“Nga një krahasim i shpejtë që i kemi bërë gegërishtes letrare të standardizuar, ashtu siç paraqitet ajo në veprën e M. Camajt, me toskërishten letrare të standardizuar ose gjuhën letrare të standardizuar, del se në sistemin fonetik dhe morfologjik ato dallohen fare pak nga njëra-tjetra. Në qoftë se pranojmë se fizionominë e një gjuhe e përcaktojnë sistemi fonetik dhe morfologjik, atëherë duhet të pranojmë se ato nuk janë dy gjuhë letrare, siç duan t’i quajnë disa, por dy variante të një gjuhe të vetme.”
Bahri Beci, Historia e standardizimit të shqipes,
Tiranë, 2010, f. 170.
21 GUSHT 2023
Zotni Bahri Beci, i lindur në Shkodër më 6 mars 1936 në një familje me tradita atdhetare (ku gjuha e folur artikulohej si muzikë), mbas stacionimit mjaft të gjatë në kryeqytetin shqiptar Tiranë dhe mbas ankorimit jo aq të shkurtër në atë francez Paris, i dha fund udhëtimit me kryqëzime kulturash në këtë botë më 21 gusht 2023.
Por veprat që na la ndër vitrinat e librarive universitare, tek skedarët e bibliotekave shkencore dhe mbi tavolinat e zyrave të albanologjisë; librat, revistat, studimet, monografitë, artikujt shkencorë, skicat dialektore, esetë memoristike, atlaset folëse, projektet gjuhësore, programet kombëtare për kërkim dhe zhvillim e sidomos kthimet i tij shpesh në një institucion mbrojtës të gegërishtes letrare tëstandardizuar, janë më të shumta sesa vitet e jetës së intelektualit të kaluara kryesisht mbi skrivani.
Kjo të bën të mendosh se vdekja, në marrëdhënie me të, mbetet thjesht një konvencion. Kjo ndodh edhe pse Profesor Bahri Beci qysh në gjallje hyri me fotografi, si zë prestigjioz në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Botim i ri (Tiranë 2008).
Poliedrizmin spikatës të Bahrit Beci dy kolegët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. dr. Artan Haxhi dhe Prof. dr. Tefë Topalli, e kanë pikëzuar kësisoj në librin “Leksikon. Gjuhëtarë shqiptarë dhe Albanologë” (Shkodër 2012):
“Fushat kryesore të veprimtarisë së tij shkencore janë dialektologjia dhe fonetika; ai ka botuar disa monografi dhe skica dialektore për të folmet e Luznisë, Reç – e Dardhës, Grykës së Madhe (Dibër), për të folmet e krahinës së Matit dhe të Shkrelit (Malësi e Madhe). Vepra kryesore në këtë fushë është “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i i të folmes së Shkodrës” (1995).
Ishte luks ta kishe Profesor Bahri Becin bashkautor, si në rastin e korpusit albanologjik “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, ku nga skedat tradicionale u kalua te kompjuteri modern.
Në fushën e dialektologjisë historike dhe të historisë së gjuhës ai ka botuar përmbledhjen “Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre. Autoktonia e shqiptarëve në dritën e të dhënave të dialektologjisë historike shqiptare” (2002).
E kush më mirë se Profesor Bahri Beci, lektori erudit i fonetikës në Universitetin e Tiranës, mund të hartonte tekstin “Fonetika e gjuhës shqipe” (2004) për studentët e tij e më gjerë?
Botime të këtij autori ekselent, sa kombëtar aq kozmopolit, janë edhe “Probleme të lidhjes së shqipes me gjuhë të tjera të Ballkanit (Pejë 2000)”, “Probleme të lidhjes së shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit (Pejë 2002), “Historia e standadizimit të shqipes. Politika dhe planifikimi gjuhësor në shqipëri” (Tiranë 2010), etj.
22 GUSHT 2023
Një e martë e trishtë kjo, pa Profesor Bahri Becin…
Ndjenjën e mungesës dhe njëkohësisht të pranisë e ka shprehur mjeshtërisht dikur poeti Lasgush Poradeci tek lirika “Gjeniu i anijes”:
“Se prapa lë vazhdën e ndritur – / Q’e hapa me shpirtin fatos: – / Fistonin gazmor ku pat shkitur / Valim-i i anijes q’u sos”.
Gjerb kafenë e mëngjesit në Piacën e Shkodrës dhe lexoj një gazetë të Tiranës, ku lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Beci e jep Kryesia e Akademisë së Shkencave. Kumti i dhimbshëm u drejtohet bashkësisë së shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqve e kolegëve të tij të shumtë brenda e jashtë vendit:
“Bahri Beci sintetizoi arritjet e punës së tij në vepra me karakter normativ. Vepra shkencore e Bahri Becit karakterizohet nga sinergjia e studiuesit me ekspeditë kërkimore dhe njëherësh në një proces formimi të thelluar bashkëkohor e perëndimor.”
M’u kujtua papritmas se Radiotelevizioni Shqiptar para një viti nisi xhirimet e një filmi dokumentar për shkencëtarin e 7 zanoreve e të 29 bashkëtingëlloreve Bahri Beci. Kur të montohen të gjitha sekuencat e intervistave, Profesori i nderuar do të na flasë përsëri, tashmë nga ekrani i vogël.
Do ta kemi rishtazi mes nesh. Krejt ashtu siç na e përshkruan atë sot në FB, kryeredaktori i revistës “Shèjzat” në Romë, Profesor Ardian Ndreca:
“Prof. Bahri Beci, nji zotni i urtë, shkencëtar e qytetar…Mbetë i pashlyeshëm kujtimi i tij!”
Mendimet e mia për studiuesin e thekur e për shkencëtarin model qarkojnë afër nëntë dekadat e ciklit moshor, ku ai s’bëri gjë tjetër, veçse katër B-ve themeltare të antropologjisë sonë kulturore: BUZUKU, BUDI, BARDHI, BOGDANI, u shtoi plot dinjitet edhe një tjetër B, atë BECI.
Kur Profesori mbushi 85 vjet, zgjodhi që ta festojë ditëlindjen, së bashku me familjen dhe të afërmit, në auditorin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Mes duartrokitjeve pa fre u shpall nga rektorati “Doctor Honoris Causa”. Në takimin solemn plot mbresa e përshëndeta me poezinë “Alfabet ajror”, që ia kushtova atij:
Përhapej zëri dridhërues në shqip,
Jehonte i qartë tej shekujve larg,
Magjia e tingujve theks ilirisht,
I jepte emërtim çdo sendi përqark.
Përmes përroit të pandalshëm të ndërgjegjes, m’u kujtua se për herë të parë emrin e Bahri Becit e kisha ndeshur rreth një gjysmë shekulli të shkuar përmbi kopertinën e librit të gjuhës shqipe për shkollën tetëvjeçare, te cikli i ulët, kur isha mësues fshati. Shfaqej në formën e shkurtuar B. Beci… Se akademiku Beci qe lartësi e vetëpërulur për t’u ngjitur pasardhësit…
Në fillim ishte fjala. Pastaj vinte gjuhëtari pa mort!
Shkodër, më 22. 08. 23.