Për librin “Me gjuhën dhe stilin e poezisë” të prof. dr. Tefë Topallit
Kohët e fundit, prof. dr. Tefë Topalli ka publikuar librin e tij të radhës, me titull “Me gjuhën dhe stilin e poezisë” – një përmbledhje studimore me interes të veçantë sa u takon disa autorëve dhe veprave, lidhur me artin e gjuhës së tyre. Ky publikim pasqyron një punë të thellë hulumtuese dhe një përkushtim të vazhdueshëm ndaj botimeve gjuhësore dhe letrare nga studiuesi Topalli. Libri është një studim analizues që vë në plan të parë stilistikën dhe veçoritë gjuhësore të disa autorëve të poezisë shqipe, duke vëzhguar mënyrën sesi përdorimi i gjuhës, figurave të stilit dhe elementeve poetike ndikon në përvojën estetike dhe kuptimësinë e veprave letrare në vargje.
Prof. T. Topalli dallohet për qasjen e tij të thelluar dhe analitike, duke vënë theksin te rëndësia e gjuhës së pastër dhe fuqia shprehëse e poezisë. Edhe në këtë botim, objekt kryesor janë poetë dhe vepra të ndryshme të tyre, duke u ofruar analiza të hollësishme mbi strukturën dhe rolin që ka gjuha e stilistika në poezi.
Autori T. Topalli, si një studiues i përkushtuar, me emrin e të cilit lidhen rreth 20 botime, ka bërë tashmë emër në disa fusha të gjuhësisë, si: Stilistika, Gjuhësia e tekstit, Sintaksa, dhe Historia e gjuhës së shkruar shqipe.
Puna e tij me seminaret e disiplinës së Stilistikës së gjuhës shqipe, për vite me radhë, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, shquhet për analizën dhe interpretimin e hollësishëm të veprave letrare dhe joletrare, duke ndihmuar në zbërthimin e aspekteve të ndërlikuara të shprehjes artistike. Po ashtu, në fushën e Gjuhësisë së tekstit, ai ka hedhur dritë mbi mënyrat se si organizohen dhe interpretohen tekstet në nivele të ndryshme, duke ofruar një qasje sistematike për studimin e tyre. Një tjetër ndihmesë e rëndësishme është puna e tij në Sintaksë, ku është thelluar në strukturat gramatikore dhe rregullsitë që ndërtojnë gjuhën.
Këto përpjekje të ndërlidhura kanë formësuar një trashëgimi të vlefshme, duke ndihmuar në pasurimin e gjuhësisë. Rezultat i një pune të tillë është edhe vepra “Me gjuhën dhe stilin e poezisë” që përfshin analiza të krijimtarisë së disa figurave të njohura të letërsisë, gjuhësisë dhe kulturës shqipe, që përmes veprimtarisë së tyre kanë kontribuar në zhvillimin e gjuhës amtare dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar. Lënda paraqitet nëpërmjet katër kapitujve, secili me një fokus të veçantë dhe të mirëstrukturuar, për të ndriçuar aspekte të ndryshme të gjuhës, stilistikës dhe traditës letrare shqiptare.
Botimi i ri, me mjaft risi vështrimi, tërheq vëmendjen e lexuesve pasionantë të letërsisë artistike, duke e vlerësuar atë si një udhërrëfyes për të kuptuar më mirë poezinë dhe veprën e autorëve shqiptarë. Ai vjen si një kontribut i çmuar në domenin e gjuhësisë dhe kulturën shqiptare, duke nxitur frymëzim për studiuesit e gjuhës e të letërsisë. Libri në fjalë, jo vetëm që sjell një vlerë të shtuar në fushën e stilistikës gjuhësore, por gjithashtu rikujton fuqinë dhe bukurinë e fjalës artistike.
Vepra hapet me një Hyrje të shkurtër nga autori, ku thekson se duhet shkruar për shkrimtarë e poetë dhe veprat e tyre, sepse epoka digjitale dhe inteligjenca artificiale, sikur e kanë larguar njerëzimin nga të lexuarit. Prandaj, duhet të përshkruajmë, të bëjmë rezyme dhe abstrakte të librave në fusha të ndryshme diturore, pasi edhe nuk mund të digjitalizohen të gjitha shpikjet dhe zhvillimet e shoqërisë njerëzore në lëmë të diturisë dhe artit në mënyrë të plotë; shpesh ato dalin vetëm si lajmërime a njoftime të shkurtuara në programet e Google-it dhe Wikipedia-s, ….fundi: a nuk vjen kjo si metodë didaktike për t’i kthyer njerëzit tek leximi! – shkruan Topalli. Dhe vijon argumentin me parashtrimin e pyetje-përgjigjeve të tilla: A nuk ka bërë këtë shkrimtari i madh francez Viktor Hygo, kur publikon një vepër të gjerë për gjeninë e Shekspirit, me anën e së cilës merr e i ngre monument dramaturgut e tragjedianit të pavdekshëm anglez, duke shpallur se Shekspiri është Anglia, Gëte është Gjermania, dhe përpara tyre Dante është Italia?… Çfarë ka bërë tjetër një nga kritikët letrarë më të famshëm të kohës sonë, profesori i Shkencave Humane i Universitetit të Yale-it e në Harvard, Harold Bloom, i cili, për më gjatë se 40 vjet, i ka transformuar studentët e tij në lexues të përjetshëm, duke i mëkuar me dashurinë e tij të pafund për letërsinë; ndërkohë që media e shpejtë elektronike kërcënon me bjerrjen e leximit!… Prandaj dhe Bloom-i u ka dhënë jetë librave më të mëdhenj botërorë për diturinë e paçmueshme që ata përçojnë. Ai shkroi me dashuri e pasion librin “Si dhe përse lexojmë” (H. Bloom, How to read and why (Si dhe përse lexojmë), Dudaj, Tiranë, 2008).
Edhe libri “Me gjuhën dhe stilin e poezisë” i autorit T. Topalli, synon të përçojë një ndihmesë në këtë drejtim: të sjellë njoftime të reja lidhur me profilin kulturor, letrar e shkencor të disa figurave të shquara të letrave shqipe në lëvrimin e gjuhës amtare.
Kapitulli i parë i librit, emërtuar “Traditë letrare” përbën një kërkim nëpër veprat e disa prej figurave të shquara të kulturës shqiptare që kanë dhënë ndihmesa të vyera në letërsi, gjuhësi e përkthime. Kjo hapësirë përfshin artikuj të dedikuar për përvjetorët e lindjes së tyre, si: të poetit e atdhetarit, Asdreni (1872-1947); të pedagogut, studiuesit, poetit e përkthyesit Vehbi Bala (1923-1990); të albanologut Jup Kastrati (1924-2003).
Studiuesi Topalli thekson se: Në kohën tonë, botimet e këtyre figurave të botës intelektuale shqiptare vështirë të gjenden për nevojat e studiuesve tanë filologë, për të parë gjuhën dhe stilin, vlerat dhe risitë që ata kanë sjellë në atë periudhë të lëvrimit të gjuhës amtare… Për shembull, përmbledhja poetike “Psallme murgu” e Asdrenit mungon në libraritë e në shumë biblioteka të vendit. Për kohë më të vona, nuk mund të njihesh me krijimtarinë poetike të V. Balës, sepse nuk janë në qarkullim përmbledhjet e tij me vjersha e poema, me të cilat edhe nisën botimet në vitet kur hidheshin themelet e letërsisë shqiptare këndej dhe andej kufirit; ashtu si, vetëm me një fotokopjim nga Biblioteka Kombëtare, mund të sigurosh përshtatjen e parë në gjuhën e sotme të romanit lirik “Këngët e Milosaut”, nga prof. Jup Kastrati, studiuesi më i thellë i veprës së përgjithshme të De Radës …
Një hapësirë e mirë i është lënë shkrimit për poetin e Rilindjes Kombëtare, Asdrenin, në 150-vjetorin e lindjes së tij. Që në hyrje të shkrimit janë sjellë në mënyrë kronologjike studimet që i takojnë krijimtarisë së poetit drenovar, me vlerësime të shumta për veprat e tij poetike. Asdreni është poeti dhe atdhetari i madh shqiptar, i njohur për pasionin e tij për gjuhën amtare dhe për vjershërinë që ngërthen në vetë shpirtin kombëtar. Topalli shkruan që Konica është i pari kritik që ngre lart vjershërinë e Asdrenit për mendimin dhe derdhjen e tij në vargje, kanunet e metrikës e, përgjithësisht, për tërësinë e “Rrezeve” me plot vlerë letrare, që duhet të jetë në çdo libërtore të shqiptarit ….Vijon në këtë mënyrë evidentimi i vlerësimeve për këtë poet përmes pasazhesh nga autorë të tjerë, si: nga Gj. Fishta, më 1914, përmes përmbledhjes “Endrra e lotë”, botuar në revistën e njohur “Hylli i Dritës”, më pas konsiderata prej L. Poradecit e Z. Skiroit, të cilët pohojnë se poeti drenovar ka fituar një vend me nder pranë poetëve kombëtarë më të famshëm. Vihet në dukje se kritika letrare dhe vlerësime për poetin vazhdojnë edhe më gjatë, pas Luftës II Botërore, me botime fragmentesh në tekste shkollore, deri edhe në botime akademike, bërë nën kujdesin e prof. K. Bihikut. Studime letrare e gjuhësore për Asdrenin kanë bërë edhe E. Çabej, Dh. Shuteriqi, J. Bulo, S. Hamiti, deri tek monografia e plotë e R. Qosjes për poetikën e tij dhe vlerat ideore për shkrimtarin e dy epokave, me titull “Asdreni. Jeta dhe vepra e tij”, 1972. Prej autorit analizohet jo vetëm gjuha dhe stili poetik i Asdrenit, por edhe roli i tij si simbol i përpjekjeve për emancipimin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve.
Një vend i rëndësishme i kushtohet personalitetit të gjithanshëm, që shquhej si pedagog, studiues, poet dhe përkthyes, Vehbi Bala, në 100-vjetorin e lindjes së tij. Vlerësohet qasja e Balës ndaj gjuhës shqipe dhe theksohet kontributi i tij i ndjeshëm në ruajtjen dhe pasurimin e letërsisë shqiptare, duke hedhur dritë për stilin e tij të qartë dhe të rrjedhshëm si poet dhe përkthyes nga rumanishtja, italishtja dhe nga gjermanishtja, siç është balada e njohur e Gëtes “Mbreti i Tulës”, sjellë në gjuhën tonë në disa variante, nga Ndre Mjeda, deri tek më të rinjtë.
Edhe në 100-vjetorit e lindjes së prof. Jup Kastratit, albanologut të njohur që ka lënë gjurmë të thella në historinë e gjuhës shqipe, prof. Topalli do të përgatiste një shkrim me vlerë mbi veprimtarinë e tij të vyer, duke u bërë pjesë e këtij botimi. Vlerësimet e autorit për Kastratin fokusohen në analizën e detajuar të veprave të tij, të cilat shërbejnë si bazë për studimet moderne të albanologjisë, të gramatologjisë, jo vetëm për njohjen e tyre, por edhe duke përshtatur gjuhën e rilindësit të madh Arbëresh. Ai nënvizon se veprat e prof. Kastratit (të botuara dhe lënë në daktiloshkrim) qëndrojnë në bazë të historisë së gjuhës shqipe dhe në themel të lidhjeve me kulturën dhe letërsinë arbëreshe. Njëherësh, Topalli nënvizon se me gjuhën e J. Kastratit, në mënyrë të veçantë, varianti që përdor ai nga vitet 1950-1970, bëhet një bazë e mirë shkencore për të studiuar si kalohet nga idioma e një dialekti në standardin e njësuar të gjuhës sonë.
Këto shkrime nuk janë thjesht përkujtimore, por një analizë e thelluar nga ana e autorit mbi mënyrën se si këta autorë përjetësuan trashëgiminë gjuhësore dhe letrare shqiptare. Ata paraqiten si një qasje historike e stilistike dhe janë një ftesë për të reflektuar mbi traditën letrare e gjuhësore shqiptare, duke e parë atë si një burim të pashtershëm frymëzimi dhe studimi për brezat e ardhshëm. Ky kapitull i parë është një përnderim ndaj themeluesve dhe ruajtësve të fjalës shqipe, të cilët me punën e tyre krijuan themelet e zhvillimit kulturor kombëtar. Shtjellimi i mëtejshëm i veprës zbulon dimensione të reja të analizës letrare dhe gjuhësore, duke u ndalur në figura të tjera të njohura që shpalosin aspekte të rëndësishme të gjuhës dhe stilit artistik.
Kapitulli i dytë, “Krijues të sotëm”, është fokusuar në gjuhën dhe stilin e veprave të dy autorëve bashkëkohorë: Alfred Çapaliku në lëmë të poezisë dhe Tonin Çobani në studimet fishtologjike. Autori analizon me thellësi e kompetencë gjuhësore dhe eksploron përdorimin inovativ të gjuhës e stilit artistik të këtyre dy studiuesve, duke nxjerrë në pah kontributet e tyre të veçanta në letërsinë dhe kulturën tonë.
Kanë tërhequr vëmendjen e veçantë të autorit të këtij libri, risitë që sjell poeti Alfred Çapaliku në 5 vëllimet e tij me poezi. Poetika e tij vështrohet në nivele të ndryshme të gjuhës, nga fonetika, leksiku dhe sidomos sintaksa e vargjeve, me përbërësit e saj, nga rendi, intonacioni, rima dhe poetizimi i fjalës. Pasi rendit disa tregues të stilit të vjershërimit të poetit, përqasur me krijues bashkëkohës, vjen e evidentohet tematika e poezive të tij, duke e konsideruar leitmotiv të kësaj krijimtarie; si dhe shquhet ndihmesa që ka dhënë poeti A. Çapaliku në hartimin e teksteve të disa këngëve, në bashkëpunim me kompozitorë e interpretues të melodive. Nuk janë lënë jashtë edhe mjaft përkthime në poezi nga pedagogu i letërsisë, Çapaliku, nga autorë të njohur në gjuhën angleze dhe italiane. Në analizën e kësaj krijimtarie poetike, Topalli përqendrohet gjithashtu në mënyrën se si poeti ndërton një univers ndjesor përmes një gjuhe të pasur e të ngarkuar me emocione. Stili i këtij poeti shfaqet si një kombinim unik i traditës dhe modernitetit, ku fjala nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një formë artistike që sfidon normat dhe zgjeron kufijtë e poezisë shqipe. Theksohet fakti se prof. Çapaliku përdor teknika të avancuara stilistike dhe figurative, duke krijuar një harmoni mes strukturës së thjeshtë dhe kompleksitetit tematik.
Sa i takon autorit tjetër, studiuesit më prodhimtar të veprës së gjerë të autorit të “Lahutës së Malcís”, në të gjitha gjinitë letrare: nga lirika, dramatika dhe epika e tij, Tonin Çobani, vihet në dukje se ai ka mbi 30 vjet që i është kushtuar vendit që zë figura e veçantë e Gjergj Fishtës në jetën kulturore shqiptare gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, sipas kredos së përcaktuar prej tij Miti dhe antimiti fishtjan. Topalli vë në dukje që: në vitet 1990, Çobani publikoi i pari disa vjersha të poetit nga “Anzat e Parnasit” dhe nisi të shkruajë për krijimtarinë e tij, së pari për Poemën e madhe “Lahuta e Malcís”, e vepra dramatike që janë inskenuar në Teatrin e Shkollës Françeskane të qytetit të Shkodrës. Theksohet se Çobani ka sjellë një dimension të ri në mënyrën se si Fishta perceptohet dhe analizohet, duke i dhënë një rëndësi të veçantë përdorimit të gjuhës shqipe si një pasqyrë e kohës dhe kontekstit historik. Në portretizimin e këtij studiuesi pasqyrohet puna e tij shkencore edhe për ndriçimin e disa figurave të tjera të kulturës sonë, përmes disa monografish, si, për Frang Bardhin, Pjetër Zarishin, Naim Frashërin etj. Autori ndalon edhe tek disa të dhëna për shkrime kritike e letrare, në tregime, skica e novela që ka botuar studiuesi Çobani.
Ky kapitull shërben si një urë lidhëse mes trashëgimisë së të kaluarës dhe krijimtarisë bashkëkohore, duke u evidentuar se si krijuesit e sotëm vazhdojnë të zhvillojnë dhe pasurojnë letërsinë dhe gjuhën shqipe. Studiuesi Topalli i paraqet A. Çapalikun dhe T. Çobanin si shembuj të shkëlqyer të gjuhës artistike dhe studimore që reflektojnë mundësitë e shprehësisë në stile të ndryshme. Me analizën e këtyre dy figurave, kjo pjesë nuk përmban vetëm një vlerësim të arritjeve të tyre, por edhe një ftesë për lexuesin që të reflektojë mbi rolin e gjuhës dhe stilit në krijimin e identitetit kulturor bashkëkohor.
“Me më të rinjtë” është emërtuar kapitulli në vijim, ku është përfshirë një analizë e hollësishme për stilin letrar të poetit Arben Prendi, variantin e tij shkrimor të përdorur dhe çfarë e karakterizon këtë krijues në brezin e tij. Prof. Topalli vlerëson: përftimin e gjuhës poetike të Prendit, mënyrën se si poeti ndërton imazhe poetike të ndërlikuara përmes një strukture gjuhësore të përpunuar me kujdes, si dhe variantin shkrimor të tij, të qartë e elegant, që krijon një lidhje të ngushtë mes lexuesit dhe botës së tij poetike. Gjithashtu, ai evidenton: një qasje të rafinuar ndaj strukturës dhe ritmit poetik; një balancë mes ngarkesës emocionale dhe përdorimit racional të fjalës; gjurmë të ndikimeve tradicionale ndërthurur me një zë të fortë dhe origjinal që reflekton mbi temat e ekzistencës, përkatësisë dhe ndjeshmërisë njerëzore. Ky shkrim analitik e pozicionon Arben Prendin si një nga poetët më të shquar të brezit të tij, duke vlerësuar aftësinë e tij për të qëndruar besnik ndaj traditës letrare shqiptare, ndërkohë që përqafon një frymë të re dhe moderne në krijimtarinë e tij. Me këtë vështrim të detajuar, ofrohet një portret poetik i plotë i një krijuesi që e bën gjuhën shqipe të kumbojë me origjinalitet dhe thellësi emocionale.
Në tërësi, analiza e veprës së A. Çapalikut, T. Çobanit dhe A. Prendit e bën këtë segment të librit një reflektim të thellë mbi fuqinë dhe shprehësinë e krijuesve të sotëm për të pasuruar trashëgiminë letrare shqiptare.
Kapitulli në vijim “Autorë dhe vepra”, sjell një radhë recensionesh dhe vlerësimesh të thelluara për vepra studimore kryesisht të disa gjuhëtarëve shqiptarë. Ky seksion pasqyron jo vetëm arritjet e këtyre studiuesve, por edhe ndikimin e tyre në pasurimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, sidomos në aspektin stilistik. Janë shkrime për vepra studimore të një rendi gjuhëtarësh që, midis të tjerëve, kanë gjurmë me vepra të rëndësishme për disiplina të ndryshme, duke realizuar mjaft kërkime në lëmë të gjuhës amtare. Përgjithësisht, janë recensione që Topalli u ka kushtuar botimeve të tyre në vitet e fundit, të tillë si: Xh. Lloshi, që u sjell lexuesve jetën e veprat e Konstandinit të Madh të gjuhës shqipe, dhe ‘aventurës së librit shqip’, pasi ka publikuar përmbledhjet: “Vështrime stilistikore” dhe “Huazimet e shqipes nga turqishtja”;E. Ymeri, i cili ka hartuar “Fjalorin e freologjizmave të gjuhës shqipe” me 1200 faqe; Gj. Shkurtaj, gjuhëtari që gjen fjalën e shprehjen e bukur shqipe në Eposin tonë dhe këngë të tjera, ndërsa ka hartuar e botuar Fjalorin dialektor të Malësisë së Madhe, me mbi 1000 faqe; R. Ismajli, hulumtuesi i elementeve tekstuale në gjuhësinë tonë dhe Sh. Islamaj, studiuesja që ndjek ndër shkrimtarë majat e artit të gjuhës në planin stilistik. Kapitulli mbyllet me disa paraqitje veprash e analiza gjuhësore të tyre nga Letërsia artistike e S. Çapalikut.
Në këtë kapitull, autori ndalet tek disa nga veprat më të fundit të prof. Xhevat Lloshit, duke i vlerësuar si kontribute të çmuara në fushën e gjuhësisë shqipe, kryesisht të fushës stilistikore. P.sh., në “Vështrime stilistike”, Lloshi sjell një informacion të hollësishëm të stilistikës së gjuhës shqipe, duke theksuar përdorimin e figurave stilistike dhe ndërthurjen e tyre me gjuhën e përditshme dhe letërsinë artistike. Më tej, vlerësohet gjuhëtari Xh. Lloshi për mënyrën e saktë dhe të qartë të prezantimit të nocioneve dhe koncepteve stilistike, duke kontribuar në një kuptim më të thellë të strukturës dhe funksionit të gjuhës shqipe në krijimtarinë letrare; Në veprën tjetër, “Huazimet e shqipes nga turqishtja”, prof. Lloshi i kushton një analizë të detajuar huazimeve leksikore që ka marrë shqipja nga turqishtja, një temë e rëndësishme dhe aktuale në studimet gjuhësore. Këtë analizë, Topalli e konsideron si një kontribut të rëndësishëm për albanologjinë, pasi shpjegon proceset dhe mekanizmat e huazimit, duke ofruar një pasqyrë të ndikimeve turke në gjuhën shqipe dhe si ato ndikime janë përshtatur dhe transformuar në kontekstin e shqipes.
Një tjetër vepër e vlerësuar në këtë Përmbledhje studimore nga Topalli është “Fjalori i frazeologjizmave të gjuhës shqipe” i prof. Eshref Ymerit. Studiuesi sjell një recension të kujdesshëm, duke analizuar thellësinë dhe pasurinë e këtij fjalori të Ymerit, i cili mbledh dhe sistematizon frazeologjizmat më të përdorur në shqipen e sotme. Kjo vepër është shumë e rëndësishme për studiuesit dhe të gjithë ata që janë të interesuar për mënyrën se si frazeologjizmat shprehin realitetin dhe kulturën shqiptare, njëherësh edhe prurje nga kultura të tjera. Topalli thekson metodologjinë shkencore dhe sistematikën që leksikografi ka përdorur për të mbledhur dhe përshkruar frazeologjizmat, duke i dhënë kështu lexuesit një burim të pasur informacioni për përdorimin e tyre në çdo kontekst gjuhësor.
Po një fjalor tjetër i një rëndësie të veçantë merr vëmendjen e autorit të librit që përmban një analizë të hollësishme të këtij botimi: “Fjalor dialektor i Malësisë së Madhe”, i prof. Gjovalin Shkurtajt. Topalli e vlerëson këtë punë të vyer e të gjatë studimore për pasurimin e dialektologjisë shqiptare, duke theksuar se Shkurtaj, në këtë vepër leksikografike, ka një pasuri të jashtëzakonshme në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore të një zone të veçantë të Shqipërisë, që ka tradita të pasura gjuhësore dhe etnografike. Ai thekson se ky fjalor është një thesar për të kuptuar ndryshimet dialektore dhe për të zbuluar ndjeshmërinë e gjuhës shqipe në aspektin e lëvizjes dhe evoluimit të saj përgjatë shekujve. Në shkrim shpalosen edhe mjaft analiza e vlerësime të tjera mbi veprimtarinë shkencore të gjerë të këtij gjuhëtari eksplorues të jetës gjuhësore, sociolinguistike, letrare e kulturore të botës shqiptare e arbëreshe.
Pjesë e rëndësishme e këtij kapitulli është edhe një shkrim recensues mbi elementet e gjuhësisë tekstuale në gjuhësinë tonë, kushtuar veprës “Shumësia e tekstit” (Prishtinë, 1980), të prof. Rexhep Ismajlit, duke u ndalur sidomos te risitë e përmbajtjes dhe të trajtimit të mjaft nocioneve tekstore pak ose aspak të njohura në literaturën tonë para gjysmë shekulli.
Një shkrim i hollësishëm aq i veçantë dhe brenda fushës ku autori ynë ka bërë edhe botime të specializuara, është ai për veprat e prof. Shefkije Islamajt, një studiuese e spikatur në lëmë të stilistikës dhe analizës gjuhësore për autorë të ndryshëm. Prof. Topalli vlerëson kontributet e Islamajt në studimin e artit të gjuhës shqipe dhe veçanërisht në përdorimin e stilistikës si një mjet për të kuptuar më mirë funksionet dhe efektet e gjuhës në letërsi dhe komunikim. Ai shquan faktin se Islamaj ka sjellë një qasje të re në studimet stilistike, ku ka përfshirë analizën e teksteve letrare, duke ofruar një pasqyrë të gjerë mbi mekanizmat stilistikë që janë të pranishëm në shqipen moderne. “Ligjërimi, gjuha dhe stili” është monografia e radhës e gjuhëtares së njohur, me prurje të reja të studimit të fushës së stilistikës, që është objekt i një analize tjetër të thukët të studiuesit Topalli në vepër, duke nxjerrë mirë në pah pasurinë e vlerat gjuhësore-stilistikore të saj.
Kreu ofron një pasqyrë të pasur dhe të gjerë të kontributeve të disa studiuesve shqiptarë, duke vlerësuar veprat e tyre dhe rëndësinë që ato kanë për zhvillimin e gjuhës shqipe në fusha të ndryshme, nga stilistika dhe frazeologjia deri tek dialektologjia dhe studimet e huazimeve. Përmes këtyre recensioneve, vepra e Topallit ndihmon në thellimin e kuptimit të arritjeve më të fundit në fushat përkatëse dhe thekson rëndësinë e studimeve të tilla për pasurimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe.
Libri mbyllet me tre recensione dedikuar Letërsisë artistike: botimeve më të fundit të shkrimtarit dhe dramaturgut Stefan Çapaliku, për dy romanet “Një engjëll veshë me frak” e “albumi i thashethemeve” dhe Letërsinë ndryshe të S. Çapalikut në tre libra – siç e ka emërtuar Topalli. Analizat për këto vepra pasqyrojnë një shfaqje të thelluar në vështrimin e strukturës së rrëfimit, karakterizimin e personazheve dhe përdorimin e gjuhës në këto vepra, nga narrativa e gjatë, deri tek mjeshtria për të rrëfyer kallëzime popullore e barsaleta qytetare shkodrane. Për autorin e librit që po sjellim këtu, shkrimtaria e S. Çapalikut, përbën një zë krejt të veçantë të letërsisë sonë bashkëkohore; vlerësuar ajo si pjesë e një vizioni të ri letrar që sfidon normat tradicionale të rrëfimit. Ai përqendrohet në mënyrën se si shkrimtari eksperimenton me formën dhe përmbajtjen, duke sjellë një letërsi që është njëkohësisht e rrënjosur në realitetin shqiptar dhe e hapur ndaj ndikimeve moderne, me një gjuhë të pasur me figura stilistike dhe ndërtime letrare novatore.
Botimi “Me gjuhën dhe stilin e poezisë” i T. Topallit, përbën një vështrim studimi me vlerë për gjuhën dhe stilin e disa veprave në poezi dhe prozë. Me një analizë të thellë dhe të hollësishme të tyre, autori ka arritur të ravijëzojë një pasqyrë të qartë mbi përdorimin e elementeve gjuhësore dhe stilistike që i përshkojnë ato. Ky libër është një burim i vlefshëm për studiuesit, studentët dhe të gjithë ata që janë të interesuar për zhvillimin e gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kontekstin e traditës dhe novatorizmit.