Me Baudelaire-in u njoha qysh në gjysmën e stdimeve të mia universitare. Më përpara i kisha dëgjuar vetëm emrin dhe mbaja mend cilësimet e përkundërta ndaj poezisë e sidomos ndaj jetës së tij. Kisha lexuar se dikush e quante si të fundmin e romantikëve, si ndërlidhësin e shkollës romantike me modernizmin letrar e mendimtar, si nyje novatore në rivlerësimin e rangut të dytë të galerisë mitologjike, si themelues i simbolizmit ose si një “i krisur” që kishte grisur kodet e moralit publik dhe kishte shkandulluar një shekull me poezitë e tij “skandaloze”, me mospërfilljen ndaj moralit publik dhe, sidomos, atij kristian-katolik. Po ashtu kisha dëgjuar për jetën e tij të zdërhallur, për libertinazhin e tij, për jetën parazitare dhe kultin e qejfeve të mbrapshta dhe deri për dënimin e gjashtë poemave të tij nga ana e censurës, e cila e detyronte të paguante një gjobë të rëndë, për çlirimin nga e cila ai i shkroi edhe një letër përgjëruese perandoreshës, gruas së Napoleonit III.
Pra, anekdotikisht, jeta e tij u jepte kureshtjeve të mia të asaj moshe dhe të asaj shtrëngice që zotëronte tek ne, një motiv “ngecjeje”, një dëshirë të mallkuar do të thoshte vetë Baudelaire-i për të depërtuar në labirintin psikoletrar të këtij autori sa të famshëm, aq edhe të panjohur asokohe, madje edhe këso kohe, mes nesh.
Në letërsinë tonë shqipe poetët e mëdhenj ishin edhe personalitete të mëdha, dinjitozë, autoritarë, tipa perpendikularë mbi shekullin e kohën që jetonin, njerëz seriozë, tradicionalistë, burra për së mbari, kjo sipas një shprehjeje të rëndomtë të shqipes, kur duam të karakterizojmë njerëz me integritet dhe të denjë për udhëheqje. Fishta ishte frat dhe kishte staturë kombëtare dhe ndërkombëtare që as zhvarrosja nuk ia humbi hijen e gjatë e shkëlqimin po aq të gjatë; Fan Noli, peshkop, politikan e letrar, me të gjitha përmasat e thëna e të pathëna të një eminence me shumë mistere, por edhe me shumë dritë publike; Naim Frashëri, nëpunës i lartë i perandorisë, burrë me mjekër të rogët, papion e jelek à la française, i cili megjithë bëmat e tij ekscentrike, mes nesh ende vazhdon të përceptohet si klerik i lartë bektashi, pa qenë aspak i tillë; Mjeda, burrë rrondokop, i zi me veshje dhe me tipare, jezuit, karakter katror dhe i parrokullisshëm, serioz dhe autoritar si ai. Me gjithë lektisjet e tij dashurore, Lasgushi mezi e nxirrte këmbën jashtë katrorit të bardhë që i kishte imponuar paraardhësia në përpjekjen e saj, në mos për ta shenjtëruar, të paktën për ta institucionalizuar figurën e poetit. Poezisë dhe letrave shqipe i mungonte nji figurë “rragane” si ajo e Baudelaire-it. Disa prej studiuesve, sidomos lexuesve të thekur, letërsia shqipe u dukej, mbase vazhdon ende t’u duket, e paarrirë, kur nuk ka në të emra si të Baudelaire-it, Rembaud-s, Verlaine-it, Oscar Wilde-it etj. Madje, të shtyrë nga kjo dëshirë, ata sajuan te figura e Reshpes nji analogji sugjestive me tipologjinë bodleriane të poetit ose të artistit në përgjithësi, por kjo vetëm sa i përket jetës dhe mënyrës së jetesës së këtij të fundit. Shestimi poetik i Reshpes është diçka tjetër dhe nuk ka vend për krahasim, nëse ky krahasim gjendet i mundshëm në aspektin biografik dhe anekdotik.
Me veprën e tij madhore Lulet e së Keqes erdha konkretisht në kontakt andej nga viti 1968 dhe librin ma dha pedagogu im, prof Henrik Lacaj, përkthyes latinist i shquar, mik i familjes sime dhe, së fundi, me dorëzimin tek unë pa kushte të librit kryevepër të Baudelaire-it, mund ta them me plot gojën, atëherë edhe imi.
Leximi i parë më la shumë të ftohtë. E para ajo poezi kishte nji nivel tjetër të frëngjishtes, krahasuar me atë që unë lexoja asokohe te Hygoi, te Dumas-i, te Musset-ja dhe ndonji tjetër që asokohe përbënin palestrat e mia të para, ku unë përpiqesha të forcoja muskujt e frëngjishtes time jashtëshkollore. Po më kujtohen sot studentët tanë, të cilët, seriozisht e pafajësisht, kanë problem me Fishtën, madje edhe me Nolin. Fatmirësisht unë nuk vonova të kuptoj se poezia është jo vetëm gjuhë, por gjuhë speciale. Efektin ose përmbajtjen speciale ajo nuk ka rrugë tjetër si ta krijojë përveçse me anë të përdorimit preciz të fjalës, ku ajo mund të jetë element i menysë gjuhësore të ditës, por edhe pjesë e arkeologjisësë saj.
Shkaku i dytë ishte se ajo ofronte para meje si lexues axhami një figuracion të ri, krejt të panjohur dhe plot kurthe. Ajo e Baudelaire-it ishte poezi përjetimi shpirtëror dhe fizik dhe rrallëherë pozë shkrimi ose detyrim i jashtëm me dobi funksionale.
Kur ndeshja tek ajo poezi vargje me spikamë të madhe poetike, formale dhe përmbajtësore, si p.sh. L’orage rajeunit les fleurs (Shtrëngata lulet i rinon.) e ndjeja tashmë peshën e këtij pohimi poetik, por, nga ana tjetër, lidhja në atë varg e rinisë me shtrëngatën ose me stuhinë më intrigonte deri në palcë. Ky varg ma pati neveritur poezinë antologjike të Migjenit tonë (kam parasysh va këtu vargun Qeshu rini, qeshu ose Thueja kangës ma të bukur që di te Kanga e rinisë, sepse imazhi i rinisë m’u duk shum baritor dhe barok. Erdhi mandej epoka e aksioneve të rinisë dhe e shihja rininë jo të stuhishme të bashkëkohësisë time që, me një gërnetë e një def në dorë, kalonte pa brengë gjashtë muaj nga jeta e saj.
Qysh në krye të herës ndjeva brenda meje sfidën që vargu bodlerian i lëshonte gjuhës shqipe në perspektivën e saj për të pritur në shpërgënjtë e fjalëve të saj edhe një poezi ndryshe nga ajo që konsumonim ditë për ditë. Këtu zunë fill edhe sprovat e mia mjerane për ta sjellë Baudelaire-in në shqip. Në një bllok faturash të gjera llogarie, shkruar me laps kopjativ, dergjen belbëzimet e mia të para si përkthyes. E i kujt? I njërit nga më të mëdhenjtë dhe tashti, a posteriori, njërit nga më të vështirët poetë të letërsisë së përbotshme.
Gjatë orvatjeve të mia për përkthim më rezultonte se ajo shqipe që njihja e lexoja unë, ajo shqipe që predikohej dhe servirej si gjuhë letrare njësuar shqipe e priste Baudelaire-in në mes, ashtu sikurse ndodh me nji orendi, të cilën e sharrojmë, kur konstatojmë se nuk e zen dera. Në prirjen e tij obsesionuese për ta zgjeruar sferën e moralit, sidomos lidhur me pikën tre të dekalogut e pikërisht të asaj që ka të bëjë me dashurinë dhe erotizmin, ai sjell vazhdimisht skena që fokusohen te urdhërimet më delikate të doktrinës së krishterë, siç janë Krishti dhe Shëm Mëria. Te poema e gjatë Një Madone, përkthimit të saktë dhe autentik i imponohet leksiku liturgjik i kristianitetit përendimor, për faktin vetë se edhe Baudelaire-i i përkiste këtij grupi të madh. Fjalori i inventarit leksikor të kishës katolike të imponohet, sepse disa ndryshime të kishës së lindjes me atë perëndimore kalojnë edhe në orenditë dhe pajisjet që përdoren në mbajtjen e meshës.
Por problemi i përkthimit në shqip nuk ishte vetëm aty. Ndër sprovat e mia të para për ta dhënë Baudelaire-in në shqip, shumë shpesh varianti kuptimisht i saktë në shqip prodhonte një varg të fryrë me shumë rrokje, pra me më shumë rrokje se origjinali. Kësisoj ishte gjithsesi e vështirë të përcaktoje nji metër silabik për poezinë që do të përktheje. Vargu dilte nga masa. Kjo gjë ndodhte rëndom dhe për faktin se shumë fjalë të tekstit origjinal nuk e kishin gjegjësen monolektike në shqip dhe përkthyesi, i rrëmbyer nga sugjestioni i imazhit në origjinal, binte gjithnjë në kurthin e perifrazimit. Perifraza vërtet që e zgjidhte situatën kuptimore, por e frynte vargun duke ia rritur numrin e rrokjeve. Rritja e numrit të rrokjeve prishte strukturën e poezisë dhe të parin shkatërronte ritmin, i cili është shenja e parë dhe e domosdoshme e vjershërimit.
Kjo gja e bënte të ngutshme gjetjen e fjalëve të përshtatshme, madje në ndonjë vend edhe krijimin e tyre ex novo siç ka qenë rasti i mbiemrit i përsertë si i barazvlefshëm me fjalën frënge bizarre. Fjala eksistuese sinonime çudan nuk i binte askund përshtat harmonikave gjuhësore të Baudelaire-it, kështu që nuk e kam përdorur në asnjë vend.
Pra përkthimi im qysh në fazat e tij të hershme parake, amatoreske dhe diletanteske, shtronte nevojën e gjetjes në shqip të fjalëve të shkurtëra dhe kompakte, shmangien e perifrazave dhe ruajtjen sa të ishte e mundur të strukturës një për një të fjalëve.
Në një fazë të dytë të interesit tim përkthyes ndaj Baudelaire-it, diku pas dhjetë-dymbëdhjetë vitesh që libriu i tij më kishte rënë në dorë, unë kisha përkthye tashmë disa variante të poemave të tij më të rëndësishme, si dhe të atyre që, mua si lexues i tij i panistuar, më kishin bërë që t’i bija ballit me pëllëmbë. Variantet që ende i ruaj, ishin të gjitha të mbushura me perifrazime, por duke i parë tashti te këto variante ishte realizuar diçka jo pak e rëndësishme: unë kisha dhënë kuptimin e saktë të imazhit bodlerian dhe ato gjendeshin të shtrira para meje në shqip, por vetëm si shkrime pa strukturë, pa metër dhe pa parimin e izolabizmit. Pra diçka e afërt me prozën.
Që në atë kohë leximet e dendura të teksteve të tij ma kishin bërë identikitin poetik të Baudelaire-it. Baudelaire-i ishte imazh, ritëm dhe muzikalitet. Këto ishin karakteristika të formës së tij, por edhe të përmbajtjes. Imazheria e tij, skenografia ekzoterike dhe ezoterike ku ndodhte ngjarja e tij ishin përmbajtje. Ambiciet e mia për ta ruajtur Baudelaire-n të paprekur kur të kalonte kufijtë e frëngjishtes për të ekzistuar edhe në shqip, më dhanë të kuptoja një të vërtetë të pakëndshme: se një Baudelaire i plotë nuk mund të kalohej prej meje në shqip. Në këtët çast ishte koha që unë të përcaktoja përparësitë e mia në përkthimin e tij dhe as unë të mos e braktisja, por as edhe të mbetesha në një lidhje amatoreske me poetin.
Kryekreje vendosa të ruaj imazhërinë poetike dhe inventarin special të sendeve dhe që mbushin vargjet e tij me një leksik që edhe francezët i detyron të hapin fjalorët. Nga elementet e formës vendosa të ruaj ritmin, ritmin si organizues i jashtëm poetik që shqelmon prozaizmin dhe e kopsit poezinë brenda strukturash që e thelbësojnë fjalën.
Kështu pra vendosa të heq dorë nga rima. Tirania e rimës, ashtu sikurse ankohej Goethe-ja, ishte një tjetër burim i dëmshëm për ta fryrë vargun me fjalë jo thelbësore. Kjo fryrje në kërkim të një njërrokëshi apo të një dyrrokëshi, që të përkojë identikisht me fundvargun e mësipërm apo të mëposhtëm, pra kërkimi me çdo kusht i rimës, i ka dëmtuar shumë përkthimet e të tjerëve para meje. Vrapimi pas rimës e ka mbushur vargun e thukët bodlerian me fjalë “parazitare” dhe i ka shkaktuar obezitet vicioz atij. Rritja e numrit të fjalëve ose, më saktë, shpikja e tyre, shpesh jashtë kontekstit origjinal dhe nevojave racionale të sintaksës, e kanë relativizuar fjalën në variantin shqip të Baudelaire-it dhe kanë prishur arkitekturën e strofës. Rima aty tingëllon si një formalitet, gati-gati si një kotësi.
E pranoj me ndërgjegje të plotë, e cila është bërë kështu e plotë pas qindra e mijëra orvatjesh për ta gjetur rimën në rrugë organike, duke këmbyer e provuar sinonime e frazeologji sinonimike, inversione e ngandonjëherë duke sforcuar edhe asonancat. Nuk i kam dhënë rimat sepse nuk kam mundur t’i jap që të gjitha. Por në shumë vende rima më ka dalë prej vetiu dhe e kam lënë ashtu si një fat të rastësishëm të vargut, strofës apo të tingëllimës. Në ndonjë rast tjetër sintaksa shqipe me topikën e saj relativisht të lirë më ka ndihmuar të gjej rima të gëzueshme vetëm duke i invertuar fjalët. Në një variant të përkthimit nga Lasgush Poradeci të poemës së mirënjohur Le recueillement (Përqendrimi), poeti poradecar ia ka vënë të gjitha forcat dhënies së ritmit, melodisë dhe domosdo edhe rimave që nuk i bëjnë çep askund. Por ky është vetëm mendimi im. Sipas meje poema është tjetërsuar dhe tëhuajtur nga skema e origjinalit, sepse mua më tingëllon si e çnatyrëzuar.
Dëshiroj të sjell këtu strofën e parë të poemës së madhe Udhëtim në Kitherë, njëra nga mrekullitë e imagjinatës dhe të transformimit poetik të Baudelaire-t:
Zemra si zog më fluturonte plot haré
E lirisht pezullohej rretheqark ndër litarë,
Anija rrëshqiste nën një qiell pa re
Si engjëll që dehet prej diellit rrezear.
Këtu kemi gati fjalë për fjalë imazhin e autorit dhe rimat kanë dalë vetiu pa asnjë sforco. Mund të them se i ndryshuar është vetëm epiteti rrezear. Pjesa tjetër e fjalëve është e paprekur si në origjinal. Nuk kam bërë asnjë shtesë, asnjë heqje, thjesht i kam ujdisur fjalët në vargje dhe kam pranuar rastësinë fatlume të rimimit. Pra nga pikëpamja e e rimave poemat e përkthyera prej meje u ngjasojnë atyre vileve të rrushit, ku ca kokkra janë nxirë e pjekur, kurse pranë tyre ka edhe të tjera që janë ende të gjelbra, ose sikurse do të thoshte De Rada, skallangur.
Sa i përket muzikalitetit, unë besoj se ky element kaq organik te poemat e Baudelaire-it shpesh është tepruar në kërkesën për ta gjetur ose edhe për ta parë atë si diçka më të rëndësishme se ritmi, ose se vetë recitimi prej aktori i poezisë së tij. Biografët dëshmojnë se Baudelaire-i i recitonte me mjeshtëri të pakapërcyeshme poemat e veta ndër sallonet e kohës dhe të gjithë ishin njëzëri të mendimit se zëri i poetit ishte i zvargur dhe i i nxehtë si tingull oboeje. Unë mendoj se muzikaliteti është çështje interpretimi aktorial, i cili gjen dhe krijon harmonika, i mbështetur gjithmonë nga ritmi që sajohet prej theksave ritmikë.
Sa ka lidhje me gegnishten, mund të them se ky është ekspresioni im natyral që unë flas, ligjëroj dhe krijoj. Megjithatë ky shkak ka qenë gjithsesi dytësor. Për arsye se te vepra e tij Vargu folklorik shqip: ndërtimi dhe gjinitë, pjesë e Trilogia albanica-s, Arshi Pipa shpjegon se vargu kombëtar shqip është tetërrokëshi dhe se në toskërisht ky varg, për shkak të numërimit të ë-së si rrokje, përmban 4 deri në 5 fjalë, kurse po i njëjti varg në gegnisht, për shkak të mos numërimit të ë-së si rrokje, mund të përmbajë 5 deri në 6 fjalë. Pra e llogaritur kësisoj edhe në terrene vargjesh më të gjata, del se kapaciteti mbajtës i vargut gegnisht është diku te 20% më i madh se ai i toskërishtes, thënë ndryshe vargu gegnisht. mund të mbaj informacion fjalësor e konceptual 20% më shumë. Kjo veti, fatmirësisht e shprehshme edhe matematikisht, ka lejuar që vepra të mëdha të poezisë botërore të ndjehen më gjerë te shqipja gege. Në rastin tim ky njëzetpërqindësh më ka lejuar që tek përkthimi i Luleve të së Keqes të bëj edhe perifrazime, por pa e fryrë vargun me ato pasojat e pakëndshme për të cilat fola më sipër. Gjithsesi mund të pohoj pa frikë se leksiku gegë, me format e tij të reduktuara dhe të reduktueshme, ka kontribuar realisht në ndërtimin e një vargu të zhdërvjellët, kompakt e intensiv.
Përkthimi im i Baudelaire-it është një variant përkthimi. Kujdesi im i vazhdueshëm ka qenë ruajtja e imazhit dhe e fantastikes, që është kaq e shpeshtë dhe kaq e rëndësishme te simbolizmi i Baudelaire-it. Në pamundësi për të nxjerrë gjithnjë rima si te origjinali, shpeshherë jam mjaftuar me asonancën ose edhe me rimën e bardhë. Por gjithnjë kam mbajtur ritmin, duke e kolauduar atë me anë të leximit të recituar.
Për krijuesin dhe lexuesin e vonuar shqiptar uroj që ky variant i përkthimit të Luleve të së Keqes të Charles Baudelaire-it të jetë edhe një ndihmesë për të kuptuar lindjen e lëvizjeve të reja letrare dhe matjen e çdo krijimtarie me hapin e kohës, sepse ajo që dje ishte e re dhe shpërthyese, sot mund të paraqitet nën një dritë arkivale. Ky është fati i botës dhe pamëshira e zhvillimit.


