ExLibris – sponsor medial i konferencës shkencore ndërkombëtare, “ÇËSHTJE TË GJUHËS, LETËRSISË DHE PËRKTHIMIT LETRAR”.
Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë
Për këtë trajtesë është zgjedhur si objekt vështrimi në rrafshin sintaksor proza e shkrimtarittë njohur nga Kosova, Anton Pashku[1],duke u përqëndruar te përmbledhja me tregime e novela “Kulla”[2]., duke u përqëndruar te përmbledhja me tregime e novela “Kulla”.
Në të gjithë krijimtarinë e tij autori ka përdorur variantin e përparuar të dialektit të gegërishtes, pothuajse njëherësh me prodhimin letrar të Martin Camajt. Pashku është vlerësuar nga kritika letrare dhe prej vitesh ka zënë vend nderi në radhën e prozatorëve më të mirë të letërsisë shqipe, “si krijuesi më i veçantë i prozës bashkëkohore shqipe është konsideruar prej prof. Sabri Hamiti, – krijon modele të veçanta shkrimi në nivelin strukturor dhe gjuhësor.”[3] Prej këtu mësojmë se edhe pas përpjekjeve të autorit për t’i kthyer tregimet në shqipen standarde, më vonë, sado që ai kishte derdhur tepër mund në këtë kthim, ky ndryshim s’mund të bëhej esencial për një vepër letrare, duke krahasuar dy variantet e përftuara të vetë Pashkut.[4]Gjithë ky proces krijues i A.Pashkut është i ngjizur në trashëgiminë shprehjore gege, këmbëngul studiuesi i njohur Hamiti dhe vijon pohimin e prerë se ky lloj kthimi, diku është i mundur e diku jo, sepse sjell demotivimin e gjuhës së veprës letrare, rrafshimin e formave, madje humbjen e koloritit të domosdoshëm për veprat letrare.”[5]
Në mbështetje të argumentit të shprehur prek kohësh nga gjuhëtari dhe stilisti i shquar, prof. Lloshi, se çdo përparim i gegërishtes është pjesë e pasurimit dhe e lëvrimit të kulturës shqipe.[6] i japim edhe përgjigje pyetjes se kush e bën këtë mision më mirë se shkrimtarët. Për ta ndalur punimin tonë rreth veprës së tij letrare, nga botuesit e shkrimtarit[7] mësojmë se Anton Pashku ka krijuar në një hark kohor prej dyzet vjetësh: tregimet, më së pari (1955-1966); ka vijuar me dramën “Sinkopa”, në dy variante shkrimi, novelën “Eklipsi”, romanin e vetëm “Oh” e në fund dramën tjetër “Gof”, 1976. Përgjithësisht, kritika ndaj opusit të plotë të veprës letrare të këtij shkrimtari ka nënvizuar se në të është mbizotëruese kthjelltësia e ideve, lidhjet e natyrshme harmonike të temave e motiveve dhe sidomos shqiptimi i tyre me një gjuhë të kulluar poetike shqipe[8], megjithëseai s’kishte shkruar kurrë në vargje. Vërejmë se jo në pak vende, proza e Anton Pashkut na përafrohet me prozën poetike, thënë ndryshe, me përzgjedhjen e poetizimin e fjalëve e togjeve të tyre, ai ka shprehësinë e poezisë, e cila vjen në indin e tekstit nëpërmjet fjalëve: i etshëm, dritë, qiri, shkrij, të argjendët, ahër, lanun shkret, hark me kordhëz. Do të na mjaftonte një paragraf, i pari i tregimit “Kulla”, nëse e perceptojmë me kërkesat e një leximi shprehës, për të kuptuar se ai mund të kthehet në formatin e vargjeve të lira, sipas tipit të disa poezive të Camajt:
“Dje e varrosëm plakën e tash jam i etshëm; gotën e ujit nuk e shoh në komodinë. S’kam dritë; qiriu asht shkri në shandanin e vogël të argjendët, që e kam gjetë para shumë vjetësh në ahrin e lanun shkret, ku edhe tash gjindet njifarë harku me kordhëz të këputun, që rrin nbi nji grumbull plehu.”
Proza në vargje
“Dje varrosëm plakën
e tash jam i etshëm;
gotën e ujit nuk e shoh në komodinë.
S’kam dritë,
qiriu asht shkri
në shandanin e vogël të argjandët;
që e kam gjetë para shumë vjetësh
në ahrin e lanun shkret,
ku dhe tash gjendet një farë harku
me kordhëz të këputun,
që rrin mbi nji grumbull plehu.”[9]
Ai shpend i natës, i lum
Ai shpend i natës, i lum
e di se asht nën gjethin e milzës
e pret hanën e re. Kur vjen nata zanin ia njeh
i madh e i vogël dhe vajza që lyp fëmij
nëpër barin e kopshtit.
Mbi degën e barit në terr
asht silueta e nji peme të pjekun.
Edhe kanga e tij asht e mungët. Mungar
i të gjitha kohnave shklet mbi rrenoje
monastiresh e pesha e kambës â e lehtë.” [10]
(Camaj)
Për shumë segmente të shkrimtarisë së Pashkut, mund të shprehemi që, nëse nuk na vjen si prozë poetike e vërtetë (krahasuar me modele të tilla të arrira), është krijim me atribute poetike të frazës.
Duke u shkëputur prej kësaj paraqitje të përgjithshme, sa për autorin, aq edhe për vlerësimin e veprës së tij, le të kalojmë në optikën e vështrimit tonë, gjithnjë në rrafshin e sintaksës, pa lënë jashtë ndonjë segment që lidhet me leksikun e prozës së këtij shkrimtari, qëndrimin që mbajnë letrarët ndaj tyre.
Së pari, që në faqet e para të këtij tregimi, shkrimtari zë e luan me kategoritë gramatikore të kohëve foljore, të cilat, siç janë të pasura në gjuhën tonë, bëhen burim përftesash stilistike, që për letërsinë artistike ky variacion trajtash kohore ka lidhje me kohën e ngjarjeve dhe çastin e komunikimit të autorit apo të personazhit. Edhe Anton Pashku nis të rrëfejë me regjistrin e së kryerës së thjeshtë foljore, ndërkëmbyer për variacion me të tashmen, si:
“Preka gotën, por – ma fort se duhet: ra e u bë bërskotë në dyshemenë e kthinës.
Kjo zhurmë e papritun e mbyti çuçlenin e kromit dhe nuk dij pse – mbas spirales tepër të ndritshme, e cila m’u çfaq pa pandehë e që fillonte prej dikah në pafundësi – ma kujtoi edhe hingëllimën dhe çukërmimin e kalit…..”[11]
Rrëfimi vijon me ndërkëmbime edhe me të pakryerën, por një anë karakteristike e prozës së Pashkut, që përvijohet edhe si tregues stili vetjak i autorit, është kallëzimi letrar me përdorime të dendura të kohës më se të kryer, një fakt që nënvizohet edhe Xh.Lloshi në tekstin universitar “Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatike”,[12] ku shkruan: “Në zonat verilindore e lindore del dendur edhe më se e kryera. Disa autorë kosovarë të sotëm prandaj e kanë të zakonshme në tekstet e tyre. Përgjithësisht kjo shërben si një përftesë për të krijuar një perspektivë kohore (si perspektiva në pikturë), ku mund të përfshihen veprime të tjera, të ndërthuret e tashmja me të shkuarën dhe ngjarjet të dalin të largëta e të tashme njëkohësisht, madje edhe si të mjegulluara…” [13] Brenda një gjysmë faqeje të këtij tregimi na dalin shembuj të shumtë përdorimi:
“Me bisht të synit i pata pa tue shikue andej kah kurrizi i atyne maleve…Edhe unë e pata kthye kryet…Pata kthye kryet e mjekrën e pata rrasë në ranë…Përsëri i pata pa gjurmat, që humbasin diku larg. Dikur m’u patën mërzitë edhe ato gjurma të rëndueme njana mbas tjetrës e që mbarojshin aty….Pata mbyllë sytë; përpara më patën dalë kush e di sa shkëndija, të cilat e patën largue errësinën mbrenda qepallave; atëbotë pata pa edhe nji lakadredhe të kuqe, mandej nji vijë të drejtë të kuqe, që u pat turrë kah thellësija, për të dalë jashtë – qepallat e patën ndalë; dikur pata pa edhe nji palë sy të mëdhenj.. gjaku i pat shkue çurjel, gjuha i pat dalë jashtë e i pat mbetë ndër dhambë, qafa e plyrun në gjak iu pat lakue në cung, kurse shikimin e vet të ngrimë e pat pasë andej kah sillej kasapi i katundit tue i mprehë thikat e tij….”[14]
Ky përdorim në këtë masë, shoqëruar edhe me rimarrjen e foljeve ndihmëse (“pata,-e,-i…” etj.), i çojnë ngjarjet dhe bëmat jo vetëm në një kohë të largët, por edhe të papërcaktuar. Nga proza e Anton Pashkut, për këtë denduri duhet të vëmë në dukje se në mbyllje të mjaft frazave, ajo shoqërohet edhe me folje të veprimit intensiv, të përfundimit, si në modelet e mëposhtme:
“Por s’pat vonue dhe atë plim zogjësh e pat kaplue shllunga e tymit, që përhapej shumë shpejt; plimi i zogjëve pat humbë diku në tym, pat sharrue diku në shllungën e tij, që vinte tue u shprishë gjithnji e ma tepër.[15]
Mandej, përsëri, ishte kthye heshtja e të gjithë vazhdojshin me e shikue filmin e shkurtë, që flitte për anijën Gloria…..[16]
Pa u larguar prej kategorisë së foljes, themi se edhe përsëritja e dendur me ndërkëmbim të foljeve ndihmëse “kam” dhe “jam”, në kohë të përbëra, bëhet burim shprehësie stili dhe duhet marrë si veçanti e shkrimtarisë së Pashkut, sidomos në rastet e shfaqjes së kallëzuesve foljorë të përbërë, ndjekur nga paskajoret gege, si në shembujt në vijim:
“Nji njeri, që rrinte atje diku në fund të sallës, ishte çue, ishte përshëndetë me shokun e tij, edhe të tjerëve u kishte lanë nji lamtumirë dhe kishte shkue… Nji njeri, që rrinte afër tyne, ishte çue, ishte përshëndetë, e kishte lanë nji lamtumirë dhe, buzagaz, kishte shkue….Njerëzit vazhdojshim me mos me i nda shikimet nga anija Gloria… Ata që rrijshin diku para tyne, ishin çue, ishin përshëndetë, e kishin lanë nji lamtumirë dhe në heshtje, kishin shkue…”[17]
Prania e shpeshtë dhe me kundërvënie e foljeve ndihmëse “kam/jam” + pjesore, u referohet marrëdhënieve të diatezës pësore e veprore, forma foljore që bëjnë dallime të qarta të vepruesit dhe jo vepruesit në përshkrimin e ngjarjeve brenda një segmenti a sekuence tekstore.
E dyta, proza e Pashkut, gjeneruar në idiomën gege, përmban në vetvete edhe diskutimin shkencor lidhur me përdorimin e formave të pashtjelluara ose foljeve pa vetë, siç dhe quhen dendur; dhe kjo për faktin se Gramatika e Akademisë së Shkencave, hartuar këtu e tre dhjetëvjeçarë më parë, bën kalim e tyre në klasën e gjymtyrëve të fjalisë, në funksione të ndryshme, kryesisht, rrethanore.[18] Por njëherësh, te kreu i frazës së përbërë (periudhë), ndeshim aq dendur shënimin: “Sinonimike me këtë fjali të varur është edhe ndërtimi me formën e pashtjelluar mohore, që mund të ketë edhe një fjalë në pozicionin e kryefjalës e të jetë fjali e varur”.[19] Edhe te Camaj e Koliqi gjenden modele strukturore të frazave me përbërës predikativë me funksion kohor, të shprehur me paskajoren gege.[20] Pa u zgjatur në këtë trajtim shkencor që vijon sot e kësaj dite, po mjaftohem këtu se shpjegimet e thelluara (edhe në krahasim me qëndrimin e gjuhësive të tjera të konsoliduara), i gjejmë te studimi i botuar postum, i prof. M.Domit “Mbi funksionin sintaktik të ndërtimeve me trajtat foljore jovetore”,[21] ku sintaksologu ynë i shquar arrin në përfundimin se ne mendojmë që kemi arsye të shumta, të mjaftueshme për të pranuar vlerën kallëzuesore të trajtave të paskajores së varur e të përcjellores në përgjithësi e të ndonjë përdorimi të pjesores e për t’i marrë ndërtimet përkatëse sinonimike të fjalive të varura të zakonshme, si fjali të varura të një tipi strukturor të veçantë.”[22]
Kështu, në këtë pjesë të tretë të trajtesës sonë, do të ndalemi te prania e këtyre formave të pashtjelluara, që kanë vlerë predikative, si njësi fjalie, duke përcaktuar edhe funksionin e tyre brenda frazës. Hulumtime të tilla, edhe në një masë sa e lejon një ligjëratë konference, është me vend që të përqasen edhe me trajtën e lidhores, që në njëfarë mënyre, ka zëvendësuar në standardin e shqipes, paskajoren gege dhe të tjera variante të foljeve pa vetë, siç i quan prof. Domi. Jo vetëm në përmbledhjen tonë të cituar “Kulla”, por në mbarë krijimtarinë e shkrimtarit Pashku, trajtat e lidhores kanë përdorim tepër të rrallë; ato gjenden vetëm në struktura të kallëzuesit foljor të përbërë, si: duhet të ndieni, mund t’ia dhurojmë etj.
Lidhore të lira ka fort rrallë në krijimtarinë e A. Pashkut, të tilla, si: të flas, të jetosh, të jetoni, të duket, t’i ketë, të shiten, të rrijmë, të cilat dalin “si papritur” nga pena e autorit tonë.
Unë vetë thashë se keni me se të jetoni (f.98);
Thue ti se asht mirë të jetosh në kullën me muret që janë kulë e që kjasojnë? (f.99)
Po, në një punë redaktuese në rrafshin e standardit, ne pa shumë vështirësi mund të takojmë trajta të paskajores që mund t’i zëvendësojmë me lidhore, siç mund të ngjasë me: me shkue deri në hanë – të shkosh deri në hënë; ose e kundrëta, asht mirë të jetosh – asht mirë me jetue; pat dashtë me u rritë – pat dashur të rritej; me u ngjitë përpjetë – të ngjitej përpjetë etj.
Nuk duhet të lëmë pa përmendur, por të theksojmë se në prozën e Anton Pashkut vihen re në përdorim dy trajtat e paskajoreve; “me ngjitë” e “për të ngjitë”, si edhe “me u ngjitë” dhe “për t’u ngjitë” kjo e fundit njihet ndryshe si paskajore dytësore e shqipes së përbashkët[23], …tue i thirrë mjeshtrit për ta ndreqë murin që qe kulë dhe atë tjetrin që kjasonte. (f. 103),me përparësi formantin e pjesores “me + thanë”, por edhe në të rrallë, si: me pre nji copë mishi për ta pjekë në shish…. Fraza të tilla, edhe të gjata kur janë (ndonëse rrallë fort në prozën letrare të Pashkut), kanë në strukturën e tyre paskajoren e gegërishtes, shoqëruar me folje modale të kallëzuesit të përbërë (mund), që shënojnë funksione të qarta sintaksore, si në rastin më poshtë për të shfaqur shkakun dhe rrjedhimin në dy njësi kallëzuesore lidhëzore (sepse, kështu që):
“Nuk e dinte çka kishte marrë flakë, sepse nëpër avull a tym nuk mundej me shikue gja, gadi asnji send…kështu që nuk mundej me i lidhë mendimet…sidomos tash, tash, tash kur ky gjëmonte aq randë dhe kur i dukej se kishte ndie njifarë shungullime…ku ishte shtrati që luhatej e përkundej gjithnji tue iu çfaqë, së pari, si nji vegim…” [24]
Edhe trajta e përcjellores mbart kallëzuesί dhe del më vete si fjali e varur mënyre, në këtë frazë me një QOS (Qendër të organizimit sintaksor):
Apo edhe në frazën e përbërë të mëposhtme:
Në të vërtetë, ajo thoshte se zemra i këndote kur na shihte tue punue në kullë e tue u kacafutë me pyllin si me qoftëlargun, tue i thirrë mjeshtrit për ta ndreqë murin që qe kulë dhe atë tjetrin që kjasonte. (f. 103)
Përveç këtyre 5 funksioneve që përmban skemë strukturore e mësipërme, në tregimet e Pashkut, gjejmë edhe të tjera, si funksioni kundrinor si argument i brendshëm i foljes së njësisë drejtuese: (Paj, deshta me dijtë kush ta paska falë këtë kal kaq të bukur…, f. 101); funksion subjektor (Dhe, nji ditë, nuk dihet a ishte koha për të drekue apo jo, por dihet mirë se njerëzit ishin të unshëm, ata u takuen në hijen e nji parku…f. 82); funksion rrethanor kushtor (Tash, me dashtë, mund t‘ia dhurojmë ndonjë muzeumi…f. 103); funksion qëllimor e shkakor (Deshti në atë kohë me u kthye në vendin e mëparshëm…f. 43);
Së katërti, u shkrua më lart se proza e Pashkut, në tërësi, na vjen me sintaksë të thyer, siç përdoret rëndom ky term, në rastet kur shkrimtarët kalojnë nga një strukturë te tjetra, në përpjekje për të sjellë sekuenca apo pasazhe që përshkruajnë gjendje psikike të paqëndrueshme, kalimtare, gjendje të pashpjegueshme, veçanërisht, kur ravijëzohen tablo obsesioni gjuhësor (përsëritje e herëpashershme e po të njëjtave fjalëve, sintagmavë, frazave), tek ato me kondensat[25] të segmenteve të mëparshme. “Ç’randësi?”pat thanë plaka, tue buzëqeshë në mënyrë disi enigmatike. “Këto duer ishin me doreza të zeza. Ma vonë, kishte pa edhe nji palë duer…edhe këto ishin me doreza por të përhimta.”…“Ç’randësi! Po shihet se ti nuk je prej këtyne anëve. Me gjasë, ti je ndonjëfarë kukuvriqi. Ti nuk e din se ç’asht ajo kumbonë? Eja nëse dëshiron me e pa dhe me ndie.”[26]
Te proza narrative e Anton Pashkur ka kalime nga sekuenca me fraza 3-4 përbërësish predikativë, tek njësi fjalisore dy e njëkryegjymtyrëshe të tipave të ndryshëm, kalim në fjali emërore, si në paragrafin ë vijim: Matanë tij – pluhun. Bardhësi. Edhe frymë, që ta ngrinë palcën. Edhe lumenj të turbullt, që vëershejnë e kapërdijnë çdo gja që gjejnë përpara. Krongjijtë. Sa dekoracion i mjerë “ Dy krongji matanë gypit. Akull. Krejt bardhë. Bardhësi. Akull. Era, ajo frynte, ajo fshikullonte, ndërsa akulli palohej petë-petë….(Pashku: 84).
Së pesti, edhe fjalitë e quajtura dialogjike, duhen parë e vështruar si veçori gjuhësore e tekstit të Pashkut, jo vetëm te “Kulla”, por në gjithë përmbledhjen e paraqitur. Këto njësi, kudo që përdoren, kanë veçantitë e tyre sintaksore, por në të gjitha rastet, bashkohen në atë se në strukturë të tyre, të gjitha, kanë përherë praninë e elipsës gjuhësore, një tregues ndërtimor, që shfaqet, më së pari, te segmentet e munguara gjymtyrore, të cilat plotësojnë njëra-tjetrën. Elipsa është dukuri gjuhësore, e studiuar prej kohësh jo vetëm nga sintaksologë, por edhe nga logjicienë, psikologë dhe filozofë të mendimit, që nga Humboldi e deri te gjuhëtarët modernë të ditëve tona, si: A.Meillet, Saussure, Lucien Tesnieré, Levin, Brunot, Ch.Bally, A.Martinet, Marouzeau, M.Cohen, Jespersen, Boreas etj.[27] “Është e padiskutueshme, shkruan Stefan Prifti, se në një numër të caktuar frazash, ku mungon një element, p.sh., folja, njeriu gjendet përpara frazash të paplota, që ai ka shkurtuar me vetëdije. Atëherë kemi një elipsë, një elipsë që mendja e plotëson…”[28] Megjithëkëtë, dukuria e elipsës te proza e Pashkut, ka veçantitë e veta. Ai nuk e përgatit lexuesin se kush do të flasë, nuk përshkruan, siç veprojnë krijues të tjerë; ai ndërton fjali dialogjike, si të thuash, për vete – me mungesë të gjatë të foljeve, që do të ishin orientuese në komunkim – bile, edhe me pjesëza, ose edhe vetëm me fjalë pyetëse, si në shembullin vijues:
“Qe…qe…”, pat thanë dikur vonë njani prej nesh, s’dij se kush.
“Tyyyyymiiii” pat thanë po ai, s’dij cili prej nesh.
“Kllapurit, kllapurit!”, i pat thanë dikush.
“Por, qe !”
“Eu!”, pata ndëgjue nji za tjetër..
“Tyyyymiiii !”
“Ku?”
“Kah?”
“Qe!” (Pashku: 90)
Ose, papritur, nis dialogu, pas një dialogu të brendshëm, për të vijuar përsëri me dialog të brendshëm, si në f. 94:
“Çka? “, e pata ndie nji za tjetër, që pat dashtë me e trazue at qetësi.
“A thue…a do të shkojmë?”
“Ku “…Kah?”
“Kllapurit, kllapurit!”, pat thanë ai tjetri, s’e dij kush.
“Si? “
“Gjithsesi, duhet të shkojmë dikah…..
Raste të tilla dialogu me elipsë, mbeten në mendjen e krijuesit, të vetëkuptueshme vetëm prej tij, pasi nuk dalin sekuenca të plota përshkrimi, gjë që lidhet me hermetizmin që shfaq proza e A.Pashkut. Ndryshe do të ishin fjalitë dialogjike ku elemente të njësive të parathëna, shpjegojnë mungesën e gjymtyrëve në fjalitë në vazhdim, si për shembull:
“E kam vjedhë”, më pat than pa iu dridhë fare zani.
“Po ku? “
“Në hejzë.”
“Kujt?”
“Askujt.”
“Si? “
“Thashë: askujt.”
Pa u zgjatur më tej, në përmbyllje të kësaj trajtese të shkurtër mund të themi se për prozatorë të tillë si Pashku, ka vend edhe për shprehësinë që përçon fraza e tij, si dhe për të shënuar ndërtimet sindete (me lidhëza) e asindete (pa lidhëza), pa lënë jashtë ndërkalljen e segmenteve në trup të frazës, homogjeninë e përbërësve kallëzuesorë në funksione të ndryshme, çka na çon në gjykimin se prozë si kjo e autorit tonë, është përherë edhe burim shprehësie i veçantë dhe pasurim i standardit të gjuhës shqipe.
Bibliografi:
ASHSH, IGJL, Gramatika e gjuhës shqipe II, Tiranë, 1996.
Beqiri Shaip , shkrim në përmbledhja “Galtina”, f. 412 – 417.
Domi Mahir Vepra I, Studime sintaksore, Shtypur në Shtypshkronjën “Kristalina KH”, Tiranë, 2013.
Gashi, Agron, “Anton Pashku: tregimi i parë, rrëfimi i fundit”, Studime: Revistë për studime filologjike, numër 26. Prishtinë: ASHAK, 2020.
Hamiti Sabri, Kritika letrare, Vepra letrare – 6, Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2002.
Lloshi Xhevat, Shqipja- gjuhë e hapur dhe dinamike, Onufri, Tiranë, 2011.
Lloshi Xhevat Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika, Albas, Tiranë 2012.
Mansaku Seit, Veçori të ligjërimit poetik në veprën e Migjenit në “Studime në historinë e gjuhës shqipe”, vëllimi II, Tiranë, 2018.
Rushiti Rozana, Frazat lidhëzore në gjuhën shqipe, Monografi, Shtëpia Botuese “Shkronjë pas Shkronje, Tiranë, 2015.
Qosja Rexhep, Shkrimtarë dhe periudha, Tiranë, 2005.
***
Anton Pashku, Vëllimi me tregime e novela “Kulla”, Shtëpia Botuese “N.Frashëri”, Tiranë 2007.
Anton Pashku, Galtina, Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2005, f. 414.
Camaj, Martin Vepra 2, Onufri.
[1] Shkrimtari Anton Pashku (1937-1995) u arsimua në Prizren deri në gjysmën e viteve të gjimnazit, për t’i plotësuar ato në Prishtinë. Për arsye ekonomike të familjes, nuk arriti të ndiqte studimet e larta, por u punësua tek “Rilindja”. Ndër këto dy qytete kaloi fëmijërinë dhe rininë, një mjedis kulturor e social që do të përcaktojë edhe formimin e plotë gjuhësor të tij, si folës i lindur i idiomës dialektore të gegërishtes. Prizreni e Kukësi, me rrethinat e tyre, ashtu si hapësira e Gjakovës, bashkë me atë të Tropojës, janë një areal mjaft i gjerë për të përcaktuar kufijtë e së folmes së gegërishtes verilinore. Këtu duhet ta kërkojmë burimin dhe zanafillën e pasurisë leksikore që përdor autori, shoqëruar me shprehësinë e veçantë dhe frazeologjinë që ngërthen prozën e tij tregimtare. Përveç kësaj, fillimet e tij letrare, me tregimin e parë “Gjiri”, më 1955, përkojnë me kohën kur ende norma e standardit të shqipes, nuk ishte pranë zgjidhjes përfundimtare. Mund të hamendësojmë që, megjithëse ishte më i ri se shkrimtari e poeti Martin Camaj (që aso kohe po bëhej i njohur me disa përmbledhje poetike në Kosovë), gjuha në krijimtari e Pashkut, pa mëdyshje, përqaset me variantin shkrimor të përparuar që ushtronte autori nga Temali i Dukagjinit, larguar prej vendlindjes për në Jugosllavinë e asaj kohe. Këto tri parakushte kanë parasysh kritikët dhe studiuesit, që prodhimin letrar të Anton Pashkut e sjellin si të mirëqenë, në pamje të gjuhës, si një fakt të natyrshëm e të padiskutueshëm për të kërkuar e gjetur shkaqet pse ka ndodhur kjo.
[2] Vëllimi me tregime e novela “Kulla”, Shtëpia Botuese “N.Frashëri”, Tiranë 2007.
[3] Sabri Hamiti, Kritika letrare, Vepra letrare – 6, Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2002, f. 409.
[4] Po ai, po aty, f. 409.
[5] Po ai, po aty, f. 409, 410. Për këtë problem të kthimit nga varianti gegë i shkrimit, në variantin standard, shih edhe vëllimin “Galtina” të Pashkut, Faik Konica, Prishtinë, 2005, ku duket një përpjekje e lënë përgjysmë e autorit në këtë proces. Prej kësaj vepre mësojmë se procesin e transformës nga dialekti në standard, autori e kreu për 24 tregime, ndër pesëdhjetë e katër që kishte shkruar gjithsej. Po kështu, sall ”kthim” në gjuhën e njësuar letrare realizoi në një fragment drame, si dhe në dy variantet e prozës së tij kulmore “Eklipsi” (Sh.Beqiri, f. 415).
[6] Xhevat Lloshi, Shqipja- gjuhë e hapur dhe dinamike, Onufri, Tiranë, 2011, f. 305.
[7] Shih te përmbledhja “Galtina”, shkrimin e Shaip Beqirit, f. 412 – 417.
[8] Anton Pashku, Galtina, Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2005, f. 414.
[9] Simbolika dhe asociacione të paqena na shfaqen në dy anët fragmentare: te proza e sjellë në vargje, nuk mund të krijojmë lidhje mes varrimit të një të moshuareje dhe etjes që nuk shuhet pasi nuk shihet gota e ujit (!); po kështu renditja e një vargu emrash: dritë, qiri, shandan, ahër, hark me kordhëz mbi një grumbull plehu, vështirë të perceptohet; në poezinë e Camajt: një shpend nate nën gjeth pret hënën e re, që i njihet zëri nga i madh e i vogël, vajza që kërkon fëmijë nëpër bar të kopshtit dhe silueta e një fryti mbi degë….kënga e errësirës, ndërsa një murg ecën mbi rrenoje monastiresh me peshën e lehtë të këmbës! Janë tabllo me penelata pa ngjyrë, që, sigurisht, japin një botë shpirtërore, por që tabloja reflekton vetëm tek autori….!
[10] Martin Camaj, Vepra – 2, Onufri, Tiranë, 2020, f. 120.
[11] Anton Pashku, Kullat, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë- 2007, f. 89.
[12] Xhevat Lloshi, Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika, Albas, Tiranë 2012, f. 75.
[13] Po ai, po aty, f. 75.
[14] Anton Pashku, Kullat, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë- 2007, f. 91-92.
[15] Po ai, po aty, f. 95.
[16] Po ai, po aty, f. 68 (Kënaqësitë e Megalopolisit)
[17] Po ai, po aty, f. 68 (Kënaqësitë e Megalopolisit)
[18] ASHSH, IGJL, Gramatika e gjuhës shqipe II, Tiranë, 1996, f. 173 – 659.
[19] Po aty, f. 547-548. (Shënimi u mor nga periudha me fjali të varur kohore, por e gjejmë edhe në disa sythe të tjera të këtij teksti shkencor akademik.)
[20] Rozana Rushiti, Frazat lidhëzore në gjuhën shqipe, Monografi, Shtëpia Botuese “Shkronjë pas Shkronje, Tiranë, 2015, f. 210.
[21] Mahir Domi, Vepra I, Studime sintaksore, Shtypur në Shtypshkronjën “Kristalina KH”, Tiranë, 2013, f. 381 – 395.
[22] Po ai, po aty, f. 394.
[23] Seit Mansaku, Veçori të ligjërimit poetik në veprën e Migjenit në Studime në historinë e gjuhës shqipe, vëllimi II, Tiranë, 2018, f. 318.
[24] Po ai, po aty, f. 73.
[25] Për termat “obsesion” dhe “kondensat”, shih: Xh.Lloshi: Stlistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika, albas, Tiranë,
2012, f. 269.
[26] Anton Pashku, Kullat, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë- 2007, f. 74, 99.
[27] Citohet sipas S.Priftit, në SF/3, 1966, f. 127-172.
[28] Po ai, po aty, f. 130.