More
    KreuOpinionPoezia si dëshmi për atë që kemi humbur

    Poezia si dëshmi për atë që kemi humbur

    Nga Edison Çeraj

    Le ta nisim me një tautologji: të lexosh poezi është një përvojë krejt tjetër krahasuar me çdo gjini tjetër të shkrimësisë. Nëse çdo gjë është një pamundësi e përkryer, në poezi kemi një tejkalim të këtij “fakti” për hir të një kujtese e cila nuk ka lidhje me kujtimet si qenie-në-botë, por me udhëtar-në-botë. Pra, poezia na kujton se vijmë nga diku e shkojmë drejt një destinacioni, pa e ndier peshën e një rrethi vicioz apo ankthin e një udhëtimi të mbyllur.
    Po të bëjmë një krahasim me prozën, mund të themi se proza na sfidon për të bërë një ndryshim apo për të ndërmarrë një hap të caktuar, kurse poezia na pranon siç jemi, duke na u ofruar si një ilaç për harresën, ose si një ilaç kundër shtresave të njëpasnjëshme me të cilat jemi pleksur e që na kanë larguar nga vetja, që na kanë ndryshuar ose na kanë bërë të huaj me veten. Poezia është një ilaç i hidhur që pak vetë e marrin mundimin ta provojnë, sidomos në këtë kohë kaq të mbërthyer nga labirinti i dendur i prozës.
    Të lexosh poezi, është të kalosh në një dimension sa të munguar e po aq të njohur për ne. Na ndërmend vazhdimisht diçka, pa qenë në gjendje ta shprehim se çfarë. Nga ana tjetër, kur ia themi vetes, jemi të bindur se çfarë. Kjo na kujton një reflektim domethënës të Shën Agustinit, ku thotë: “Nëse më pyesin për kohën, nuk e di përgjigjen; e nëse nuk më pyesin, e di.”

    Veç një shenjë. Një rikthim. Dhuntia e hijeve dhe dallgëve
    nuk do të thotë asgjë, ndërsa kapton masë dhe kufij.
    Qepeni mërmërit dhe pulsi i ligjërimit dhe flakës
    është vetë përjetësia, që ndehet pa sy mbi tokë. (Venclova)

    Proza është kërkim, poezia gjetje. Nëse proza kërkon tjetrin te ne, poezia sikur na kumton që duhet të jemi pikërisht siç jemi (si thelb), sepse unikja është vlera më e rrezikuar në një realitet të mbushur cit nga prodhimi dhe konsumi. Edhe dhuntia e prodhimit dhe konsumit nuk do të thotë asgjë, pasi përtej tyre nis të jetuarit, duke lënë pas të gjalluarit. Pasi të çlirohemi nga nevoja e prodhimit dhe konsumit, – gjë që e bëjmë herë pas here, qoftë edhe pa vetëdije – nis përjetësia.

    Çdo asgjë mbahet në vend të vet,
    qoftë edhe pa ne. Bota ende mëshon,
    dhe vetëm muzat dhe heshtja
    mund të thuhet me hak që rrojnë. (Venclova)

    Poeti na kujton se ne e “njohim” asgjënë në saje të gjë-së. Bota ende mëshon, pra graviteti i saj vazhdon (deri në entropi?), qoftë ai i pari, si ligj fizik; qoftë i dyti, si joshje ndaj “këtu dhe tani”. Heshtja dhe asgjëja mund të lidhen në disa mënyra me njëra-tjetrën. Jo çdo heshtje është asgjë, ama çdo asgjë është njëkohësisht edhe heshtje, nga ajo më e kulluara, me një çmim të lartë.
    Një prej ligjeve të poezisë është gjetja, gjë që vlen si për autorin ashtu dhe për lexuesin – ndoshta jo për atë lexues që e lidh leximin me të ashtuquajturën kohë e lirë, pasi më së pari, që të gjesh në poezi, duhet të çlirohesh nga koha fizike.

    Po lexoj një poezi kineze
    shkruar një mijë vjet më përpara.
    Autori tregon për shiun
    që binte gjithë natën
    në çatinë prej bambuje të barkës
    dhe për paqen që më në fund
    u strehua në zemrën e tij. (Zagajevski)

    Kjo strofë na përball me magjinë e poezisë brenda poezisë, për të na kujtuar kështu ato çaste jo dhe aq të pakta të përjetësisë brenda së përkohshmes; për të bukurën strukur diku tek e shëmtuara; për të shenjtën fshehur në sasinë e pamatë të profanes; për yjet e marrë peng nga llambat elektrike; për artin e përdorur nga spektakli; për diellin e mbuluar nga retë e ngjyera me terr; për trëndafilin e mbërthyer nga gjembat; për një shkëndijë të vogël që sfidon errësirën e pakufishme të universit.

    “Hamenda vesën mbi kërma e prazmore.” (Heaney)
    Sa shumë kam hjekë
    per me gjetë nji dhuratë për Ty
    e asgja nuk m’u duk me vlerë
    e si munen me u çue mineralet n’minierë?
    po uji n’det?
    çdo gja qi m’ra ndërmend
    si me çue erza n’Orient m’u dukt, po per besë!
    sikur zemren e shpirtin tem me t’i dhurue
    Ti i ke te dyja
    pranej t’pruna nji pasqyrë
    kqyre Vedin aty e m’kujto edhe mue. (Rumiu)

    Mbase në vargje të tilla qëndron thelbi i asaj që na kujton poezia: fillimisht një mohim në trajtë dorëzimi, e më pas një pohim çlirues, që shënjon atë çfarë kemi humbur, që mund ta gjejmë në një ritual të herëpashershëm rikthimi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË