Lindur në Provincë: Kujtesa si hapësirë dhe transformim gjeoemocional
“Shoqëritë që nuk kujtojnë e kanë të vështirë të ruajnë koherencën e tyre; por edhe shoqëritë që nuk dinë të harrojnë, mbeten peng i traumës.”
How Societies Remember, Paul Connerton britanik, studiues i kujtesës dhe ritualeve
“Prandaj nuk i besoj kujtesës në formë thesi. I besoj kujtesës si shoshë. Asaj kujtese që teksa sit rërë, mban mbi rrjetë vetëm diçkanë që vezullon. Kujtesa mban mend atë që u zhduk dhe nuk e pamë kurrë më.”
Arian Leka, Lindur në Provincë
Çdo vend ka një gjeografi të dukshme dhe një tjetër të padukshme, ajo që formohet nga ndjesitë, humbjet, kujtimet dhe ëndrrat e njerëzve që e kanë banuar. Këto gjëra të lindin në mendje kur lexon librin «Lindur në Provincë» i autorit durrsak Arian Leka. Ky libër me ese zhbiruese mendore dhe kulturore, sa letrare aq edhe sociale është shumë më tepër se një tekst letrar. Ai vjen si një udhëtim poetik mbi një hartë intime të shpirtit në udhëkryq, një udhëzues për të kuptuar sesi provinca nuk është vetëm një skaj gjeografik, por një gjendje ekzistenciale. Siç ka shkruar Italo Calvino: “Çfarë është qyteti nëse jo njerëzit që e banojnë në të dhe kujtimet që ata i japin?”
Në librin Lindur në Provincë, Arian Leka ndërton jo vetëm një rrëfim për një qytet buzë detit, por një arkitekturë ndjesore, ku hapësira dhe koha nuk maten me kilometra apo vite, por me ndjenja dhe kujtime. Provinca, siç e përshkruan autori, nuk është një vend i vogël në hartë, por një vend i thellë në kujtesë, një vend që nuk largohet as kur ti largohesh prej tij.
Një nga figurat më të fuqishme që përdor Leka në këtë libër është deti. Ai nuk është vetëm një sfond natyror, por një personazh që flet, përthith dhe humbet. Në vitet e para të demokracisë, deti për shqiptarët u kthye në një kufi të ikjes, në një rrugë drejt lirisë, por edhe në një varrezë pa varre për shumë prej atyre që u zhdukën në valët e tij. Arian Leka e përjeton këtë jo si gazetar, as si historian, por si poet ai dëgjon gjuhën e detit si një hapësirë gjeometrike emocionale, një strukturë ndjesish që ndërtohet dhe shembet me çdo dallgë.
Kjo mënyrë e të shkruarit, ku hapësira dhe ndjesitë lidhen ngushtë, nga pikëpamja gjeoemocionale, tregon se ndjesitë njerëzore mund të kenë formë, drejtim, thellësi. Teksti i Lekës ndërtohet si një qytet i brendshëm, ku rrugët janë kujtime dhe sheshet janë plagë që nuk mbyllen. Siç thotë Gaston Bachelard, “hapësira e përjetuar është më shumë e ëndërruar se sa e matur.” Provinca e Lekës është e tillë, një vend i ëndërruar, që ka për njësi mase vetëm shpirtin.
Por më thellë akoma, libri është edhe një dëshmi e një transformimi të vazhdueshëm. Ai tregon sesi një qytet ndryshon jo vetëm në pamje, por në mënyrën si përjetohet. Nga një port i lashtë me frymë mesdhetare, ai kthehet në një qytet të braktisur nga vetja, në një provincë që është larguar nga vetë historia e saj. Ky transformizëm linear është i dhimbshëm dhe i papritur, ku sociologu dhe teoricieni modern polak Zygmunt Bauman e përshkruan: “Tranzicioni është bërë gjendja jonë e përhershme. Jemi gjithmonë në kalim, nga një gjendje në një tjetër, pa arritur kurrë në ‘atdheun’ tonë identitar. Emigrimi modern nuk ka më rrugë kthimi. Ai është një udhëtim drejt një bote që nuk premton më as strehë, as përkatësi dhe identitetet moderne janë të lëngëta, kalimtare, shpesh pa formë.” Provinca e Lekës është po aq fluide sa edhe deti që e rrethon.
Libri “Lindur në Provincë” më shumë se një libër eseistik është një dëshmi poetike për vende që ndeshen me problemet kryesore mes kujtesës dhe harresës. Vendet e tilla, si provinca e Lekës, nuk dinë ç’të bëjnë me kujtesën, sepse ajo ngarkon me dhimbje dhe të kaluar që pengojnë të tashmen, por njëkohësisht nuk dinë çfarë të bëjnë edhe me harresën, e cila duket si një boshllëk i rrezikshëm, një rrezik për humbjen e identitetit. Ky dyzim krijon hapësira të reja të ndjeshmërisë dhe të përjetimit, hapësira që burojnë nga problematikat e gjeoekzistencës tranzicionale, kësaj gjendje të ndërmjetme, ku jeta dhe vetëkuptimi i individit dhe i komunitetit janë në balancë delikate midis së kaluarës dhe të panjohurës, midis qëndrimit dhe largimit, midis kujtesës dhe harresës.
Kujtesa, për Lekën, nuk është një magazinë ku mblidhen faktet. Ai shkruan: “Prandaj nuk i besoj kujtesës në formë thesi. I besoj kujtesës si shoshë. Asaj kujtese që teksa sit rërë, mban mbi rrjetë vetëm diçkanë që vezullon. Kujtesa mban mend atë që u zhduk dhe nuk e pamë kurrë më.” Është një qasje poetike ndaj kujtesës, që zgjedh jo çfarë ndodhi, por çfarë ka lënë gjurmë ndjesore, çfarë na mungon, çfarë vezullon në humbje.
Ndonjëherë ndodh që arkitekturat e shpirtit njerëzor të ndërtuara mbi rrënoja diktaturash, mbi dhimbjen e emigrimit, mbi zhgënjimin e një lirie që shpesh nuk mbërrin, janë shembuj të një fenomenologjie të përbotshme që ripërsëritet.
Por në mes të kësaj arkitekture që tundet si një shtëpi mbi ujë, qëndron fjala; fjala poetike, që si një busullë orientuese të mëson të ecësh në provincën tënde të brendshme pa u mbytur në detin e harresës.
“Ne nuk jemi nga vendi ku lindëm, por nga vendi që na kujtohet kur mbyllim sytë.”
-Octavio Paz
Dyrrah 2025