More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Dr. Bashkim Abazi: Një roman modern dhe realist

    Prof. Dr. Bashkim Abazi: Një roman modern dhe realist

    Romani “Muri i turpit” i autorit Kleo Lati

    Koha, dija dhe brezi i përtypin realitetet jetësore edhe përtej ëndrrave. Për çdo krijues letrar, krijimi i universit të librave e përfshin qenien, shpirtin dhe kujtesën e arkivit historik. Si një vello e artë, antologjia e ëndrrës i zgjon ndjenjat, emocionet dhe ringjall dëshirat; tek ai dominon vullneti për të tretur realitetin e kohës dhe zhveshur atij utopinë, absurdin, mashtrimin… prekja e pasqyrimeve mitike tek çdo grimcë e universit i vargëzon muzën dhe thur pentagramin e krijimtarisë. Çdo notë e dukshme apo e fshehur e kalvarit jetësor – në harmoni dhe trazime të qenies humane – i ngjiz në faqe libri natyrën estetike, ngjyrat e ngrohta, shenjat, tingujt, parullat… për të dëshmuar përmbushjen e ëndrrave të gdhendura në shpirt.

    Krijimtaria letrare e shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit të njohur Kleo Lati e ka kapërcyer magjinë e fjalës dhe shkrimit. Ajo është e dëshmuar në diakronizmin e kohës dhe ka sendërtuar universin e saj. Një trilogji e jetuar me kurajë dhe e prezantuar me guxim (romanet “Dhe yjet dridhen nga dashuria”, “Trupi im më përket mua”, “Pa dashuri as të vdesësh nuk pranohet”) është tashmë pronë e lexuesit. Kolana e parë medituese e romaneve përshkruese dhe tunduese me eros, sjellje sensuale, joshje maturuese dhe shpirt të dashuruar marrëzisht është përndjekur me stil nga shfrime dhe këndvështrime më reale, të prekshme dhe të dobishme. Mbas delikatesës dhe ngazëllimeve te libri “Princesha Charlotte”, romaneve të spikatura “Shpirtra të shitur” dhe “Pushteti i kancerozëve”, autori shfaqet sfidues me romanin “Muri i turpit”.

    Një trill i imagjinatës me përshkrime letrare që vjen nga historia, mitologjia, ëndrra apo realitetet jetësore? Abstragues i thellë i skutave më të errëta të shpirtit njerëzor, si një distopik pasionant i heqjes së perdeve të botës iluzore – drejt paqëtimeve dinjitoze me realitetet, shkrimtari Kleo Lati ka prezantuar në këtë roman pasionin dhe prirjen ngulmuese të deshifrimit të kodeve midis vesit dhe virtytit, të mirës dhe të keqes, të bukurës dhe të shëmtuarës…si një epos epik dhe lirik ka përfshirë të ndërthurura përvojat personale, ndjenjat dhe reflektimet e sjelljes kolektive; i endur mjeshtërisht midis ese- psikologjike dhe novelës përshkruese ka ruajtur në model organik qasje psikosociale, filozofike dhe hierarki pushteti. Personazhe dhe karaktere të stilizuara e përgjithësuese dëshmojnë spikatje të jetës reale në një shoqëri të organizuar si pjesë e natyrës, shtetit, ligjit.

    Romani “Muri i turpit” ka përthithur me figura dhe simbole aspekte dominuese të jetës së joshur nga marrëzia – burgu, muri, intriga e Nepërkës, kafshimi i qenit, i vdekuri dhe varreza, lypësi; copëza mitologjike me nimfa helmuese, animizëm klasik midis gurëve, murit dhe kështjellës, dialog me përmbajtje të ëndrrës së Guvernatorit; i pashkëputur nga një trajektore hulumtuese e jetës së qytetit me periferinë – në analogji antike me gjerdanët e civilizimeve dhe kulturave – autori ka pranuar sfidën e romanit të vështirë, me ndërthurje të poezisë, dramës, moralit, filozofisë praktike. I vendosur si pjesë integrale e qytetit, shkrimtari K. Lati ka “derdhur me bollëk” dhe në frymëzim artin e prozës me gjithçka të arsyeshme për ballafaqime utilitare dhe qëndrime reflektuese.

    “Muri i turpit” është një roman modern, realist, i kushtëzuar në hapësirë-kohën me rrjedhat normale të vetëdijes. Si një vrojtues i hollë i shpirtit dhe sqimatar i karakterit human, autori ka skalitur në plotësi narrative botën meskine dhe cinike të personazheve metaforike, pa e përjashtuar monologun e brendshëm, ai i analizon ritet, zakonet, veset dhe gjendjet patologjike të tyre, dhimbjen dhe kënaqësinë. Me qartësi dhe thellësi mendimi ka stilizuar dhe përplasur të kundërtat e mjedisit qytet – Kupola dhe Gropa, në funksion të qëllimit – demonstrimin e vlerave të vërteta. Mbi një rendje plot kureshtje dhe ngutje rrëfimi dashamirës “për t’i shkuar gjësë deri në fund”, ka ruajtur me mjeshtëri një shtjellim linear të ngjarjeve dhe karaktereve të personazheve tipike, duke e sunduar tërësisht strukturën e romanit, të sendërtuar në hierarki, paralel dhe nga poshtë–lart, në psikologji ndryshimi të modus vivendi dhe mbi moral të dyzuar nga vetëqenia.

    Racionaliteti i kritikës dhe analiza e romanit “Muri i turpit” vlen jo për demonstrime personale, por për vlerësimin e bindjeve aktuale të individit dhe shoqërisë njerëzore. Shkrimtari Kleo Lati, me guxim dhe faqebote, edhe në këtë roman është vetvetja reale, qenia fisnike me vetëdije, logjikë dhe intelekt.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË