KUVENDIN II i STUDIMEVE ARBËRESHE, organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, zhvilluar në datat 4 dhe 5 shtator 2023 në Tiranë.
Flitet për mbijetesë të arbërishtes në KUVENDIN II TË STUDIMEVE ARBËRESHE, organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, zhvilluar në datat 4 dhe 5 shtator 2023 në Tiranë. Zgjedhja e kësaj tematike nuk ishte rastësore; kjo çështje kaq nevralgjike e identitetit arbëresh siç është gjuha dhe vitaliteti i saj, ka përbërë fokusin e punës së institutcionit të QSPA-së në këto tri vite funksionim të saj. Ndaj edhe tematika e përzgjedhur për këtë Kuvend vinte natyrshëm pas Kuvendit të I të Studimeve Arbëreshe në shtator të 2021, pas konferencave dhe veprimtarive të ndryshme më specifike mbi këtë argument, përfshirë edhe vizitat zyrtare në komunat arbëreshe nga studiuesit dhe nga titullari i Qendrës. Për këtë arsye, u pa e udhës që kësaj here të bëheshin bashkë aktorët kryesorë që luajnë një rol jetik për rivitalizimin e arbërishtes, konkretisht: studiues të komunitetit ndërkombëtar që janë marrë dhe vijojnë të merren me gjuhët e rrezikuara, me arbërishten në veçanti; aktorët politikë, do me thënë kryetarë komunash arbëreshe, këshilltarë të këshillave bashkiakë të këtyre komunave dhe, grupi i tretë i përbërë nga studiues arbëreshë, mësues të arbërishtes, drejtues revistash dhe sportelesh gjuhësore, aktivistë të kauzës arbëreshe të cilët e kanë shndërruar këtë kauzë në dimensionin thelbësor të jetës së tyre.
Nga studimet e bëra në dhjetëvjeçarët e fundit, studiuesit kanë konstatuar një përshpejtim të jashtëzakonshëm të humbjes së gjuhëve të pakicave gjuhësore historike, e cila parashikohet që brenda 2100 të shkojë në shuarjen e zhdukjen deri në 50 e l’80% të idiomave të folura në botë. Ndaj kësaj situate botërore ku, fatkeqësisht, përfshihet edhe arbërishtja, një numër gjithnjë e më i madh institucionesh kërkimore shkencore gjuhësore, po reagojnë me krijimin e rrjeteve ndërkombëtare si dhe të veprimtarive të përbashkëta. Edhe UNESCO ka dëshmuar vëmendjen e saj të veçantë; në Atlasin e gjuhëve në proces zhdukjeje ku arbërishtja përcaktohet si “gjuhë përfundimisht në rrezik”.
Edhe Këshilli i Evropës ka dëshmuar të njëjtën ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të ngritura nga komuniteti shkencor ndërkombëtar duke miratuar në 1998 Kartën Evropiane të gjuhëve minoritare e rajonale, së bashku me Marrëveshjen Kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare. (Carta Europea delle Lingue Minoritarie e Regionali [1], bashkë me L’Accordo Quadro per la Protezione delle Minoranze Nazionali [2].)
Italia ka sanksionuar statusin e ruajtjes së pakicave gjuhësore të saj, përfshirë edhe arbërishten, që në 1999, me Ligjin 482. Por, nga ajo kohë, zbatimi i këtij ligji ka hasur vështirësi, falë shumë faktorëve. Duhet theksuar fakti që Ligji në fjalë po aq sa politikat rajonale italiane ku ndodhen ngulimet arbëreshe, është një çështje që juridikisht i përket shtetit italian e, kësisoj, ajo që shtetit shqiptar i mbetet të bëjë është mbështetja politike e studimore e mëtejshme. Në këtë këndvështrim e në këtë frymë u ndërtua përmbajtja e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore. Ngritja e politikave gjuhësore të propozuara nga studiuesit në Itali nga njëra anë, por edhe diskutimi i këtij problemi edhe në komunitetin shkencor në Shqipëri, ka pasur pak rezonancë. Ndaj ky Kuvend synoi që, edhe në vijim të gjithë punës në këtë hulli që Qendra Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët ka bërë deri më tani, të zhvillonte diskutimin nga njëra anë me një bazë të gjerë studimore, por nga ana tjetër edhe në nivel strategjik duke bërë bashkë aktorët kryesorë politikë, teknikë e studimorë, nga bota po aq sa nga vetë arbëreshët. Impakti që parashikonim apo që Shpresonim të kishim në përfundim të këtij Kuvendi,është që aktorët e interesuar – komunitetet arbëreshe, institucionet italiane, kërkuesit shkencorë lokalë e të huaj, institucionet politike e akademike – të mund të vlerësojnë të dhënat dhe rezultatet duke i përfshirë në një koordinim tashmë ndërshtetëror. Natyrshëm që përfundimet që dolën nga ky Kuvend dyditor, do t’u serviren institucioneve tona politikbërëse për të shërbyer, eventualisht, si një platformë për strategjitë e politikat e shtetit shqiptar ndaj diasporës së saj të vjetër historike.
Objektivi i këtij Kuvendi ishin çështjet që lidheshin me:
Ekspozimin e shqetësimeve të linguistëve në nivel evropian e ndërkombëtar në lidhje me kërcënimin real të gjuhëve të pakicave historike e të diasporave, duke sjellë përvojat analoge të tyre në menaxhimin e situatave të ngjashme me atë të arbërishtes;
Problemet e paraqitura ndër dhjetëvjeçarë nga vetë komunitetet arbëreshe në lidhje me rrezikshmërinë që arbërishtja nëse nuk mësohet në shkolla, mund të shkojë drejt zhdukjes;
Diskutimin për koordinimin e të gjthë aktorëve të përfshirë në këtë kauzë, si ata politikë, po aq edhe ata të mësimdhënies duke marrë kësisoj një panoramë të qartë të kompetencave të secilit syresh, si dhe të rolit të shtetit shqiptar në këtë çështje;
Nevojën nga ana e institucioneve të kërkimit në Shqipëri dhe trevat shqipfolëse për të koordinuar dhe ndërtuar një bashkëpunim real me institucionet evropiane dhe ndërkombëtare në favor të mbrojtjes së kësaj gjuhe.
Cilët ishin studiuesit ndërkombëtarë e arbëreshë që thanë fjalën e tyre kompetente në këto dy ditë dhe cilat ishin argumentet që trajtuan? Harta gjeografike, e thënë kështu, ishte e gjerë dhe e larmishme duke filluar nga studiuesi Salem Mezhoud (Federation of Endangered Languages) Londër, me “Sfidat për gjuhët e rrezikuara në ditët e sotme”, me Eda Derhemin, University of Illinois, USA, me“Gjuha e zemrës” ka nevojë për një zemër që rreh – rasti i arbërishtes në shekullin e 21-të”, me Christopher Moseley, SSEES – University College London, me “Korniza për vlerësimin e niveleve të rrezikshmërisë – çështje dhe sfida”, me Cor Van Der Meer (Mercator European Research Centre, Fryske Academy, Netherlands), me “Aktivitetet e Qendrës Kërkimore Evropiane Mercator dhe rasti i frizishtes”, Vera Ferreira (The Endangered Languages Archive (ELAR), me “Nga dokumentimi gjuhësor tek rivitalizimi: raste në kontekstin evropian”, Claudia Soria (CNR, Institute for Computational Linguistics ), Itali, me “Një e ardhme dixhitale për arbërishten”, Carmela Perta, Università degli studi G.D’Annunzio Chieti Pescara, me “Shtrirja e arbëreshëve në Molise nga një këndvështrim diakronik”, Christian Voss (Humboldt-Universität zu Berlin), me “Kur strategjitë e rigjallërimit nga poshtë-lart takohen me ato nga lart-poshtë”, Damiano Guagliardi, President i Fedrazione delle Associazioni Arbëresh (FAA) Kalabri, me “Zbatimi i ligjit 482, ndikimi i tij: mbështetja e dëshirueshme institucionale”, David Bradley, La Trobe University, Australia, me “Politika gjuhësore dhe planifikimi gjuhësor për zhvillim kombëtar: shembuj aziatike”, Demetrio Crucitti (già Direttore RAI) Calabria, me “Prania e arbëreshëve në mediat publike dhe private, krijimi dhe transmetimi i programeve televizive kushtuar arbëreshëve dhe krijimi produktiv i zinxhirit të furnizimit”, Federico Gobbo, University of Amsterdam, me “Çështje të hapura të kontestimit gjuhësor në Itali – Gjuhët rajonale dhe minoritare në Itali si gjuhë të kontestuara”, Edmond Cane, QSPA, Tiranë, me “Përcaktimi i niveleve të përdorimit të arbërishtes, transmetimi i saj ndër breza, prioritizimi i faktorëve, si parakushte për politikat gjuhësore”, Francesco Perri, Vaccarrizzo, Cosenza, me “Tendencat demografike në komunat arbëreshe në Itali”, Fernanda Pugliese, Coordinatore Sportelli Linguistici, Arbereshe e Croato, Direttore Editoriale Rivista Kamastra e Videonotiziario, me “Gjuha arbëreshe në bashkësitë arbëreshe të Molise-s. Gjendja aktuale”, Ambrogio Bellizzi, Mësues arbëresh, Firmo, Cosenza, me “Mësimdhënia në arbërisht – kurset ekstrakurrikulare”, Noè Andreano, Kryetar bashkie Casalvecchio (Qefti), Itali, me ndërhyrjen e tij on line mbi politikat e ndjekura nga komuna e tij në lidhje me kurset extrakurrikulare të arbërishtes, Ilaria Licursi, Këshilltare e Këshillit Bashkiak të komunës arbëreshe San Martino di Finita në provincën e Kozencës, Carmine Stamile, mësuesi 90 vjeçar nga komuna Shën Japku, Cerzetto (Cosenza), me një sintezë shumë të vyer prej dëshmitari e protagonisti të rrugëtimit të të mësuarit të arbërishtes e të të shkruarit të librave për të nxënë arbërishten, e plot të tjerë.
Duke e parë Kuvendin nga largësia e disa ditëve, duke u nisur edhe nga mail e letrat përgëzuese të dërguara stafit të Qendrës dhe titullarit në veçanti mbi ecurinë dhe mënyrën efikase (të shkëlqyer, madje, cilësohej), por edhe duke respektuar thënien e mençur “Lëre gjykimin të ftohet”, mund të shprehemi se Kuvendi ishte jo thjesht një tubim i çmuar për synimin për të cilin u organizua, por mbi të gjitha për kumtet, debatet konstruktive që solli e për përfundimet që nxori. Më i rëndësishmi është ai i të qenurit në një mendje të të gjithë aktorëve pjesëmarrës “me duar në brumë” prej një jete, se arbërishtja është në fazën e mbijetesës, të një gjuhe tashmë të rrezikuar; se ndërhyrjet nga të gjitha anët duhet të jenë urgjente e me përfshirjen e paanshme të të gjitha forcave kryesore të kësaj çështjeje, pra politikanë, studiues, komunitet shkencor ndërkombëtar, aktivistë dhe, me mbështetjen e shtysën e shtetit shqiptar. Ajo që mbase më shumë na entuziasmoi dhe na bëri shpresëplotë si Qendër, ishte inkurajimi dhe ftesa e hapur e komuniteteve arbëreshe që mos ta ngadalësojmë hapin për asnjë arsye, për asnjë pengesë që na është shfaqur e që vijon të na rrijë mbi kokë, që mbështetja e tyre ndaj punës së qendrës është e paanë, se komuniteti shkencor evropian e jo na ka hapur dyert për bashkëpunim me propozime konkrete.
[1] https://www.coe.int/en/web/european-charter-regional-or-minority-languages
[2] https://www.coe.int/en/web/minorities/home