Me Selim Ramadanin ishim moshatarë, të lindur që të dy në vitin 1947. Selimi kishte lindur në prill, unë në maj, dy muajt më të bukur të vitit. Unë vija nga Struga buzë Drinit, ai nga Tetova rrëzë Sharrit, por që të dy studionim në Prishtinë. Unë gjuhën dhe letërsinë shqipe, ai artin dramatik.
Ishte gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Ne e quanim veten “brezi ’68”, sepse ishim protagonistë të atij viti historik, Vitit 1968, në art dhe në jetë.
Atëherë numri i studentëve shqiptarë nga Maqedonia që studionin në Prishtinë (sikurse edhe i studentëve në përgjithësi) ishte i vogël dhe ne njiheshim pothuajse të gjithë me njëri-tjetrin. Takoheshim në fakultet, në mensë, në konvikt, në kinema, në teatër, në qytet… Ndonjëherë edhe në autobus, duke udhëtuar për në vendlindje.
Selimi, siç dëshmojnë të afërmit e tij, qysh si nxënës tregonte interesim për artin dhe letërsinë, veçanërisht për teatrin, në një kohë kur në mjedisin tonë nuk kishte shkollë për këtë profesion. Hapja e studios teatrore në Prishtinë në vitin 1967 do t’ia plotësonte këtë dëshirë. Selimi do të regjistrohet në këtë degë të posahapur, që do ta kryejë me sukses brenda afatit.
Paskëtaj do të nisej në botën e teatrit, në tempullin e Talias, për t’u bërë banor i përhershëm i saj.
Selim Ramadani ishte aktor i lindur: profili i veçantë, zëri karakteristik, pamja, mimika, diksioni, aftësitë transformuese, e bënin të tillë… Ishte i pazëvendësueshëm sidomos për rolet e të rinjve e adoleshentëve: një ekuivalent mashkullor i Leze Qenës.
Kishe dëshirë ta shihje në skenë dhe ta takoje në jetë.
Nuk e harroj një udhëtim që patëm bërë bashkë me autobus nga Prishtina për në vendlindjet tona, ai për në Tetovë, unë për në Strugë. Qëlloi të uleshim pranë e pranë dhe të bisedonim gjatë.
Rruga ishte e paasfaltuar dhe udhëtimi zgjaste shumë. Bisedonim për studimet, për provimet, për shkrimet… Si të rinj që ishim flisnim, natyrisht, edhe për vajzat. Selimi ishte natyrë e butë, pak i druajtur, i rritur në një familje qytetare, kurse në Kosovë në atë kohë, sikurse edhe në gjithë hapësirën shqiptare, fanatizmi ishte i madh. Nëse “kaloje” me një vajzë duheshte patjetër të fejoheshe dhe martoheshe me të! “Unë kur njoftohem me ndonjë vajzë – më thoshte – e pyes sa vëllezër ka. Pastaj, varësisht nga përgjigjja, vendos ç’të bëj, të vazhdoj me të apo të heq dorë…”. Unë e dëgjoja dhe qeshja. “S’ke faj – i thosha – se të zë belaja!”… Selimi u martua me një vajzë nga Prishtina (nuk e di me sa vëllezër), jetoi me të deri në fund të jetës dhe la pas dy fëmijë.
Punoi në Teatrin Popullor Krahinor të Kosovës, si quhej atëherë (sot: Teatri Kombëtar), ku luajti role të ndryshme në shfaqje si “Feniksi i shpejtë” të shkrimtarit anglez Kristofer Frej, “Mbreti Edip” të Sofokliut, “Ushtari i mirë Shvejk” të Hashekut, “Kaligula” të Kamysë, “Njeriu i mirë nga Seçuani” të Brehtit, në komedinë “Miza në vesh” të Zhorzh Fejdosë etj. Nga autorët shqiptarë ai luajti në “Tri ditët e kiametit” të Luan Qafëzezit, “Perkolgjinajt” e Kolë Jakovës, “Njerëzit me shpresa të thyera” të Shaip Grabovcit, “Hotel Kashta” të Ymer Shkrelit etj. Publiku e mirëpriti dhe e duatrokiti, kurse kritika teatrore e vlerësoi për fizionominë e tij të veçantë si aktor, për diksionin e pastër, natyrshmërinë e lojës etj. Sikurse disa nga kolegët e tij të skenës, Xhevat e Leze Qena, Adem Mikullovci e ndonjë tjetër, kishte shumë afinitet për rolet komike, por i interpretonte me sukses edhe rolet dramatike, ndërkohë që vetë pati fund tragjik.
Kolegët e tij të gjeneratës, Safete Rogova, Afrim Kasapolli, Jusuf Selmani, Igballe Gjurkaj e të tjerë, pohojnë se punonte shumë dhe mishërohej me rolet që interpretonte.
Nga të gjitha shfaqjet ku luajti Selimi, mua më kujtohet më së shumti “Duke pritur Godonë”. Shkrimtari francez me origjinë irlandeze Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1907-1989) bëri bujë me këtë tekst avangard në Evropë dhe në botë. Thuhet se Beketi e shkroi këtë dramë pasi një kloshar e goditi me thikë në metronë e Parisit. Veprimi i tij absurd e shtyu ta shkruante këtë vepër, që ka në themel absurdin si koncept filozofik dhe që kritikët e quajtën “antidramë”. Ndërkaq, dramaturgjia që promovonte kjo vepër u quajt “teatër i absurdit”. Personazhe të saj janë dy klosharë me emrat Vladimir dhe Estragon, të cilët, në një rrugë të shkretë, pranë një druri, presin dikë që nuk vjen dot: Godonë. (Në rrënjë të fjalës, siç mund të shihet, është fjala anglisht God, që do të thotë Zot). Në Prishtinë kjo vepër u vu në skenë në vitin 1970 dhe një nga rolet, ai i Djaloshit, iu besua Selim Ramadanit. Dy rolet kryesore, atë të Vladimirit dhe Estragonit, i luanin Shani Pallaska dhe Adem Mikullovci. Roli i Selimit ishte episodik, por mbeti në kujtesë si një rol i veçantë.
Për mua bashkëvendësin e Selimit (në kuptimin e gjerë të fjalës), ky rol ka mbetur i paharruar edhe për një arsye tjetër. Ma ka rrëfyer vetë Selimi një ngjarje, sa qesharake, po aq edhe serioze, që s’më është shlyer nga kujtesa as sot e kësaj dite. Lidhet, natyrisht, me këtë shfaqje.
I vjen babai në vizitë në Prishtinë dhe Selimi, meqenëse atë natë kishte shfaqje, e merr në Teatër. Asaj mbrëmjeje në repertor ishte Godoja. Shfaqja shkon mirë, por pas saj ndodh diçka e papritur. Selimi e rrëfente bukur. Pas shfaqjes, më thoshte, babai s’më fliste me gojë. Ishte shumë i dëshpëruar. “Ç’ke, babë?” – e pyeta dikur. – “Si ç’kam?!” – m’u përgjigj. – “Unë e kom çu djalin n’shkollë me u veshë me tesha kat dhe me k’pucë t’zeza si zotni, e jo me ma tërheq dikush për kërpeshi!”.
(Te Godoja ka një skenë ku Djaloshin, rolin e të cilit e luante Selimi, e tërheqin me litar).
Kjo skenë, sigurisht, nuk i kishte pëlqyer babait të Selimit, madje e kishte mërzitur fort.
Nuk kishte faj burri nga Tetova! Prindërit tanë, që na kishin dërguar në shkollë të madhe, në fakultet, dëshironin të na shihnin ne bijtë e tyre të veshur si “zotnij”, me kostum e kravatë, e jo me litar në qafë, qoftë edhe në skenë.
Ky ishte koncepti i baballarëve tanë për jetën, ndërsa ne bijtë e tyre dëshironim të ecnim në hap me kohën, të lexonim e luanim edhe Sartrin, Kamynë, Beketin, natyrisht pa e mohuar traditën dhe foklorin.
Po të luante Selimi, fjala vjen, te “Halili dhe Hajrija” e Kolës (Jakovës) ose te “Halit Gashi“ i Xhemil Dodës, babai i tij nuk do të reagonte asisoj. Përkundrazi, do të dilte i kënaqur dhe krenar nga salla e teatrit. E nga ta dinte babai i gjorë, bujk me shat në dorë, që për herë të parë shkonte në teatër, se teatri është si vetë jeta dhe se ata që dalin në skenë duhet t’i luajnë të gjitha rolet: nga mbreti e perandori gjer te lypësi e hamalli!
Do të ishte nder që Teatri i Tetovës të quhej: TEATRI “SELIM RAMADANI”
Selim Ramadani, krahas aktrimit, që ishte vokacioni i tij kryesor, u mor edhe me krijimtari letrare. Shkroi e botoi vjersha, tregime, tekste dramatike etj., të cilat, tok me shkrimet e lëna në dorëshkrim, u përmblodhën, sado me vonesë, në një libër, në librin me titull “Një melodi e këputur” (2024), për botimin e të cilit u kujdes familja e të ndjerit dhe posaçërisht e motra, Hasija. (Dikur Selimi qe kujdesur për shkollimin e saj).
Qysh si nxënës dhe student, Selimi botoi shkrime të ndryshme në gazetat dhe revistat shqipe që dilnin në Shkup dhe në Prishtinë; mori edhe ndonjë shpërblim në ndonjë konkurs letrar anonim, por vlen të theksohet në mënyrë të veçantë bashkëpunimi me revistën më prestigjioze letrare në gjuhën shqipe “Jeta e re”. Në librin “Bibliografia e ‘Jetës së re”, vëllimi I dhe II, gjenden gjashtë njësi bibliografike: poezi të Selim Ramadanit të botuara në vitet 1965, 1966, 1967,1969. Kryeredaktori shumëvjeçar i “Jetës së re”, bardi i poezisë shqipe të këtij krahu, Esad Mekuli, të cilin ne e thërrisnim “basa Esat”, i mbështeste të rinjtë e talentuar nga të gjitha viset shqiptare.
Selim Ramadani vdiq i ri, 30 vjeç, mu atëherë kur fillon pjekuria e vërtetë. Jeta e tij është, si thuhet në librin postum, “melodi e këputur”, por melodi që la pas tinguj që vazhdojnë të jehojnë. Selimi ishte artist në skenë dhe poet në shkrime, por mbi të gjitha njeri që la mbresa e kujtime të paharruara te të gjithë ata që e kanë njohur, që kanë punuar e bashkëpunuar me të ose, thjesht, që janë shoqëruar me të, qoftë edhe një kohë të shkurtër.
Vendlindja e tij, Tetova, por edhe shoqëria shqiptare në Maqedoni në përgjithësi, i ka borxh Selim Ramadanit. Është koha e fundit që ky borxh të lahet.
Tani që Tetova është bërë qendër jo vetëm politike, por edhe kulturore e arsimore dhe që ka një teatër profesionist, ky institucion duhet të pagëzohet me emrin e Selim Ramadanit. Do të ishte nder që Teatri i Tetovës të quhet: TEATRI “SELIM RAMADANI”
Prishtinë, 7 dhjetor 2025


