagë si një miniepope që është e jetës së fshatarëve myzeqarë, mund ta krahasosh me “Familjen e Malavolajve” të Vergas, këtë epos të njerëzve të thjeshtë sicilianë, po Xoxa nuk e ka atë pesimizëm të thellë të autorit italian që shkroi një epope të “të mundurve”, duke e përligjur fatin e tyre dramatik si fatalitet të pashmangshëm. Personazhet e tij janë në përgjithësi aktivë, luftojnë dhe dashurojnë, ndonëse disa prej tyre i nënshtrohen fatit.

    Romanet e Xoxes karakterizohen nga një dramatizëm i fuqishëm, po edhe nga dashuria e zjarrtë për jetë.

    Një element i kësaj dashurie është edhe dashuria në kuptimin më të ngushtë të fjalës, dashuria erotike që përshkruhet me guxim, madje edhe me një lloj sensualizmi, po ky i fundit mbetet i shëndetshëm si në folklor.

    Në këtë trilogji, më të realizuar për mendimin tonë, janë romani i parë dhe i fundit.

    Te “Lumi i vdekur”, midis shumë personazheve shkrimtari ka krijuar figurën komplekse të Pilo Shpiragut që i kapërcen kallëpet e “pozitivitetit” apo “negativitetit” edhe figurën tërheqëse të Vitës që ka bukurinë karakteristike të myzeqareve dhe shkrin naivitetin e skajshëm me guximin që i jep dashuria.

    Ky roman me krijimin e figurës së Adilit fiton një frymë panshqiptare dhe dashuria e kundërshtuar e dy të rinjve simbolizon vëllazërimin me vëllezërit e përtej kufirit. Çuditërisht vihet re një analogji me dashurinë e Dijes me Shpendin te “Sikur të isha djalë” e Stërmillit, një analogji që ndërthuret me kontrastin dashuri fatkeqedashuri triumfuese.

    Kuptimplote janë fjalët që e mbyllin skenën e realizimit të dashurisë së dy të rinjve në roman, në sfondin e pyllit, “aroma e dlirësisë së plotë” që nënvizojnë dlirësinë e dashurisë së dy protagonistëve, pavarësisht nga detajet tepër realiste në caqet e natyralizmit me të cilat e përshkruan autori, i cili shkel disa tabu të kohës.

    Edhe “Lulja e kripës” është populluar nga personazhe të gjallë dhe të ndërlikuar si Maji, Paci, Miltoja dhe ka madje një personazh tepër origjinal si Gruaja e Mallkimit, e cila duket sikur vjen nga tragjeditë e lashta greke me forcën e dashurisë dhe urrejtjes që e dallon.

    Xoxe e shfaq guximin e vet edhe te romani i dytë i sagës, “Juga e bardhë”, duke pasqyruar një tip real të kohës, një tip thellësisht negativ komunisti që përfiton nga pozita e vet si Kiu Korroziu dhe duke thyer kështu skemën që e lidhte figurën e komunistit me pozitivitetin.

    Në fundin e tmerrshëm me të cilin dënohet ky personazh ka një rikthim të skemës (dënimi i personazhit negativ), po edhe disa imtësira bindëse psikologjike që lidhen me pamundësinë e katarsisit, burim vetëshkatërrimi.

    Edhe Adnani që duhet të mishëronte heroin pozitiv dhe që shquhet për veti të larta karakteri të cilat e nxisin të luftojë padrejtësinë, në një pjesë të romanit pasqyrohet me realizëm si një idealist që ndeshet më kot me realitetin e burokratizuar të kohës dhe rrezikon të shëmbet nën stuhinë e shpifjeve dhe thashethemeve.

    Fitorja e mëtejshme e tij nuk ka motivim realist dhe është e lidhur me skematizmin e detyrueshëm. Është pikërisht ky skematizëm që, duke depërtuar në roman, e ul patosin e fuqishëm dramatik të konfliktit midis dy karaktereve të kundërta të protagonistit dhe antagonistit, konflikt me një bazë reale që buronte nga jeta, po që s’mund të pasqyrohej në vepër pa dalë nga caqet e “realizmit socialist”, këtij neoklasicizmi që impononte “fundin e lumtur” me triumfin e së mirës.

    Romanet e Jakov Xoxes dëshmojnë për vitalitetin e realizmit që u ndesh me “realizmin socialist” të kohës së diktaturës, po që edhe sot vazhdon të mbijetojë, krahas llojeve të ndryshme të modernizmit dhe shfaqjeve të pasmodernizmit në letërsinë shqiptare. Pra, ky autor mundi të themelonte një traditë që është ende gjallë.

    Këto romane dëshmojnë gjithashtu për vitalitetin e personazhit që pavarësisht nga prirjet për ta copëzuar, për ta relativizuar, për ta vrarë edhe sot mbijeton meqenëse është në vetvete një nyje e pazgjidhshme që e lidh shkrimtarin me lexuesin i cili kërkon të identifikohet me krijesa që kanë në vetvete larminë dhe kompleksitetin e botës së papërsëritshme shpirtërore të njeriut.

    Copëzimi i personazhit që e dallon modernizmin dhe pasmodernizmin dhe lidhet me krizën e idealeve dhe “anën e errët” të botës shpirtërore të njeriut nuk është veçse një tregues i dyshimit të shkrimtarëve te njeriu bashkëkohës, te mundësitë e tij të luftojë me mjedisin dhe ta çojë botën përpara, pra, shprehin një pesimizëm të dhimbshëm. Po edhe në këtë copëzim ka njëanshmëri.

    Edhe në realitetin bashkëkohor nuk mungojnë njerëz me veti të larta që ndeshen me mjedisin armiqësor dhe do të mund të pasqyroheshin në letërsi.

    Çuditërisht shkrimtarët, të lodhur nga skematizmi i “heroit famëkeq pozitiv” nuk guxojnë të përshkruajnë figura të tilla.

    Romani, siç vërejti me mprehtësi dikur Lukaçi, lindi si epos modern.

    Shkrimtarët që si Jakov Xoxa, nxjerrin në dritë personazhe të papërsëritshëm e pasurojnë këtë lloj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË