More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. dr. Alfred Çapaliku: Profile mjedologësh

    Prof. dr. Alfred Çapaliku: Profile mjedologësh

    “Mjeda njëri prej protagonistëve të zëshëm të kulturës në gjysmëm e parë të shekullit XX, kontribues i spikatur i shpërfaqjes së identitetit tonë kombëtar.”

    Ardian Marashi

    Shkenca e mjedologjisë nis më 1917, në Shkodër, me recensionin e At Gjergj Fishtës te gazeta “Posta e Shqypnis” për vëllimin poetik “Juvenilia”. Kritiku letrar vuri re gjuhën e pastër, shquajti stilin e lartë dhe gjeti figurat e gjalla plot njomësi:  “Autori para se me e botue veprën e vet, e ka përshkue kushedin sa herë nën limë të mëndjes e të teknikës. Prandaj kjo vepër ka me kenë domosdo e nevojshme me u perdorue si tekst ndër shkolla të Shqypnis.” (1)

    Ashtu ndodhi. Autori u institucionalizua me përfshirjen e tij në revista, tekste mësimore, histori letrare, monografi. Më 1925, në Shkodër, studiuesi At Justin Rrota e trajtoi Dom Ndre Mjedën te një tekst për shkolla të mesme duke i vendosur vjershave të “Juvenilias” medaljonin përkatës: “Ndër to vèm n’ oroe nji ambelcim mjaft të rrall mèndimesh e fjale, por ma tepër se asgjà ky auktuer asht për t’u çëmue per ndertim klasik të vjerrëshës, hartue e lëmue me cenë të posaçme.” (2)    

    Më 1931, në Palermo, tek një monografi studimesh kulturore në italisht, albanologu Gaetano Petrotta ia spikati Mjedës shijen e gjuhës shprehëse te poemthi lirik “Vàji i bylbyllit“: “Ai përshkruan bukurinë e natyrës dhe përmallet me këngën e zogjve e me poezinë e tij të harmonishme tërheq shpirtin e lexuesit që të admirojë bashkë me të madhështinë e gjithësisë dhe të lëvdojë Krijuesin e gjithpushtetshëm.“ (3)

    Në harkun kohor 1941 – 1943, nga Firenze në  Shkodër, studiuesi Kolë Ashta botoi artikuj  kritikë  për  Mjedën te revistat  “Numero unico degli studenti albanesi“, “Shkëndija“, “Kumbona e së Diellës“, ku komentoi opusin letrar: “Shprehjet e tija të bajnë për vedi, të japin ndjenjën e së bukurës, të duket si me pa nji pjesë të shpirtit t’onë ndër ato vargje qi spjegojnë ndjesit e shprehuna me besniki. Lexuesi në të gjen poezin dhe i prekë nji farë dashunimi.“ (4)

    Më 1941, në Tiranë, studiuesi Karl Gurakuqi te një tekst antologjik për shkolla të mesme, nën kujdesin e ministrit të arsimit Ernest Koliqi, shpalosi meritat e individualitetit poetik në publikimet më të fundit të Dom Ndre Mjedës: “ … auktori i vlertë i poemthave “Scodra“ e “Lissus“ ka dijtë të thuri mjeshtrisht fuqin dhe shkelqimin e hartit klasik me elementat historikë e gojëdhanorë mà të zgjedhun të Shqipnis ilirjane.“ (5)

    Më 1960, në Tiranë, studiuesi Vehbi Bala tek një histori letërsie, në kapitullin kushtuar shkrimtarit Ndre Mjeda (Shkodër 19. 11. 1886 – 01. 08. 1937), ia cilësoi shkrimtarit rolin eksponent në romantizmin  shqiptar dhe ia përcaktoi atij vendin e merituar në panteonin e letrave shqipe: “Mjeda është ndër ato auktorë që bën kapërximin midis letërsisë së Rilindjes dhe asaj të kohës së pamvarsisë. Mjeda mbetet një nga figurat më të mëdha të letërsisë shqipe.“ (6)  

    Më 1980, në Tiranë, studiuesi Mark Gurakuqi tek një monografi  për veprën poetike të Ndre Mjedës e portretizoi autorin rilindës duke renditur tiparet e shprehura në procesin të krijimit “sui generis“, të karakterizuara nga limimi e lëmimi  i vargut gjer në perfeksion: “Mjeda si poet dallohet për fuqinë e sintezës, për një sens të madh mase, për zotësinë e tij të japë vetëm të domosdoshmen, për ekonomi të fjalëve dhe të shprehjeve. Këto janë tipare dalluese të artit të tij.“ (7)

    Më 1980, në Tiranë, studiuesi Rinush Idrizi tek një monografi biobibliografike për Ndre Mjedën ìa vlerësoi rilindësit të ndritur prurjen e tij poetike në formë e në përmbajtje dhe e klasifikoi autorin si një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare, që nga tradita e gjer në modernitet: “Vepra e tij përshkohet nga një patriotizëm i thellë, nga ide demokratike, ka një nivel shumë të lartë artistik e ngjyra shumë të forta epike.“ (8)

    Më 1997, në Tiranë – Pejë, albanologu Robert Elsie tek një histori e letërsisë shqiptare, botuar në anglisht dy vite më parë në Neë York,  krahas spikatjes se origjinalitetit të autorit, zbuloi edhe disa pika takimi me poetët rilindës italianë: “Poezia e Mjedës sidomos përmbledhja e tij “Juvenilia“ shquhet … dëshmon për një gjuhë të përpunuar nën ndikimin e klasikëve italianë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe, përgjithësisht për një nivel të lartë përsosmërie metrike.“ (19)

    Më 2002, në Prishtinë, studiuesi Sabri Hamiti në një vepër të korpusit mbi letërsinë shqiptare, te kapitulli kushtuar figurës enciklopedike të Mjedës, mbasi ia analizoi në mënyrë të ngeshme krijimtarinë, duke u ndalur tek veçoritë e stilit, e glorifikoi Poetin kësisoj: “Shumë ide të tij, vargje të tij, vjersha të tij, jo vetëm se i kujtojmë përmendësh, por i kemi bërë edhe pronë të dijes personale, na kanë hyrë në mënyrën e të menduarit. Pra lexuesi jo rrallë i përdor si vlera të vetat.“ (10)

    Më 2004, në Tiranë, studiuesi i përkushtuar Mentor Quku nisi serinë e  dymbëdhjetë librave, që rroku tërësisht personalitetin e Dom Ndre Mjedës. Qysh në nisje të hulumtimit të imët, dokumentues, ai  nënvizoi: “Qe poet i një ndjeshmërie të lartë e të veçantë, i cili hapi një faqe të re lirizmi në letërsinë shqipe. Kjo mjaftoi që të zinte një vend nderi në Panteonin kombëtar shqiptar. Vizioni i figurës së tij paraqet interes për gjithë kohërat.“ (11)   

    Më 2010, në Prishtinë, studiuesi Rexhep Qosja tek një histori e  letërsisë shqipe,  përmes  nje procedimi analizues – sintetizues, e vendosi krijimtarinë poetike të Mjedës plot dinjitet midis traditës botërore dhe të asaj kombëtare: ““Andrra e jetës“ është një shembull i veprës poetike në të cilën me pak fjalë thuhet vërtetë shumë… është metaforë e jetës njerëzore : gjithsesi, metafora më kuptimplote dhe më e bukur në poezinë e derisotme shqipe.“ (12)

    Më 2020, në Prishtinë, studiuesi Injac Zamputti, koleg me Mjedën në Kolegjën Saverjane të Shkodrës, në një libër kujtimesh, dëshmoi për laboratorin krijues të Mjeshtrit: “I jepte rëndësi të madhe frymëzimit. Përpunimet që u bëri krijimeve të veta kishin të vetmin qëllim që fjala të tingëllontë e ëmbël, e ashpër, e furishme, si ta lypte shprehja dhe momenti poetik që vargu të rridhte i butë, i thyer, madhështor si të ishte mendimi dhe figuracioni që duheshin skalitur.“ (13)

    Volumi i publikimeve të mjedologëve e ka tejkaluar me dhjetëra herë numrin e fletëve të librit të hollë “Juvenilia“ dhe të kontributeve të tjera mjedjane, në fushat e përkthimit, gjuhës, didaktikës, letërsisë për fëmijë.

    Qysh prej vitit 2014 del periodikisht në Shkodër përmbledhja studimore “Mjedologji“ e drejtuar nga historiani Dr. Dom Nikë Ukgjini, me kumtesat shkencore   mbajtur te Qendra Muzeore “Ndre Mjeda“ Kukël në veprimtaritë e përvitshme “Ditët e Mjedës“. Revista pasqyron rritjen e interesimit për poliedrizmin mjedjan. 

    Mendimet e studiuesve e të kritikëve bashkohen në pikën se Poeti  Ndre Mjeda është  model estetik i paanashkalueshëm. Mjedologët e shquar i ngritën autorit të “Juvenilias“ një përmendore prej fjalësh, që rri natyrshëm pranë shtatores së tij prej bronzi punuar në formë kambane prej skulptorit të mirënjohur Sadik Spahija. Fjalët dhe bronzi jehojnë njëlloj. Gjuha shqipe shungullon!

    Shkodër, 12. 11. 2022  

    REFERENCA:

    1. Gjergj Fishta: “D. Ndrè Mjedja : Juvenilja“. Gaz.“Posta e Shqypnis“. Shkodër, 1917. Nr. 20, f. 4.

    2. Justin Rrota: Letratyra shqype. Shkodër, 1925, f. 178.

    3. Gaetano Petrotta: Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare. Tiranë, 2008, f. 329.

    4. Kolë Ashta: ““I tretuni i Ndre Mjedës“. Rev.“Shkëndija“. Tiranë,  1943. Nr. 3, f. 27.

    5. Karl Gurakuqi: Shkrimtarët shqiptarë II. Tiranë, 1941, f. 402.

    6. Vehbi Bala: Historia e letërsisë shqipe II. Tiranë, 1960, f. 393, 428.

    7. Mark Gurakuqi. Mbi veprën poetike të Mjedës. Tiranë, 1980, f. 216.

    8. Rinush Idrizi: Ndre Mjedja. Tiranë, 1980,f. 201.

    9. Robert Elsie: Histori e letërsisë shqiptare. Tiranë – Pejë, 1997, f. 261, 263.

    10. Sabri Hamiti: Vepra letrare 7. Prishtinë, 2002, f. 387.

    11. Mentor Çuku: Mjeda 1. Tiranë, 2004, f. 27.

    12. Rexhep Qosja: Historia e letërsisë shqipe. Romantizmi 3. Prishtinë, 2010, f. 490.

    13. Injac Zamputti: Kujtime. Njerëz – Fakte – Ngjarje. Prishtinë, 2020, f. 87.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË