More
    KreuIn memoriamPrimo Shllaku: Si e di unë axhën tim, Gjon Shllakun

    Primo Shllaku: Si e di unë axhën tim, Gjon Shllakun

    Këto ditë do të festonte 100 vjetorin e lindjes. Por janë të pakët ata që e festojnë për së gjalli këtë kuotë moshe. Po ashtu të pakët janë ata që përkujtohen  si qindvjeçarë, edhe pse nuk janë gjallë.

    Axha im, Gjon Shllaku, mësuesi dhe mentori im i nji kohe bukur të gjatë, autor i nistimit tim ndër letra dhe në punët e pafundme të gjuhës shqipe, ka qenë njeri i thjeshtë e modest, edhe pse jetën e tij e kishte të ashpër dhe u godit prej saj qysh në fillimet e rinisë. Ai i përket atij brezi kur “mentesha” e historisë e përtheu kohën kur mosha e tij ishte artimetikisht vetëm me dy dysha dhe nuk  mujti me i përkitë plotësisht asnjenës kohë, as të parës që e lindi e as të dytës që e dështoi. Kësisoj mbeti në kapërcyell tue e heshtë jetën e vet dhe tue jetue vetëm me dritën e ekselencave që e kishin ndriçue botën me shkëlqimin e tyne.

    Ai ishte djali i mesëm i gjyshave të mi atnorë. Kur Gjoni ishte vetëm 2 vjeç, i vdes i ati, gjyshi im, dhe të tre vllaznit nuk e njoftën kurr babën e tyne. U rritën jetimë me nanën e tyne, gjyshen time, që u kthye në gjini në moshën 29 vjeçe e që vejnoi dhe nuk u rimartue ma kurr.

    Jetimët ishin kontigjente për shkollat private fetare, të cilët kërkonin ta ripërtërinin klerin, kurse familjet e godituna nga fatkeqësitë shifnin tek shkollat fetare shpëtimin e fëmijëve të tyne dhe të atyne vetë që do të kishin nji gojë ma pak për me e shujtë. Por gjyshja ime, Pina, ishte lidhë me idenë e Gjonit prift dhe andërronte me u ba kujdestarja e tij në nji famulli, kudo që të ishte. Pra andërronte me shkue me të dhe me i ngrysë ditën në gji të Perëndisë, pranë të birit që kishte hy në shkollën e jezuitëve me destinacionin e meshtarit katolik.

    Me ardhjen e regjimit komunist më 1944-45, i pari që u godit ishte kleri. Kleri u godit sepse ishte i ditun, kishte informacione dhe e dinte mirëfilli se doktrina e pushtetit në ardhje ishte ateiste dhe se së bashku me pronën private dhe liritë demokratike, ajo gradualisht do ta zhdukte edhe fenë. Shembulli ishte Bashkimi Sovjetik dhe regjimi atë model kishte dhe jo nji tjetër.

    Axha im u arrestue në fundin e pranverës së 1945. Shum njerëz e kanë pasë idenë se regjimi po i mblidhte preventivisht klerikët, po i dënonte dhe po i eleminonte edhe fizikisht nën divizën marksiste se feja asht opium për popullin dhe si i tillë feja ishte pengesë zhvillimi shoqnor e shpirtnor.

    Gjon Shllaku, seminarist, ne gjyqin kunder priftave, Blinisht, 1945

    Ç’asht e vërteta kleri katolik nuk e priti mirë ardhjen e komunizmit dhe iu kundërvu kryesisht ideologjikisht. Axha im, Gjon Shllaku, në prill të 1945 shkruen nji bejte satirike kundër Tuk Jakovës, që asokohe ishte numri dy i regjimit me nji kalë ofiqesh e postesh kryesore në hierarkinë e regjimit. Kjo bejte e cila merrej me satirizimin e zanatit të mapërparshëm të Tuk Jakovës – ai ishte marangoz – i përmendte Tukut sharrën dhe zdrukthin dhe e këshillonte atë të shkonte ma mirë e të bante atë punë që e dinte mirë dhe të mos merrej me punë qeverie se ai nuk kishte kërçik për ato punë. Bejtja tallet me Tukun kur e quen Tegetthoff i dytë në ushtri – Tegetthoff-i ishte nji admiral i famshëm austriak që e mundi flotën italiane në Lissa, më 1866.

    Zarfin me bejten për Tukun axha ia dha për ta dorëzue anonimisht tek zyrat e mbrojtjes popullore nji djaloshi katërmbëdhjetëvjeçar, E.D. Djaloshi e mori zarfin dhe shkoi fill e tek zyrat te shtëpia e Kokës në Shkodër ku kishte zyrën edhe Tuku asokohe. Ua dorëzoi ushtarëve që ruenin hymjen dhe po rrinte aty. Simbas vetë pohimit të E.D., ai e dorëzoi në sportel dhe ndejti me pritë aty. Djaloshi i ri ishte mësue me dorëzue mallna të ndryshme si mish, stofna, e sende të tjera që dyqanxhijtë i dërgonin nëpër shtëpitë e klientëve të tyne si shërbim falas dhe joshje e klientelës. Destinatari pothuejse gjithnji hiqte e i jepte prumësit nji bakshish të vogël për shërbimin. Pra djaloshi po priste në kambë të merrte simbas rregullit të tij nji bakshish nga dikush aty për atë zarf që kishte sjellë. Kur e pyetën pse pret ai heshti, se ishte turp me kërkue bakshish. Bakshishi duhet “të pikonte” njianësisht nga ana e klientit. Djaloshi heshtte dhe rojat dyshuen për sendin e sjellë prej tij, e hapën dhe, kur panë përmbajtjen, e kapën djaloshin dhe e shtrënguen fort që të tregonte dërguesin. Dhe dërguesi ishte Gjon Shllaku, seminarist në kolegjin saverian të qytetit të Shkodrës.

    Kështu arrestohet axha im dhe në hetuesi i bahen tortura të forta: korrent në bulat e veshit. Hetuesit i kërkonin me ditë se kush e kishte porositë për bejten. Ky e merrte vetë përsipër dhe thoshte se, meqë e kishte pasë shok mëhalle Tukun e kishin luejtë me qinda herë top futboll me top leckash së bashku, e kishte pa të udhës t’ia shkruente bejten në konfidencë.

    Por hetuesia donte me mbërritë tek pegagogët e shkollës përmes seminaristit Gj.Shllaku.

    Atëherë gjyshja ime çohet e i shkon në shtëpi nanës së Tukut dhe e ban leckë lidhë me arrestimin e të birit të saj, tue e quejtë atë punë kalamajsh, nji bejtë e punë e madhe. Shkodra ishte qytet bejtesh dhe humori të patëkeq dhe se nuk mund të burgosej nji jetim për do rreshta humori për me qeshë. E ama e Tukut preket nga gojtaria e posaçme e gjyses time dhe i premton se do ta bisedojë qysh atë mbramje me Tukun punën e Gjonit. Mbas dy ditësh axha kthehet në shtëpi. Nana ime më thotë se atë ditë kur erdhi Gjoni, u ba nji gëzim i papërshkrueshëm. Tri ditë nuk na pushoi shtëpia prej vizitave.

    Thonë se nana e nji të burgosuni tjetër që kishte mbetë mbrendë e që ishte edhe ai seminarist si Gjoni, shkoi deri në Tiranë për me u ankue se si nuk e kishin lirue edhe të birin e saj, por kishin lirue vetëm Gjon Shllakun. Diku në kupolën e regjimit u krijue ni “lidhje e shkurtë” dhe axhën tim vijnë dhe e marrin për së dyti, mbasi kishte ndejtë nja tri javë të mira në shtëpi dhe po mundohej me harrue përvojat e tij në hetuesitë e 1945.

    Kështu ai iu nënshtrue edhe nji herë hetuesive dhe qe pjesë e nji megagjyqi që u propagandue fort nga regjimi dhe që u zhvillue me altoparlanta në sheshet kryesore të qytetit. Kortezhi i të dënuemve përshkohej me kambë nëpër qytet për me rritë terrorin dhe njerëzia e papjekun politikisht dhe me entuziazmin e propagandës i pështynte tek kalonin rrugës. Në grup ishin mësuesit e axhës Fausti, Dajani etj. Hetuesit ngulmonin që të nxirrnin prej seminaristave të pandehun se ishin mësuesit e tyne ata që i kishin shtie në veprime kundër pushtetit të ri. Në gjyq Gjonin e shtrënguen fort të pohonte se ishte i futun prej mësuesve të tij me shkrue satirën anmiqësore ndaj Tukut që atëherë ishte në pupa dhe nuk i binte pasha në gju. Nana ime më tregon se gjatë gjyqit publik me altoparlanta, ajo së bashku me gjyshen delnin në shesh dhe e ndiqnin gjyqin prej jashtë. Nana ime më thoshte se kur prokurori i bani presion Gjonit të pohonte se ishte pedagogu italian i shkollës, patër Fausti, ai që e kishte porositë bejten për Tukun, Gjoni u përgjigj me vendosmëni: Jo, pasha Zotin! Turma në shesh lëshoi nji uuu! të madhe e të gjatë. Për nji njeri që kishte marrë rrugën e priftënisë, ishte e ndalueme me zanë be në Zotin dhe axha im në atë siklet shtrëngice e tha tue krye nji kundravajtje morale ndaj rrugës së tij të atëhershme.

    Interesante asht edhe dhania e pretencave për këtë megagjyq. U lexuen dënimet që po jepeshin prej atyne që vetëquheshin drejtësia popullore. Nana më tregonte se ishte në shesh me gjyshen dhe po prisnin me zemër të ngrime se cilat do të ishin dënimet. Gjashtë emnat e parë ishin të gjithë me vdekje (pushkatim). Emni i Gjonit, – thoshte nana, – ishte i shtati. U lexue emni i tij. Pati nji heshtje. U ngrimë. Gjyshja ishte mbulue në djersë të ftofta. U ndigjue vazhdimi i dënimit: Burgim i përjetshëm, 101 vjet. Turma brohoriti. Ndoshta se filloi teposhtja e dënimeve dhe emnat e tjerë (se ishin shum) ishin tashma jashtë rrezikut për jetën. Gjyshes time i ra si të pakët, por e mbajti veten. Askush nuk e dinte në atë turmë se ajo grue pesëdhjetëvjeçare sapo e kishte pa djalin e saj të shpëtuem prej kthetrave të vdekjes.

    Axha ndejti njimbëdhjetë vjet në burgje e kampe pune, Burrel, Radostinë, Shtyllas etj. Doli nga burgu në maj të 1956. Tuku kishte ra nga fiku, madje ishte përjashtue edhe nga partia e ishte internue në Berat dhe punonte si zdrukthatar. Profetësia e bejtes së Gjon Shllakut ishte përmbushë. Tuku kishte kapë sharrën e zdrukthin edhe nji herë në dorë. Transcendencë e historisë apo fillimi i shthurjes së andrrës komuniste?

    Axha im heshti përgjithmonë dhe nuk donte me folë për atë pjesë, madje as në kohën kur regjimi ra dhe liritë e fjalës erdhën me bollëk. Sa herë e pyesja,  ftyrës së tij  i ikte drita dhe kjo mue më çarmatoste për shum kohë ma mbrapa. Vetëm në 1994 kur erdhi në Athinë me marrë diskun e argjendtë si helenist i njoftun edhe nga bota helene, me njimijë zore e ngurrime pranoi të ma tregonte bejten për Tukun. Nuk deshti me ma diktue, por hyni në makinën time të shkrimit dhe e shkroi përnjiherësh a thue se ishte tue e lexue diku. Si duket, ai tekst që ia kishte ndryshue përgjithmonë jetën, ishte nji realitet mendor tejet i pranishëm në të gjitha orët e tij.

    Jeta dhe fama e tij e padiskutueshme lidhet me “Iliadën” e Homerit. Ajo qe kali i tij i betejës dhe monumenti i rrallë që ia la kulturës shqiptare në dy variantet kryedialektore, gati-gati si me dashtë me thanë: shifni dhe krahasoni, ndjeni dhe vlerësoni. Parballja mes dy varianteve kishte qenë nji sfidë e keqe, por e paqëllim. Zellnikët e kthimit në standard e kishin dënue variantin në gegnisht me mbetë pakrahasueshmënisht varianti optimal i Omerit në shqip. Zelli i tepruem shpesh na ban me e humbë të drejtën në nji skemë krahasimtare të cilës nuk ke se si me i ikë. Ma mirë do të ishte të lehej në gegnisht si “Komedia hyjnire” dhe krahasimi hipotetik do të ishte ma në favor të variantit standardo-tosknisht. Por gegnishtja me sa duket i merr revanshet e saj nën qiell të kthjelltë dhe pret mendje të kthjellta për ta kthejellue peizazhin gjuhësor. Ajo asht aty dhe aty do të mbetet derikur shqipes barra që i ka shkue nën bark, t’i barazpeshohet dhe shqipja të rrjedhë e gjanë dhe e thellë sikurse e ka tregue tradita e saj ma e mirë dhe pjesa historike e mbijetueme e letërsisë së saj.

    Kur përkthente Iliadën, Gjon Shllaku i kishte caktue burimet dhe i kishte përcaktue modelet. Kishte studiue me kujdes variantet e përkthimit të disa kangëve nga Frano Alkaj, nji helenist i mrekullueshëm edhe ai, dhe modeli e prozodia e kangëve të Kreshnikëve i kishte ra për shtat frymës epiko-heroike të Iliadës, si histori fatosash e betejash tragjike me antrakte skenash njerëzore e mahnitjesh para gjithësisë e krijesës si burim i përhershëm frymëzimi. Sprovat e para ishin me metër vargu ma klasik, pra greko-romak. Vargu i kthyem kështu ishte pa hove dhe nuk skandohej asimetrikisht. Format klasike të vargut kishin hapësinë ma të madhe, por e lodhnin lexuesin me simetrinë dhe monotoninë që rezultonte prej kësaj simetrie.

    Vargu i Kreshnikëve ishte  ma i rrëmbyeshëm, ishte ma “thyeqafës”, kapërcente dhe shpaloste me shpejtësi, hapte skena dhe mbyllte skena, fillonte dialogje dhe kapërcente dialogje dhe shenjat e pikësimit të tij fonetikisht ishin rrokjet tronke të fundit të vargut. Prozodia e vargut heroik shqip ishte ma filmike, ma imazhiniste, kishte ma shumë imazheri sesa tingëllimë. Por kjo jo gjithmonë. Gjuha shqipe gjente tek Homeri nji hapësinë të pamatë për ta vazhdue ma tej frymën epike e heroike, forcën e nji fjale ose edhe të nji shprehje ndërtue me fjalë. Dialogu i Priamit me Akilin që vjen me kërkue kufomën e Hektorit asht i nji dramaticiteti ndoshta ma të madh në shqip sesa në greqisht. Fryma e Ajkunës që qan Omerin e kishte ndihmue përkthyesin mos me mbetë tek enumeracionet e planit ditor për vorrimin e Hektorit. Elegjiakizmi i sprovuem i shqipes i jepte dorë përkthyesit me thanë shpesh paksa ma tepër se origjinali, madje ma shum, por edhe ma shkurt.

    Askush ende nuk ka shkrue për variantin shqip të Gjon Shllakut. Kjo sepse ne nuk kemi ende vetëdijën e nji shkollë shqipe të përkthimeve, anipse kemi përkthime të mrekullueshme nga të gjitha gjuhët europiane. Pritet të vijë kritika edhe në fushën e përkthimit që fama e këtyne njerëzve të mos jetë nji pasthirrmë admirimi prej tifozësh, por diçka e shumçka ma shum. Përkthyesit kanë hisen e vet në tezgjahun e madh të shqipes dhe janë ata që kanë kontribue për pasunimin gjuhësor ma shum se të gjithë letrarët e marrë së bashku. Kjo sepse përkthyesit e shofin shqipen në raport të gjallë me gjuhët e tjera të kontinentit, kurse letrarët kishin mendjen me krijue neologjizma ndër tekste shpeshherë të pafat. Interaktiviteti gjuhësor tek përkthyesit ka qenë e mbetet shum pjellor, sidomos në nxjerrjen e fjalëve nga zona inaktive e leksikut dhe rijetësimi i tyne në tekste që e emancipojnë drejtpërsëdrejti fjalën për shkak të cilësive të tekstit dhe të ideve e famës që bartin.

    Në verën e 2003 erdha në Shkodër dhe, sapo shkela në shtëpinë e tim eti, ai më tha se axha Gjon nuk ishte mirë, se ishte dobësue dhe se ishte në gjendje kritike. Ndjeva dhimbje dhe njifarë ngurrimi me shkue me e pa. Ai njeri optimist e i heshtun, që më kishte mësue shkronjat e Homerit dhe vargje të tana prej tij, që më kishte përkthye me mija vargje nga latinët për nevojat e mia të formimit e të shkollës, ai njeri që kishim luejtë futboll me porta hungareze dhe që dikur rrinte edhe 30-40 minuta i varun në degë i mbajtun prej njenit krah të tij, tashti ishte në gjendje kritike. Në fakt mësuesit nuk vdesin, prandej ndoshta edhe na nuk duem me i pa as të ligështuem e jo se ma të vdekun. Krova kryet e u nisa pa qejf. U mundova me e imagjinue dhe më delte gjithnji përpara me atë buzëqeshjen e tij enigmatike, të cilën e përdorte si sipar për me mbulue krejt jetën e tij të përmbysun e fatkeqësitë e tjera të cilat e kishin goditë vetëm atë.

    Shkova. Në shpinë e tij. Kishte ra heshtja. Herojt e Iliadës ishin mshefë mbrenda librave dhe nuk bëzanin. Ishte vapë dhe shtëpia e tij vinte era kafe e freskët. S’m’u duk shenj i mirë.

    Na doli para Neta, bashkëshortja e tij. Ajo pati nji vetimë buzëqeshje kur na pa dhe përnjiherësh u ba serioze. “Hë, si asht axha,” – e pyeta. “Njashtu”, – u përgjigj ajo dhe na priu në shtëpi. Ndejtëm pak. I thashë: “Po axha, ku asht?” “Në dhomë,” – më tha, – e ka zanë gjumi.”

    Mbas pak ajo doli dhe erdhi. “Hajdeni,” – na ftoi me shkue në dhomën e gjumit të tyne.

    Kur hyna mbrendë mbi shtratin e tij shquejta nji çarçaf të bardhë hjedhë mbinji trup njeriu. M’duk se kishin hjedhë nji çarçaf mbi disa binarë të kryqëzuem parregull mes tyne. Neta ia zbuloi kryet dhe ai e çoi shikimin përreth.

    Sa më pau, u çil në ftyrë dhe foli me nji za të mekun që s’ia kisha ndigjue kurr. Ai ishte tenor i vërtetë e zanin e kishte kangëtar. Tashti zani i tij ishte bjerrë, ishte topitë dhe dukej se delte me zor prej thellësish të liga që po e ngulfatnin dita me ditë. “Oho, Primus inter pares,” – më tha. Mandej e ktheu në greqisht:

    “Ti leei i Eladha?” – dhe u mundue me buzëqeshë si përherë. Folëm pak. I shtrëngova dorën dhe dolëm. Ai kishte nevojë për pushim. Mbas nji udhëtimi kaq të gjatë, por jo si të Iliadës, por si të Odisesë, axha im kishte nevojë për pushim. Nuk e pashë ma të gjallë. Ai kishte marrë pushimin e tij të përjetshëm për me shkarkue lodhjen e tij të përjetës…

     Tiranë 15 mars 2023 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË