“Pata rasë me shprehë mendimin tem mbë nji mënyrë të shkurtë e të përmbledhun mbi këtë shkrimtar (Ndre Mjeda – A.P.), që më duket ma i madhi poet klasik i derisotshëm i kombit shqiptar…”.
Fulvio Cordignano, Manuale Hoepli. Milano, 1931, f.226 – 227[1]
Në një recension për përmbledhjen poetike Juvenilja të Ndre Mjedës, shkruar nga Gjergj Fishta dhe botuar në gazetën “Posta e Shqypnisë”, më 1917, gjendet edhe ky vlerësim: “… e fillim e mbarim në kët vepër zotnon nji melankoni e kandshme, e cilla edhe sendeve ma t’vogla u ep nji interes e nji randsi të veçantë, sado qi kishe me thane se kjo melankoni nuk rrjedh gjithmonë prej zemret aq sa prej mendjet t’auktorit”.[2] Sipas autorit të këtij recensioni, dobësia e mësipërme e krijimtarisë poetike të Ndre Mjedës manifestohet edhe në marrëdhëniet e saj me lexuesit realë apo të mundshëm, tek të cilët nuk mund të ketë ndikim të madh: “Njimend, duket se kjo melankoni nis nji here prej mendjet t’auktorit, përshkohet nëpër rreze të filozofis e të poezis klasike, e mandej depërton nëpër fashoje të gjuhës shqype, por jo aq e përmallshme, sa me t’u molisë zemra për shka autori kndon mbi lyre të vet të tingllueshme…”. (nënvizimi im – A. P.)[3]. Ky vlerësim, i bërë nga njëri prej personaliteteve më me autoritetet në fushën e letërsisë dhe të kulturës shqiptare të asaj periudhe, dashur padashur ka ndikuar për të krijuar një opinion të pasaktë për poezinë e Mjedës. Një opinion i tillë, me sa duket, është kthyer në njëfarë klisheje që ka lënë gjurmë jo vetëm te publiku i gjerë, por edhe në qarqet letrare e te studiuesit. Në studimin e tij të rëndësishëm “Dy shkollat letrare shkodrane”, analisti mendjemprehtë i traditës letrare të Shkodrës, madje edhe dashamirës i veprës së autorit të “Juvenilias”, Ernest Koliqi ka shkruar: “Xanoni, Mjeda, Thaçi shkruen e vjerrshuen me ton e stil të naltë… Frymëzimi i tyne buron ma fort nga librat, jo aq nga jeta”.[4]
Meqenëse “Juvenilja” dhe botimet e mëvonshme të Mjedës bëjnë pjesë në traditën e gjallë, e cila është shumë më jetëgjatë se mjaft libra që dalin nga shtypi në ditët tona, mendova se nuk do të ishte pa interes të sillja ndonjë argument të ri për t’iu kundërvënë opinionit të pasaktë lidhur me frymën libreske apo me karakterin cerebral të poezisë së Mjedës. Duke mos dashur të hedh mbi vete merita të paqena, do të saktësoj se kundërvënia, përpjekja për të vënë në vend të vërtetën zë fill të paktën qysh në vitet tridhjetë. Veç simpatisë dhe admirimit që kishin nxënësit apo pasuesit për mësuesin dhe poetin, këtë gjë e shpreh edhe qëndrimi i ndonjë kritiku, siç është rasti i Filip Fishtës: “Ai që ka zemër e ndin poezin e Miedës”.[5] Përmendja e zemrës të kujton dikotominë mendje/zemër dhe i jep përfundimit të mësipërm karakter polemist. Parashtrimi i bërë në recensionin e vitit 1917 paraqitet në një dritë tjetër: ndjeshmëria, emocionaliteti i poezisë mjediane nuk lidhet me thelbin e saj, por me shkallën e ndjeshmërisë, me aftësinë pranuese (receptuese) të lexuesit të saj…
Kushdo që është përqendruar te krijimtaria e Ndre Mjedës, ka vënë re se në të ka një informacion të pasur e të shumanshëm nga historia, nga mitologjia, nga etnologjia, nga gjeografia dhe nga jeta e përditshme e shqiptarëve. Duke pasur parasysh erudicionin e tij të gjerë, pa mëdyshje autori i mësipërm mund të quhet poet erudit. Po a është i dëmshëm erudicioni që brendatrupëzohet në poezi, që ngjizet në indet e saj?! Në një jetëshkrim të tij, Jorge Luis Borges-i ka thënë: “Nëse do të më pyesnin se çfarë ka çuar peshë më shumë në jetën time, do të përgjigjesha: biblioteka e tim eti. Më ndodh të mendoj se në të vërtetë kurrë nuk kam dalë nga kjo bibliotekë”.[6]
Të jetuarit midis librave, të ushqyerit prej librave, prej kulturave të Perëndimit e të Lindjes, nuk e ka penguar argjentinasin e madh të qëndrojë përkrah shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX, Proust-it, Joyce-it e Kafka-s, siç shkruan H. Bianciotti në esenë e tij “Bibliotekari i Babelit”.[7]
Poezia erudite apo intelektualiste, siç e quan ai vetë në një parathënie të shkruar më 1981, është një ndër kërkimet më të frytshme dhe një ndër prurjet që kanë pasuruar më shumë poezinë bashkëkohëse. Veç Borges-it, eruditë të mëdhenj kanë qenë disa poetë që kanë lënë gjurmë të thella në poezinë botërore si K. Kavafis, T.S. Eliot, E. Pound, S.-J. Perse e të tjerë.
Në rrafshin kombëtar Mjeda ka afri me shkrimtarin erudit Pjetër Bogdani, me autorin e “Sibilave”, të cilat janë jo vetëm një nga majat e poezisë shqiptare të të gjitha kohërave, por mund t’i kenë të rralla shoqet në poezinë europiane dhe atë botërore të shekullit XVII. Në një shkrim të botuar me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Mjedës, nxënësi i tij N. Doçi e përkujton kështu mësuesin erudit e libërdashës: “Kurr s’kam me të pa ma tui këthye o tui ardhë në shkollë, nëpër rrugina të Seminarit, me Bogdan a Bud nën sjetull?”.[8] Mendoj se nuk mund të ketë shembëlltyrë më domethënëse, paraqitje ikonografike më prekëse sesa kjo për dijetarin, poetin, përkthyesin e mësimdhënësin N. Mjeda…
Nuk mund të mohohet se për nga erudicioni i gjerë, disa krijime të Mjedës mund të përqasen me aso veprash që janë cilësuar “krijime kabineti”. Siç është thënë edhe në të shkuarën, kjo gjë nuk i ka penguar as krijimet me lëndë mitologjike dhe historike që në to të ndihet rrahja e zemrës së poetit, hovi i tij shpirtëror. Pasi pohon se te Juvenilja: “S’mungon sigurisht as arti, as “ndjesija” (nënvizimi im – A. P. ),F. Cordignano ngulmon më tej: “Me gjithë këtë prep po e thom, rrjedhin prej njëj gurre së fresktë e së gjallë poezije së vërtetë e së ndieme…”[9] (nënvizimi im – A. P.).
Ndonëse krijimtaria poetike e Mjedës nuk është e vëllimshme, asaj nuk i mungon larmia tematike. Krahas cikleve me sonete si Scodra, Lissus, në këtë krijimtari përfshihen edhe poema të ngjizura me lëndë të marrë nga bashkëkohësia, krijime që kanë zanafillën te faktet jetësore. Një tekst i mbushur me përjetime të thella, të shkaktuara nga situata të tendosura intime dhe/apo shoqërore, është konsideruar Vaji i bylbylit: “Në Vajin e bylbylit dridhet nji mall i mprehtë që lëshon dritë të çudiçme mbi rinin e mërgueme në vende të hueja dhe mbi luftën që në shpirtin e tij vërté shqyptar padurues zgiedhash të çdo lloji, zhgrehej kundra dishiplinës e rregullave të forta pranue vetvetiu”.[10]
Tek Andrra e jetës, për të cilën Koliqi ka shkruar se është “poemth i kulluet, ma i bukri qi lulzoi në kopshtijet e letërsisë sonë”,[11] janë të pranishme vëzhgime të shumta nga realiteti i Shqipërisë së asaj kohe, zhbirime të thella në botën e brendshme të personazheve. Nuk ka dyshim se në poemën e gjatë “I tretuni”[12] kanë zënë vend mendime e ndjesi të poetit që rravgoi në dhera të huaja, veçanërisht ato përjetime që lidhen me arrestimin dhe me nisjen e tij për në internim, më 1902, me pranga në duar.[13]
Të frymëzuara nga jeta janë edhe lirika të tilla emocionuese si “Malli për atdhe”,[14] “Prandvera”,[15] “Vera”,[16] “Dimni”[17] apo “Për një shkollë shqype mbyllun prej qeveris otomane (Korçë 1902)”.[18] Vetë titulli i poezisë së fundit dëshmon se zanafilla e saj ka qenë një ngjarje konkrete, e përcaktuar në hapësirë dhe kohë: Korça, viti 1902.
Meqenëse nuk kam qëllim të bëj katalogun e krijimeve që Mjeda mund t’i ketë shkruar, i nxitur nga ndonjë fakt apo ngjarje jetësore, në studimin tim do të ndalem vetëm te lirika me titull “Në dekë të shoqit tim”. Me sa di unë, për herë të parë ajo është botuar në revistën “LEKA”, Shkodër, fruer 1936.[19] Më vonë është përfshirë në përmbledhjen “Juvenilja dhe poezi të tjera”, përgatitur nga M. Gurakuqi.[20]
Këtë tekst e zgjodha si një shembull tipik të asaj poezie që studiuesit europianë e kanë cilësuar si “poezi rrethane”. Sipas librit “Biseda me Eckermann-in”, del se konceptin e lartpërmendur e ka përdorur poeti gjerman Volfgang Goethe, më 18 shtator 1823.[21] Në qoftë se formulimi i përket datës së mësipërme, poezi rrethane ka në krijimtarinë e disa poetëve të Lashtësisë si Horaci, Katuli, Ovidi.[22] Në mesjetë, përmendet “Antologjia” greke, e cila përmban rreth pesë mijë krijime të autorëve grekë.[23] Në suazat e letërsisë franceze, poezi rrethane kanë shkruar Du Bellay, Baudelaire, Mallarmé, Eluard, Aragon, Francis Ponge etj.[24] Në letërsinë shqipe, poezi të kësaj natyre mund të quhen: “Seferi humajun” e H.Z.Kamberit, fragmente të poemës “Këngët e Milosaos” J.De Radës, “Për lirinë e Venetisë” e Z.Serembes, “O moj Shypni” e P. Vasës, “Një lule e fishkur apo një vajzë e vdekur” e N.Frashërit, “Një lule vjeshtet” e Gj. Fishtës, “Vaje” e A. Z. Çajupit, “Papa Kriston e vranë” e L. Logorit etj.
Studiuesit kanë sqaruar se termi “poezi rrethane” ka dy kuptime të ndryshme, diametralisht të kundërta:
I. Sipas kuptimit të rëndomtë, me poezi rrethane kuptohet një poezi e bërë me porosi, e paguar nga porositësi, siç ka ndodhur me poetët kurtizanë, të cilët rronin në oborret mbretërore.[25] Pasi tregon se sulltan Mahmud Gaznevidi nuk i dha asnjë ndihmë Firdusiut, autorit të “Shahnamesë”, Henri Massé shkruan: “Biografi Aruz thotë se si shpërblim për një katërvargësh të thjeshtë, sulltani kishte dhënë urdhër ta mbushnin me gurë të çmuar tri herë radhazi gojën e poetit Onsori…”.[26]
II. Në gjuhën e kritikës letrare, me “poezi rrethane” kuptohet një poezi e lindur nga një rrethanë e jetës së poetit. Pikërisht në këtë kuptim e kam përdorur edhe unë këtë term në studimin për lirikën “Në dekë të shoqit tim”. Duket sheshit se kjo poezi e ka fillesën te një ngjarje reale, konkretisht te agonia dhe vdekja e një njeriu të njëmendtë, shoq i Ndre Mjedës, i cili ka dhënë shpirt në prani të këtij të fundit. Që ky shoq ka qenë një individ historik, këtë gjë e përforcojnë edhe nistoret Gj. S., prapa të cilave fshihet emri i përveçëm i protagonistit të lirikës. Megjithëse gjetja e këtij emri të përveçëm nuk ka të bëjë fare me vlerat e tekstit që po shqyrtohet, oj se kjo gjë dbeso të ngjallë interes për ekzegjetët e veprës mjediane.
Të botuarit e lirikës “Në dekë të shoqit tim” më 1936 nuk don të thotë se kjo poemë është shkruar rreth kësaj kohe. Brendia e saj të shtyn të mendosh të kundërtën: se ajo duhet të jetë shkruar shumë vite më parë, kur poeti rronte e studionte në dhé të huaj. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet edhe një alternativë tjetër: siç ndodh jo rrallë, motivi i kësaj poeme do ta ketë ndjekur pas Mjedën për një kohë të gjatë, derisa ka ardhur çasti fatlum kur janë sinkronizuar shtysa e jashtme dhe shtysa e brendshme. Me fjalë të tjera, skica embrionale ka marrë trajtën përfundimtare, pasi është përpunuar gjatë në kokë apo në letër. Në dobi të alternativës së dytë, mund të përmendet fakti se ky tekst mungon te “Juvenilja” e botuar më 1917. Që nuk është krijim i rinisë së hershme, kjo gjë vërtetohet edhe nga mungesa e turqizmave, ndaj të cilave Mjeda ka qenë dorëlirë në poezitë e periudhës së parë. Idenë se përjetimin e ngjarjes dhe hedhjen e vargjeve në letër i ndan njëfarë largësie kohore, ta sugjeron edhe përdorimi i kohës së shkuar: “Ishte tu errun nata / E përmbi krye ngurue/ i rrishe kur lingata / Shkrinte njatë jetë të dishrue;/ e thoshe: pra, s’do të desin / Nji që sa shokë mbë të shpresin…”.[27] Në dobi të alternativës se fill pas ngjarjes poeti do të ketë bërë njëfarë skice apo keqeshkronje, flet një argument i pakundërshtueshëm siç është prania në tekst e një mori hollësirash nga më të imtat, të cilat vështirë se do të ishin mbajtur mend dhe do t’i kishin shpëtuar harresës për vite të tëra.
Pavarësisht se cili nga parashtrimet e mësipërme mund të jetë më afër së vërtetës, një gjë është e qartë si drita e diellit: autori i lirikës “Në dekë të shoqit tim” është nxitur nga një ndodhi konkrete, të cilën e ka përjetuar thellë, sepse njeriun që ka hequr shpirt para syve të tij e ka pasur bashkëvendës dhe bashkëmendimtar: “E më thotë”: o vlla, nji teje / Këto zemra për gjithherë,/Të forcueme prej nji feje,/ Rrahne në kët jetë të mjerë;/ Nji caku kje, nji shkëndija / E zemrës: Shqiptarija”.[28] Më tutje: “Pa të gëzue përsëri moj Shkodër,/ Qi më bane djalë të Shqipnis…”.[29]
Në qoftë se poezia e rrethanave, e praktikuar nga poetët e oborrit, karakterizohej nga mungesa e sinqeritetit të poetit, nga mediokriteti dhe precioziteti, përkundrazi, poezia e rrethanës, ashtu siç e konceptonte Goethe-ja, ishte “poezia më e sinqertë, më e thellë dhe më humane”.[30]
1. Sinqeriteti. Poezia e rrethanës është më e sinqertë, sepse poeti nuk rend pas temave të mëdha, të bujshme. Ai shfrytëzon ato tema që i jep jeta e përditshme dhe synon t’u qëndrojë sa më besnik fakteve jetësore.[31]Besnikëria ndaj jetës është e pandashme nga besnikëria ndaj vetvetes. Në raste të tilla, vetëkuptohet se vargjet burojnë nga zemra, janë spontane. Tekstet e poezisë së rrethanës janë të shkurtra dhe koncize. Ato nuk mund të pajtohen me zvargien dhe me proliksitetin, çka të sjell ndër mend thënien proverbiale të Lafontenit: “Gjërat e gjata më kallin frikë”.[32]Nuk ka dyshim se një nga atributet kryesore të lirikës Në dekë të shoqit tim është sinqeriteti poetik, i cili mishërohet jo vetëm në brendinë, por edhe në formën e saj. Në këtë tekst tepër konciz, të përbërë nga trembëdhjetë strofa, shpaloset një jetë njeriu, madjé aty zënë vend meditime për vdekjen dhe pasvdekjen e tij.
2. Thellësia. Meqenëse poezia e rrethanës ndjek hap pas hapi përditësinë, mund të krijohet përshtypja se ajo është e sipërfaqshme. Studiuesit janë të mendimit se nuk ndodh aspak kështu. Ngjarja e përditshme i ngjan një shkrepëtime, e cila i jep mundësi vështrimit të poetit të depërtojë shumë thellë brenda vetes dhe te gjërat. Shkreptimën zbulimtare, takimet me përditësinë, të cilat janë si një derë e hapur kah e panjohura, i kanë shfrytëzuar disa poetë të mëdhenj si Baudelaire-i dhe syrealistët (A. Breton: Naxha, Enët komunikuese etj.).[33]
Edhe autori i lirikës Në dekë të shoqit tim rreket të zbulojë thelbin e dukurive, i jep përparësi depërtimit vertikal në tri drejtime të ndryshme, të bashkëlidhura dhe përplotësuese: depërtimit në jetën e protagonistit, depërtimit në botën e brendshme të subjektit lirik dhe depërtimit në historinë tragjike të popullit shqiptar qysh nga periudha e luftërave iliro-romake deri në kohën moderne: O prill i ri ku Iliri / Zotnoi nji ditë ma së parit / E kombi i huej s’e shtiri/ Detin për tokë të shqiptarit;/ Por lir e fuqiplote / Shqipja dykrenshe urdhnote…[34]
3. Humaniteti. Sipas studiuesve, “rrethana” hedh një dritë të veçantë mbi poetin dhe mbi njerëzit e tjerë. Në poezinë “Plakat e vocrra” dhe “Vejushat”, del në pah keqardhja e Baudelaire-it për protagonistet e krijimeve të tij, ndërsa në poezinë “Me çadrën tënde”, Francis Jammes shpreh dhembshurinë e tij për bariun plak.[35]
Duke shkoqitur veçoritë dhe vlerat e poezisë së Mjedës, F. Cordignano saktëson: “Dy tema qi pat për zemër ndër vargje të veta janë ato që i përkasin familjes e atdheut; pa lanë pas dore ndiesin e miqsis”.[36] Këto tema përbëjnë strumbullarin e lirikës “Në dekë të shoqit tim”, ku mbizotëron një atmosferë e theksuar humaniste, e cila shprehet si përmes dashurisë së Gj. S.-së për vendlindjen, për viset shqiptare, për kombin e tij fatkeq, ashtu edhe përmes përgjërimit të subjektit lirik për shokun e sfilitur nga lëngata dhe të kërcënuar nga vdekja, për bashkëkombasin dhe për bashkëmendimtarin që jep shpirt me fjalën “Shqipni” në gojë: Ngrimun si i gur mbi krye/ Kqyrshe at vol trishtimi;/ Kur ai, si t’ish tui kthye / Shpirti prej ndoj udhtimi,/ Tui çilun sytë përsëri,/ Tha të mbramen fjalë: “Shqypni![37]
Prirje të poezisë së rrethanës
Poezia e rrethanës ka prirje për të veçuar nga realiteti i përditshëm situata, sende dhe personazhe që marrin karakter simbolik. Me këtë rast, ia vlen të përmendim fjalët e një kritiku që për këtë çështje ka thënë: “Në thelb, për një symbolist ashtu si dhe për një poet të rrethanës nuk ka simbole të vogla, ekziston vetëm interesi që ne tregojmë për to”.[38]
Protagonisti i lirikës së Mjedës shndërrohet në një figure simbolike, sepse vdekja e tij nuk është thjesht një shuarje biologjike. Dihet se kur mbyll sytë një njeri që ka punuar një jetë të tërë për popullin e vet, për të zgjuar vetëdijën e tij kombëtare, për ta çliruar nga robëria e huaj dhe për ta vënë në udhën e përparimit, vdekja nuk mund të jetë absolute. Në situata të tilla, asgjësimit fizik i kundërvihet pavdekësia morale, mbijetesa e veprës apo e mesazhit të rëndësishëm që ka lënë i vdekuri: “E thoshe: pra s’do të desin/ Nji qi sa shokë mbë të shpresin/ Shpreson nji atdhe për dije/ E harte që në të shndrisin;/ Për atë dashtni e shije / Që zemrën ia stolisin;/ E, veton rrebtë nji mende / Ndër shkrime e ndër kuvende”.[39]
Pas pohimeve të mësipërme, dua të shtoj se trajtimi i temës së vdekjes e të pavdekësisë vetëm në rrafshin patriotik, do ta ngushtonte shumë vizionin filozofik të Mjedës, do ta cungonte mesazhin universal të poezisë së tij. Qysh në lashtësi, filozofët që janë marrë me problemin e vdekjes, kanë vënë në dukje se ajo ka karakter tragjik vetëm në rrafshin individual, sepse shënon fundin e një individi, kurse në kuptimin filozofik, ai që vdes, nuk zhduket as nuk asgjësohet, mbetet pjesë e materies universale.
Një prirje e rëndësishme e poezisë së rrethanës është fryma e saj intime, ngrohtësia e saj dhe përqëndrimi i saj te sfera e jetës intime.[40] Lirika “Në dekë të shoqit tim” mund të konsiderohet si një ndër shembujt më të gjallë të frymës intime, për të cilën u fol më lart. Pasqyra magjike e poezisë na jep mundësi të shohim çfarë ndodh edhe në skutat më të thella të shpirtit të protagonistit apo të subjektit lirik. Me plasticitet të rrallë janë paraqitur përjetimet e tyre: “E u pak: me dorë ia shkova / Djersën e ftohtë e më zbritshin / Lott kur, mahnit vrova”.[41]
Rreziqet e poezisë së rrethanës
Për t’iu shmangur çdo lloj mbivlerësimi të poezisë së rrethanës, studiuesit kanë tërhequr vëmendjen edhe për rreziqet që i kanosen këtij zhanri:
1. Bukuria e stisur: Një rrezik i këtillë ekziston në ato raste kur ngjarja vlerësohet më shumë nga ç’duhet, kur protagonistit të poezisë i atribuohen cilësi që nuk i ka, kur stili mbingarkohet me figura stilistike të papërshtatshme dhe të panatyrshme.[42] Kam bindjen se në lirikën “Në dekë të shoqit tim” është ruajtur sensi i masës, janë shmangur retorika dhe çdo shfaqje tjetër panatyrshmërie. Përjetimet e atdhetarit të devotshëm janë dhënë në mënyrë të besueshme, pa teprime, pa stil të përfryrë e të rënduar: “Pa të gëzue përsëri, moj Shkodrë,/ Qi më bane djalë të Shqipnis,/ E në hije të njasai kodrë / Urojmës s’Iliris / Eshtnat me i lanë, e urime / Me pritë prej kuj në giuhë time”.[43]
2. Prozaizmi. Këtë dobësi, kritikët e quajnë një “rrezik të dukshëm, në qoftë se poeti bie në tundimin përshkrimor, në qoftë se e shpjegon gjerë e gjatë rrethanën”.[44] Duke lexuar lirikën “Në dekë të shoqit tim”, të bie në sy menjëherë se Mjeda nuk përshkruan, e shmang elementin narrativ, tregohet shumë i kursyer në informacionin që i jep lexuesit. Madje do të shtoja se në këtë tekst ai përdor atë procedim letrar që P. Cittati e quan “teknika e omisionit” (heqjes), kurse Mario Vargas Llosa e ka emërtuar “element i fshehur”.[45] Për të shpëtuar nga prozaizmi, nga narrativiteti, poetin e kanë ndihmuar struktura që ka zgjedhur dhe monologu lirik. Si kohë fizike, nga tërë jeta e Gj. S.-së janë paraqitur vetëm çastet e agonisë. Duke u nisur nga këto çaste, si nga një pikë ideale (bie fjala, alefi i Borges-it) lexuesi rrok me sy tërë jetën e protagonistit si dhe çastet kulmore të historisë së popullit shqiptar.
Në radhë të parë, mjeshtërore është tabloja që ravijëzon kohën e agonisë. Hollësirat që përfshihen në të, kanë vërtetësi psikologjike, tension dramatik. Kjo gjë bën të mundur që këto hollësira të shndërrohen në shenja ligjërimi me ngarkesë të lartë kuptimore dhe emocionale, siç ndodh në strofën e mëposhtme: “Por ai mbi nkrejca pshetun / Rryeshëm e ngrehi shtatin / E syt përpara mbetun,/ I njalli prep e shtratin / E trandi nji fuqi / Ardhun n’atë ças për së ri”.[46]
Përveç intensitetit kuptimor e emocional, prozaizmit i bëhet sfrat edhe forma poetike, në të cilën mishërohet brendia e tekstit. Ritmi i vargjeve të kujton regëtimat e një zemre që ndodhet në përpëlitjet e fundit, frymëmarrjen gulçuese të atij që heq shpirt. Këtë fakt e përforcon përdorimi i shpeshtë i tejbartjes, i thyerjes së vargjeve: “Ku Topja i madh flamorin / Tand kundra të huejit qiti / Shqipe, e kah ti krahnorin / Të mësuemit nën zgjedhë valviti…”.[47]
Kundërshtar i një stili të thatë e narrativ, Mjeda i zgjedh me dorë të sigurt dhe i vë në vendin e duhur figurat stilistike. Me anë të paralelizmit figurativ, ai përqas ditën me jetën, natën me vdekjen: “Për mue kjo jetë po soset,/ O vlla, pa u sosun nata…”.[48] Ky paralelizëm na shtyn të mendojmë se jeta e Gj. S. – së ka qenë ditë, dritë për bashkëkombasit e tij. Metafora është figura që i jep gjallëri të madhe këtij teksti, ia rrit shumë ngarkesën kuptimore. Si rilindës i vërtetë, Mjeda shpreh bindjen e tij se drita e qytetërimit, përparimi i një populli janë të lidhur ngushtë me rolin emancipues të dijes e të arteve: “Shpreson nji atdhe për dije / E harte që në të të shndrisin…”.[49] Në portretin moral të protagonistit, Mjeda veçon pasurinë shpirtërore, ndjenjat e thella, zemërbardhësinë: “Për atë dashtni e shije / Qi zemrën ja stolisin…”.[50] Mendimet e intelektualit të vetëdijshëm për detyrimet që ka ndaj vendit dhe popullit të vet u ngjajnë vetëtimave që ndizen flakë në një qiell me re të zeza: “E i veton nji mende / Ndër shkrime e ndër kuvende”.[51] Patriotizmi i kulluar është një zjarr i shenjtë, i cili e ngroh dhe e nxit njeriun për të ndërmarrë punë të mëdha e për të kryer vepra me rëndësi kombëtare: “Nji caku kje, nji shkëndija / E zemrës: Shqiptarija”.[52] Në pajtueshmëri me formimin e tij si klerik, Mjeda e përfytyron vdekjen e njeriut si një shteg që lidh botën tokësore me botën e përtejme: “Lëshohei ku i dekës ish shtegu…”.[53] Metafora më e bukur e më origjinale e kësaj lirike haset në ato vargje ku ditët e jetës njerëzore përqasen me penjtë që përdor pëlhurendësja: “Ky tymen do të paloset / Pa u endun mirë e ngrata…”[54] Një pasazh i tillë hedh dritë mbi prejardhjen e Mjedës nga gjiri i vegjëlisë, pranë së cilës kishte shërbyer me vite të tëra si meshtar i thjeshtë. Vetëm një poet që e njihte mirë jetën e fshatarësisë, mund të dinte çfarë ishte indi dhe tymni. Nuk më duket e pavend të shtoj se metafora e mësipërme ka edhe konotacione mitologjike, sepse ajo na kujton Orët (Fatitë), Vejtoren (Çabej), të cilat tirrnin e prisnin fillin e jetës njerëzore. Për autorin tonë, të ushqyer me kulturën klasike greke dhe romake, nuk kanë qenë të panjohura miti i pëlhurës së Penelopës, miti për dyluftimin midis Arahnes e Palladës (Minervës) i cili është përjetësuar në “Metamorfozat” e Ovidit.[55]
I mbështetur në botëkuptimin mitologjik është edhe personifikimi i atdheut si një qenie njerëzore: “Shpreson nji atdhe për dije…”.[56] Dihet se shumë studiues e kanë konsideruar epitetin si një dhjamë të tepërt që e rëndon dhe e ngathtëson frazën apo vargun. Vëmë re se në këtë tekst, epitetet janë fare të pakta: “Pa puthë njato shkambije / Të lame me gjak të shqiptarit…”.[57] Te ndonjë epitet është e pranishme edhe nënshtresa mitologjike: “Ngrimun si i gur mbë krye / Kqyrshe ata vol trishtimi…”.[58] Me të lexuar këto vargje të vijnë në mendje Zanat e malit që gurëzojnë krushqit dhe nusen e Mujit, gurëzimi i Rozafës së muruar në themelet e kështjellës, gurëzimi i Niobes apo gurëzimi i Atlasit dhe i bashkëluftëtarëve të Pineusit, kur Perseu u tregon kokën e Meduzës… Veç krahasimit të thjeshtë, Mjeda përdor me mjeshtri edhe similitudën virgjiliane, e cila i zgjeron hapësirat e tekstit, duke e pasuruar me informacion historik e gjeografik: “Lëshohei ku i dekës ish shtegu / Mbi çeta t’Anadollit/ i rrmyeshëm Skanderbegu/ Si shkulmat e Devollit,/ Si valet e ‘j prrojt qi maja / Lëshon, e npër fushë bie rrkaja”.[59]
I bindur se emfaza, retorika e dëmtojnë poezinë, autori i lirikës “Në dekë të shoqit tim” e shtie në punë eksklamacionin vetëm në ato raste kur përmes tij shprehet një voltazh i lartë emocional: “E më thotë: o vlla, nji teje / Këto zemra për gjithë here / Të forcueme prej nji feje,/ Rrahne në kët jetë të mjerë…”.[60] I vetëdijshëm për vdekjen që i kanoset, protagonisti ndien një dashuri të madhe për jetën, nji dhimbje të thellë për këputjen e saj në mes nga kosa mizore e vdekjes: “Për mue kjo jetë po soset / O vlla, pa u sosun nata…”. Ndjenja e atdhedashurisë është e pashkëputur nga nderimi për historinë e kombit tonë, nga dëshira për të shijuar bukurinë e viseve shqiptare: “O prill i ri, ku Iliri / Zotnoi nji ditë ma së parit,/ E kombi i huej s’e shtiri / Detin për në tokë të Shqiptarit…”.[61] Para se të jetë një testament politik, testamenti i një atdhetari të njëmendtë është një testament dashurie, të cilën nuk mund ta cenojë as vdekja: “Tui çilun syt për së ri,/ Tha të mbramen fjalë: Shqipni!”[62] Me anë të së vetmes pyetje retorike që përmban ky tekst, zbulohet fati tragjik i mërgimtarit, i cili është i dënuar të mbetet larg atdheut të tij për së gjalli dhe për së vdekuri, i rrethuar nga ftohtësia, mospërfillja, heshtja dhe harrimi. Në këtë mënyrë, mërgimtari pëson një vdekje të dyfishtë: fizike dhe shpirtërore: “Vetëm ndër dhena t’hueja / Me dekun, o Shqypni?!”[63]
Simbolet e aktivizuara në lirikën “Në dekë të shoqit tim” i përkasin arsenalit të poezisë së Rilindjes sonë Kombëtare. Një ndër më tipiket është shqipja dykrenare, e cila simbolizon Shqipërinë, lirinë, forcën jetike të popullit tonë, lashtësinë dhe identitetin e tij: “Por lir e fuqiplote / Shqipja dykrenshe urdhnote”.[64] Simbolet “eshtnat” dhe “gjak” shenjojnë luftërat e shumta që kanë bërë iliro-shqiptarët kundër pushtuesve të ndryshëm. Me gjithë humbjet që kanë pësuar, bijtë e shqipes ia kanë dalë mbanë të ruajnë qenien, trojet dhe kulturën e tyre: “Pa puthë njato shkambije / Të lame me gjak të shqiptarit / Pa u hjekë mbi giuj në vallnije/ Qi eshtnat vorruen të barbarit…”.[65]
Kundërvënia midis të kaluarës heroike e të lavdishme nga njëra anë, dhe një të sotmeje fatkeqe e poshtëruese nga ana tjetër, është një ndër lajtmotivet e poezisë së Rilindjes sonë Kombëtare: “Ti ke pasë qenë nji zojë e randë,/ burrat e dheut të thirrshin nanë./ Ke pasë shumë t’mira e begati,/ Me varza të bukura e djem të ri…/…/ Po sot, Shqypni, po më thuej si je?/ Po sikur lisi i rrëxuem përdhe…”.[66] Kjo kundërvënie që është e pranishme edhe në krijimtarinë e Mjedës, në këtë teskt shpërfaqet me antiteza të gjetura: “Kur Topja i madh flamorin / Tand kundra t’hujit qiti / Të mësuemit nën zgjedhë valviti / E ndrroi në liri robnimin…”.[67]
Në studimin e tij për Mjedën, F. Cordignano bën edhe këtë vërejtje prej vëzhguesi të mprehtë: “Pse duhet verue se Mjeda nuk e temelon poezin e vet në popull, si P. Fishta, por veç herë herë ndien prej si do jehona të largta e të bukra për mrekull”.[68] Ka të ngjarë që njëra nga këto jehona të largëta mund të jetë edhe personifikimi i yjeve në vargjet e mëposhtme: “Hyjzit qi nelt shëtitshin,/ Nëpër dritsore e vruene / Me sy të përlotët, e shkuene”.[69] Duke u përqendruar paksa mbi këto vargje, cilitdo që e njeh poezinë tonë gojore do t’i vijnë ndërmend këto vargje të rapsodisë “Ajkuna kjan Omerin”: “Qyqe vetëm rrugën ma paska marrë,/ Kanë xanë vend hyjt vajin për me e ndie”.[70] Edhe në qoftë se Mjeda nuk e ka njohur fare rapsodinë e mësipërme, së paku personifikimi i yjeve në lirikën “Në dekë të shoqit tim” mbështetet te besimet popullore. Dihet se filozofi i lashtë Anaksagora qe i pari që i quajti yjtë masa inkandeshente, natyra e të cilave ishte identike me atë të trupave tokësorë: “Deri në atë kohë, imagjinata popullore shihte në ta perëndi”.[71]
Bukuria klasike e poezisë mjediane lidhet ngushtë me përsosurinë e saj formale, çka del në pah në fushën e stilistikës dhe në atë të metrikës. Për këtë mjeshtër të rrallë të poezisë shqipe të shkruar me varg të matur, Cordignano-ja shprehet kështu: “Mjeda asht poeti qi ka shti me përfundime krejt të lumnueshme atë rrymbë të pastrë klasiqizmi nd’art që asht shprehja e amshueme e gjenit estetik të njeriut në mjeshtri të fjalës e të vargut”.[72] Model i mjeshtrisë poetike të Mjedës mund të konsiderohet edhe lirika “Në dekë të shoqit tim”, e ndërtuar me strofa gjashtëvargëshe, me skemën ABABCC. Rimat janë: e alternuar: “Shpreson nji atdhe për dije / E harte qi në të shndrisin;/ Për atë dashtni e shije / Ai zemrën ja stolisin…”[73]; e puthur: “E i veton rrebtë nji mende / Nder shkrime e nder kuvende”.[74] Në pikëpamje statistikore, del se mbizotëron rima femërore, e cila haset 35 herë, ndërsa rima mashkullore vetëm 4 herë.
Në tekstin e kësaj lirike nuk gjendet ndonjë barbarizëm, çka, siç e kam thënë më parë, dëshmon se ajo është shkruar ose është ripunuar në fazën e pjekurisë poetike të autorit të saj. Sintaksa poetike ka ndikime të dukshme nga poezia klasike italiane apo nga ndonjë poezi tjetër europiane. Kjo sintaksë qëndron larg ligjërimit popullor apo modelit folklorik. Duke folur për shkollën letrare të jezuitëve, E. Koliqi thotë: “Këta andrrojshin nji prozë të pasun me gjuhë të pastër, pa fjalë të hueja; nji poezi fluturuese në trajtë madhështore simbas atyne shembujsh të huej qi kishin parasysh e shijojshin pajada. Shka bane? Hynë e studiuen shqipen; fjalët e shqipes, jo frazeologjinë, e cila i gitte tepër e përvujtë e popullore; kërkuen fjalë të rralla në popull; ndër libra të vjetër, ndër fjalorë që filluen të botohen”.[75]
Në fund të këtij shqyrtimi, besoj se mund të them me plot gojën se lirika “Në dekë të shoqit tim” është një poezi rrethane. Kjo lirikë dhe tërë vepra mjediane hedhin poshtë si të pathemeltë opinionin e atyre që kanë dashur t’i ngjitnin Ndre Mjedës etiketën e poetit libresk, cerebral. Pas një pohimi të tillë, e quaj të nevojshme të shtoj se për kritikën bashkëkohore është e papranueshme dikotomia kokë/zemër apo mendim/ndjenjë. Poeti dhe eseisti francez Michel Deguy shprehet kështu për marrëdhëniet midis poezisë dhe mendimit: “Pa mendim, nuk ka poemë; nuk ka kurrfarë vajtje diku, kurrfarë përçueshmërie, asnjë domethënie, asnjë alegori, asnjë “krijim të vazhduar”, asnjë tejbartje, madje asnjë ndërtim sintaksor, asnjë figurë, asnjë fjali. Siguria se Homeri është i verbër, fliste për artin grek: ai përparon përmes mendimit”.[76]
Përsëri na del në shteg i pashmangshmi Goethe me termin e tij “Gedankenlyrik” = lirikë mendimi ose lirikë meditative. Pavarësisht nga kjo gjë, çdo njohës serioz i veprës së Ndre Mjedës është i bindur se në të nuk mbizotëron “Gedankenlyrik”. Për të karakterizuar këtë poezi, së cilës koha nuk ia ka venitur as veskun, as vlerat, do të citoj fjalët që ka shkruar N. Doçi, më 1937: “Ti diqe Dom Ndre në sa ne ishim larg Teje, por ani s’ka gja, djelmnija e Shkodrës jetike të ka shoqnue, të ka nderue, e njasaj Shkodre, ti i fale çka ma të bukur, të kandshëm e t’amblë ka kanga lirike Shqyptare”.[77]
2002
[1] CIRKA, Shkodër, 31 korrik 1938, f.195.
[2] Fishta, Estetikë dhe kritikë, Tiranë, 1999, f.129.
[3] Po aty, f.129.
[4] Ernest Koliqi, Kritikë dhe estetikë, Tiranë, 1999, f.26.
[5] Hylli i Dritës, Shkodër, 1931, f.595.
[6] Jorge Luis Borges, Oeuvre poétique, 1925-1965, 1996, f.209.
[7] Borhes, Poezi, Tiranë, 2000, f.234.
[8] CIRKA, Shkodër, 31 korrik 1938, f. 195.
[9] Po aty, f.196.
[10] Po aty, f.196.
[11] Po aty, f.196.
[12] Ndre Mjeda; Juvenilia dhe vepra të tjera, Tiranë 1964, f.41.
[13] Po aty, f.5
[14] Po aty, f.93.
[15] Po aty, f.100.
[16] Po aty, f.101.
[17] Po aty, f.103.
[18] Po aty, f.126.
[19] LEKA, Shkodër, fruer, 1936, f.66-67.
[20] N.Mjeda, Juvenilia dhe vepra të tjera, T.1964, f.137.
[21] A. Chassang, Ch. Senninger, La dissertation littéraire générale, Paris, 1992, f.15.
[22] Po aty, f.86.
[23] Po aty, f.86.
[24] Po aty, f.86.
[25] Po aty, f.86-87.
[26] Henri Massé, Firdousi et l’épopée nationale, Paris, 1935, f.89.
[27] LEKA, Shkodër, fruer 1936, f.66.
[28] Po aty, f.66.
[29] Po aty, f.67.
[30] A. Chassang, Ch. Senninger, vep. e cit., f.87.
[31] Po aty, f.88.
[32] Po aty, f.88.
[33] Po aty, f.88.
[34] LEKA, Shkodër, fruer 1936, f.67.
[35] A. Chassang, Ch. Senninger, vep. e cit. f.89.
[36] CIRKA, Shkodër, 31 korrik, 1838, f.196.
[37] LEKA, Shkodër, fruer 1936, f.67.
[38] A. Chassang, Ch. Senninger, vep. e cit. f.89.
[39] LEKA, Shkodër, fruer, 1936, f.66.
[40] A. Chasang, Ch. Senninger, vep. e cit, f.89.
[41] LEKA, Shkodër, fruer 1936, f.67.
[42] A. Chasang; Ch. Senninger, vep. e cit., f.91.
[43] LEKA, Shkodër, fruer 1936, f.67.
[44] A. Chasang, Ch. Senninger, vep. e cit., f.91.
[45] Luan Canaj, Një univers në një rrokje, Tiranë 2002, f.88.
[46] LEKA, Shkodër, fruer 1936, f.66
[47] Po aty, f.67.
[48] Po aty, f.66.
[49] Po aty, f.66.
[50] Po aty, f.66.
[51] Po aty, f.66.
[52] Po aty, f.66.
[53] Po aty, f.66.
[54] Po aty, f.66
[55] Ovide, Les Metamorphoses, Paris, 1966, f.155-159.
[56] LEKA, Shkodër, fruer 1936, f.66.
[57] Po aty, f.67.
[58] Po aty, f.67.
[59] Po aty, f.67.
[60] Po aty, f.66.
[61] Po aty, f.67.
[62] Po aty, f.67.
[63] Po aty, f.66.
[64] Po aty, f.67.
[65] Po aty, f.67.
[66] Poetë shqiptarë, Tiranë, 1999, f.138.
[67] LEKA, Shkodër, fruer 1936, f.67.
[68] CIRKA, Shkodër, 31 korrik 1938, f.196.
[69] LEKA, Shkodër, fruer 1936, f.67.
[70] Epika legjendare, Tiranë, 1966, f.248.
[71] Penseurs grecs avant Socrate, Paris, 1964, f.143.
[72] CIRKA, Shkodër, 31 korrik 1938, f.196.
[73] LEKA, Shkodër, fruer 1936, f.66.
[74] Po aty, f.66.
[75] E. Koliqi, vep. e cit., f.23-24.
[76] Magazine Littéraire, mars 2001, f.47.
[77] CIRKA, Shkodër, 31 korrik 1938, f.195.