More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Dr. Bashkim Kuçuku: Mid’hat Frashëri - mbrojtës i madh i çështjes...

    Prof. Dr. Bashkim Kuçuku: Mid’hat Frashëri – mbrojtës i madh i çështjes çame

    Në veprën dhe veprimtarinë e gjithanshme kombëtare të Mid’hat Frashërit për Shqipërinë, shqiptarët dhe shqiptarësinë, natyrshëm ka  vendin e vet edhe Çamëria, çamët dhe problemet e tyre të mbijetesës nën terrorin e shtetit grek. Sikurse për çdo krahinë e zonë të hapësirës shqiptare, sidomos për ato më të rrezikuarat, ndihmesat e tij historike nuk janë ndërprerë ndonjëherë gjatë dhjetra vjetësh. Prandaj, Mid’hati shfaqet vazhdimisht me një barrë të rëndë detyrash e misionesh të pa fund, duke shkruar, kuvenduar, këshilluar, duke u endur nëpër Çamëri, kryeqyteteve të Europës, konferencave ndërkombëtare,  për të parë çfarë ndodh, dhe, pastaj për të vënë në dijeni opinionin dhe institucionet përkatëse, të përdorë miqësinë e kulturën, madje, dhe trysninë e arsyeshme, për të mundësuar një zgjidhje sa më të dobishme. 

     Vepra të Zgjedhura, vëllimi 7, që sapo ka dalë, përmban vetëm letra zyrtare, relacione, Nota-verbale dhe letërkëmbim vetjak për çështje kombëtare nyje, të periudhës 1921-1924. Një pjesë e madhe e tyre, me rëndësi të veçantë, janë për Çamërinë dhe gjendjen e çamëve. Rëndësia e tyre është përcaktuar nga objekti i shkrimeve, rrethanat, kur janë shkruar dhe funksioni zyrtar i Mid’hat Frashërit.

    1. Rëndësia e objektit të shkrimeve.

    Dokumentet, se çfarë ka ndodhur në Çamëri, që me aneksimin e saj prej Greqisë, më 1913, edhe sot, janë të kufizuara. Dihen, në mënyrë të përgjithshme, ngjarjet e mëdha, më tepër pasojat e tyre, por nuk dihet tërësia e tyre, as ngjarjet e tjera, dhe fare pak jeta politike dhe ekonomike. Kanë qenë të njohura disa nga faktet kryesore të periudhës së zezë, 1923-1924, të këmbimit, apo, të dëbimit të shqiptarëve myslimanë për në Turqi, se, kinse, ishin turq, por, nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme, të publikuara, për dramën e përditshme dhe dramën tre-katërvjeçare të atij dëbimi të dhunshëm. Shkrimet e Midhat Frashërit të vëllimit  7, krahas qëndrimeve mbrojtëse të tij, kanë shumë fakte dhe të dhëna për gjendjen politike, shoqërore, ekonomike e psikologjike të asaj popullsie nën racizmin grek, një burim i pasur për Historiografinë politike të shqiptarëve, veçanërisht për Historinë e Çamërisë.

    2. Pesha e rëndë e rrethanave

    Shkrimet janë shkruar 100 vjet më parë, kur Çamëria ishte ende Çamëri, po ashtu, dhe kur ajo mori goditjen e parë të madhe të shpërbërjes. Për shkak të konflikteve të brendshme dhe të luftës me Turqinë, qeveritë greke çamët dhe shqiptarët e tjerë, shtetas të tyre, relativisht i kishin lënë të qetë. Me Traktatin e Lozanës, 1923, që parashikonte këmbimin e ndërsjellë të popullsive greke dhe turke nga territoret e tyre, u erdhi rasti të realizonin edhe spastrimin nga shqiptarët. Vitet 1923-1924 janë vitet e shkatërrimit me themel të ekzistencës së tyre në Çamëri, në zonën e Kosturit dhe Follorinës.

    3. Rëndësia, që mori misioni me Mid’hat Frashërin

     Më 1923, shkurt, Këshilli Ministruer cakton Mid’hat Frashërin me mision special, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë, në Athinë, për të hapur marrdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Mund të ishte emëruar dhe ndonjë tjetër me, apo, pa përvojë. Caktimi i tij ishte zgjedhja më e mirë. Ai, para se të emërohej diplomat, për mbrojtjen e shqiptarëve të atjeshëm, kishte qenë kryetar i delegacionit shqiptar, në Konferencën e Paqes, në Paris, dhe kryedelegat në Lidhjen e Kombeve, në Gjenevë, që, do të thotë, se ishte rrahur me vaj e me uthull në përballjet diplomatike. Edhe para se ta mbronte çështjen shqiptare si delegat e diplomat, ai e kishte mbrojtur edhe duke qenë thjesht Mid’hat Frashëri, që në rininë e tij të hershme. Misionari kombëtar vetjak ishte bërë njësh, me kohë, me misionarin delegat e përfaqësues, i zgjedhur prej kuvendeve ligjore. Edhe shqiptarët nën Greqi, para se t’i mbronte si diplomat i kishte mbrojtur si studiues e publicist në disa gjuhë të huaja.

    Atij i ra barra të përballej me problemet ekzistenciale të tyre, të cilat i ndërlikonin e i stërndërlikonin në labirinte të pafund spekullimet e qeverive dhe të qeverisjeve vendore. Pavarësisht përkushtimit të tij dhe ndërhyrjeve diplomatike të vazhdueshme, fatëkeqësisht ngjarjet shkuan keq e më keq. Por, ndihmesat e tij të çmueshme janë shndërruar, tanimë, në pjesë të historisë, të përpjekjeve për të mbrojtur shqiptarët dhe shqiptarësinë, në çdo rrethanë dhe deri në mundësinë e fundit.

    Në krye të detyrës mbërriti më 24 shkurt 1923. Ende, pa zyrë dhe pa banesë, duke punuar në hotel, pas disa letrave dhe relacioneve për situatën në Greqi dhe njoftime për gjendjen e shqiptarëve, më 5 prill, pra, për një muaj mision, nisi letrën e parë për çamët. Problemet, që trajton, janë: a. vështirësitë artificiale, të pa ligjshme, që u krijonte qeverisja qendrore e vendore për shfrytëzimin e pronave; b. Ngrirja e pasurive të tyre, sikurse veprohej me ligjin për turqit.

    Asnjë muaj më vonë, nga shtrëngesat ekonomike, kërcënimet e dhunshme haptas dhe propaganda, se marrëveshja e këmbimit i përfshinte dhe ata, gjendja e rrezikuar po shkonte në zgrip. Më 2 maj 1923, Mid’hat Frashëri i shkruan Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë: “Ja se ç’informata mora nga ministri [ambasadori] i Holandës dhe konsulli i Turqisë: Gjer më sot do të jenë midis 5 dhe 10.000 veta shqiptarë nga Çamëria që kanë kërkuar të venë në Turqi, që tre katër muaj e tëhu. Këta janë më të shumët nga an’ e Paramithisë dhe kërkesat vijnë me kanal të Myftiut të këtij qyteti.” 1) E tillë paraqitet situata, e përshkruar edhe drejtpërdrejt nga terreni, në letrën e 7 majit 1923, që i ka shkruar Musa Demi nga Filati, një nga figurat më të shquara. “Për fat të keq, shkruan Musa Demi, shohim që shtrëngohemi të lëmë atdhenë, veçan lirisë vetjake… që më 1923 na janë zaptuar mallrat (26 çiflikë) prej kolonëve… Për këtë z. Venizellos bëri një nom të veçantë për këto 26 çiflike, por hala s’është shqitur. Megjithë këto, u vu në zbatim dhe këtu nomi i ndrimit të njerëzve, i cili është për turq, e kështu na u ndalua të shesim, e të niqarim e mbi këtë na u lithnë krejt duar e këmbë që s’mund të marrim frymë.” 2)

      Situatën dhe ngjarjet, që përkeqësoheshin me shpejtësi, Mid’hat Frashëri, i ka ndjekur hap pas hapi, në vijimësi, me ritmikë, gjithashtu, të përshpejtuar. Në periudhën prill-tetor, 1923, i ka drejtuar Ministrisë Mbretërore 120 Nota-verbale, e, megjithatë, sikurse ankohet vetë, “mjerisht asnjë shqiptari s’i kanë dhënë të drejtat”.  3)

     Nga tërësia e shkrimeve të vëllimit 7, si dhe në dokumente të tjerë, për çdo ngjarje e situatë, vërehen spekullime të mëdha e të vazhdueshme diplomatike e politike të qeverive greke. Vija e tyre ka qenë kundërthënja e kundërshtia e plotë. Nga njëra anë, pranimi, në parim, i të drejtave të shqiptarëve, deklaratat e përgjigjet pohuese të Notave-Verbale të Legatës Shqiptare, dhe, nga ana tjetër, veprimet në praktikë, që i shkelnin ato hapur.

    Që në daklaratën e parë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së këmbimit të popullsive me Turqinë, delegati grek, kishte pohuar, se shqiptarët përjashtoheshin nga këmbimi. Këtë të vërtetë, Mid’hat Frashëri u a ka kujtuar disa herë përfaqësuesve të Greqisë, po ashtu, e ka përsëritur edhe në dokumentet, që u ka drejtuar diplomatëve në Këshillin dhe Ansamblenë e Lidhjes së Kombeve.

    Një nga trysnitë për t’i detyruar të largohen ka qenë ngrirja e pasurive, që nuk kishin të drejtë t’i shisnin, as të merrnin qeranë dhe prodhimet u sekuestroheshin për refugjatët e ardhur grekë nga Turqia. Një trysni tjetër jetese, e jashtëzakonshme, ka qenë marrja e banesave dhe ngushtimi i familjeve shqiptare në 1/3, ose, edhe në ¼ e banesave të tyre. Grabitja ishte shtrirë me një shpërpjestim të madh. Myslimanëve shqiptarë u ishin marrë  75 0/0 të banesave, ndërsa, të krishterëve, shqiptarë dhe grekë, 25 0/0 të banesave. 4)

    Përdorimi i dhunës, ndalimi e paraburgimi, kërcënimi me jetë, dhe deri vrasja, kanë qenë të zakonshme.  Në një Notë-Verbale shkruhet: “Legata e Shqipërisë, ka nderin t’i përcjellë Ministrisë Mbretërore të Punëve të Jashtme  kopjen e një letre kërcënuese nënshkruar “Shpata e Hakmarrjes së Anadollit”, që u është dërguar më 26 qershor nga duar të panjohura shumë familjeve shqiptare, që banojnë në Prevezë.” 5)

     Nuk kalojnë veçse disa ditë dhe në Prevezë vriten dy veta. Kryeministri, Gonatas, në vend të përgjigjes së tij, i lexon sy për sy Mid’hat Frashërit telegramin e Prefektit të Prevezës, që shkruante   “Në këto vise s’ka ndonjë komitet grek dhe që pa dyshim ato letra do t’i kenë bërë myslimanët vetë.” Dhe Mid’hat Frashëri e përfundon me shënimin: “Domethënë, tek presim mbrojtje, po gjejmë dënim të ri.” 6)

    Jo në pak raste, kryeministri dhe ministra të ndryshëm përfaqësuesve çamë u a kanë prerë shpresën haptas më pak fjalë, ose, me dredhi. Më 21 korrik, 1923, Plastira, kryetar i kryengritjes në atë periudhë, u premtoi, se “do t’u bëjë fjalë kolegëve” për ankesat e tyre. Ministri i Bujqësisë, Sideris, u tha: “për çiflikët nuk mund t’u paguaj gjësendi”, dhe, për ndërimin e popullsisë, po ky ministër i quajti turq: “në Paramithi banorët janë turq.” Ndërsa, kryeministri, Gonatas, duke pranuar se “shqiptarët nuk do të këmbehen si turq”, shtoi: “po ka shumë turq që po shkruhen nënshtetas shqiptarë7) për t’u hapur, kështu, portën e spekullimeve vartësve, nga piramida shtetërore në qeverisjen vendore, prej nga shqiptarët, me mjetet e tyre të mashtrimit dhe të kërcënimit, do t’i paraqesinin për turq. Dhe, po, në të njëjtën ditë, që pati biseduar me këta përfaqësues, kishte deklaruar në një gazetë: “gjithë myslimanët hyjnë në ndrrim dhe për këtë asnjë eksers s’bëhet.” 8)

    Loja thënëse-kundërthënëse, vazhdoi gjatë gjithë periudhës. Përkundër, deklaratave, se do të përjashtoheshin nga këmbimi, në fshatra e qytete terrori kishte detyruar mijëra çamë të ishin gati për t’u larguar. Sipas Memorandumit, drejtuar Kryetarit të Komisionit Mikst të Këmbimit të Popullsive, gjeneralit Lara, më 29 tetor 1923, gjendja ishte e tillë:

    Megjithatë dhe pavarësisht vendimit të Qeverisë Mbretërore, autoritetet e vartësisë të Prevezës, Paramithisë, Margaritit dhe Filatit na kërcënojnë të na përzënë nga vatrat tona. Për këtë çështje dhe kundër çdo ligjshmërie, janë marrë masat në vijim kundrejt nesh nga Nën-guvernatori i lokaliteteve të përmendura.

    1)- Tellali dhe afishet e ngjitura në mure kanë njoftuar se myslimanët do të dërgohen në Azi, pa specifikuar që elementi shqiptar mbahet jashtë kësaj mase.

    2)- E drejta e votës për zgjedhjet legjislative të afërme na është hequr, gjë që do të thotë se nuk na konsiderojnë më si qytetarë.

    3)- Shtëpitë tona janë sekuestruar, kështu që familjet tona do të mbeten në rrugë me gjithë afrimin e dimrit.

    4)- Shqiptarët myslimanë prej shumë vitesh nuk kanë të drejtë të shesin pronat e paluajtshme.”   9)

    Një nga mënyrat e spekullimit të rafinuar është edhe keqpërdorimi, apo, përdorimi i qëllimshëm i fjalëve- termave të papërcaktuara për t’i interpretuar, pastaj, sipas interesit. Mid’hat Frashëri, diplomat i regjur e shkrimtar, i ka ndjekur “marifetet” e tyre me hollësi dhe ka sqaruar, si Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ashtu dhe Ansamblenë e Lidhjeve të Kombeve.  Këto fjalë-terma, që po përmendim, nuk kanë të bëjnë thjesht me stilin e punës, se nuk është këtu vendi i përshtatshëm të flitet për stil, por ato parashenjonin pasojat katastrofike që do të vinin prej tyre. Në Ansamblenë e Lidhjes së Kombeve, ka tërhequr vëmendjen, që, në Nenin 1 të Marrëveshjes greko-turke, popullsia turke në Greqi “është e shënuar me fjalën musliman”, që, siç thekson, “është term i pa përshtatshëm, që nënkupton fenë dhe jo racën”. Dhe argumenti i tij, që zbulon spekullimin e qëllimshëm është ky: “Por, midis myslimanëve që banojnë në Greqi, ka një numër të madh shqiptarësh që s’kanë asgjë të përbashkët me racën turke dhe që nuk mund të përfshihen në shkëmbim.” 10)

    Edhe në Notën-Verbale, 10 nëntor 1923, me të cilën i përgjigjet Ministria Mbretërore ankesës së tij, ai ka kapur përsëri spekullimin me fjalën-termë, në shprehjen: “… do të përjashtojnë nga këmbimi jo vetëm shtetasit shqiptarë…., por edhe të gjithë ata, origjina shqiptare e të cilëve është e pakundërshtueshme dhe e dukshme.11)

    Si do të ishte e pakundërshtueshme dhe e dukshme origjina e tyre shqiptare?, – pyet veten Mid’hat Frashëri. Me çfarë do ta dokumentonin, përderisa zyrat përkatëse i kishin në dorë institucionet greke, dhe kishin bërë çfarë kishin dashur me të dhënat identitare të tyre? Ky formulim për kinse përjashtimin e tyre nga dëbimi, ishte lënë, kështu, i hapur për t’u përmbysur tërësisht në praktikë.

    Pasojat e keqpërdorimit të qëllimshëm të fjalëve-terma, e shihte në qëndrimin ndaj çamëve aty ku ishin, në fshat e në qytet, dhe, këto pasoja konkrete, ua afronte para syve edhe ansambleistëve të Lidhjes së Kombeve. “Për fat të keq, thekson Mid’hat Frashëri, për shkak të një abuzimi të ardhur nga përdorimi i termit “mysliman”, të njëjtat rapresalje zbatohen gjithashtu – nga nëpunësit vartës helenikë – ndaj elementit shqiptar të fesë myslimane, i cili asimilohet kështu me elementin turk.”/ 12)

    Sintezë e plotë e tërë këtyre peripecive spekulative të politikës dhe diplomacisë greke, e gjendjes, rrezikut dhe mungesës së mbrojtjes edhe nga institucionet ndërkombëtare dhe komisionet e tyre, është “Ligjërata për tragjedinë e shqiptarëve në Greqi”, mbajtur në Këshillin e Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, më 10 dhjetor 1923. Meqenëse është tej vëllimit 7 për të cilin po flasim, nuk do të ndalemi në rëndësinë e saj, vetëm e  përmendim për të bërë një lidhje me veprat e tjera të tij për të kuptuar, se si i ka ndjekur dhe mbrojtur, të drejtat e shqiptarëve në Greqi, kurdo dhe kudo, ku ishte e mundur. 

      Të gjitha këto veprime në shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut, të ushtruara nga shteti me propagandë, ligje dhe dhunë përbëjnë një akt të qartë gjenocidi, i cili, në kuptimin më të ngushtë, të njohur ndërkombëtarisht, është shkatërrim metodik i një grupi etnik. Dhe, në një kuptim të gjerë, është shfarosje e një grupi të rëndësishëm njerëzish në një kohë të shkurtër. Në drejtësi, quhet krim gjenocidiakti i bërë me qëllim që të shkatërrohet i gjithë, ose, një pjesë e një grupi kombëtar, etnik, racor, ose, fetar, si i tillë.13)

    Me që kemi hyrë në fushën e drejtësisë, e cila kërkon saktësi të plotë të termave prej së cilës dalin përfundime të sakta, do të shqyrtojmë, nëse përputhen, apo, nuk përputhen veprimet e kryera në vazhdimësi prej qeverive greke me termat e drejtësisë. Thelbi i gjenocidit është shkatërrimi metodik i një grupi etnik. Megjithëse, të dhënat e deritanishme, të disponueshme, janë minimale, edhe ato janë të mjaftueshme për t’u quajtur gjenocid. Janë shpronësuar, u është tjetërsuar identiteti etnik e kombëtar, janë dëbuar nga atdheu i tyre, vetëm në një dallgë midis 5000 dhe 10.000 shqiptarë të Çamërisë. 14)

    Në një stacion treni (Saroviç) prisnin për t’u nisur 3.000 vetë nga Kosturi e Follorina, të cilët, Mid’hat Fashëri i ka parë me sy, se ishte aty i pranishëm.15) Pas dy javësh aty kishte 8000. 16) Në Kostur e Follorinë, që në ato vite, fshatrat shqiptare me myslimanë u çpopulluan. Mirëpo, nga ana tjetër, statistikat shkruajnë, se atëherë, në Greqi kishte 50.000-60.000 shqiptarë myslimanë. 17) Megjthatë, në Çamëri, pas dallgëve të dëbimit në Turqi, gjer në Luftën e Dytë Botërore, pa të krishterët, kishte 25.000-30.000 shqiptarë. Jorgos Margaritis, në librin Bashkëpatriotë të padëshiruar, shënon 30.000-40.000. 18)  T’u marrësh, me ligj e dhunë, pronat dhe banesat, mjetet më të domosdoshme të jetesës, pa të cilat nuk mund të ekzistojnë, a nuk është shkatërrim e mënyrë e shfarosjes? T’u tjetërsosh identitetin, me dhunë e propagandë, nga shqiptarë t’i shndërrosh në turq, dhe, pastaj t’i dëbosh nga atdheu i tyre, prej nga nuk do të jenë më ata që kanë qenë, kjo është edhe një mënyrë tjetër shkatërrimi dhe asgjësimi e identitetit etnik, kombëtar, fetar dhe njerëzor.

    Dokumentet e këtij libri, përfshijnë vitet 1923-1924 për dëbimin e çamëve. Dokumente të tjerë, në vitet pasardhës dhe në vitet e mëparshme kanë mjaft të dhëna të tjera të spastrimit etnik. Në vitin 1944-1945 forcat ushtarake greke, veç dëbimit me dhunë barbare të krejt popullsisë myslimane shqiptare, vranë “barbarisht”, bashkë me viktimat, që vdiqën rrugëve, 2900 vetë, fëmijë, gra e burra të pafajshëm, “në emër të spastrimit kombëtar dhe fetar19) me qëllim, që, të tjerët të detyroheshin të braktisinin vatrat dhe pronat e tyre. Vetëm në qytetin e Paramithisë, që “u kthye në thertore”, llogarit Jorgos Margaritis, janë vrarë me mënyrat më çnjerëzore rreth 500 vetë. 20) Shkatërrimi dhe asgjësimi i çamëve myslimanë kanë qenë një politikë vargor e pandërprerë. Tërësia e programit të paramenduar, organizimit, kohëzgjatjes dhe arritjes së qëllimit, përbëjnë një sistem metodik gjenocidi, të shkeljes së hapur të të drejtave të njeriut, do të thuhej, të përkryer, në kundërhumanizmin e vet.

    Mid’hat Frashëri nuk ka qenë vetëm përfaqësuesi, Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë, në Athinë, që mblidhte fakte dhe përpilonte dokumentacionin për të mbrojtur shqiptarët me rrugë diplomatike e ligjore, ose, ndryshe, më e madhja, për të shmangur zhbërjen e Çamërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare të Kosturit e Follorinës. Ai ishte edhe bashkëpërjetues, nxitës, këshillues për organizimin, pse jo, edhe bashkëveprues, ndonjëherë edhe bashkëpjesëmarrës në përpilimin e letrave ankimuese, që, përfaqësues të çamëve u drejtonin autoriteteve qeveritare dhe institucioneve europiane. Bashkëshkrimi më i spikatur është në letrën, apo, Memorandumin e sipërpërmendur, që i kanë drejtuar kryetarit të Komisionit Mikst për këmbimin e popullsive, gjeneralit Lara, më 29 tetor 1923, në të cilin konceptimi, mënyra e formulimit dhe politesa janë të një dore diplomatike. Dhe, për të qenë korekt me detyrën dhe bashkëhartuesit, ka shënuar me modesti fjalën U pa, shoqëruar me firmën e vet, pa emër e mbiemër. Besimi dhe afria shpirtërore e çamëve me të duket edhe në fjalët e politesës, kur i drejtohen: i dashur Midhat bej; i ndershmi mik; prit të falat e zemërta, e mbetem me nder Gjithë i z- së suaj.

     Seria e Veprave të Zgjedhura të Mid’hat Frashërit, ndër to edhe vëllimi 7, shpalosin botën shqiptare me larmi të madhe problemesh ekzistenciale, edhe midis vet shqiptarëve, edhe në konfliktet e egra me lakmitë raciste e shoviniste të shteteve fqinjë, të dokumetuara në mënyrë, gati, të pabesueshme, me shumëllojshmëri ngjarjesh, faktesh, të dhënash, qëndrimesh të figurave politike, shkurt, një pasuri e madhe historike, kulturore, shkencore, dijesh dhe emocionesh njerëzore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË