More
    KreuHistoriProf. Dr. Irakli Koçollari: Një tjetër poemë e panjohur e vitit 1785...

    Prof. Dr. Irakli Koçollari: Një tjetër poemë e panjohur e vitit 1785 kushtuar Ali Pashës shkruar nga një autor shqiptar anonim

    FILLESAT E NDRYSHIMEVE RRËNJËSORE NË PASHALLËKUN E ALI PASHËS

    Para gati tridhjetë vitesh, kur lexoja veprën e historianit skocez Finlay, mbi historinë e Greqisë, disa nga pohimet e tij, që lidheshin me klimën që Ali Pasha krijoi për zhvillimin e kulturës, arsimit dhe krijimtarisë letrare, më ishin dukur disi të zmadhuara për të mos thënë aso kohe gati, gati të pabesueshme.

    Kjo ishte e natyrshme të ndodhte sepse dyzet apo tridhjetë vite më parë, ende nuk ishin bërë prezente dhe nuk i njihnim konkretisht reformat e tij të thella dhe kurajoze në këta lëmij, nuk njihnim radhën e intelektualëve të përndritur që ai mbështeti e që dhanë kontribute të veçanta në arsim, kulturë, letërsinë dhe përhapjen e dijeve në tërësi. Sigurisht, atëherë ende nuk njihnim dokumentet e pafund të “Arkivit të Ali Pashës”, as shumë nga veprat e plota në prozë dhe poezi të shkruara nga autorë të rëndësishëm shqiptarë fare pak të njohur apo të panjohur, e pse jo anonimë gjer atëherë.

    Kërkimet e dekadave të fundit kanë nxjerrë në dritë një produkt mjaft të rëndësishëm dhe të begatë kulturor, krijime me vlera unike të autorëve shqiptarë të asaj kohe, vepra unike në prozë dhe poezi (poema), të cilat do të duhet të ndryshojnë vlerësimet dhe standardet e njohura gjer më tani të historisë së letërsisë tonë, autorët dhe krijimtarinë në tërësi.

    Por, ajo që bën edhe më shumë përshtypje është fakti se ende ne vazhdojmë të shtiem në dorë gjetje të reja me mjaft vlerë në fushën e letrave në tërësi dhe të krijimit poetic në veçanti të atyre dekadave.

    REFORMAT TË THELLA TRANSFORMUESE

    Duke folur për revolucionin për pavarësinë e Greqisë dhe rolin e rëndësishëm që luajtën shqiptarët dhe Ali Pasha në të, Finlay deklaronte: “Nuk do të mund të kuptohej kurrsesi Revolucioni grek për pavarësi pa rolin e rëndësishëm të shqiptarëve në të. Ai revolucion është i lidhur ngushtësisht me shqiptarët dhe vetë Ali Pashën.”(1)

    E duke shkuar më tej për Pashain e Janinës, jetën, karrierën dhe kontributet e tij në transformimet e rëndësishme që ai solli në jetën e shqiptarëve, grekëve dhe të rajonit në tërësi, diplomatë dhe politikanë, gazetarë dhe ushtarakë, piktorë dhe shkrimtarë përshkruajnë me hollësi reformat e rëndësishme që ai ndërmori në fushën e: – transformimeve institucionale; – në politikën e brendshme dhe të jashtme; – kontaktet dhe marrëdhëniet intensive dhe shumëplanëshe diplomatike që ai vendosi me fuqitë më të mëdha të Europës, etj. Dokumentacioni arkivor që tepelenasi protokolloi dhe arkivoi na bën me dije gjithashtu për reformat e thella në sistemin e drejtësisë. Bashkë me to një tjetër ndërmarrje e guximshme dhe e rëndësishme e tij ishte ngritja dhe zgjerimi i fuqisë së tij ushtarake; – futja e teknologjisë dhe armëve të reja të luftimit; – organizimi i një flote luftarake të panjohur më parë. (2)

    Nën synimet për shkëputje dhe mëvetësi ai ngriti një sistem të tërë fortifikimesh, fortesash dhe kalash, sikundër ajo e Tepelenës, e Porto Palermos, e Butrintit; e Litharicës në Janinë; e Prevezës, zgjerimi dhe konsolidimi i kështjellës së Gjirokastrës, etj., të cilat edhe sot e kësaj dite janë ndër të paktat Objekte të Trashëgimisë tonë Kulturore me vlerë. Ai i kushtoi rëndësi të veçantë zgjerimit të linjave urbane dhe nën këto vizione hapi rrugë të reja, ndërtoi ura që edhe sot i qëndrojnë erozionit të kohëve, ndërtoi sisteme drenazhimi për tharje moçalesh, etj. (3)

    Aliu tërhoqi dhe përfshiu nën kontrata të rregullta ligjore rreth 30 inxhinierë, xhenjerë dhe arkitektë të huaj, milanezë, napolitanë, vjenezë, bavarezë, britanikë, francezë, etj., për të realizuar transformimet e rëndësishme urbane. U ngritën objekte kulti, xhami, kisha, manastire, me subvensionet e tij. U ndërtuan saraje (pallate) dhe qendra banimi nën projekte dhe studime bashkëkohore. (4)

    “Nën administrimin e tij, Janina ishte zhvilluar jashtëzakonisht dhe kishte vendosur marrëdhënie me qendrat më të rëndësishme tregtare të Italisë – Milanon, Triesten, Ankonën, Napolin dhe Gjenovën; të Gjermanisë – Laipsigun; Rusisë – Moskën, Odesën; me Bukureshtin, Sofjen, me Vjenën, etj. (5)

    INVESTIMET NË DIJE, KULTURË DHE ARSIM

    Por, krahas ndërmarrjeve dhe reformave kurajoze me karakter politik, administrative, ushtarak, policor, institucional, urban, etj., Ali Pasha krijoi kushte dhe mbështeti njerëzit e dijes për t’i hapur rrugë arsimit dhe kulturës dhe mirëpritur stuhitë e iluminizmit që kishin pushtuar pothuaj tërë kontinentin Europian.

    “Ai kishte krijuar dhe mbështetur në Janinë një klasë të pasur e cila e kishte bërë këtë qytet një qendër të vërtetë të kulturës helenike. Ai çeli shkolla tërë lulëzim e gjallëri, njëra nga të cilat drejtohej nga Psalidha, ndërsa tjetra nga familja Zosimeja… Mjekët nga këto anë, që kishin studiuar jashtë, shkëlqenin mes tregtarëve dhe intelektualëve, të cilët njihnin mjaft mirë literaturën italiane, gjermane, angleze dhe atë francezë…” (6) Boppe, A.

    Mes tyre mund të renditen J. Saqelariu, J. Koleti (Kryeministri i ardhshëm i Greqisë), J. Villarai, A. Psalidha, Ll. Vaja, V. Meksi, J. Vithkuqari, S. Postenani, K. Duka, etj. (7)

    Nga kjo shtresë intelektualësh dhe të tjerë, shkroi një numër tekstesh shkollorë me karakter laik dhe fetar, sikundër tekstet e para të fizikës, matematikës, astronomisë, gjeografisë, letërsisë, etj.(8) U shkruan fjalorët e parë dygjuhësh greqisht-shqip, frëngjisht-greqisht, italisht-greqisht, latinisht-greqisht, vllahisht-bullgarisht-shqip, etj.

    Në dy gjimnazet që u hapën me mbështetjen e Ali Pashës në Janinë, ai i Bolonos dhe Zosimeja u rritën dhe arsimuan gjeneratë e para të të rinjve, të cilët i hapën rrugë zhvillimit dhe prosperitetit kulturor.

    “Fëmijët e shqiptarëve myslimanë, na bën me dije Finlay mund ti shohësh në të njëjtën paradhomë duke lexuar Kuranin me një Osmanli të shkolluar, ndërkohë që në dhomën tjetër një djalosh kristjan i së njëjtës moshë mund ta shikosh duke mësuar shkrim greqisht me një prift grek.”(9)

    Kolegjet, bibliotekat dhe shkollat morën një hov dhe lulëzim të panjohur më parë. Ato u mbështetën financiarisht prej Ali Pashës dhe ishin të pavarura. Në shkollat e Janinës nuk mësohej vetëm teologji por edhe fizikë, kimi, matematikë…”(10)

    Për herë të parë në vitet e pushtetit të Ali Pashës u bë e mundur përkthimi i librave të shenjtë, sikundër i “Dhjatës së Re” në gjuhën shqipe nga Vangjel Meksi. (11) Nën investimet e tij u ndërtua Medreseja në qytetin e Janinës, shkolla e Oficerëve dhe salla e madhe e ushtrimit  të kavalerisë, të cilat gjenden edhe sot në atë qytet. Ai ndërtoi bibliotekën e parë me rreth 3 000 ekzemplarë librash, brenda kalasë së Janinës. Ngriti një kopsht zoologjik me kafshë të sjella nga Afrika; antilopa, zebra, luanë etj. (12)

    KRIJIMTARI E BEGATË LETRARE

    Sigurisht e tërë ajo infrastrukturë, mbështetje financiare dhe politike i dha kurajë dhe shtysë të madhe kulturës në tërësi, në tërë hapësirat e Pashallëkut sa me të drejtë europianët vlerësonin se ato kohë “Nën qeverisjen e Ali Pashës Janina ishte bërë kryeqyteti kulturor i tërë kombit grek dhe atij shqiptar.” (13)

    Aq domethënëse ishin transformimet që ai ndërmori, sa edhe armiku më i betuar i Ali Pashës, konsulli francez, Fransua Pouqueville, ishte detyruar të pohonte se: ”Veprimtaria e Ali Pashës ishte civilizuese. Ai solli ndryshime në ekonomi, drejtësi, sistemin bujqësor, hapi rrugë të reja, realizoi transformime … dhe duhet të them se ai në asnjë rast nuk u shfaq dhe nuk ishte demagog”.  (14)

    Në këtë klimë edhe tek shqiptarët lindën dhe vegjetuan një numër jo i vogël krijuesish, cilët sollën një inventar të begatë krijimesh letrare. Finlay bën me dije se ato kohë “u shkruan një numër i madh krijimesh poetike, nga mjaft autorë shqiptarë, të cilat qarkullonin dorë më dorë, në gjuhën greke apo në shqip me alfabetin grek …”

    Sigurisht, në fillim të viteve ’85 ku lexoja këto pohime të skocezit të njohur, fjalët e tij për mua ishin të pabesueshme!!! Por, kur nga kërkimet intensive dhe këmbëngulëse, nëpër arkiva, gjetëm dorëshkrimet e poemës “Alipashaida” të Haxhi Shehretit dhe kur pjesë-pjesë numri i tyre u rrit gjer gati dhjetë mijë vargje, mosbesimi filloi të lëkundet dhe të rrënohej tërësisht. (15)

    NJË VEND QË LIND POETË DHE POEZI

    Ndërkohë të tjera gjetje me vlerë filluan të shtojnë inventarin e krijuesve shqiptarë dhe krijimeve të panjohura gjermë tani, nga viti në vit. Në “Arkivin e Ali Pashës” gjetëm pjesë të një poeme të panjohur të shkruar nga një shqiptar anonim, nga Vunoi. Vargjet e pakta të gjetura të kësaj poeme na bëjnë me dije për identifikimin dhe ndëshkimin e një prifti grek, i cili kishte shkruar një poezi me titull “Qikllopi”, që ironizonte dhe qesëndiste Ali Pashën. (16)

    Një tjetër fragment i gjatë i një poeme, i shkruar nga djali i tretë i Ali Pashës, (Sali Pasha) gjendet në botimin francez të vitit 1824, nën titullin “Këngë Popullore të Greqisë Moderne”. Poema është shkruar në vitin 1820 dhe ofron ngjarje me interes historik për Ali Pashën dhe ngjarjet më të rëndësishme të pashallëkut të Janinës. “Kjo poemë, shkruan studiuesi dhe folkloristi i njohur francez Fauriel, i shekullit të XIX, – përbën një ngjarje historike mjaft kureshtare, pasi atë e ka shkruar një nga djemtë e Ali Pashës, – Sali Pasha”. (17)

    Në shënimet personale të Konsullit anglez, pranë pashallëkut të Janinës, William Martin Leak, i cili qëndroi në këto anë nga viti 1805 gjer më 1810, gjetëm një njoftim me interes i cili na flet “për një shqiptar nga Parga, i cili ka shkruar një libër, (1808) për historinë e krahinës së Çamërisë dhe Sulit…”. Këtë libër me mjaft interes, pasi e kemi gjetur, jemi në procesin e përgatitjes për botim. (18) 

    Në këtë rast nuk do të zgjatemi me krijimtarinë mjaft të begatë popullore, folklorin, i cili mori dimensione mjaft intensive në raport me tërë periudhat e mëparshme, në  epokën e Ali Pashës. Nuk do të flasim as për krijues të tjerë të talentuar, të kësaj kohe, sikundër Hasan Zyko Kamberi, etj. Nuk do të qëndrojmë dot të flasim as për pasurinë e “Divanit shqiptar” për të cilën ka shkruar me aq kompetencë dhe mjeshtëri e ndjera Genciana Egro. Sigurisht do të gjejmë një kohë tjetër për të folur për shumë të reja me vlerë rreth subjekteve të mësipërme.

    NJË POEMË E PANJOHUR DEDIKUAR ALI PASHËS SHKRUAR MË 1795!

    Duke iu referuar subjektit qendror të këtij shkrimi do të donim të bënim me dije se – para pak ditësh, në një takim me mikun dhe kolegun tim, Akademikun Pëllumb Xhufi, pasi këmbyem me njëri tjetrin, disa punime që kemi ende nëpër duar, ai më dha me bujarinë e tij, një tufë fotokopjesh, të një poemthi të shkruar në greqishten mesjetare. Fillimisht, në vështrim të parë të krijohej mendimi se mund të ishte një fragment apo kapitull nga poema “Alipashaida” e Haxhi Shehretit. E themi këtë sepse fragmente të shkrimeve të tij panumërt kemi gjetur herë pas here.

    Por, mbasi i pashë me kujdes vargjet e poemës, konstatova, se fjalori i përdorur në to, nuk i takonte atij fondi gjuhësor dhe as vokabularit, të  Haxhi Sehretit. Pra, në të nuk gjenim atë leksik që gjendet në korrespondencën apo krijimet poetike të Shehretit. (19)

    Një konstatim i dytë ishte – se vargjet e kësaj poeme nuk ruanin atë standard në metrikë që kanë vargjet e Shehretit. Ky i fundit respekton në tërë krijimtarinë e tij poetike, me rigorozitet, gjashtëmbëdhjetë rrokshin. Ndërsa Autori anonim i poemës që kemi në duar ka shkruar vargjet e tij në metrikën e trembëdhjetë rrokshit.  (20)

    Së treti; – Nëse do t’i referohemi një shënimi të shkurtër të neohelenistit Legrand për poemën, e cila ishte shkruar në hyrje të poemës, si dhe një poezie tjetër që ishte bashkangjitur në fund të poemës, mësuam se edhe francezi ruan të njëjtën mendim për autorin e saj. Legrandi shprehej se “autori anonim është padyshim një shqiptar,” dhe sa sipër ai e mbështet duke iu referuar “fjalëve shqip që gjenden, aty këtu, nëpër tekstin e vargjeve të shkruar në greqisht.” (21)

    Së katërti; – Ishte e kuptueshme që atë fundshekullit (XVIII) shqipja nuk shkruhej, ndaj sikundër bëjnë me dije mjaft studiues, historianë dhe dokumentacioni i “Arkivit të Ali Pashës”, me iniciativën e tepelenasit për herë të parë në historinë e Greqisë moderne, ishte Ali Pasha që e institucionalizoi greqishten, si gjuhë zyrtare e strukturave të pashallëkut të tij. Në këto rrethana nëpunësit dhe mjaft të rinj filluan të mësojnë dhe shkruajnë në këtë gjuhë. Mes të iluminuarve të kohës qenë edhe një numër jo i vogël intelektualësh shqiptarë që filluan të shkruajnë dhe krijojnë duke përdorur si instrument komunikimi greqishten. Një rast tipik është edhe vetë Autori anonim i kësaj poeme.

    Së pesti – vetë Legrandi na jep edhe një detaj tjetër, për të ritheksuar bindjen e tij Autori i poemës është një shqiptar. Kështu, ai ka shtuar edhe shënimin e fundit përmes të cilit këmbëngul: “Nuk përjashtohet që autori i poemës të jetë ndonjë vargëzues (poet) … një koleg i denjë dhe imitues i shqiptarit Haxhi Shehreti”.(22)

    DY FJALË PËR POEMËN “GJENEALOGJIA E ALI PASHËS”

    Që në vështrim të vargjeve të para të poemës krijohet menjëherë bindja se autori veçsa njeh artin e vargëzimit, të krijimit poetik, ai ka edhe një kulturë të përgjithshme përtej kufijve të teknikës së thjeshtë së këtij lloj arti. Duket qartë, nga çfarë shpreh herë pas here në vargjet e poemës se ai njeh historinë e lashtë, kulturën e trashëguar nga antikiteti, mitologjinë dhe personazhet e saj, etj. Ai e fillon poemën e tij në këtë mënyrë:

    O muzë Kaliopi, e vargut perëndeshë

    Helikonit ku banon lavdia je mënteshë

    Me të nëntë nimfat eja pranë më trego

    Historinë që do rrëfejmë lutem na drejto

    Origjinën e Aliut, tërë trimëritë

    Rrugëtimet që përshkoi natë e ditë

    …….

    Në vazhdim Autori fillon dhe rrëfen me hollësi origjinën e të parëve të pashait tepelenas dhe e nis këtë gjenealogji prej vitit njëmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e dy, kohë në të cilën ai pretendon se shfaqet një prej pararendësve të fisit të Ali Pashës.

    Mandej Autori flet për prindërit e pashait, fëmijërinë e tij, rrethanat që e lanë atë jetim dhe kohët e vështira e të dhimbshme që kaloi ai dhe nëna e tij Hankua. Duke shkuar me tej ne historinë e vargëzuar për gjenealogjinë e Ali Pashës, Autori anonim, flet për rininë e tepelenasit, lidhjet e tij të mëvona me Kurt Pashën e Beratit, intrigat e thurura për të vrarë djaloshin tepelenas, rrethanat që mundësuan shpëtimin e tij, etj.

    Vargjet e poemthit shtrijnë kronologjinë e ngjarjeve të tyre gjer në kohën që Ali Pasha i shpëtoj kurtheve të Kurt Pashës dhe mandej me rrugën e ngjitjes së tij drejt pushtetit.

    Nuk e dimë ende, madje nuk mund të themi kurrsesi me bindje, nëse kjo është poema e plotë e hartuar nga poeti anonim, apo ky është vetëm kapitulli i parë i një poeme më të gjatë, më të plotë për jetën dhe veprat e Ali Pashës. Nuk përjashtohet të jetë kjo e dyta! Megjithatë janë kohët ato që do pohojnë apo rrëzojnë pretendim in tonë.

    Nisur nga fakti se Autori anonim flet me respekt dhe ndoshta edhe me një lloj droje për Pashain e Janinës dhe familjen e tij, lë të nënkuptohet se në kohën kur është shkruar poemthi, Pashai tepelenas duhet të ketë pasur pushtet dhe autoritet, faktorë këto që do të impononin jo vetëm respekt por edhe frikë dhe drojë prej autoritarizmit të pushtetit, në radhët e banorëve të pashallëkut, aq më tepër tek ata intelektualë që merrnin guximin të shkruanin për Pashain, në një sistem të monarkive absolute mesjetare. Në këto rrethana, gjykojmë që Autori ka shkruar ”Gjenealogjinë” jo më parë, se tepelenasi të merrte pushtetin, por mbasi ai kishte marrë fronin e Pashait dhe bashkë me të aureolën e rëndë dhe kërcënuese të monarkut lindor. Pra ai duhet ta ketë shkruar atë ndoshta aty, rreth vitit 1785.

    Në çdo rrethanë “Poema” është një tjetër pasuri që i vjen fondit të traditës së krijimtarisë poetike shqiptare në një kohë dhe shekull kur ende nuk kemi të tilla në inventarin e pasurive tona krijuese në poezinë e gjatë, poemën.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË