More
    KreuHistoriProf. As. Dr. Zhuljeta Kadilli: Kongresi i Elbasanit në 115-vjetorin e tij

    Prof. As. Dr. Zhuljeta Kadilli: Kongresi i Elbasanit në 115-vjetorin e tij

    Këtë dy shtator, populli i Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë përkujtoi 115 vjetorin e Kongresit të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit është një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e vendit, për gjuhën e shkollën shqipe. Ka 115 vite që flitet e shkruhet për këtë Kongres, por, pse u mbajt në Elbasan ky kongres?

    Gjatë kohës që njihesha me historinë dhe dokumentacionin për qytetin e Elbasanit, për zhvillimin ekonomik, social, kulturor, arsimor etj., u përfshiva tërësish dhe emocionalisht në to. Këto njohuri, dhe veçanërisht emocioni, më mundësuan një këndvështrim të caktuar të vlerësimit të elementëve që kishin formuar dhe përvijuar  traditën në qytetin e Elbasanit. 

    Metodologjia e punës ishte kërkimi i dokumentacionit në arkivë apo në qytet, në muze apo terren, e cila sigurisht do të më lejonte të gjeja fakte dhe dukuri. Gjetja e fakteve do të mundësonte edhe interpretimin e tyre, e për pasojë do të dilte në pah edhe tradita e krijuar në shekuj. Kërkimi dhe nxjerrja në pah e një tradite mund të mos krijojë hapësira në interpretimin e fakteve, dukurive, ngjarjeve (pasi ato mund të jenë të sukseshme edhe kur mungon tradita), por ama, kur tradita ekziston na ndihmon në zgjidhjen e problemeve të studimit dhe  interpretimit të fakteve. 

    Nuk është e rastësishme mbajtja e Kongresit të arsimit në Elbasan. Janë disa faktorë që kanë ndikuar  dhe vepruar,  qoftë në kontekstin kohor, hapësinor, kulturor, politik, ekonomik etj., apo sidomos dhe prania e elitës intelektuale.

    Fillimi i shekullit XX e gjen Elbasanin të pasur me mjaft ngjarje e dukuri, të cilat nuk është e nevojshme të lidhen me njera-tjetrën, pasi ato edhe vetë kanë një përmbajtje mjaft interesante dhe që të lejon të arrish në interpretime e përfundime. Në mënyrë të veçantë, periudha nga fundi i shekullit XIX deri në 1912 në Elbasan e në gjithë Shqipërinë është e mbushur me mjaft ngjarje e dukuri, sidomos në drejtim të përpjekjeve për gjuhën dhe arsimin shqip.

    Ajo që duhet të theksojmë lidhet me faktin se, jo vetëm kemi dukuri dhe ngjarje në fusha të ndryshme të jetës, në ekonomi, kulturë, art etj, të cilat plotësoheshin dhe pasuroheshin kohë pas kohe, por edhe ishin mjaft veprues e funksionalë. Në këtë mënyrë krijohet tradita pozitive, e cila më shumë se kushdo ndikoi dhe ndihmoi pozitivisht në ngjarjet e mëdha të kohës me dimension kombëtar.

    Është e rëndësishme të trgojmë se në Elbasan ishte krijuar gjithashtu elita e shoqërisë, e cila do të jetë në pararojë të zhvillimeve politike e më gjerë. Por ç’janë elitat?

    Kuptimi për elitat shpjegohet me faktin se ato përfaqësojnë ajkën e një shoqërie, bashkësie, klase, grupi, profesioni etj., që rezultojnë me ndikim  në rrjedhat e zhvillimit shoqëror, politik, ekonomik dhe kulturor. Ndërsa  këndvështrimi  politik  dhe  sociologjik afirmon përcaktimin se ato rrjedhin nga shtresa sociale, që përbëhen nga njerëzit me autoritet dhe ndikim, të cilët ndodhen në pozita të rëndësishme politike, ekonomike, administrative, shtetërore etj. Përmbajtjen e konceptit elitë e shoqërisë e ka dhënë mjaft mirë të argumentuar studiuesi, albanologu, diplomati i njohur shqiptar Mid’hat bej Frashëri. Ai vetë ka qenë pjesë e elitës shqiptare.

    Sipas Mid’hat Frashërit elitat thuhen njerëz të zgjedhur, por të zgjedhur jo prej ndokujt. Më mirë t’u themi të shquar, me një cilësi që na duket më e madhe, më e bukur, më e dobishme se e të tjerëve. Persona të tillë tërheqin respekt, kanë një influencë morale që na detyron t’u bindemi me bindje morale e vullnetare. Ata imponohen shpirtërisht, bëhen udhëheqës se janë si një fener, si një yll, si një dritë që na rrëfen udhën. Ndër ata gjejmë një thesar dëshirash dhe aspiratash dhe ideali dhe prirjet e tyre na duket sikur janë tonat. Ndër ata kthejmë sytë kur kemi nevojë dhe kërkojmë ndihmë. Por, edhe kur s’kemi nevojë, kurdoherë ngrejmë vështrimin drejt tyre – ata imponohen vetë, na janë pranë: fryma dhe afshi i tyre na prijnë, na ngrohin, na tregojnë shtegun, pa e ndjerë ne, pa e parë. Ai veprim formon fuqinë, bën rojtjen tonë të vërtetë. Elita, jo vetëm përfaqëson  pjesën më të vlefshme të një kombi, por është udhëheqëse e shoqërisë për ide, për gjykim, për estetikë, për jetën kolektive dhe tendenca historike, për besim dhe filozofi.

    Në Elbasan kishte një elitë, e cila vinte nga familjet e pasura dhe me ndikim në shoqëri. Kjo elitë nuk ishte e formuar në kohë të shkurtër, historia e saj ishte e gjatë dhe e investuar në të. Në se i referohemi dokumenteve historike për këto familje i gjejmë referencat që në shek. XV. Mjafton të përmëndim këtu Biçakçinjtë apo Vërlacët, të cilët titujt e beut dhe pashait i kishin marrë që gjatë shek. XV-XVI. Pra, është e gjatë koha e udhëtimit të këtyre familjeve në ngjarjet historike dhe pjesëmarrjes së tyre në to.

    Krahas ekzistencës së elitës në Elbasan, gjejmë të krijuar edhe një mjedis intelektual, i cili ishte prezent dhe mbizotërues në sajë të ideve të qarta të vetë elitës intelektuale. Idetë e intelektualëve nuk mbeteshin pronë vetjake apo e një grupi të caktuar, por ato parashtroheshin në mjedisin qytetar e rezononin më gjerë. Këto ide bëheshin pronë e grupit, merrnin formën e anonimatit dhe vepronin kudo. Intelektualizmi tashmë bëhej i të tërëve. Mendojmë që, gjithsesi edhe kjo traditë ishte një faktor i rëndësishëm që ndikoi për garancitë e suksesit të mbajtjes së këtij Kongresi në Elbasan.

     Përvoja e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare deri në fillim të shekullit XX kishte treguar se pa përmbysjen e regjimit autokratik të sulltanit nuk mund të largohej rreziku i copëtimit të vendit dhe të krijoheshin kushte për autonominë e tij. Për këtë arsye mjaft intelektualë hynë në bashkëpunim me lëvizjen nacionale-borgjeze të turqve të Rinj, e cila drejtohej kundër regjimit absolut të sultan Abdyl Hamitit.

    Shqiptarët panë shpresa tek ky bashkëpunim dhe morën pjesë në këtë revolucion, elbasanasit ishin veçanërisht pjesëmarrës në të. Sigurisht shqiptarët morën pjesë në revolucion duke bërë kërkesat dhe vendosur kushtet e tyre. Përfundimi qe shpallja e Kushtetutës së Turqve të rinj më 24 korrik 1908. Shqiptarët besuan se me shpalljen e kushtetutës shqiptarëve do u siguroheshin liritë e premtuara, por kjo nuk ndodhi. Xhonturqit nxirrnin pengesa në çdo moment. Veçse shqiptarët nuk i ndalën përpjekjet në asnjë moment, shfrytëzuan të gjitha mundësitë që u ofruan xhonturqit, sado të vogla që ishin. Filluan punën për gjuhën e shkollën shqipe. U ngritën klube kulturore në shumë qytete, midis të cilëve përmendim klubin “Bashkimi” në Elbasan. Klubet ishin organizata të gjera demokratike, të cilat përfshinin në gjirin e tyre përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë, intelektualë, nëpunës, përfaqësues të Familjeve të Mëdha, bejlero-çifligare etj. Këto klube përfshinin në gjirin e tyre të gjitha rrymat politike të Lëvizjes Kombëtare, si atdhetarët me pikëpamje radikale, ashtu edhe të moderuarit, kurse në krye ishin intelektualët e shquar për atdhedashuri. Themelimi i klubit “Bashkimi” në Elbasan u arrit pas një konflikti midis atdhetarëve shqiptarë dhe xhonturqve. Pas hapjes menjëherë filluan veprimtarinë për çeljen e shkollave, për të cilat në fakt nuk jepej asnjë ndihmë monetare nga qeveria turke. Në Elbasan këto shkolla që po hapeshin kishin ndihmën dhe përkrahjen materiale të popullsisë. Madje në Elbasan u krijua një fond për mbajtjen e shkollave shqipe.

    Ky është një fakt sinjifikativ që tregon për mbështetjen e shkollës nga populli, dhe dashurinë për dijen që ata kishin. Tek shkolla shihnin përparimin.

    Fillimi i shekullit XX do të shënonte për Elbasanin protagonizëm në një sërë ngjarjesh të rëndësishme, të cilat do të ndikonin në rrjedhat e historisë sonë Kombëtare. Por, njëkohësisht do të përbënte edhe hapjen e një faqeje të re në historinë e tij, që ishte shumëshekullore, bile në këto shekuj, me kulme dhe kuota të larta zhvillimi në sferën ekonomike, diturisë dhe të kulturës.

    Disa nga ngjarjet e rëndësishme që mundësuan mbajtjen e Kongresit të Elbasanit lidhen në tërësinë e tyre me njëra tjerën për nga fryma dhe problematikat që shtruan.

    Ngjarje me rëndësi kombëtare vazhduan në vendin tonë, si Kongresi i Manastirit, Kongresi i Dibrës, të cilët me vendimet e tyre ndikuan në zhvillimet arsimore në vendin tonë. Mesazhet që vinë nga këto ngjarje e të tjera nga e kaluara, në momente të caktuara të përvijimit të politikave të zhvillimit mund të jenë të vlefshme jo vetëm për vlerat që sjellin, por, sidomos, për nxitjet që shkaktojnë për reflektim, për thellim apo për korigjim dhe rikonceptim.

    Në historinë e kombit tonë, Elbasanit i takon të luajë rolin e protagonistit në një moment të caktuar. Për më tepër ky protagonizëm është i spikatur në fushën e arsimit, dijes, shkencës. I tillë ishte edhe fillimi i shekullit XX me Kongresin e Elbasanit dhe Normalen. Patriotët, mendimtarët, intelektualët me Kongresin dhe shkollën Normale, ditwn tw kapin kohwn e humbur.

    Kongresi i Elbasanit u mbajt mnë periudhën 2 – 9 shtator të vitit 1909.

    Duke kujtuar Kongresin  nuk mund të mos kujtojmë më së paku përfaqësuesit e Elbasanit në të si, Dervish bej Biçaku, Ahmet Dakli, Simon Shuteriqi, Dhimitër Buda, Emin Haxhiademi, Josif Haxhimima, dhe më së shumti entuziazmin me të cilin e priti populli i Elbasanit këtë ngjarje dhe sidomos vendimet e tij. Në Kongres morën pjesë 35 delegatë, përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare të qyteteve të tilla të Shqipërisë si, Tirana, Durrësi, Dibra, Shkupi, Manastiri, Gjirokastra, Berati, Leskoviku, Përmeti, Ohri, Struga, Janina, Filati, Selaniku etj. Përfaqësuesit e këtyre qyteteve ishin, Mit’hat Frashëri, Gjergj Qiriazi, Orhan Pojani, Idhomenë Kosturi, Andrea Konomi, Thoma Papapano, Qemal Karaosmani, Kahreman Vrioni, Dom Nikoll Kaçorrin, Mihal Savan, Refik Toptani, Ahmed Dakli, Irfan Ohri etj.

    Sigurisht vendimet që mori Kongresi kanë rëndësi të madhe për të dhe kohën kur u morën. Janë pikërisht këto vendime që e bëjnë kaq të rëndësishëm këtë kongres.

    Akti themelor i Kongresit të Elbasanit ishin vendimet ose, siç u quajt ndryshe rezoluta prej 15 nenesh, që u miratua dhe u nënshkrua nga të gjithë delegatët. Një nga vendimet më të rëndësishme ishte çelja e shkollës“Normale” (pedagogjike). Kongresi vendosi që të krijohej në Korçë Shoqëria qendrore shkollore “Përparimi”. Sipas statutit të saj të veçantë ajo do të quhej Shoqëria e mësonjëtoreve shqipe “Përparimi” dhe do të kishte për detyrë të kujdesej për mbajtjen dhe administrimin e Shkollës Normale të Elbasanit dhe për hapjen e shkollave të tjera shqipe dhe për botimin e librave të nevojshëm. Në krye të kësaj shoqërie u vendos Orhan bej Pojani, i cili ka njw kontribut tw madh gjatw Rilindjes Kombwtare.

    Patriotët, intelektualët e fillim shekullit XX, duke themeluar në Elbasan një shkollë “Normale”, kuptuan kërkesat e kohës, kapën mesazhet dhe vlerësuan “lajmëtarët” e së ardhmes, që ishin mësuesit e gjuhës shqipe. Në këtë aspekt ata përdorën traditën në funksion të së ardhmes. Në kongres u miratua edhe një rregullore e veçantë e shkollës “Normale”, e cila kishte rëndësi, sidomos për të vënë shkollat shqipe nën një drejtim unik e të përqendruar në shkallë kombëtare. 

    Nga literatura e konsultuar mësojmë për entuziazmin me të cilin e priti populli i Elbasanit këtë ngjarje. Entuziazmi shfaqet kur e dëshiron, e ndjen dhe e vlerëson ngjarjen dhe kjo ka rëndësi të madhe, pasi siguron mbështetje. Ja si shprehet një pjesëmarrës për fillimin e Kongresit dhe entuziazmin për të:

     “Elbasani është në festë. Sot mbërrijnë delegatët nga të gjitha anët e Shqipërisë ndërsa nesër priten përfaqësuesit e qyteteve më të largëta. Në selinë e kryetarit të Kongresit, Dervish beut, ka  ecejake të pareshtura. Aty banorët e Elbasanit flasin e diskutojnë.  Bashkëbisedojnë  për  ditën e madhe që po afron. Gjithë Shqipëria është atje dhe tani aty luhet fati i një populli”.

    Në kongres ka delegatë vetëm nga klubet shqiptare ekzistuese, por këto klube janë mburoja e nacionalizmit shqiptar. Ata janë krijuar nga bejlerët dhe janë nën ndikimin e tyre. Sot, bejlerët, besojnë se arsimi do të jetë rigjallëruesi i energjive të popullit të tyre.

    Ja si e perceptojnë ata organizimin e tij: “asgjë nuk ekziston, gjithshka duhet bërë, duhet filluar me edukimin e mësuesve. Në Elbasan duhet bërë ngritja e një shkolle “Normale”, e cila do të ishte njëkohësisht edhe pedagogjike për të nxjerrë mësues, por edhe shkollë e mesme. Gjuha e mësimit do të jetë shqipja, si në të gjitha shkollat e fshatrave që do të ngrihen hap pas hapi”.

    Kongresi i Elbasanit dhe veçanërisht hapja e Shkollës “Normale” krijuan një situatë të favorshme për mësimin e gjuhës shqipe në Elbasan. Kongresi i Elbasanit i dha një shtytje të re lëvizjes për shkollën dhe arsimin kombëtar në përgjithësi.

    Kudo shohim përpjekeje dhe entuziazëm për gjuhën shqipe. Patriotët po përdornin gjithshka në favor të mësimit të gjuhës shqipe. Kongres pati një impakt të jshtëzakonshëm në popull. Përfaqësues të popullit të Elbasanit nuk vonojnë t’i kërkojnë Sulltanit leje për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.

    “Të sigurtë se gjuha e jonë amëtare për ne do të ishte një garanti e lehtësimit të pajisjes me dijtuni, patëm kërkue nga qeverija lejen me hapë shkolla private ku mësimet të jepeshin në gjuhën shqipe. Mirëpo deri më sot nuk arrijtëm të realizojmë këtë dëshirë. Na do të përpiqemi  prapë për këtë qëllim dhe do të marrim gjithnjë iniciativën me hapë shkolla private. Për këtë gjë nëpunësit e lartë qeveritarë duhet të mbajnë një qëndrim të paanshëm dhe të lehtësojnë me sa të jetë e mundur, realizimin e këtij qëllimi, tue na ndihmue në këtë rasë. Madhnija e juaj në mëshirën e tij të pakufi do të dojë me na ndigjue këtë lutje”.

    Përmbajtja e kësaj letre na tregon se, populli e do shkollën dhe arsimin, madje është i gatshëm ta mbajë vetë materialisht. Edhe pse shteti nguron të hapë shkolla ai lutet të hapë shkolla private, mjafton që nxënësit të mësojnë shqip. Gjithashtu na tregon një dimesion të madh njerëzor dhe arsimdashës  të popullit të thjeshtë.

    Kemi mjaftueshëm raste në Elbasan, ku ndjenja e qytetarisë dhe bamirësisë bashkohen dhe drejtohen drejt institucioneve të dijes e kulturës. Pas Kongresit të Elbasanit dhe në periudhën midis dy luftrave botërore  nga  Elbasani  dolën disa prej filantropëve  më të shquar në Shqipëri.  Elbasani ishte qendër e zhvilluar tregtare dhe zejtare, në pozicion kyç, në qendër të Shqipërisë, gjatë rrjedhës së lumit Shkumbin. Ai ishte në mes të rrugëve tregtare që lidhnin jugun me veriun dhe lindjen me perëndimin. Në Elbasan përgjatë fillimite të shekullit XIX si rezultat i zhvillimit të tregtisë me vendet e huaja u fuqizua një klasë tregtarësh të krishterë dhe myslimane, të cilët qenë të ndjeshëm dhe të hapur ndaj ndryshimeve, që vinin nga brenda dhe jashtë vendit.  Këtu duhet të theksojmë se në Elbasan është zhvilluar një lëvizje e fuqishme arsimore kulturore gjatë kësaj periudhe.

    Pra, popullsia dhe shtresat e pasura ishin të prirura drejt ndryshimit. Të gjitha këto do të ndikonin edhe në aspekte të filantropisë apo bamirësisë.

    Në Elbasan spikat emri i Ali Adil Agjah Bej Biçakçiut që është mirëbërës i madh në Elbasan. Pjesëmarrës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare ai me testament ia dhuroi gjithë pasurinë e tij  arsimit kombëtar duke nxitur edhe trashëgimitarët e tij që të hiqnin dorë nga pasuria në emër të këtij qëllimi. Ky është rast i parë dhe i fundit i filantropisë në përmasa të tilla. Është i pari rast kur një shqiptar ja kushton gjithë pasurinë e tij arsimit dhe i pari rast kur e gjithë pasuria lihet për arsimin kombëtar.

    Edhe një rast tjetër tregon se, një bej elbasanas, Shukri Sulçebeu, ka lënë me testament një shtëpi të madhe, që të përdoret si ndërtesë për shkollë shqipe.

    Këta shembuj marrin rëndësi edhe më të veçantë po të kemi parasysh se këto persona vinin nga shtresa e bejlerëve.

    Elbasani dëshmoi qartë në historinë e atyre ditëve të Kongresit dhe pas tij, se është drejtuar mrekullisht nga arsimi, dija dhe kultura.

    Vlera të tilla të përvijuara në shekuj e bëjnë Elbasanin edhe sot qytetin e dijes, kulturës dhe traditës. Le të shërbejë ky përkujtim i kësaj ngjarjeje të madhe historike si një rikujtim dhe ndërgjegjësim për mbrojtjen e vlerave të këtij kongresi. Kongresi dhe Normalja u kthyen në institucione për Elbasanin. Kongresi i Elbasanit do të kujtohet në shekuj, por e rëndësishme është që të mbahen gjallë mësimet e tij për gjuhën dhe shkollën shqipe. Duke mbrojtur gjuhën mbrojmë idenditetin. Të përpiqemi të gjithë së bashku që shkollën dhe gjuhën shqipe ta vemë në vendin që meriton.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË