More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. dr. Bardhosh Gaçe: Talenti i epërm i Dhimitër Anagnostit

    Prof. dr. Bardhosh Gaçe: Talenti i epërm i Dhimitër Anagnostit

    Romani “Koburja nga Europa” i regjisorit të famshëm

    Një vit më parë, Dhimitër Anagnosti, emrin e të cilit e shoqëron një kujtesë kolektive e njerëzve të gjithë shtresave sociale në Shqipëri veçmas, i ka dhënë një roman, një libër i cili hyn në krijimtarinë artistike, siç hyn poezia, tregimi dhe krijime të tjera të letërsisë artistike. Dyzimi nëse është Anagnosti që ne njohim apo dikush tjetër, lind që në krye të herës, madje një lloj befasie të shoqëron kur në kopertinën e librit “Koburja nga Evropa” mund të jetë dhe titulli i një filmi, natyrisht me një simbolikë dhe kujtesë të shumëfishtë të natyrës historike.

    Në fakt ky është një roman, ndoshta me një qëllim të thellë dhe të imët, të brendshëm dhe racional që Anagnosti ka pasur që herët brenda sedrës dhe ndërgjegjes së tij, që një ngjarje të anëve të tij, nga Bregu i Detit (Bregdeti, siç thuhet ndryshe për Himarën), ta “shkulë” nga historia e anëve të tij, për të na e treguar dhe modeluar në një strukturë romani, siç dhe na e ka dhënë. Pas librit me tregime dhe novela “Ulliri – pema e dhimbjes” ai sjell botën e brigjeve Joniane në një vepër të re. Ngjarje të tilla janë si ca nyje të thella dhe vështirësisht për t’i “shkulur”, qoftë dhe kur bën letërsi me to, për shkakun e një lloj shenjtërie që ata mbartin brenda, dhe nëse brenda tyre ka dhimbje, drama, tragjedi, makabritet, pasi ato ngjarje janë hajmali, janë kode jetike, janë gjarpri i shtëpisë, mbi të cilin qëndron një shpirt i paepur njerëzor, qëndron një ekuilibër emblematik, qëndrojnë kohët, njerëzit dhe ajo adn-ja e thënë ndryshe.

    Ky dyzim apo dysi, e thënë ndryshe, të shfaqet dhe të ndodh sapo e mban librin në dorë dhe mëson se ky është një libër dhe jo një skenar filmi. Natyrisht, në këtë rast është lehtësisht e kuptuar, për të mësuar magjinë dhe fuqinë e thellë që kumti që mbart libri, i cili ka qëndruar prej shumë kohësh në gjërat e thella dhe të rëndësishme të shkrimtarit Dhimitër Anagnosti. Në një moment të caktuar, pasi në jetët njerëzore kanë ndodhur shumë gjëra, kur ke mësuar për luftëra, për ngjarje të natyrës kombëtare, pasi një ngjarje në këtë raport ngjan me një raport të njeriut me hapësirën e tij, në kuptimin kulturologjik, të identitetit dhe të trashëgimisë, kjo ngjarje, për të mos humbur dhe rroposur kthehet në një amanet, në një klithmë të brendshme, për të cilën duhet të gjesh një vend, një pod apo një rast publik për ta treguar, që ajo të mos humbasë.

    Dhimitër Anagnosti e njeh mirë raportin e letërsisë me historinë, madje e njeh aq mirë, se letërsisë është shumë më herët se historia, se letërsia (popullore dhe e kultivuar) është arkiva ku është strehuar dhe mbrojtur historia, kur ajo nuk ishte në vetësinë e saj, siç është deri sot, e ndërsa ka ndodhur kështu, letërsia nuk është strehuar, apo nuk ka gjetur vend tek historia, kjo e fundit vazhdon të ketë strehë dhe vend për historinë. Ngjarjen reale apo të sendërtuar si të tillë në romanin “Koburja nga Evropa” e ka ruajtur kujtesa historike e popullit, kryesisht e Bregut të Detit, pasi Anagnosti sjell elementë të saktë kohorë, kanunorë dhe të trashëgimisë në estetizimin e një ngjarje të vonë, madje të shekullit të kaluar.

    Në dukje, leximi i romanit “Koburja nga Evropa”është i thjeshtë”: Në Bregun e Detit (bregdetin jonian), afër apo larg tij, gjatë Luftës së Parë Botërore Vlora dhe një pjesë e konsiderueshme e gjatësisë bregdetare mbeti e pushtuar dhe pas mbarimit të luftës. Forca të shumta italiane, në teknikë dhe infrastrukturë qëndrojnë në një hapësirë të konsiderueshme dhe në pikat e larta zotëruese, për të mbajtur nën pushtim popullsinë tradicionale rebele ndaj pushtimeve, zonën e Labërisë, përdorin dhe forcën dhe politikën për t’u afruar me popullsinë e qytetit dhe fshatrave, për ta zbutur sa të jetë e mundur konfliktin, pasi popullsia e këtyre anëve përveç rebelimit, historikisht ka treguar dhe një qëndresë të dukshme ndaj tyre.

    Në këtë situatë është dhe fshati i Bregut të Detit, që përmes një përshkrimi dhe “meditimi” të karaktereve njerëzore, të besimit kristian, të frekuentimit në mënyrë skrupuloze të kishës në ditët e shënuara të javës, të formimit tradicional fetar dhe kanunor, të procedesë hyjnore kishtare, të përuljes ndaj trashëgimisë hyjnore të besimit, të mjedisit familjar, i cili ka gjithmonë diçka nga e kaluara e formimit etnopsikologjik, të çon në trevën kristiane të Himarës, një nyjë e rëndësishme në shpjegimin e thellësishëm të hershëm dhe historik të dëshmive dhe ngatërresave të sajuara të besimeve dhe vërtetave historike. Fshati ku zhvillohen ngjarjet e vona të romanit është i kësaj kulture, ndërsa njerëzit përçojnë me një skrupulozitet të ngurtë normat e besimit kristian- ortodoks, një trashëgimi e njohur shqiptare.

    Himara nyjëton dhe shpërfaq një horizont të vjetër dhe të gjerë në komunikimet kulturore, ekonomike dhe ushtarake me Perëndimin. Në kohët e vështira, ekonomia e saj ka qenë e shtrënguar të mbahej nga emigrimi i burrave, kryesisht në Francë dhe si një plagë e thellë gjithashtu. Në këto kushte është dhe familja e Aleksandrës, një nënë e moçme në zakone (vejushë) dhe traditë, e cila qëndron në krye të familjes, me vajzat e martuara, ndërsa djalin (Vason, beqar) me dhëndrin (Zahari, burrin e vajzës së vogël) e ka në emigrim në Francë.

    Romani nis me një kumt të zi, që nëna përmes një letre të sterrshme, emocionalisht mbi nderin e përdhosur të shtëpisë, i dërgon të birit në emigrim në Francë, duke i treguar se e bija e saj dhe motra e tij Lena, e martuar dhe me një djalë ka poshtëruar besimin dhe zakonin, ka prishur besën dhe besnikërinë e bashkëshortit, duke shkuar në “shtrat” me një ushtarak italian, me një njeri të pushtuesit. Dhimitër Anagnosti ka arritur të vendosë në funksion të subjektit dhe idesë së librit çdo rrethanë që i krijohet në subjektin e shkurtër dhe me pak personazhe, duke krijuar dy linja; atë të familjes dhe ngjarjes nga familja, dhe atë (të nënkuptuar më së shumti) të të birit në Francë.

    Rrëfimi dhe meditimet, përmes vetëdialogëve dhe situatave psikologjike, që autori “gjen” tek të gjithë personazhet, Aleksandra, Lena, Vasua (vëllai i Lenës), Zaharia (bashkëshorti i Lenës), të çon dhe mjediset e tjera, dhe ka një intensitet të jashtëzakonshëm, ndoshta si shprehje e njohjes dhe marrëdhënies së thellë që autori ka me anët e tija. Mendoj se përshkrimet, të gjendurit në situata komplekse, veçmas të Aleksandrës, Vasos dhe Lenës, përmbushin një kronikë të imët, që njerëzit e këtyre anëve kanë vendosur me jetën dhe jetesën në komunitet, ku marrëveshja përmes kanoneve të trashëguara është jetike. Anagnosti e përdorë mjeshtërisht ngjarjen në fjalë për kohën, traditën, kanunin e trashëguar të moralit dhe besnikërisë, të besimit dhe unitetit qoftë në fshat apo krahinë.

    Lena, në rrethanat e një gruaje, burri i së cilës është në kurbet, të nevojës dhe ndjenjës së brendshme, që zakonisht ka çdo femër kundrejt një mashkulli, të pëlqimit të thellë, i cili triumfon përmes një refuzimi të pakët përballë dashurisë, pasionit, fuqisë dhe këmbënguljes së ushtarakut italian, i jepet atij. Autori, me një ndjesi të hollë, një njohje tradicionale dhe psikologjike që e përçon botën emocionale dhe sensuale të femrës, pavarësisht idesë prej krenarie krahinore dhe shqiptare që përçon romanin (një studiues i njohur thotë për momentin që Anagnosti e shkroi romanin, se ai kishte një kumt brenda vetes), ai thotë, se dhe pse histori të tilla përfundojnë me dhimbje të mëdha dhe humbje jete, Lena nuk kishte urrejtje për ushtarin italian, madje në gjendje dashurie i jepej atij me zjarr. Në këtë rast, pavarësisht qëndrimit që do të mbante autori, përmes këtij raporti, zbulohet shpirti i madh i tij në dilema jo normale. Në rrethana të tilla, jo vetëm ngjarja, por e gjithë shpërfaqja e ngjarjeve dhe personazheve, është jo e njëjtë tek lexuesi i sotëm.

    Mëkati nuk harron, ai është i pamëshirshëm, nuk fshihet, ai del nga dheu, e tregon hëna, por edhe pesha mëkatare që mbetet në fytyrë, në sy, në qenien e dukshme të njeriut. Mëkati i Lenës del, më së pari nga shfaqja psiko- fizike e saj, nga mendimi i saj, se ai dhe nuk mund të shfaqet, dhe pse reagimi i saj për të mos u mësuar, është një betejë e humbur nga vetë instinkti i saj i brendshëm, si një pafajësi hyjnore. Autori e ka sjellë mjeshtërisht këtë raport, dilemat, refuzimin dhe zjarrin që krijon një marrëdhënie, ku përshkrime dhe bota psikologjike e Lenës veçmas, ngjan si një ishull në mjedisin refuzues të lidhjes së saj me ushtarakun italian. Lena e di, në kësi rastesh, mëkatin e shlyen vdekja mëkatueses, të cilën duhet ta vrasë një mashkull i shtëpisë, babai apo vëllai.

    Kumtin e rëndë e përcjell letra që nënë Aleksandra ia çon të birit në Francë (një marrëdhënie epike mes nënës dhe nënë- burri i shtëpisë, siç ishte ajo), një kumt që do të ngrinte dhe të vdekurin nga varri, nëse në shtëpinë e mëkatares (Lenës) nuk do të kishte mashkull, është kaq i fuqishëm, jo për shkakun e detyrës, por të nderit dhe besës. Nënë Aleksandra i shkruan të birit, se Lena na ka turpëruar, ne nuk dalim dot nga shtëpia, ti je mashkulli i shtëpisë dhe duhet të dish ç’do të bësh, ku pamëshirshëm mitin e mbyt dhe e sundon miti i ndëshkimit me vdekje të mëkatit dhe shkeljes së besnikërisë. Dhe në dramat dhe tragjeditë epike kështu ndodh, vrasjet bëhen nëpër natë, veç nata e pranon një përmasë të tillë të egër.

    Vasua e dinte mirë zakonin, ndërsa rasti e ka vendosur përballë Lenës, më të voglës motër, më e mira, më e dashura, më e bukura për sytë dhe shpirtin e vëllait, që për nderin e saj do të jepte jetën; ajo e ka turpëruar derën, ajo e ka detyruar atë të hyjë natën në fshat dhe në shtëpinë e tij, nëpër natë të vrasë motrën për thyerje të besnikërisë ndaj bashkëshortit (i cili në jo pak raste shkonte me prostituta atje në kurbet, bashkë me Vason), dhe po natën largohet nga fshati. Atë e ka turpëruar motra e tij e vogël, dhe ai duhet ta vriste, ta fuste në tokë atë femër të bukur e të dashur, me atë shpirtin dhe ndjesitë e çdo femre në tokë, por mëkatare. Kjo ndjesi triumfon në dilemën e madhe para se ta vriste, pa mësuar hollësi të tjera, që vendimi dhe detyra e tij të mos shmangej për asnjë arsye e justifikim. Revolja e vjetër, qëndronte aty, si një gjuetare nate në murin e shtëpisë, mjaftonte të lëvizje një gurë dhe ajo qëndronte në dorën e vrasësit.

    Vrasja e Lenës në emër të traditës, vrasja për mëkat dhe tradhti në kushte të tilla është një kanon i vjetër, përmbys të gjithë raportet njerëzore, madje dhe të besimit, i cili nuk këshillon të vrasësh, por pikërisht këtu qëndron kumti, fuqia e tij, tradicionalizmi, një fill i stërlashtë që përshkon jetën e himarjotëve nëpër shekuj, deri në kufijtë historik të Luftës së Parë Botërore, duke skalitur karaktere të situatave problematike, nyje që duhen prerë ngaqë nuk mund të zgjidhen dot me tolerancë kristiane.

    Vrasja e Lenës nëpër natë nga i vëllai, Vasua, lejon dhe krijon mundësinë për ta lexuar në forma dhe perceptime të ndryshme, letrare, si historik, si traditë, si shkak- pasojë, si plagë historike apo dhe si kod i vjetër dhe i ashpër, pasi dhe vetë romancieri e lë romanin vetëm në ngjarjen e tij, pa marrë një anë të dukshme në konceptimin shpirtëror, bile prekja thellë emocionalisht e Vasos, i cili nuk merr pjesë në varrimin e së motrës, ka një moment kur mendon se mos u nxitua.

    Në këtë kontekst është dhe biseda mes qortimit dhe pranimit të faktit nga Raiti (Rait Miftari, një mik i familjes së Vasos në fshatrat e Labërisë), i cili më së shumti prej natyrës medituese e fjalët e pakta e shpërfaq plagën e kohës, në gjithë kontekstin social- kohor, historik dhe të traditës. Po ashtu dhe mërgimi ekonomik mbetet një plagë e kohës, vetë simbolika “Revolja nga Evropa” si arma e vrasjes për shumë arsye mbetet një domethënie e ngulitur thellë në ngjarjen dhe vrasjen në roman të Lenës. Romani “Revolja e Evropës” është shkruar me një stil mjeshtëror, ku rrëfimi i shkathët, i zgjedhur mbart situata psikologjike të vazhdueshme, për shkakun e rrethanave dhe pasojave, ku skenat (një mjeshtër i krijimit dhe ndërtimit të tyre buron nga të qenit kineast) përbëjnë elementë të rëndësishëm të strukturës rrëfyese.

    Ngjarja zë pak kohë në roman, pasi atë e mbushin gjëra të tjera, por veçojnë karakteret, natyrisht dhe në këtë rast autori është mjeshtër, pasi kinemaja më para se ngjarja qëndron mbi karakteret. Fjalitë e thjeshta, pa proklitiza e bëjnë leximin të njëfrymshëm. Një element i rëndësishëm, i dukshëm qartë në gjithë ngjarjen është mveshja tipike e personazheve me psikologjinë e tyre, përmes të cilës ata zhvillohen. Në letërsinë e prozës, veçanërisht të personazhit në roman, zhvillimi i personazhit përmes psikologjisë së tij është një nga stilet mjeshtërore të autorëve klasik.

    Romani, për shkakun e një teme të mprehtë, e cila emocionon dhe shkakton opinion, ka një bashkëkohësi të qartë, vetë propozimi i një teme të tillë është formë e një zbulese të tillë. Dhimitër Anagnosti përveç ndriçimit të profilit të tij dhe autorial, ka çfarë të na japë dhe në të shkruarit e romanit, që na e shfaq atë të talentuar dhe mjeshtër. Proza dhe arti i krijimit në letërsi, siç kuptohet ka qenë gjithmonë bashkudhëtari i kineastit Dhimitër Anagnosti, në mos ka qenë dashuria dhe pasioni i parë i tij.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË