KreuOpinionProf. Dr. Begzad Baliu: Fjalori i gjuhës shqipe - një monument i...

Prof. Dr. Begzad Baliu: Fjalori i gjuhës shqipe – një monument i kombit

Bekimi dhe trashëgimia jonë

Ditë më parë u hodh në faqen elektronike të internetit Fjalori i madh i gjuhës shqipe. Prej atyre që me leksikografinë merren për arsye specializimi deri tek ata që gjuhën, përkatësisht fjalët, termat, nocionet, leksikun historik a profesional të saj i kanë pasion të përditshëm të tyre, ky fjalor sigurisht do të jetë objekt leximi, vlerësimi e diskutimi, ndërsa ne mjeshtrit e tij presim më shumë ndihmesa për plotësimin, rivlerësimin e risemantizimin të secilës fjalë, secilit variant dhe madje secilit kuptim të ri në mjediset e ndryshme kulturore apo politike, arsimore e akademike, shoqërore apo profesionale, rurale apo urbane, sado sot jetohet në një botë globale të komunikimit.

Kjo është vepra më e madhe shkencore me të cilën Shqipëria dhe shqiptarët brenda e jashtë saj presin të hyjnë në Evropën e Bashkuar. Hapësira identitare shqiptare në përgjithësi dhe gjuha shqipe në veçanti hyjnë në fondin më të hershëm të gjuhëve indoevropiane, ka trashëguar leksikun e fondit të kësaj familjeje në ato përmasa që këtë e kanë bërë tri gjuhët më të vjetra të saj: armenishtja e greqishtja; ka trashëguar leksik të tri prej gjuhëve më të vjetra të Evropës: latinishtes dhe greqishtes antike; ka përcaktuar fondin bazë të leksikut të ilirishtes, pa përjashtuar në këtë rast edhe leksikun anësor të trakishtes; ka trashëguar e ka huazuar leksik nga të gjitha gjuhët e mesjetës së hershme dhe të vonë (latinishtes, greqishtes e sllavishtes kishtare); ka trashëguar dyanshëm leksik në raport me rumanishten, para se ndërmjet ilirëve dhe dakëve të hynin si një pykë historike sllavët në Ballkan. Këtë e dëshmojnë arritjet më të rëndësishme të gjuhësisë historike bashkëkohore, ndërsa ne po i referohemi vetëm botimit të fundit Fjalori Etimologjik Proto-Indo-Evropian, një botim i rishikuar i Julius Pokorny’t, Indogermanisches Etymologisches Wörterbuch (2007), në të cilin, në 3441 faqe, autorët e tij nga Shoqata e Ringjalljes së Gjuhëve Indo-Evropiane, shqipes i janë referuar në kontekstin krahasimtar 2443 herë.

Fjalori i madh i gjuhës shqipe, thonë autorët e Parathënies së tij dhe drejtuesit e projektit njëkohësisht, Akademikët Jani Thomai e Valter Memisha, është mbështetur në rreth 600 njësi bibliografike leksikore, duke filluar nga Fjalori i Frang Bardhit (1635) por në themelet e tij bashkëkohore është vendosur Fjalor i gjuhës shqipe (1954). Pasionantët e historisë së gjuhës dhe leksikut të saj mbase do të thoshin që ky Fjalor qëndron në kolanat e Fjalorit të Konstantin Kristoforidhit dhe për rëndësinë që ka në qytetërimin tonë, ky fjalor do të ishte mirë të hapej me një faqe përkushtesë në të cilën do të vendosej Formula e pagëzimit (1462) e të cilën nuk po e shohim as si shembull. Emrat e hartuesve të Fjalorit të gjuhës shqipe (1980), të cilët në shtypin ditor, internetik e madje shkencor shpesh zihen në gojë si shembuj të së keqes, janë aq të meritueshëm edhe për këtë vëllim, sa mund të vendoseshin në krye të tij, para redaksisë dhe hartuesve të sotëm.

Emrat e hartuesve të rinj, ndërkaq, duke qenë pjesa më e madhe e studiuesve që periudhën komuniste në Shqipëri e në ish-Jugosllavi e njohin vetëm përmes teksteve të historisë, jo vetëm nuk kanë asnjë mëkat për atë periudhë dhe përkufizimet e ndonjë fjale, termi a nocioni, por gati-gati nuk kanë mëkate as për periudhën e tranzicionit, kur komunistët, demokratët dhe sidomos neokomunistët, i ndante një vello shumë e hollë. Më në fund, fakti se sot ne gjuhën e përkufizojmë thjesht, një  sistem shenjash për komunikim, kjo nuk e bën të mbyllur qarkun e perceptimit të saj në rrethana të tjera historike, politike, kulturore dhe shkencore. Se kush e vendos një fjalë, nocion a term në raport me rrethanat kur është krijuar, ndërsa Fjalori duke qenë normativ dhe standard, të gjitha fjalët i vendos në raport me kohën në të cilën po botohet. Kroatët shpesh e theksojnë faktin se ortografia dhe leksikografia janë tiparet më radikale të gjuhësisë kroate (Vesna Požgaj Hadži), por as gjuha shqipe e cila besonim se i ka kaluar disa faza të diskutimit të ortografisë, etnografisë e politikës, duket se nuk është në gjendje më të mirë.

Struktura e Fjalorit

Fjalori i madh i gjuhës shqipe, thuhet në Parathënien e tij ka 125.000 njësi leksikografike (rreth 105.000 fjalë në zëra të veçantë), rreth 12.500 njësi frazeologjike etj. Ajo që kuptojmë në fund për korpusin e pasurisë së tij është se kemi të bëjmë me rreth 250.000 kuptime leksikore, ndërsa ajo që pothuajse në krye të herës shfaqet sfidë afatgjate, për të mos thënë Thembër e Akilit është lista e 250 termave të rinj e të paasimiluar fonetikisht dhe rreth 1650 shprehje të huaja të paasimiluara, për të cilat jo vetëm presim diskutime profesionale, po edhe plotësime të tyre në të gjitha dijet, me theks të veçantë shkencat e informatikës, teknologjisë, mjekësisë, ekonomisë, politikës dhe drejtësisë.

Përjashtimi i tyre nënkupton demonizimin e një leksiku që bën jetën në shoqërinë tonë, por mosdiskutimi i tyre dhe përshtatja e tyre brenda strukturave të sistemit leksikor të shqipes, dëshmon edhe për neglizhencën tonë institucionale, për mungesën e sektorëve të specializuar dhe specialistëve, të cilët me këto fjalë, nocione, terma, koncepte të përditësuara edhe në shoqërinë shqiptare, do të merreshin çdo ditë leksikografët tanë, ashtu sikur merren specialistët e gjermanishtes, frëngjishtes dhe sidomos kroatishtes me leksikun e huaj që ka hyrë në përdorimin ditor. Le të sjellim vetëm një fakt nga Zagrebi. Me të zgjedhur të kardinalit Roberta Francisa Prevosta në krye të Vatikanit, Instituti i Gjuhësisë në Zagreb reagoi për mënyrën se si duhet shkruar emri i tij i ri Leo, që sipas traditës latine të kroatishtes (nga shekulli XVI) duhej shkruar jo si Lev apo Leo, po si Leon.

Gjuha është relikta më e mirë, përmbajtja më e plotë, referenca më e saktë e identifikimit ekonomik, kulturor, historik, social e identitar për vlerësimin e një populli në një kohë a periudhë të caktuar. Profesori e ilirologu Aleksandër Stipçeviq, gjatë një ligjërate në Prishtinë na thoshte: nëse doni të kuptoni qytetërimin ilir, hapeni së paku një tumë dhe shikoni brenda saj. Nëse gjeni një byzylik a qafore të argjendtë, ta dini se ata jetonin në kushte të mira dhe me një standard të lartë të qytetërimit grek apo romak të kohës, por nëse gjeni thjesht një shtizë dhe një guri të mprehtë, ta dini se jeta e tyre ishte tepër modeste, ndërsa qytetërimi i tyre larg prapa atij grek e romak. Historiani i gjuhës dhe njëri prej indoevropianistëve më të mëdhenj të Evropës, Ranko Matashoviq, në veprën e tij Historia e gjuhëve të Evropës, duke shkruar për pozitën qendrore të Evropës në raport me zbulimin e Amerikës dhe të Indisë e vinte theksin në “zhvillimin paralel të gjuhëve kombëtare, ndërgjegjësimin për kombësinë (etninë) e vetë folësve, si dhe në disa rrafshe të zhvillimit të brendshëm të procesit të standardizimit të gjuhës (sidomos pas Gutenbergut). Në këtë rrjedhë autori e përvijonte zhvillimin e vetëdijes etnike, gjuhësore dhe kombëtare midis folësve të gjuhëve të caktuara, zhvillimit dhe qasjeve më shkencore ndaj antikitetit dhe gjuhëve të asaj kohe, shfaqjen e shkrim-leximit në gjuhët më të vogla europiane sikur është shqipja dhe ndikimet që rezultuan nga zhvillimi i kombeve të mëdha evropiane sikur është frëngjishtja dhe rusishtja. (Neven Vuliq). Të qenit të gjuhës shqipe, sado e një popullit të vogël, në qendër të Europës, për mija vjet, besoj është e mjaftueshme që të përcaktohet rëndësia dhe forca e saj për të përballuar shpërbërjen fonetike, gramatikore, semantike e sintaksore të saj.

Si i tillë, fjalori, fjalët, nocionet, termat, konceptet, sinonimet e homonimet dhe sidomos frazeologjia e fjalët e urta, të ngurtësuara për rrafshin semantik të përdorimit të objekteve të asaj kohe, dëshmojnë për përmasën e kulturës dhe jetës së një kombi e një shoqërie në një kohë të caktuar. A nuk është pikërisht “lista e 250 termave të rinj e të paasimiluar fonetikisht dhe rreth 1650 shprehje të huaja të paasimiluara”, ato që dëshmojnë kohën tonë, gjendjen tonë ekonomike, politike, kulturore e sociale e komunikimit tonë me botën.

Një vërejtje tjetër na vjen nga pasionantët e terminologjisë që vijnë nga fushat tjera të dijeve. Të qenit e autorëve, pra vetëm nga radhët e gjuhëtarëve, përkatësisht leksikografëve e leksikologëve, në një numër kaq të madh dhe sidomos mungesa e terminologëve të fushave të ngushta (ekonomisë, mjekësisë, teknologjisë, informatikës etj.), nuk do të thotë që edhe këta nuk do të përfshihen në rrugë e sipër për korpuse e fjalorë më të mëdhenj se ky. Përkundrazi, problemi qëndron më shumë te retorika patriotike e mitizuesve metafizikë të gjuhës (pellazgologët), konceptualizimi i përmbajtjes së një njësie (mbështetur në përvojën e specialistëve) dhe etiketat e vjetra ideologjike (për bartësit e projektit). Vërejtjet tjera më duken më shumë dytësore dhe të rastit, të cilat mund të tejkalohen pa e përmbyllur kohën, nëse doni edhe “barrën nëntëmujor të lindjes” së Fjalorit!

Shqetësimet për mungesën e leksikut nga trashëgimia historike

Prej vitesh, një numër studiuesish, intelektualësh, profesionistësh e pasionantësh të shqipes, kanë akuzuar me të drejtë institucionet akademike dhe kanë shqetësuar pa të drejtë individë të caktuar për mungesën e një Fjalori të madh të shqipes, i cili do të plotësonte kërkesat profesionale, intelektuale dhe për më tej egon e tyre për një fjalor të gjithë “pasurisë kombëtare” “e planetare” të shqipes. Dhe ja, hapi i parë u realizua. Shqiptarët tani kanë gjysmën e Fjalorit të pasurisë kombëtare, i cili “do të krehet” edhe nëntë muaj nga shumë duar e shumë krehër të llojeve të ndryshme para se të botohet, ndërkohë që ca të tjerë kanë punuar e po punojnë për vjeljen, sistemimin dhe organizimin e një materiali po kaq të vëllimshëm për përgatitjen e Korpusit të plotë të shqipes në gjysmën e dekadës tjetër që po vjen. Ky korpus do të ketë të dhëna jo vetëm për tërësinë e leksikut të shqipes po edhe për moshën e identifikimit të moshës së fjalëve dhe krijuesve të tyre, kryesisht nga radhët e neologjistëve të të gjitha fushave. Atyre u prijnë shkrimtarët e vjetër (të njohur për krijimin e një korpusi filozofik të leksikut të shqipes); shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare (të cilët jo vetëm kanë krijuar neologjizmat për të gjitha dijet e shkencave filozofike, të shkencave të natyrës dhe atyre shoqërore, po kanë krijuar edhe sistemin gramatikor e filozofik të krijimit të neologjizmave në periudhat e mëvonshme); neologjistët, teriminologët dhe puristët e gjysmës së parë të shekullit XX njëkohësisht, të cilët leksikografisë dhe shkencave shqiptare i dhanë fytyrën europiane, duke filluar me alfabetin deri te shkolla laike kombëtare e shtetërore; institucionalizuesve dhe themeluesve të albanologjisë si dije kombëtare në Tiranë e në Prishtinë dhe krijuesve të veprave nacionale nga Fjalori i gjuhës shqipe (1954) deri te Fjalori i gjuhës letrare shqipe (1980), përkatësisht Fjalori i madh i gjuhës shqipe (2026).

Trashëgimia mijëvjeçare

Pjesa më e madhe e atyre që viteve të fundit e kanë trazuar jetën tonë shkencore dhe kulturore, nga radhët e atyre që akuzojnë institucionet akademike dhe shqetësojnë studiuesit, janë ata që “ishin të shqetësuar për mungesën e fjalësit historik, mijëvjeçar të shqipes”(!) në Fjalorin tonë, duke mos e parë fare evolucionin e brendshëm të saj në raport edhe me gjuhët historike me të cilat ka komunikuar dhe ato fqinje me të cilat komunikon. Prandaj, le të sjellim disa prej atyre fjalëve mijëvjeçare të fondit indoevropiane e paraindoevropiane, të pranishme edhe në Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, të cilat gjuhën shqipe e bëjnë mijëvjeçare dhe të përbotshme brenda dijes së sotme akademike planetare, pa pasur nevojë që secilën fjalë që e ndeshim sot në gjuhët e botës ta quajmë “tonën”. Fjala është për atë trashëgimi leksikore që jo vetëm nga aspekti fonetik e gramatikor, po edhe nga aspekti sociologjik dëshmojnë për amësinë e emërtimit të përbërësve jetësorë e sendentarë të popullit shqiptar, të krahasueshme madje edhe me gjuhët e familjes indoevropiane. Në fillim po e theksojmë një trashëgimi specifike të emërtimit të numrave të ashtuquajtur vegesimal një-zet, dy-zet, tre-zet, katër-zet, një trashëgimi kjo paraindoeuropiane, të cilën e kanë trashëguar edhe francezët, si dhe emërtimin e numrave: dhjetë, tridhjetë, pesëdhjetë etj., topike për gjuhët indoevropiane. Në listën e fjalëve të trashëguara nga fondi indoevropian kemi edhe emrat: motër, bijë, dhëndër, ari, ujk, dimër, natë etj., me po ato veçori të fonetikës historike, me po atë evolucion fonetik e morfologjik, të cilat i kanë trashëguar edhe gjuhët tjera, por me specifikat e strukturës fonetike e morfologjike historike të shqipes.

Me rrënjën indoevropiane thonë etimologët Franc Bopp, Gustav Majer, Holger Pedersen, Norbert Jokli, Eqrem Çabej, Idriz Ajeti, Shaban Demiraj, Kolec Topalli, David Luka, Vladimir Orel, Bardhyl Demiraj etj., është emri akull, “krahas emrit të një bime të gjembtë, të cilat vendosen te rrënja indoevr. *kel- “ther, shpoj, thumboj”. (E. Çabej, II, 1982: 16, 17) etj.

Denduria autoktone e leksikut historik

Megjithëse njësi leksikore të trashëguara nga fondi indoevropian dhe të krahasueshme me gjuhët e kësaj familjeje, jo të gjitha i takojnë fondit gjithëkombëtar. Ndonjëra prej tyre strukturalisht, semantikisht e gjeografikisht shfaqet vetëm tek arbëreshët e Italisë, vetëm në gegërishte apo vetëm në dialektin e toskërishtes.

Kështu mund të thuhet se fjalët akullm., arë, arí,  janë të “mbarë gjuhës”, ndërsa fjala banm., banë f. “banesë”, vetëm e gegërishtes”. (E. Çabej, II, 1982: 91, 92); fjala bīrm. e mbarë gjuhës; fjala bletë-aështë fjalë e lashtë vendëse, ndërsa fjalët buj, buzmm. “kërcu; kërcu i trashë që vihej në zjarr të vatrës natën e kërshëndellave” (E. Çabej, II, 1982: 246); fjala ulk ujk- jo vetëm është ruajtur në mbarë gjuhës (E. Çabej, VII, 2006:196) por është ruajtur edhe në toponimi, Ulk: Ulqin, përballë latinishtes kontinetale Ulpianë (afër Prishtinës), dhe greqishtes mesjetare Likos/Likoc në krahinën etnografike të Drenicës ose Kosovës Qendrore etj.

Fondi ilir i leksikut të shqipes

Fjalorin e madh të gjuhës shqipe është përfshirë edhe një listë e madhe e fjalësit të vjetër të shqipes i cili konsiderohet të jetë ruajtur nga koha e ilirishtes, apo që e kanë trashëguar shqiptarët dhe gjuha shqipe nga periudha ilire. Le të identifikojmë këtu një listë fjalësh, si: fjala amë f. I. “shtrat i një lumi”. Afrohet me lat. amnis “lumë”, dhe këtij barazimi i shton edhe emrin e fisit ilir Amantes, si “bregalumas”. (E. Çabej, II, 1982: 22); fjala bërsíf. “fundërria e rrushit, e ullinjve dhe e kumbullave, që mbetet si të shtypen a të shkelen këto”. Brüchu ka menduar të dëftojë që lat. brisa rrjedh nga trak. βρύτεα βρύτια “bërsi” nëpërmes të ilirishtes, dhe që shqipja e ka trashëguar fjalën nga ilirishtja e s’e ka prej latinishtes. Fjalë e mbarë gjuhës. (E. Çabej, II, 1982: 129); fjala bli-ni: “Peshk i madh deti me sharrë mbi korriz”. Në shqipe bli mund të jetë formuar nga një bel + in me shpërngulje të theksit *bél + in- : *bëlín : blî. Pra fjala blî  “peshku” është fjalë vendëse, me gurrë indoevropiane, e trashëguar që nga koha ilire. (Luka, SGJ, I, 2003: 154); fjala bollëf. “një gjarpër i madh”. Fjalë me burim të diskutuar. Fjalë e mbarë gjuhës. Trajta bazë bollë. Më fort një element parashqiptar (ilir) i latinishtes, ashtu si baro -onis, grosa, sica e ndonjë tjetër. (E. Çabej, II, 1982: 172, 173). Le ta shohim fjalën dardhëf., në një format më të gjerë të një periudhe pesëshekullore, jo vetëm të lidhura nga aspekti leksikor po edhe toponimik. Këtë fjalë e lidhin, që prej Hahnit e këtej, me emrin e popullit – në shumicë ilir – Dardani e të vendit të tyre Dardania si “vend dardhash”; këtë emër të lashtësisë e afrojnë më anë tjetër me disa emra personash si Dardas “praetor Epirotarum” etj.

Fondi i trashëguar nga gjuha greke

Në listën e pasur të leksikut të greqishtes trashëguar drejtpërdrejt përmes shqipes janë fjalët kllogjër (e ka edhe Buzuku), manastir (e ka edhe Budi, ndërsa Bardhi munështirë, si edhe emri i një lumi në Jug të Shqipërisë; qefali, skile, trëndafil, kanakar, dhaskal (e cila dikur përdorej në tekstet e vjetra, ndërkohë që në gjysmën e parë të shekullit XX, ky emër i mësuesit përdorej kryesisht si fjalë eufemike). Kështu del edhe në Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, por kujtoj që tri dekadat e fundit emri i mësuesit dhaskal, ka marrë po ato përmasa që i kishte dikur në të folmet shqipe në Greqinë e sotme. Të kësaj natyre janë fjalët: aguridhe,“fjalë dialektore kryesisht e toskërishtes dhe e ligjërimeve të Greqisë e të Italisë”. (E. Çabej, II, 1982: 9); fjala ajazmëf. “ujët e bekuar”, për të cilën besohet se në shqipen mund të ketë hyrë nga një periodë më e moçme e greqishtes, nga greq. e mesme e kohës bizantine. (E. Çabej, II, 1982: 13) etj.

Fondi i leksikut antik të huazuar nga latinishtja

Një fjalë posaçërisht e motshme, por e pranishme dendur në jetën kombëtare është fjala borë,që në format dialektore dhe të shkruara na del edhe si: dëborë, zborë, xborë, vdorë etj. Është fjalë e mbarë gjuhës. E pranishme edhe në toponimi, p. sh. Drume e Borës, Emri i malit Bora të Maqedonisë antike etj. (E. Çabej, II, 1982: 175, 176)

Praninë tonë e të gjuhës sonë gjatë antikitetit e dëshmon edhe një listë fjalësh të pranishme në Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, në ato përmasën fonetike, fjalëformuese e semantike të shqipes antike në raport edhe me marrëdhëniet e saj me gjuhën latine. Le t’i shohim vetëm disa prej tyre: apostull m. “mendohet të jetë një nga ato huazime që kanë hyrë në shqipen që në kohën antike, prej latinishtes, e që vazhduan të rimerren në mesjetë nëpërmes italishtes. (E. Çabej, II, 1982: 33); fjala plan/ë/a/,“është një ndër të paktat fjalë të shqipes me burim nga latinishtja që ruhen kryesisht në toponomastikë. (Luka, SGJ, III, 2003: 326-327-328); fjala pllangë-a: fjalë e mbarë gjuhës, fjalë e shqipes që ngjan me latinishten palanga “shtagë”. (Luka, SGJ, III, 2003: 338); fjala produkt-i “send me vlerë…”. Fjalë e përdorur sipas gjedhes së latinishtes productus. (Luka, SGJ, III, 2003: 361) etj.

Sikur mund të shihet mbi bazën e emrit fjalë kemi jo vetëm disa trajta të identifikuara ndër shekuj e botime shekullore, po prej saj janë krijuar edhe një listë e madhe trajtash e strukturash të reja me rrjedhoja fonetike, morfologjike e semantike të shqipes. Sikur shprehej Profesor Çabej, pavarësisht që një fjalë mund të ketë etimologji të ndryshme, formim vetjak, e trashëguar ndër mote, me origjinë nga antikiteti apo nga gjuhë të tjera fqinje, të gjitha format dhe fjalëformat  tjera janë formime të brendshme përkatësisht vetjake.

Leksiku i huazuar nga sllavishtja

Fjalorin tonë të madh të shqipes gjenden fjalë po kaq të vjetra dhe prodhime të tjera të reja brenda gjuhës shqipe. Megjithëse të huazuara nga sllavishtja e vjetër (pas shek. IX) dhe e re (serbe e bullgare), kryesisht nga shekulli IX, prodhimet e reja janë të shqipes dhe me përdorim të dendur. Shtrirja e tyre është mjaft e gjerë, nga jeta shtëpiake, në jetën sedentare (bujqësi) deri te jeta shoqërore e administrata e dy shekujve të fundit, si: grusht, kyç, kosë, kosh, kovë, lopatë, nevojë, prag, strehë, zakon etj. (Shih, Demiraj, Shaban, 1987: 172). Karakteristikë e tyre kohore është prania e tyre në Veri (sllav. e vj.) dhe Jug (bullg.) dhe madje ndër arbëreshët, format e tyre të shkrimit në tekstet më të hershme (nga Buzuku e deri në Fjalorët e fundit të shek. XX). Le të identifikojmë vetëm disa prej tyre, si: grusht, -i: m. në veprën e parë të shqipes në Veri që nga Buzuku, 1555 (shih Qendro, 2014: 128), dhe në Jug në botimin e Dhanil Haxhiu, 1802  (shih, Ashta, VII: 297); te tekstet e arbëreshëve të Italisë, si Variboba, 1762 (Shih, Ashta, VI: 204); deri te Fjalori i parë i gjuhës shqipe, grusht-i, em. shm. (FGJSH, 1954: 148).

Huazimet nga leksiku oriental

Listën me leksikun më të vjetër të shqipes e përbëjnë edhe fjalët e orientit: osmanishtes, persishtes, arabishtes dhe së fundi turqishtes. Sikur ka vënë re Profesor Shaban Demiraj (2013), fjala është për ato njësi leksikore të cilat dalin që te Buzuku, (1555, 177): dollamë, cohë, kallaus, tepsi, turk; te Budi, (1618, 178). Ato tashmë janë edhe më të shumta: pazar, temel, raki, terezi; te Fjalori i Bardhit (1653): berber, hambar, hesap, ibrig, kadi, kazan, kurban etj. Përgjithësisht studiuesit pajtohen që fjalët e trashëguara nga orienti kanë filluar të hyjnë që nga gjysma e dytë e shekullit XIV, po kjo nuk do lidhur vetëm me pushtimin e trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane. Megjithëse shumë fjalë kanë etimologji nga persishtja e arabishtja, pjesa më e madhe e tyre janë huazuar përmes apo me ndërmjetësimin e turqishtes.

Fjalorët bashkëkohorë dhe perspektiva e tyre

Një rrafsh më vete përfaqëson leksiku i huazuar i shekullit XX–XXI, i cili është posaçërisht i gjerë dhe shumëplanësh, për shkak se përfshin jo vetëm leksikun shpirtëror e material po edhe atë libror e administrativ. A është e rastit pse në këtë kohë nga fillimi i shekullit XX deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, kemi pasur një lëvizje të fortë puristë (duke përfshirë këtu edhe onomastikën), e megjithatë kjo lëvizje nuk pati mundësi të pengojë hyrjen e huazimeve të italishtes si gjuhë e administratës dhe modës dhe nuk pati mundësi të shtrihet edhe pas vitit 1945.

Për shkak të ndikimeve politike, administrative e kulturore të kohës në Shqipëri, pas vitit 1945 iu hapën dyert ndikimit të leksikut të rusishtes  si gjuhë e politikës, diplomacisë, shkencës, si dhe leksikut e termave të gjuhës italiane e sidomos frënge, si gjuhë e letërsisë dhe modës. Po kështu mund të thuhet edhe për gjendjen në Kosovë, nën Jugosllavi, ku leksiku i serbokroatishtes hyri me të madhe në fushë të komunikimit politik, administratës, kulturës dhe madje letërsisë, si dhe leksiku nga gjuha frënge, angleze e madje gjermane, si gjuhë të e letërsisë, kulturës, mjeteve të punës dhe modës. Ndryshe qëndron gjendja me leksikun që bëhet bazë e onomastikës (antroponiminë). Në Kosovë zgjerohet baza e antroponimisë me motive kombëtare, ndërsa në Shqipëri edhe amza e antroponimisë letrare e kulturore ruse e evropiane.

Fjalori i madh i gjuhës shqipe tashmë është në tryezën e studiuesve dhe lexuesve, i papërmbyllur, por në formatin elektronik. Për të qenë më i realizuar institucionet akademike, universitare, shkencore, kulturore e administrative do të duhej të kishin botuar së paku në dekadën e fundit nga një fjalor të profesional të fushave të tyre: mjekësisë, astronomisë, ekonomisë, makinerisë, teknologjisë, sportit, bujqësisë, ambientit, gjuhësisë, letërsisë, trashëgimisë, matematikës, fizikës, politikës, diplomacisë, muzikës, kulinarisë, administratës, kimisë, energjetikës etj., në të cilët do të ishin të përfshira edhe fjalët, nocionet, konceptet dhe termat e hyra në dekadat e fundit, sidomos pas vitit 1990 e këndej, prej të cilëve do të zgjidheshin zërat përfaqësues. Duke i pasur të botuar fjalorët e disa pre fushave më të rëndësishme të dijeve, që kanë pasur ndikim të madh në jetën kombëtare, sikur janë ata të teknologjisë informative, mjekësisë, diplomacisë, kulturës së përditshme dhe ndonjë fushe tjetër me zhvillim të jashtëzakonshëm. Pa dashur të merremi me fusha të veçanta që kanë pasur zhvillime të reja, po më pak se ato që u theksuan më lart, po e sjellim këtu vetëm rastin e muzikës apo një drejtim të saj. Dikur në fjalorët normativë kishim disa lloje të zhanreve muzikore, si: muzika klasike, muzika klasike bashkëkohore, muzika jazz, muzika elektronike, muzika popullore, etj., për të cilat kishim edhe shpjegime të përgjithshme. Por gjendja ka ndryshuar shumë. Vetëm muzika hip-hop me nënzhanret e saj: hip-hop alternativ, hip-hop fetar, hip-hop hebraik, sot përfaqëson një listë tepër të gjerë e të hapur për të cilat nuk kemi as shpjegime përgjithësuese, as emërtime të stabilizuara, pasi në mediat elektronike dhe të shkruara, ato përshkruhen dhe shqiptohen në gjuhën angleze, ashtu sikur e bëra edhe unë jo rastësisht në këtë tekst diskutimi e shqyrtimi.

Në këtë rrjedhë ky lloj zhanri muzikor i ka kaluar të gjitha përmasat kombëtare, rajonale e globale duke marrë edhe ngjyresat nacionale, si: hip-hopi shqiptar, belg, britanik, bullgar, kroat, çek, gjerman, francez, maqedonas, malazez, suedez, ukrainas etj. Ata që kanë përcjellë zhanrin e muzikës hip-hop, ndërkaq, e thonë se hip-hopi shqiptar, në të vërtetë është hip-hopi kosovar i viteve ‘90, i cili ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në gjithë zhanrin e këtij lloji, me hapje edhe në atë të diasporës.

Të mos harrojmë se jetojmë në kohën e fjalorëve online. Qendrat më me përvojë shkencore e enciklopedike, Enciklopedia britanike, apo Qendra Enciklopedike “Miroslav Kërlezha” në Zagreb tash e sa vite nuk botojnë vepra në formatin e shtypur. Në Zagreb madje ka filluar përgatitjen e fjalorëve të fushave të ndryshme sikur është Fjalorin e egzonimeve, të cilët madje përgatiten, redaktohen dhe jepen në përdorim drejtpërdrejt.

Fjalorët dhe ChatGPT

Studiuesit Katica Balenović dhe Jakov Proroković nga Universiteti i Zarës në studimin e tyre Potenciali leksikografik i inteligjencës artificiale në shembullin e fjalëve të huazuara nga anglisht në gjuhën kroate,  kanë sjellë një matje interesante të vitit 2024 dhe 2025. “Ky studim shqyrton potencialin leksikografik të inteligjencës artificiale duke përdorur modelin ChatGPT si shembull, për analizën e huazimeve angleze në gjuhën kroate. Hulumtimi vlerëson aftësinë e AI për të dalluar kuptimet specifike të fjalëve të huazuara dhe për të ofruar shembuj përdorimi në kontekstin gjuhësor kroat. Rezultatet tregojnë që modeli ka saktësi të lartë për fjalët më të zakonshme, por has vështirësi me kuptimet më të rralla dhe mund të japë shembuj jo të saktë ose të tejgjeneralizuar nga anglishtja, gjë që mund të thuhet edhe për gjuhën shqipe. Analiza krahasuese midis përgjigjeve të viteve 2024–2025 evidenton përmirësime në dallimin e kuptimeve dygjuhëshe, por mbeten inkonsistenca në korrelacionin midis frekuencës së përdorimit dhe numrit të kuptimeve. Studimi thekson nevojën për përdorim kritik dhe verifikim të AI në kontekste gjuhësore specifike gjë që mund të thuhet edhe për leksikun e korpusit të shqipes.

Nuk e di nëse matje të tilla janë bërë edhe për leksikun e shqipes, por e di që gjuha shqipe nuk e ka përmasën e neologjizmave bashkëkohore, të cilën e ka gjuha kroate sot. Fjalori i madh i gjuhës shqipes, si edhe ChatGPT me programet e pafundme të tij do vënë në funksion të të dhënave bazë, për lexime të teksteve klasike, për përshkrimin e njësive leksikore dhe teksteve bazë, por askush të mos pres që ajo do t’i zgjedh të gjitha punët tona shkencore duke ju referuar teksteve, rezultateve më të mira të gjertanishme, aq më pak t’i zgjedh tekstet e duhura, ta bëjë analizën kritike dhe jep rezultatin e duhur pa pasur nevojë t’i lexojmë edhe ne ato.

Shqiptari modern duhet t’ia kthej shpinën konceptit për dialektin si gjuhë më vete, dhe Gegërisë e Toskërisë si krahina etnografike, ashtu sikur ua ka kthyer shpinën krahinave etnografike e feudeve, si kufij, si koncepte dhe si përmbajtje moderne e shoqërore. Fjalori i madh i gjuhës shqipe, me fjalët / leksikun, me përbërësit gramatikorë e me shtrirjen semantike, me trashëgiminë etnogjeografike e frazeologjike,duhet të mbulojë, jo kufijtë e atdheut politik, po kufijtë e atdheut gjuhësor e etnik, si dhe diasporën historike dhe moderne, në ato përmasa që e kemi sot. Më në fund, çfarë është Fjalori i një populli, i cili nuk përfshin fjalët skaj më skaj atdheut dhe madje cep më cep botës ku flet populli i tij. Fjalori i madh i gjuhës shqipe, ndërkaq,duke qenë fjalor modern dhe standard njëkohësisht përfshinë të gjitha fjalët që kanë përdorim të sotëm, të gjitha fjalët dhe kuptimet e tyre që identifikojnë mjetet e punës e të prodhimit nga kuzhina deri te fabrikat e dronëve e të aeroplanëve, veshjen bashkëkohore, emërtimin e ushqimeve që i hamë sot, të menduarit kulturor, politik e sidomos intelektual etj. Fjalori i madh i gjuhës shqipe e sigurisht as autorët e tij nuk janë fajtorë që populli shqiptar nuk ha më disa prej ushqimeve që ka ngrënë në kohën e Mbretëreshës Teutë, nuk vishet me disa nga rrobat me të cilat është veshur në kohën e Skënderbeut, nuk punon me veglat dhe mjetet tjera të punës me të cilat ka punuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës dhe madje nuk këndon me dorë pas veshi, prandaj nuk i përdor ose i përdor vetëm në ndonjë cep të Ilirisë, nuk i përdor emrat e tyre dhe nuk këndon as nuk mendon me konceptet e asaj kohë.

Kultura e gjertanishme dhe sidomos letërsia bashkëkohore, ka krijuar shumë fjalë të reja, shumë neologjizma, shumë fjalë me trajta të reja, shumë fjalë të vjetra që bartin kuptime të reja, por jo të gjitha janë ruajtur dhe sidomos jo të gjitha janë funksionalizuar në jetën e përditshme. Lexuesit e letërsisë artistike dhe publicistikës kujtojnë shumë fjalë të shkrimtarëve e publicistëve, të cilët janë shquar për përdorimin e leksikut të vjetër e dialektorë, por jo të gjitha fjalët e tyre janë funksionalizuar dhe jo të gjitha e kanë vendin në Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, pavarësisht funksionit artistik që kanë pasur në veprat letrare e publicistike.

Fjalori i madh i gjuhës shqipe, është pasuri kombëtare që do t’i shërbej brezit të sotëm dhe sa të jetë e mundur edhe brezave që vijnë. Fjalori i madh i gjuhës shqipe, nuk është thesari gjithpërfshirës i gjuhës shqipe, po thesar leksikor në përdorim të sotëm.

Në vend të përfundimit

Thonë se gjuha përcakton territorin, ndërsa gjuha shqipe e tejkalon atë territor, përkatësisht ato territore që nuk i kanë përcaktuar Shqipëria shtetërore dhe Kosova shtetërore; thonë, nëse një popull nuk e mbulon territorin me gjuhën e vet, ai nuk e zotëron plotësisht atdheun e tij, ndërsa gjuha shqipe e mbulon atdheun kombëtar e identitar përtej kufijve politikë, prandaj gjuha shqipe ishte dhe mbeti në themelet e identitetit kombëtar. Në të vërtetë fjalorët normativ të një kombi janë sinonim i lashtësisë së një popullit, sinonim i pasurisë mendore dhe pasurisë materiale, me të cilat ai i ka jetuar dikur dhe jeton edhe sot. Për më tej Shqipëria pritet së shpejti të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj presim që sa më parë të shpallet ligji për gjuhën dhe të përgatiten dokumentet për shpalljen e gjuhës shqipe gjuhë zyrtare e Evropës me kod të veçantë ndërkombëtar.

Le të bëhet prandaj Fjalori i madh i gjuhës shqipe amza dhe ombrella e kombit shqiptar në ato përmasa të cilat nuk kemi mundur t’i arrijmë me kufijtë e shtetit kombëtar (Shqipërinë) dhe shtetit shumëgjuhësor (Kosovës). Dhe le të bëhen drejtuesit e tij, autorët e tij, redaktorët e tij, bashkautorët e tij, bashkëpunëtorët e tij, ata që në këtë monument e vendosin qoftë edhe vetëm një fjalë në strukturën leksikore e semantike të tij. (Version i shkurtuar, i liruar nga literatura dhe shumë shembuj)

Prishtinë, shkurt 2026

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË