Gani Bytyçi: “Lejleku”, roman për fëmijë e të rinj,
Faik Konica, Prishtinë 2024
Le ta theksojmë që në fillim: autori i romanit për fëmijë “Lejleku”, Gani Bytyçi, është ndër të rrallët që e trajton tematikën e luftës. Dhe arrin të na japë një roman të realizuar artistikisht. Letërsia për fëmijë ka një rol të veçantë në formimin e botëkuptimit dhe vlerave të fëmijëve dhe rinisë, për t’iu dhuruar atyre mesazhe që i udhëzojnë t’i kuptojnë jetën, shoqërinë dhe historinë. Kaq shumë përjetime dhe ende shumë shkrimtarë hezitojnë ta trajtojnë këtë periudhë më të re historie?!
Një nga temat më të diskutueshme dhe më të thella në këtë zhanër letërsie, është tematika e luftës. Në letërsinë për fëmijë kjo tematikë trajtohet përmes përmasës edukative dhe morale, ku qëllim kryesor është që t’u jepet fëmijëve një shtjellim më i thjeshtë, por i thellë, i ngjarjeve historike dhe pasojave të luftës. Me këtë rast, le t’i kujtojmë veprat në prozë të Rifat Kukajt, si ajo e tregimeve për fëmijë “Kush ma vodhi dorën” apo romani për fëmijë “Një verë pa bukureza”, ku lufta është një akt çlirimi dhe heroizmi dhe ku heronjtë dhe protagonistët janë vetë fëmijët që bashkëpunojnë me të rriturit. Mirëpo, luftapërfshin edhe pasojat emocionale dhe psikologjike që lë tek njerëzit, sidomos te fëmijët, të cilët humbën prindërit, shokët ose shohin pamje të trishtueshme të dhunës dhe shkatërrimit…
1. Perspektivat rrëfyese të romanit: lufta dhe mërgimi
Lufta dhe mërgimi.
Me këto pasoja merret edhe romani i Gani Bytyçit, ku lufta dhe mërgimi trajtohen të këndvështruara nga disa perspektiva kohore: nga kujtesa e autorit, si rrëfyes në pjesët e para të veprës; nga këndvështrimi i të sotmes dhe vetë ngjarjeve të luftës, i personazhit kryesor, Lules. Një nga perspektivat më të zakonshme për luftën është ajo që përqendrohet në ngjarjet historike dhe dëshmitë që janë lënë nga ata që e kanë përjetuar atë. Ky trajtim kohor është veçanërisht i rëndësishëm për përshkrimin e periudhave të pasluftës, me mërgimin, ku shkrimtarët kërkojnë t’i rikthejnë në kujtesë dhimbjen, humbjet dhe heroizmin që e shoqëruan atë kohë përjetimesh të rënda. Në këtë kuadër, letërsia përpiqet ta paraqesë perspektivën e atyre që kanë vuajtur, duke krijuar një lidhje të fortë midis të kaluarës dhe të tashmes. Kësisoj, në shtresat narrative të veprës ndërlidhen breza të ndryshëm: i brezit të autorit që i ka përjetuar në mënyrën e vet ato ngjarje, si dhe i brezit të Lules fëmijë, që i shkruan letra Lejlekut në vendlindje, pasi ajo është detyruar të largohet dhunshëm me familjen e saj, në mërgim, pa e kuptuar përse ka ndodhur ky largim. Në fakt, autori as që dëshiron ta lëndojë botën e vogëlushes, as ta përmendë fjalën luftë. Ai përdor një qasje më delikate dhe më tërheqëse për t’ua shpjeguar fëmijëve pasojat e saj. Romani arrin të na japë përvojat dhe botën emocionale të fëmijëve, me gjithë pasigurinë, frikën, humbjen, por edhe me shpresën dhe dashurinë për shtëpinë e për vendlindjen, pa përdorur fjalën e ashpër “luftë”. Madje, për t’ia dhënë kësaj vepre karakterin universal, autori e afishon që në fillim në referencën përkushtimore: “Të gjithë fëmijëve të botës që janë viktima të konflikteve, të dhunës e të luftërave”. Kjo do të thotë se vepra merr karakter të përgjithshëm. Edhe te teksti hyrës jepet, në formë të sintetizuar, lënda romanore:
“Një vajzë e vogël nga një fshat i Kosovës, si çdo vit tjetër, po priste me padurim që pranvera t’i sillte lejlekun e saj. Pas një pritjeje të gjatë, torturuese e të mërzitshme, një ditë, krejt papritur, ajo bashkë me familjen, detyrohen që ta braktisin shtëpinë dhe fshatin, akoma pa arritur lejleku. E mërzitur, e pikëlluar dhe pa e kuptuar se çfarë po ndodhte me ta, ajo nisi t’i shkruante letra lejlekut.”
Lulja është një karakter që reflekton durimin dhe dashurinë e pafundme për natyrën dhe për lidhjen e saj me të. Ajo e shikon lejlekun si mik të dashur dhe fakti që ajo fillon të shkruajë letra për të, është një formë për t›i shprehur dhe komunikuar mendimet dhe shqetësimet që ka.
2. Alegoria e dashurisë dhe shpresës: Lulja dhe personazhi figurativ i lejlekut
Në këtë roman, letërshkrimi i vajzës për lejlekun e saj, si dhe pasqyra e këtij akti në mendimet e shkrimtarit, e thellon këtë procedim, shpalos ndikimin emocional dhe simbolik të mërgimit, humbjes dhe kërkimit të identitetit.
Një nga motivet më të rëndësishme që shfaqet në letërsinë për fëmijë, kur flitet për shpezët dhe zogjtë, është liria. Shpendët trajtohen si simbole të lirisë, pasi mund të fluturojnë lart dhe larg, duke iu dhënë mundësi fëmijëve të imagjinojnë një botë ku ata mund të jenë të lirë, pa kufizime. Në shumë vepra letrare zogjtë paraqiten si udhëtarë të pafund, të cilët shpalosin ide të largësive dhe mundësive që janë jashtë mundësive të zakonshme të jetës së përditshme. Një shembull i tillë shihet te karakteret e zogjve në përralla dhe tregime, ku ata janë të lidhur me ide të lirisë dhe pavarësisë. Kësisoj, edhe figura e personazhi i Lejlekut te ky roman, merr një vend të veçantë. Ky shpend simbolikisht përcjell mesazhe të rëndësishme mbi vendlindjen, natyrën, traditat dhe vlerat e jetës, duke krijuar një lidhje të fortë midis fëmijëve dhe mjedisit që i rrethon.
Në këtë vepër lejleku shfaqet, pra, edhe si simbol që shqipton lidhjen e pandashme me shtëpinë dhe rrënjët, simbol i kthimit aty, i atyre të rinjve që kanë migruar në botën e jashtme. Vajza e vogël, përmes shkrimit vetjak, shpreh dashuri të pafundme për mikun e saj dhe shpresën që ata do të jenë përsëri së bashku… Teksti lexohet si alegori e dashurisë dhe shpresës. Te Letra e parë *Largimi nga fshati), kemi një ndërthurje mes natyrës së vendlindjes dhe tragjedisë njerëzore, që kap disa nivele të tekstit. Emigrimi është shkatërrim i jetës së dikurshme. Mbase, ky edhe ka qenë qëllimi kryesor i autorit, që ta evidencojë këtë plagë në të gjitha përmasat e veta. Lulja është e shqetësuar dhe e tronditur, ka humbur shtëpinë e saj dhe mjedisin e njohur. Ajo nuk e kupton plotësisht se çka është lufta, por i tregon mikut të saj (lejlekut) se njerëzit me “uniforma të zeza” vrasin dhe shkaktojnë dhimbje, që lënë gjurmë në jetën e pafajshme të fëmijëve dhe kafshëve. Meqë e përmendëm Rifat Kukajn në fillim, le të theksojmë se ai ka një vepër poetike me titullin “Lejlekët në luhaja« (»Flaka e vëllazërimit«, Shkup 1971). Deshëm të theksojmë se në letërsinë për fëmijë janë të njohura paraqitja e trajtimi i botës së kafshëve dhe shpezëve, të cilat e nxisin imagjinatën dhe kureshtjen e fëmijëve. Reminishencat romanore për lejlekun na vijnë që nga vargjet e njohura të Mjedës: «O lejlek, o shpend udhtar, . Qi prej s largut je tui mbërri”…(poema “I tretuni”), ku figura e lejlekut merr një rëndësi të theksuar si simbol i dashurisë për atdheun, nderin dhe besnikërinë, ndërsa përmes imazheve poetike Mjeda krijon atmosferë të thellë lirike dhe emocionale. Edhe te ky roman lejleku, si shpend migrues, bëhet një metaforë për përjetimet e humbjes dhe të rikthimit, përmes të cilit autori përçon mesazhe të mëdha mbi lidhjen e njeriut me atdheun dhe natyrën.
3. Fryma e letërshkrimit
Kësisoj, te Letra e dytë edhe titulli është kuptimplotë: “Takimi me lejlekë të tjerë”. Kjo letër shpalos përshkrimin e përjetimit të mallit dhe vuajtjes, ndërkohë që Lulja, personazhi kryesor, tregon për jetën e saj të re pas largimit nga fshati. Në fillim të letrës, Lulja përshkruan një moment të bukur pranveror ku, gjatë shëtitjes së saj me nënën, sheh një grup lejlekësh. I ngjashëm është edhe largimi nga fshati. Lulja e ndjen se diçka e thellë po ndryshon brenda saj dhe brenda familjes.
Ky ndryshim është ballafaqim me të panjohurën dhe me atë që është lënë pas. Vijnë me radhë letrat tjera, deri te e nëntëmbëdhjeta. Letra e tretë (Atje po digjej gjithçka), paraqet një periudhë pasigurie dhe shqetësimi, duke shprehur frikën dhe pasigurinë e personazhit kryesor, Lules, për fatin e lejlekut të saj dhe për pasojat që ka sjellë zjarri që ka shpërthyer në fshatin e tyre. Te Letra e katërt (Takimi me shoqen), përshkruhet, tashmë nga një perspektivë tjetër narrative, largimi për shkak të dhunës dhe frikës që shkaktohen nga situata e luftës dhe zjarreve. Ky është një moment i thellë trishtimi, që shënon një humbje të madhe dhe një ndarje të dhimbshme nga e kaluara. Shkolla e tyre, e Lules dhe e Sarandës, në fshat është djegur, një tjetër humbje e madhe që ka prekur të gjithë fshatin dhe veçanërisht fëmijët. Megjithatë, në mes të gjithë dhimbjes dhe trishtimit, Lulja ruan një shpresë të fortë dhe besimin që dashuria dhe gëzimi do të shërojnë gjithçka. Përjetimet e humbjes, kërkimit dhe shpresës, paraqiten edhe nëpër letrat tjera. Lejleku që kërkon njerëzit e tij është simbol i vazhdueshëm i kërkimit të diçkaje që është zhdukur, i një lidhjeje që nuk mund të realizohet plotësisht. Letërshkruesja Lulja, është personazh tejet empatik dhe e ndjeshme ndaj ndjenjave të të tjerëve, siç e tregon ndjenja e saj e thellë për lejlekun dhe kërkimin e tij. Bie fjala, te Letra e gjashtë (Kënga për lirinë). Lulja shfaq jo vetëm mrekullinë e mësimit dhe rëndësinë e dijes për fëmijët, por gjithashtu lidhjen e thellë që ajo ka me atdheun dhe me lirinë. Në Letrën e tetë (Pikëllimi i Dorinës për gjyshen) ka një moment emocional dhe prekës, ku Dorina, një vajzë e re, e përjeton dhimbjen e humbjes së gjyshes së saj, e cila ka ndodhur pas një periudhe të vështirë emigrimi.
4. Perspektiva narrative e Lules si rrëfyese
Letra është një urë komunikimi që lidh shpirtin e dy qenieve, duke kaluar përmes distancave, kohës dhe rrethanave të ndryshme. Te Letra e dhjetë veçohet historia e një fëmije që nuk mund t’ia dërgojë letrën e tij diellit. Kjo është një figurë poetike që simbolizon pafajësinë dhe humbjen. Pavarësisht dhimbjes që kalon, Lulja shpreson të flasë për gjëra të bukura kur të jetë me mikun e saj sërish. Kjo dëshirë për biseda të bukura dhe të ngrohta paraqet një nevojë të thellë për shpëtim dhe shpresë në një kohë të errët dhe të pasigurt. Te Letra që flet për Bardhin dhe ëndrrën për babën, ka një rrëfim të brendshëm dhe intim të vuajtjeve dhe ankthit të një të riu që ka kaluar një përvojë të dhimbshme dhe ka pasur ndikim të madh nga ajo që ka përjetuar në ëndërr.
Në ëndërr, ai ka parë një skenë ku babai i tij është marrë dhe ai dëshiron ta ketë atë sërish me vete, duke shprehur dëshirën për të mos e humbur kurrë. Ëndrra që përjeton Bardhi është metaforë për pasigurinë dhe frikën nga humbja… Te letra “Ndarja me mësuesen Verë” nxënësja ballafaqohet me një ndarje të dhimbshme nga mësuesja dhe nga shokët e klasës, për shkak të një udhëtimi që do të çonte në një shkollë tjetër.
Te Letra 14, nënat, si simbol i dashurisë dhe kujdesit, janë të mbërthyera nga dhimbja dhe përpjekjet për të lidhur komunikim me ata që kanë humbur. Prekës është përshkrimi i gruas që humbi të bijtë.
Letra tjetër, e shkruar shumë vite më vonë, paraqet ndryshimet që kanë ndodhur në jetën e Lules që nga koha kur ajo dhe familja e saj u detyruan të largoheshin nga atdheu për shkak të luftës. Ajo flet për jetën e saj në Fribourg, për karrierën dhe familjen e saj. Lulja e ndjen thellë humbjen e të dashurve dhe jetën që la pas, por gjithashtu gjen ngushëllim në natyrë, sidomos te zogjtë që jetojnë në paqe dhe harmoni, duke kontrastuar këtë me luftën dhe ndarjet që ka përjetuar njeriu…
Në fund, në tekstin e titulluar “Para kthimit”, ndryshon perspektiva e rrëfimit. Një pjesë e thellë e këtij teksti, është zhgënjimi që Lulja ndjen kur nuk gjen asgjë që lidhet me të shkuarën e saj, si fotografitë e familjes së saj dhe të dashurve të saj të zhdukur.
5. Emrat si gurë të kujtimit
Një tregim i bukur dhe prekës (“Gurët që janë emra”) shpalos shumë dimensione të ndjeshmërisë, lidhjes familjare dhe rëndësisë së kujtimit të të kaluarës. Të gjitha ngjarjet që ndodhin, ndonëse të thjeshta në dukje, janë të ngarkuara nga ana emocionale dhe tërheqje simbolike. Pasi takon xha Zenelin dhe viziton varrezat, Lulja reflekton mbi të kaluarën dhe lidhjen që ka me të vdekurit, duke kuptuar më shumë rreth rëndësisë së kujtimit dhe ruajtjes së traditave… Lulja, pas një momenti të thellë reflektimi, përjeton një gjendje që është midis realitetit dhe ëndrrës. Ky është një përshkrim poetik që tregon pasigurinë e saj në lidhje me realitetin dhe mendimin e saj për atdheun. Atdheu është i pranishëm si një ëndërr që kurrë nuk ndahet, dhe Lulja është gjithmonë e lidhur me të, pavarësisht se ku ndodhet. Shkrimi i fundit, ku thuhet “Atdheu është si ëndrra. Sa mendon se të ka lëshuar ai kthehet e të zë përsëri. Ai nuk ndahet asnjëherë”, përmbyll romanin me një mendim të thellë dhe të fuqishëm.
Mars 2025