Më 19 mars 2022, në Sallën “Consortium”, në Hotel Tirana International, u zhvillua ceremonia e dekorimit të z. Rexhep Hida, drejtues i Shtëpisë së parë botuese private, “Fan Noli”.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë si z. Wang Dexin, zv. Ambasador i RP të Kinës në Shqipëri, z. Zhang Wei, sekretar i dytë i kësaj Ambasade, z. Metin Bulut, Atasheu i Arsimit i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Shqipëri, znj. Remzie Ozturkce, përfaqësuese e Agjencisë Kalem në Stamboll, z. Bora Zukali, Kryetar i Shoqatës “Vatra” te Stambolli, etj.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm gjithashtu edhe mjaft personalitete nga fusha e arsimit, e kulturës, politikës etj. si z. Agim Mero, znj. Mynever Shuteriqi, z. Agron Duka, z. Maks Deliana, z. Simon Miraka, z. Shpend Topallaj, etj.
Ceremoninë e hapi z. Arben Tafaj, kryetar i shoqatës “Tirana” që ishte edhe iniciatori dhe propozuesi i këtij titulli të lartë, i cili, ndër të tjera, tha:
“I nderuar z. President i Republikës, Ilir Meta,
Shoqata jonë gjatë gjithë veprimtarisë se saj, që nga krijimi në vitin 1991, e ka pasur në qendër të vëmendjes lartësimin e figurave të të gjitha sferave të veprimtarisë shoqërore që kanë dhanë, apo që vazhdojnë të japin në të mirë të atdheut dhe të popullit. Në këtë kuadër sot nderohet për veprimtarinë e gjatë dhe shumë të suksesshme njëri prej intelektualëve më të nderuar të Tiranës e të gjithë Shqipërise, z. Rexhep Hida, sot drejtues i shtëpisë botuese prestigjioze private, “FAN NOLI”, e para e këtij lloji në vendin tonë.
Me kryerjen me rezultate të larta, me medalje ari, të fakultetit të gjuhëve të huaja, dhe atë gjuhës e të letërsisë shqipe, z. Rexhep Hida u emërua pedagog ne fakultet. Më pas për vite me radhë ka punuar si përkthyes-redaktor i veprave filozofike, sociologjike e politike, në shtëpitë botuese “Naim Frashëri” dhe atë Enciklopedike. Gjatë veprimtarisë së tij shumëvjeçare arriti të përvetësojë shumë mirë gjuhët gjermane, ruse, franceze dhe angleze, që i shërbyen pa masë në veprimtarinë e tij pedagogjike dhe botuese. Nga viti 1978 deri me 1990 ka kryer detyrën e Shefit të redaksisë politike pranë kësaj shtëpie botuese shtetërore.
Pas ndryshimit të regjimit në vend dhe nisur nga boshllëku shumë i madh i krijuar me dekada për letërsinë e huaj, z. Rexhep ndërmori hapin e parë e shumë të rëndësishëm, duke hapur të parën shtëpi botuese private në Shqipëri, e pikërisht Shtëpinë botuese “Fan NOLI”. Z. Rexhep Hida ka redaktuar e përkthyer mbi 500 vëllime të autorëve të ndryshëm, si F. Dostojevski, A. Sollzhenjicin, Marsel Prust, Zhan Pol Sartr, Alber Kamy, Zigmund Frojd, Karl Gustav Jung, Alfred Adler, Osho etj. Nga letërsia artistike mund të përmendin si shumë të suksesshëm përkthimet e tij në gjuhën amtare të veprave të autorëve botëror si Kafka, Shollohov, Gollsuorth, Pushkin etj.
Në plan kombëtar vlejnë të përmenden tre librat e suksesshëm e shume te rëndësishëm, të titulluar: “Ç’thonë dhe ç’kërkojnë kosovarët?”, të shkruar dhe botuar prej tij në shqip dhe në anglisht, pikërisht në vitet e vrullshëm 1998-99. Këto vepra patën shumë jehonë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Ai është autor i mjaft shkrimeve, studimeve, artikujve, intervistave, në median elektronike dhe të shkruar, (gazeta e revista), të mirëpritura nga lexuesi shqiptar dhe i huaj për Shqipërinë.
Për vite me radhë si Drejtor i Projekteve të Bankës Botërore, pranë Ministrisë së Arsimit e të Shkencës dhe përfaqësues i Shqipërisë në UNESCO-s, z. Rexhep ka mbajtur mjaft referate e kumtesa lidhur me origjinën e gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, duke i lartësuar ato para opinionit publik botëror.
Me këtë rast desha të theksoj një fakt kuptimplotë: shoqata jonë “Tirana” i është mirënjohës në mënyrë të veçantë Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, sepse si asnjëherë më parë ka mirëpritur dhe realizuar vlerësimin e një numri të madh personalitetesh, të propozuar nga ana jonë.
Në përfundim shoqata “Tirana” i përcjell urimet më të mira z. Rexhep Hida për këtë vlerësim të lartë që i bëhet kontributit të shkëlqyer të dhënë në dekada, duke i uruar shëndet si dhe arritje të tjera gjatë viteve në vazhdim për të mirën e shoqërisë sonë demokratike.”
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar shkrimtarëve, artistëve, intelektualëve dhe diplomatëve të pranishëm në ceremoninë solemne, Meta u shpreh i lumtur që po dekoronte një intelektual në fushën e letrave.
Ky vlerësim nga kreu i shtetit ishte me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të qenësishëm të dhënë në fushën e letërsisë si themelues i shtëpisë së parë botuese private në vend, duke u sjellë lexuesve kryevepra të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare. Me mirënjohje për vlerat e çmuara si përkthyes në gjuhën amtare të kryeveprave botërore dhe të shkrimtarëve shqiptarë në gjuhë të huaj, duke u dalluar gjithashtu edhe si autor veprash të rëndësishme mbi çështjen tonë kombëtare”.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekoruar ditën e sotme me Titullin “Mjeshtër i Madh” përkthyesin, shkrimtarin dhe botuesin e njohur, Rexhep Hida. Presidenti e ka dekoruar shkrimtarin Hida me motivacionin “Në vlerësim të kontributit të qenësishëm të dhënë në fushën e letërsisë si themelues i shtëpisë së parë botuese private në vend, duke u sjellë lexuesve kryevepra të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare. Me mirënjohje për vlerat e çmuara si përkthyes në gjuhën amtare të kryeveprave botërore dhe të shkrimtarëve shqiptarë në gjuhë të huaj, duke u dalluar gjithashtu edhe si autor veprash të rëndësishme mbi çështjen tonë kombëtare”.
“Jam shumë i lumtur, që ndodhem sot, mes shumë personalitete të fushës së artit e letërsisë, me studiues, shkrimtarë, përkthyes e botues, për të vlerësuar njërin prej jush, intelektualin e njohur të fushës së letrave, pedagogun, përkthyesin, redaktorin, shkrimtarin dhe botuesin z. Rexhep Hida.
Z. Rexhep Hida ka fituar respektin dhe vlerësimin e kolegëve dhe miqve të tij të shumtë dhe ka krijuar një personalitet të spikatur mes intelektualëve tanë, falë aftësive profesionale, vlerave të larta njerëzore, ndershmërisë dhe përkushtimit të tij në punë.
Jeta e z. Hida ka qenë dhe mbetet e lidhur ngushtësisht me librin dhe me dijen. I lindur në një familje patriotike dhe kulturëdashëse, z. Hida me përfundimin e universitetit u emërua pedagog i letërsisë dhe teorisë së përkthimit, pranë Universitetit të Tiranës.
Më pas ai, shërbeu si përkthyes-redaktor i veprave filozofike, sociologjike e politike, në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe atë enciklopedike, ku përgatiti një botim për shumë veprash të rëndësishme nga letërsia botërore në gjuhën shqipe.
Krahas aftësive si përkthyes, z. Hida u shqua si autor i tre librave për Kosovën “Ç’thonë e ç’duan kosovarët”, pikërisht në një vit kritik si 1989, që paralajmëronte zhvillime mjaft të rëndësishme. Një vepër politiko-filozofike dhe patriotike njëkohësisht, që pati një jehonë të madhe brenda e jashtë vendit, dha një kontribut të çmuar në njohjen e të vërtetës mbi Kosovën dhe u bë një manifest për rininë kosovare, të asaj kohe.
31 vite më parë, në vitin 1991, z. Hida themeloi të parën shtëpi botuese private në Shqipëri, Shtëpinë Botuese “Fan Noli”, me qëllim pasurimin e portofolit të botimeve të deri atëhershme me tituj të rinj, që i ishin ndalur e mohuar lexuesit tonë, nga regjimi i mëparshëm.
Shtëpia Botuese “Fan Noli” e nisi aktivitetin e saj duke botuar vepra të mëdha të letërsisë dhe filozofisë botërore. Panë dritën e botimit filozofë si Alber Kamy, psikanalisti Sigmund Frojd, për të vazhduar më tej me vepra të Kafkës, Dostojevskit, Pushkinit e shumë vepra të shkrimtarë të tjerë të huaj e shqiptarë.
Në fakt të jesh botues, sidomos në këtë kohë, nuk është detyrë e lehtë. Botuesi nga njëra anë promovon shkrimtarët dhe u mundëson atyre të nxjerrin në pah aftësitë e tyre krijuese, por nga ana tjetër, i duhet të studiojë edhe atë që i nevojitet tregut të librit.
Mund të them që z. Hida me shtëpinë e tij botuese “Fan Noli” e ka realizuar me shumë sukses këtë detyrë.
Me mbi 5000 tituj librash të autorëve më të mëdhenj në botë, ai është bërë një nga botuesit më të mëdhenj në Shqipëri, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në edukimin e lexuesve tanë dhe sidomos atyre të brezit të ri.
Përkthimi vazhdon të mbetet një nga dashuritë dhe pasionet e hershme të z. Hida. Të përkthesh një libër është një sfidë e madhe, sepse duhet të rikrijosh origjinalin, duhet të bësh zgjedhjen e duhur të fjalëve, pa u larguar nga konteksti kryesor i autorit, duhet të transmetosh tek lexuesi një perceptim të saktë të tekstit bashkë me kuptimin, personazhet dhe emocionet e tyre.
Çdo vepër letrare ka një imazh artistik të ngulitur në të dhe përkthimi mund ta transmetojë bukur dhe besnikërisht, por edhe mund ta cenoj këtë imazh për lexuesin.
Mund të themi me bindje se z. Hida e ka transmetuar imazhin artistik të shumë kryeveprave të letërsisë botërore të përkthyera prej tij, në mënyrën më të mirë të mundshme.
Përkthimi dhe cilësia e lartë e shqipërimit të novelës “Fati i njeriut”, e shkrimtarit nobelist Mihail Shollohov, e renditi z. Hida ndër 15 përkthyesit më të mirë në botë. Si intelektual i përgjegjshëm dhe i angazhuar z. Hida nuk ka reshtur së shkruari një mori artikujsh publicistik, shkrime, studime e intervista për median elektronike e të shkruar, që janë mirëpritur nga lexuesi ynë. Hida ka përfaqësuar e vazhdon të përfaqësojë Shqipërinë me mjaft dinjitet në shumë aktivitete të UNESCO-s. Ai është Kryetar i Shoqatës së Përkthyesve në vendin tonë, përfaqësues i Shqipërisë në Federatën Botërore të Përkthyesve dhe mbi të gjitha, një nga mbështetësit dhe përkrahësit më të mëdhenj të gjeneratës së përkthyesve të rinj të talentuar. Me aktivitetin dhe pjesëmarrjen në dhjetëra panaire ndërkombëtare, shtëpia botuese “Fan Noli” dhe botuesi, z. Hida janë kthyer në ambasadorë të denjë të fushës së letrave për vendin tonë.
Dua të uroj z. Hida, krijime dhe suksese të reja në rrugën e tij, si kalorës i dijes dhe i diturisë.”
Gjate ceremonisë e morën fjalën edhe mjaft personalitete nga fusha e letrave si znj. Diana Çuli, z. Nikolla Sudar, z. Agim Mero, z. Ilia Lengu, z. Shpend Topallaj, etj.
Znj. Diana Culi e vlerësoi lart kontributin e z. Rexhep Hida, në fushën e botimeve e të përkthimit. Ndër të tjera, ajo theksoi se z. Rexhep Hida, i pari botues privat në Shqipëri, ka dhënë një kontribut të shquar në fushën e botimeve duke u shquar për profesionalizëm të lartë dhe për një punë tejet cilësore duke i dhënë lexuesit shqiptar kryevepra të letërsisë botërore si M. Proust, J.P.Sartre, A. Camus, F. Kafka, F. Dostojevski, A. Sollzhenjicin etj..
Z. Nikolla Sudar, përkthyes i mirenjohur, bartës i titullit Mjeshtër i Madh, ndër të tjera tha:
“Ngjarjet kulturore zbukurojnë përditshmërinë dhe janë impulse shumë pozitive edukative për të gjithë shoqërinë tonë, sidomos në periudha të vështira, si ajo e epidemisë së kovidit dhe e acarimit të situatës ndërkombëtare. E tillë është edhe kjo e sotmja, kushtuar njërit prej intelektualëvë më të shquar të Tiranës e të gjithë Shqipërisë, z. Rexhep Hida, drejtues i shtëpisë botuese të mirënjohur “Fan Noli”. Nisur nga aktiviteti shumëvjeçar i suksesshëm i z. Rexhep Hida, shoqata prestigjioze atdhetare “Tirana”, e drejtuar nga veprimtari i palodhur, z. Arben Tafaj, para një viti e nderoi me titullin “Fisnikëria Tiranase”. Përsëri me propozim të kësaj shoqate, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, miratoi dhënien atij të titullit të lartë, “Mjeshtër i madh”, ceremoni të cilën po e zhvillojmë sot.
z. Rexhep Alush Hida rrjedh nga një familje të vjetër elbasanase, me tradita të shquara atdhetare e kulturore. Njëri nga paraardhësit e tij, atdhetari Sali Hida, (Hoxha) ka qenë veprimtar i shquar i lëvizjes për Pavarësi, me detyrë Sekretar i përgjithshëm i Qeverisë së Ismail Qemalit, e më pas ministër në qeverinë e Fan Nolit, më 1924.
Z. Rexhep Hida ka kryer shkollën e mesme të gjuhëve të Huaja, “Asim Vokshi”, në Tiranë me rezultate të shkëlqyera. Pasi përfundon Fakultetin Histori-Filologji (dy fakultete njëherësh – atë të Gjuhëve të Huaja dhe të Gjuhës e të Letërsisë) me medalje ari, emërohet pedagog pranë UT, por përkohësisht dërgohet per të kryer stazhin pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” e më pas në atë Enciklopedike, si përkthyes-redaktor i veprave filozofike, sociologjike e politike.
Në vitin 1978 emërohet pranë shtëpisë botuese Enciklopedike, si shef i redaksisë politike, detyrë që e mbajti deri më 1990. Në maj 1991, z. Hida hap Shtëpinë botuese “Fan Noli”, që është e para e shtëpi botuese private në Shqipëri dhe njëra nga më të mëdhatë edhe vend. Në vitet 1999-2005, z. Rexhep emërohet Drejtor i Projekteve të Bankës Botërore, pranë Ministrisë së Arsimit e të Shkencës. Ai ka përfaqësuar dhe vazhdon të përfaqësojë Shqipërinë në mjaft veprimtari të UNESCO-s, ku ka mbajtur mjaft referate e kumtesa lidhur me origjinën e gjuhës shqipe e të popullit shqiptar.
Z. Rexhep Hida është njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja: gjermanishtes, frëngjishtes, anglishtes dhe i rusishtes. Vetë ai ka përkthyer mjaft vepra filozofike, që janë pritur shumë mirë nga lexuesi vendas. Nga letërsia artistike mund të përmendin si shumë të suksesshëm përkthimet e tij në gjuhën amtare si: “Metamorfoza”, e Kafkës, “Fati i njeriut” dhe “Tregimet e Donit”, të Shollohovit; “Lulet e mollës”, e Gollsuorthit; “Zonja me kone”, e Çehovit; “Ditari sekret”, i Pushkinit, etj.
Z. Rexhep ka redaktuar mbi 600 vëllime të autorëve të ndryshëm botëror, si Dostojevski, Frojd, Sollzhenjicin, Prust, Sartr, Kamy, Jung, Adler, Osho etj. Ai është autor i mjaft shkrimeve, studimeve, artikujve, intervistave, në median elektronike dhe të shkruar, të mirëpritura nga lexuesi shqiptar. Këtu është me rëndësi të përmendet fakti se z. Hida është autor i tre librave për Kosovën me titull: “Ç’thonë dhe ç’kërkojnë kosovarët?” (botuar në vitet e vrullshme 1988-89 në shqip dhe anglisht). Ato dhanë një kontribut të çmuar për ta njohur më mirë bota të vërtetën mbi Kosovën, duke hedhur poshtë propagandën dashakeqe të kohës.
Akordimi i titullit të lartë “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Republikës, është një tregues shumë kuptimplotë i vlerësimit të lartë që i bëhet këtij qytetari fisnik, për kontributn e shquar në dekada. Me këtë rast i urojmë z. Rexhep Hida shëndet dhe suksese të mëtejshme në të ardhmen.”
Z. Ilia Lengu, profesor dhe përkthyes i mirënjohur, duke vlerësuar veprimtarinë z. Rexhep Hida në fushën e letrave, vuri në dukje gjithashtu kontributin e shquar në fushën e botimeve duke i dhënë lexuesit vepra me cilësi te larte.
Z. Agim Mero, ish rektor i Universitetit të Tiranës, ndër te tjera, u shpreh se dekorimi I z. Rexhep Hida, ishte me se i goditur, plotësisht i merituar, veçse mendoj se ishte pak i vonuar, pasi mund te ishte bere edhe me pare.
Z. Shpend Topallaj, shkrimtar i mirënjohur, ndër të tjera, tha:
“Në çdo ditë po e shohim se të huajt po na konsiderojnë inferiorë dhe të paaftë për të ndërtuar shtet dhe për të ecur në rrugën e demokracisë me forcat dhe këmbët tona. Ne kurrë nuk e kemi pranuar dhe nuk e pranojmë këtë gjë. Madje ndihemi te fyer prej saj. Kemi qenë të qytetëruar para shumë popujve të tjerë, edhe këtu në Evrope. Edhe sot, Shqipëria ka bij e bija të mrekullueshme që shkëlqejnë si në profesionet e tyre, ashtu edhe në përkushtimin dhe dinjitetin e tyre; ata janë nga ajo racë që nuk kanë nevojë t’i tërheqë askush nga kapistalli. Dhe një i tille, pa asnjë dyshim, është edhe z. Rexhep Hida, i cili, krahas përpjekjeve te tij të pandërprera për ndriçimin filozofik te me, qe ndoshta ka nisur qe nga Buzuku”.
Po kështu znj. Remzie Ozturkce, përfaqësuese e Agjencisë Kalem, nga Stambolli, vlerësoi lart kontributin e z. Rexhep Hida në shqipërimin dhe botimin në shqip të veprave më të mira të letërsisë turke.
Z. Rexhep Hida, në fjalën e tij shprehu mirënjohjen e tij për akordimin e këtij titulli të larte z. Ilir Meta, Presidentin e Republikës dhe z. Arben Tafaj, Kryetarin e shoqatës “Tirana” si iniciatori e propozuesi i këtij titulli.
Kështu, ndër të tjera, ai theksoi:
“Gjatë jetës njeriu mund të marrë vlerësime të ndryshme, të cilat e gëzojnë dhe e frymëzojnë, pasi i vihen në dukje meritat dhe vlerat e tij. Por ky i sotmi, gjatë të cilit Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta më nderoi duke më akorduar titullin e lartë “Mjeshtër i madh”, dhe për të cilin e falënderoj përzemërsisht, si kurorëzim të veprimtarisë sime shumëvjeçare në shërbim të shoqërisë, merr një kuptim të veçantë. Ndërkohë me lejoni t’u shpreh mirënjohjen time të thellë iniciatorëve të këtij vlerësimi, duke filluar nga z. Arben Tafaj, kryetar i shoqatës “Tirana”, që, pasi më nderoi me titullin “Fisnikëria Tiranase”, e thelloi atë duke më propozuar për titullin “Mjeshtër i madh”, gjë që e mbështeti edhe zoti Nikolla Sudar, të cilin gjithashtu e falënderoj përzemërsisht.
Me këtë rast me lejoni të pohoj se ky vlerësim i lartë i takon në radhë të parë gjithë popullit të Elbasanit, prej nga unë vij.
Në Elbasan, në këtë qendër me histori të madhe, në këtë qendër të rëndësishme të zhvillimit e të përhapjes së dijes e kulturës shqiptare, në qytetin e Normales së Elbasanit, të Kostandin Kristoforidhit, Aleksandër Xhuvanit, Dhaskal Todrit, Aqif Pashe Elbasanit, Lef Nosit, Thoma Delianes, Dhimitër Shuteriqit, etj., kalova fëmijërinë time, kurse në Tirane rininë e parë, ku mbarova shkollën e mesme te gjuhëve te huaja dhe të lartën duke përfunduar dy fakultete njëherësh me rezultate të shkëlqyera, me medalje ari.
Tirana me deshi dhe më mbajti në gjirin e saj, si djalin e saj, më bëri profesor universiteti, përkthyes, redaktor, me besoi postin e me shumë përgjegjësi te drejtuesit të njërës prej redaksive më të rëndësishme, të asaj politike, më bëri Drejtor Projektesh të BB në Ministrinë e Arsimit. Po kështu këtu, në maj të vitit 1991, kam hapur shtëpinë e parë botuese private në Shqipëri e në mbarë hapësirën shqiptare, me emrin e përkthyesit dhe shtetarit të shquar demokrat, Fan Noli.
Prandaj mendoj se ky vlerësim i larte i takon gjithashtu popullit të Tiranës e të gjithë Shqipërisë.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Duke marrë këtë vlerësim të lartë, siç është dekorata Mjeshtër i Madh, me të cilën Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, më nderoi me bujari, mirënjohja ime është e thellë, pasi më vendos në qendër të një optike të ndritshme, veçanërisht duke marrë parasysh faktin se ky vlerësim kaq i lartë do të miklonte çdo njeri.
Unë i takoj atij grupi njerëzish që nuk mund te jetojnë pa letërsi, pa art dhe pa shkencë. Por për mua këto nuk kane qenë qëllim në vetvete, diçka e shkëputur, që t’i kem vënë mbi gjithçka. Për mua mbi gjithçka kanë qenë dhe janë njerëzit, pasi unë nuk mund të jetoj i shkëputur prej tyre. Dhe kushdo që zgjedh fatin e njeriut që merret me letërsi dhe art, duhet ta kuptoje se as arti dhe as letërsia nuk kanë vlerë nëse nuk je në gjendje t’i duash të tjerët si veten tende.
Falënderoj Zotin që më ndriçoi rrugën dhe prindërit e mi që më edukuan si duhet për ta realizuar këtë gjë me nder.
Të nderuar miq,
Këtë vit Shtëpia botuese Fan Noli mbush 31 vjet nga themelimi i saj. Gjatë kësaj periudhe Shtëpia botuese Fan Noli ka përkthyer e botuar mbi 5000 tituj librash të autorëve të shquar, shkrimtarë e filozofë të mëdhenj si M. Prust, Zh.P. Sartr, Alber Kamy, F. Kafka, F. Dostojevski, A. Sollzhenjicin, Z. Frojd, K.G. Jung, A. Adler, Osho, M. Albright, H. Kisinxher, z. Xi Jinping për librin Qeverisja e Kinës, Kujtime te De Golit etj., veprimtari kjo e realizuar falë punës së shkëlqyer të përkthyesve tanë të talentuar si R. Vucini, E. Tupja, I. Lëngu, D. Çuli, N. Sudar, Xh. Lazri, B. Shehu, M. Shapllo, Xh. Zykaj, K. Haderi, E. Shqari, Mukades Mance, Lindita Xhanari, E. Caka, etj.
Por libri më i rëndësishëm, ai që përbën shtyllën e veprimtarisë sime, është, pa dyshim, libri në 3 vëllime “Ç’thonë dhe ç’kërkojnë kosovaret”, i hartuar dhe i botuar njëkohësisht në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht. Këto vëllime u përgatitën nga dy vetë, nga unë dhe z. Harillaq Kekezi, dhe u vunë në qarkullim në vitet 1988-1989, kur në Jugosllavi kishte ardhur në fuqi klika fashistoide e S. Miloshevicit, e cila ishte vërsulur me egërsi prej bishe kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Në këtë kohe, në përgjigje të një libri të hartuar me urdhër nga klika e Beogradit, ishte përgatitur dhe vënë në qarkullim në anglisht një i ashtuquajtur Libër i Bardhë, por që në fakt ishte një libër i zi, i mbushur me shpifje e trillime ndaj popullit shqiptar, duke na quajtur as më shumë e as më pak, por një popull pa histori, pa tradite, një përzierje dako-thrako-myze, e zbritur në fusha nga koha e dyndjeve osmane duke zaptuar gjoja tokat e banuara nga serbet. Libri ynë, i hartuar me shkrimet më të mira të profesorëve kosovarë, por edhe të shkencëtareve e të politikanëve më të mëdhenj botërorë, miq të shqiptareve, i vendosur në tryezat e të gjitha kancelarëve botërore, hodhi poshtë këto shpifje të ndyra të propagandës së errësirës serbe. Aty ne synonim të tregonim se çështja e popullit shqiptar të Kosovës nuk është çështje e një pakice, pasi ai përben një etni, që ka gjuhen, traditat dhe kulturën e vet, si pasues i ilireve, ai është një popull autokton qe jeton ne trojet e veta prej mijëra vjetësh. Njëkohësisht në libër theksohet fakti që shqiptarët në Jugosllavi nuk kërkonin asgjë me tepër se ato që kishin serbët, kroatët, sllovenët, maqedonasit etj., por veçse ata edhe nuk pranonin të kishin asgjë më pak se të tjerët. Me këtë ne i drejtoheshim edhe botës së civilizuar, veçanërisht vendeve europiane, që ishin edhe autorët e përcaktimit të hartës së Ballkanit në fillim të shekullit XX, që të na ndihmonin për ta korrigjuar këtë gabim historik. Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në Çamëri e gjetkë janë pjesë përbërëse e popullit shqiptar, por që, siç dihet, fuqitë e mëdha i shkëputën nga mëmëdheu i tyre dhe u aneksuan monarkive ballkanike, Jugosllavisë dhe Greqisë. Ky është një fakt i njohur historik që nuk mund ta mohojë askush; çdo interpretim tjetër është arbitrar, është një falsifikim i rende e i dëmshëm i historisë. Është kënaqësi e madhe që sot populli i Kosovës, fale mbështetjes së jashtëzakonshme që i dhanë koalicioni perëndimor i udhëhequr nga SHBA, e posaçërisht z. Bill Klinton e znj. M. Albright, dhe luftës se tyre është i lirë, ka shtetin e vet të pavarur.