-E dini ç’i ndodh kujtdo në një ditë si kjo, në ditëlindjen e tij, atij që e ka njohur Lefter Çipën,? Në ditë të veçanta të jetës, por edhe raste të kësaj natyre, duket se të përshkon një lloj pasigurie e çuditshme, një pasiguri që lidhet me fjalën, peshën dhe fuqinë që ajo duhet të mbartë për të nderuar poetin dhe vjershëtorin Lefter Çipa nga njëra anë, por edhe detyrimin që zakonisht njerëz të personalitetit të tij duhen nderuar dhe vlerësuar.
Kjo pasiguri, natyrisht më së pari lidhet me peshën që Lefter Çipa ka krijuar gjatë gjithë jetës së tij në vendlindje, në krijimtarinë e botuar, në marrëdhëniet me njerëzit, në arkivën me disa qindra këngë të polifonisë së Himarës e Labërisë që shkroi, me njohjen e madhe që ai pati në Shqipëri dhe jashtë vendit, me njohjen që ai kishte për kulturën dhe letërsinë, me talentin e padiskutueshëm me të cilin ai përjetësoi ngjarje, njerëz, krahina, luftëtarë, dashurinë, bujkun dhe blegtorin, detin dhe malin, pra gjithë ritmin e tij jetësor. Ky trishtim që mbart kjo ditë, jo vetëm tek unë, por edhe tek të gjithë lidhet me mungesën e tij, ndërsa libri që ka dalë në dritën e botimit “Njerëz me dritë” tregon se Lefter Çipa kishte akoma shumë gjëra për të thënë. Kjo ikje na lëndon.
Më lejoni, që në këtë rast të shprehem si unë e mendoj, si e ndjej dhe si e kam krijuar marrëdhënien me Lefter Çipën, jashtë klisheve tradicionale. Kur flitet për Lefter Çipën, natyrshëm nuk mund t’i shmangesh një simbioze të pranuar nga ai vetë, njerëzit e përditshmërisë së tij, studiuesit, grupet e shumta polifonike, personalitetet e shumta që e njohën dhe ai i ka njohur, se: Lefter Çipa nuk kuptohej dhe nuk kuptohet pa njerëzit e Bregut, ashtu si njerëzit e Bregut, vështirë të kuptohen pa Lefter Çipën. Një simbiozë e gjatë, ku dy pjesët plotësuan dhe plotësojnë njëra- tjetrën, ku njëri bëri tjetrin dhe anasjelltas.
Histori të tilla janë të rralla dhe në historinë botërore të letërsisë. Të 15 librat poetikë të Lefter Çipës janë mielli dhe brumi i nxënë dhe i ardhur mirë në këtë lidhje të fortë të tij. Të 15 librat përbëjnë një arkivë të rëndësishme, brenda së cilës peshojnë kohët, dhimbjet, shqetësimet, heronjtë, varfëria dhe bujaria, njerëzit e bukur të së kaluarës historike, por edhe ata të ditëve tona, peshon muza e pafundme e detit, peshon polifonia labe, një perlë dhe një pasuri e njerëzimit, pra peshon jeta.
Libri “Njerëz me dritë”, brenda të cilit gjenden refleksione, intervista, poema, letra, sentenca, epistolare, vlerësime etj., krijon një njohje tjetër, një dimension tjetër të lexuesit dhe për lexuesin, ata që e kanë njohur dhe ata që do ta njohin në të ardhmen, njeriun e madh Lefter Çipa. Libri në fjalë materializon në një farë kuptimi dimensionin, personalitetin, dhuntitë, ditën dhe udhëtimin, aftësinë për të shkuar mes njerëzve, fuqinë medituese, njohjen dhe formimin e tij prej njeriu dhe intelektuali, sa duket se është një libër i shkruar për veten, pavarësisht hapësirës së madhe që libri ka brenda vetes. Pikërisht kjo hapësirë e bën këtë libër mjaft të bukur dhe real.
E vlerësoj shumë këtë libër të Lefter Çipës, uroj dhe lus gjithashtu, që familja të gërmojë në arkivat e tij, në fletoret dhe librat e bibliotekës së tij të gërmojë ende, për të na dhënë dhe libra të tjerë, pasi një libër si ky nuk zbulon vetëm profilin e Lefterit, por krijon koordinata të rëndësishme për autorë të tjerë, për çështje të rëndësishme të zejes së letërsisë, për tema bazike dhe të mprehta, detaje dhe mundësi të mëdha që letërsia ka në kohë të caktuara të vendit.
Libri është ndërtuar funksionalisht mirë për shkakun se shumë-planshmëria e tij arrin të komunikojë qartësisht. Të tetë kapitujt e librit përbëjnë nga një njësi më vete, të cilët përveç komunikimit si të tillë, ata duket se e plotësojnë njëri- tjetrin. Libri ngjan me një sofër të madhe, ku Lefter Çipa duket se është shtruar me të gjithë të njohurit e tij, me ata që i ka dashur shumë dhe që e kanë dashur, një sofër ku lejohen të flasin të gjithë, ai dhe të tjerët. Pse e them këtë, dhe e krahasoj me një sofër? Tradicionalisht sofra është vendi ku njerëzit janë të barabartë, ku të gjithë mund të flasin dhe të gjithë duhet të dëgjojnë tjetrin.
Pamundësia për ta ezauruar plotësisht metaforën e librit, poeti, intelektuali dhe bardi Lefter Çipa, në gjithë librin ka reflektuar dhe ka sjellë njeriun, njeriun si burimi jetik i kuptimësisë së jetës, njeriun prej të cilit, sipas konceptit të Çipës buron drita, të cilin ai prezanton që në titullin e tij. Ndoshta kjo është dhe metafora më e qenësishme e tij.
Edhe pse libri është strukturuar në kapituj të ndryshëm, të cilët qartësisht ndihmojnë në leximin e tij nga lexuesi i çdo niveli, ai përshkohet nga një frymë krijuese, nga një mendje dhe shpirt i lidhur shumë me krijimin. Kapitulli “Të ditur që të diturojnë” është njëri nga kapitujt, ku poeti dhe krijuesi Çipa pjesëton mjeshtërisht raportin shoqëror me njohjen dhe vlerësimin për figura të njohura të letërsisë dhe kulturës shqiptare, poezisë dhe studimeve, siç janë kontaktet me Dritëro Agollin, tek i cili shquan poetin, njeriun, talentin dhe burrin e mençur, bujarin dhe gjeniun e poezisë shqipe. Shënimi i titulluar “Ç’më flet zëri i shpirtit, zëri i Dritëroit”, i cili zë një vend të rëndësishëm në libër, ka një refleksion të thellë njohës për poetin, por ajo që është më e rëndësishme në këtë, lidhet me një lloje shpërshfaqje plotësisht krijuese dhe filozofike, siç ai e bie poetin e madh përmes njohjes së tij tek lexuesi.
Dritëro Agolli është një përvojë e çmuar për çdo poet shqiptar, jo vetëm para viteve ’90, por edhe tash. Agolli ishte dhe mbetet një njeri i mençur, i ditur dhe i lidhur fort me vendin e tij, njerëzit dhe filozofinë jetësore ku ai lindi, u rrit dhe kontribuoi. Lefter Çipa na ka zbuluar një figurë madhore të këtij kalibri, duke e pasur një mik të çmuar. Sjell ndër mend vitin 1983, ditët e fundit të majit, në klubin buzë detit në Himarë, ku debati letrar midis Dritëro Agollit dhe Lefter Çipës vazhdoi disa orë, mbi frymën e shenjtëruar poetike të Naim Frashërit, Andon Z. Çajupit dhe De Radës, poetë kombëtarë këta që i kishin mjaft për zemër: Kur Lefteri nisi të këndojë disa vargje poetike të thurura prej tij: “Në Çajup vajta njëherë,/mbushur vendi luleverdhë”, Dritëroi iu përgjigj me këngën e tij devolliçe “Riza Velçishti”, e pastaj me atë të Kajo Babienit. Të gjithë ne, së bashku me 5-6 këngëtarë piluriotë, u mahnitëm nga zëri i tyre i mbrekullueshëm polifonik.
Refleksionet të thella ai ka për figura të tjera si Petro Marko, një personazh dhe figurë emblematike, një karakter i fortë, burri i tramundanave në brigjet me “re dhe gurë”, siç thotë Lefter Çipa, një shkrimtar dhe romancier klasi, pastaj këndvështrimi dhe brilantet e hedhura mbi figurën dhe talentin e Xhevahir Spahiut. Po ashtu, vlerësimi përmes njohjes të artistes Justina Alia, kompozitorin e njohur Aleksandër Lalo, këngëtaren e njohur nga Kosova Nexhmie Pagarusha, studiuesin e njohur Dhimitër Shuteriqin, këngëtarin Bik Ndoja, pastaj Adem Demaçin dhe të tjerë, besoj që krahas raporteve që ai kishte me njerëz të tillë, marrin vlerë dhe krijojnë një dimension tjetër të tij në raport me kulturën dhe dijen.
Në kapitullin e titulluar “Bisedime dhe refleksione”, kryesisht intervistat që Lefter Çipa ka dhënë, janë interesante jo vetëm zbulesat që lidhen me krijimtarinë e tij, por edhe raporte të tjera të kohës, ngjarje të shënuara dhe marrëdhënie që e kalojnë interesin lokal dhe atë kombëtar. Repertori krijues i Lefter Çipës dhe grupet polifonike me të cilët ka bashkëpunuar ai kanë nxjerrë në skenë dhe kanë deklamuar mjeshtër të polifonisë, të muzikës dhe kompozitorë të rangut ndërkombëtar, duke dëshmuar një personalitet me ndikim të madh në artin e këngës dhe të skenave ndërkombëtare.
Siç është thënë me të drejtë, që në krye të herës, Lefter Çipa arriti si askush tjetër ta mishërojë në artin e këngës polifonike, por edhe në poezinë e tij, qoftë e llojit vjershë, qoftë e llojit poemë, mishërimin e historisë. Në këtë rast arti dhe krijimtaria përbëjnë një ndërmjetës të rëndësishëm për ta aktualizuar atë. Shënime të tilla si “Një rrëfim si dëshmitar i rivarrosjes së Avni Rustemit në Vlorë”, “Vështrim historik mbi shkollën shqipe në Bregdetin e Himarës”, “Mëmë Mara e mërmërimave ligjëruese” përbëjnë detaje të rëndësishme për të krijuar njohje të besueshme për shumë ngjarje dhe personazhe të caktuara të kohës. Bregu i Detit, Vlora dhe Himara, por edhe shumë vende të tjera të këtyre anëve kanë histori të shumta rishtuese dhe trimërie nga thellësitë e kohërave deri në kohët tona. Në jetën dhe gjurmimet e Lefter Çipës ka një opus të madh njohjeje dhe vlerësimi.
Lefter Çipa mbeti përjetësisht i lidhur fort me polifoninë, dhe si i tillë, dedikimet më të mëdha ai i kishte për polifoninë, motivet e këngëve, kompozitorët, solistët, grupet, zërat, akordet, pra gjithë strukturën njerëzore dhe skenike të këngës polifonike. Kapitulli “Dialogë me Polifonët” është një libër më vete. Ai ka dashur ta rishkruajë në të gjithë mundësitë pjesën e shpirtit me këtë kontingjent të artë njerëzish dhe artistësh, jo vetëm në Pilur, por në të gjithë hapësirën ku polifonia ka jetuar dhe jeton. Polifonia është pasuri botërore tashmë, dhe si e tillë ajo ka historinë e saj, sakrificën e saj, njerëzit e saj, ngjarjet e saj, sukseset dhe dëshmitë e saj.
Si i mençur që ishte Lefter Çipa i ka dhënë një hapësirë dhe një perimetrim të gjerësishëm tematik, njerëzor dhe emocional polifonisë dhe protagonizmit të saj kombëtar dhe ndërkombëtar. Shënime të tilla si: “Një urdhër shpirti dhe gjaku”, “Përgjigje zemre Bejkës së Bardhë”, “Këngët e Atdheut janë triumf shpirti tek populli dhe e ardhmja”, “Piluriotëve të mi”, “Jeni prova fatlume për një artist”, “Unë besoj vetëm te kënga” dhe të tjera shënime, ku shpalosen njerëz, ngjarje të bukura dhe evenimente, dëshmojnë këtë lidhje të fortë, të cilës ai i kushtoi jetën.
Në libër ka përvojë jetësore, ndërsa dy poemat “Katërshes vlonjate” dhe “Lum si Bregu për Vunoin” përbëjnë thelbin e shpirtit të poetit, të lidhur fort në shkëmbin e jetës, siç është vendlindja, ku shpërfaqen dhe dy zhanre të reja, atë të sentencave, që lidhen me përvojën e jetës dhe aftësinë e meditimit të poetit, filozofit dhe njeriut të ditur Lefter Çipa, maksimat, sentenca zakonore dhe epistolare, duke u mbyllur me vlerësime dhe mendim kritik nga kritikë, studiues dhe konsiderata të njohurish.
Unë vetëm i preka çështjet, libri është thellësisht i nevojshëm për t’u njohur dhe studiuar, pasi brenda tij ka një jetë plot sakrifica, njohje, vlera dhe kontribute të bardit të madh Lefter Çipa.