More
    KreuLetërsiShënime mbi libraPol Milo: "Arkitrau" i Mimoza Ahmetit, që ngulet thellë në zemrën e...

    Pol Milo: “Arkitrau” i Mimoza Ahmetit, që ngulet thellë në zemrën e fantazisë

    “Nuk ju duhen krahë që të jeni më të bukur,

    mjafton kuptimi i mirë i dashurisë së pamasë,

    ër të marrë fluturimin”

    Silvio Rodríguez

    – Arkitrau, roman i Mimoza Ahmetit, – po i thosha një ditë mikut tim, Petraq B., – i kapërcen kufijtë e normalitetit.

    – Mimoza Ahmetin e njoh prej poezive, – më tha, – ajo bën poezi të jashtëzakonshme. Po, është e vërtetë. Ajo me poezi i kapërcen lehtësisht këto kufij.

    Petraq B. e njeh mjaft mirë poezinë. Ai ka bërë një sërë analizash, studimesh, kritika, botime, mbi libra, poetë dhe poezi pafund. Ai shkruan vazhdimisht në media prestigjioze mbi stile, rryma, vargje apo tendenca të poezisë bashkëkohore, të mjaft autorëve shqiptarë dhe të huaj, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Por, që unë ti flisja për një libër në prozë të Mimoza Ahmetit, ai ndoshta nuk e priste.

    – Arkitrau! – i thashë sërish, – Është një roman i hershëm Mimoza Ahmetit. Një libër i vogël, i thjeshtë. Ama i kapërcen kufijtë e normalitetit.

    Në përgjithësi, diskutimet që bëjmë me Petraq B. janë të tilla, që i kapërcejnë kufijtë e normalitetit. Ato janë diskutime që e kanë zanafillën që nga origjina e krijimit e deri te përfundimi, apokalipsi i madh, final. Ato përfshijnë gjithçka dhe nuk lënë jashtë asgjë, të paktën të rëndësishmet, siç janë edhe apokalipset, qofshin këto të mëdhenj a të vegjël, që janë pjesë e riciklimit të një universi qendror apo edhe të universeve të tjera anësore, qofshin ato të dukshme apo të padukshme. Kështu ishte edhe ky kapërcim, në diskutimin që po bëja me mikun tim kritik.

    – Është një libër në dukje i thjeshtë, por që ndërthuret me stilin magjik të narracionit. Përshkrimi i gjendjes, shkëputjet nga trupi dhe ndriçimet ishin porta që hapnin dyer të kapërcimit të normalitetit. Një normalitet aspak normal.

    Po po, i kapërcen kufijtë e normalitetit. Madje madje, nganjëherë më duket i ndërtuar posaçërisht i tillë. Duket si një pykë me majë, që ngulet thellë në barkun e fantazisë, sikur ngulet një heshtë në tullumbacen bojë qielli dhe nga shpërthimi dalin re të bardha që përhapin bulëza vese të freskëta dhe spërkasin tokën e athët. Në këtë moment krijohet lidhja përtej normales. Është arkitrau që lidh normalen me anormalen, dy brigje të një lumi të gjerë. Të duhet të ruash ekuilibrin mjaft mirë, për të kaluar sipër tij, nga njëra anë në anën tjetër. Duhet të ruash bukur ekuilibrin e brendshëm dhe të jashtëm. Hap pas hapi, faqe pas faqe. Përndryshe, këmba rëshket, arkitrau përmbyset dhe rrezikon të biesh. Ngec e nuk kalon dot në anën tjetër. Në anën e fantazisë me re të bardha.

    Për një lexues fluturak, ky kalim tashmë është bërë rutinë, mezi pret ti kalojë arkitrarët një e nga një. Forca e rrëfimit ndërthuret me një stil sa letrar aq edhe filozofik.

    Arkitrau është një libër në prozë, një roman i shkurtër, i botuar në mënyrë të shkëlqyer nga botues Onufri, me kopertinën drithëruese, të llojit me piktura surrealiste që ky botues zgjedh me mjaft stil.

    Sa herë që flitet për arkitraun, në mendje të shkon për atë të gjatin, të madhin, qendrorin. Ai që rrethohet nga të gjithë trarët e tjerë, që i vijnë rrotull, por që nuk e zëvendësojnë dot as nga forca e as nga madhësia. Nuk është vetëm kaq. Është madhështia e të qenit arkitra, kryetra. Është një prestigj, një formë e veçantë që e ngren metaforën përtej një sfide të sfilitshme. E fut atë në siklet. Ndërkohë që pozicioni fizik nuk e dominon pozicionin metafizik. Shpesh herë duket se idetë zakonore mundohen të tejkalojnë këtë ngrehinë, këtë grackë që i ka ngërthyer prej shekujsh. Të duket sikur ende mbizotërojnë sisteme shoqërore ku pikëmbështetjen kryesore ende nuk e kanë gjetur. Mos gjetja e pikëmbështetjeve e bën sistemin më të paqëndrueshëm, më fluid, dhe të paformë.

    Këtu është arma e fortë e autores, këtu ajo duket se ka krijuar terrenin e vet të qëndrueshëm. Këtu ajo godet. Dobësia është goditje dhe goditja është dobësi. A është kjo ligjësia në planetin e ndërtimeve?

    Ashtu është ky arkitra, herë i dukshëm herë i padukshëm. Arkitra i një marrëdhënie herë njerëzore dhe herë hyjnore. Ndërsa dritat e vëzhgimeve enigmatike zgjaten dhe ndriçojnë shpirtrat e padukshëm.

    – Arkitra i lëkundur, Mjaft i lëkundur! – shtoi ai, – Përse është i tillë?

    – Po ja, nuk është asnjëherë i qëndrueshëm, ikën, lëviz. Nuk ngulet kurrë. Gjatë gjithë librit. Sa andej edhe këndej. Nuk goditi që nuk goditi njëherë. Dhe prita kot, por hiç asgjë! Prap sillemi dhe pyetja munduese mbetet, si ka mundësi mundësi që njeriu i largohet dashurisë?

    – Po në fund? – më tha, – Ç’përfundim pati?

    – Kush i thashë unë?

    – Arkitrau! Ku përfundoi?

    – Aha, hiç! Ja ashtu ngeli, i vetmuar. Në qytetin e panjohur.

    Dyrrah 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË