Botohet në Serbi përmbledhja “Shiu i fytyrës time” i shkrimtarit Visar Zhiti, përurohet në Panairin e Librit në Beograd dhe vlerësohet me çmim nga shoqata e poetëve dhe përkthyesve të Malit të Zi
Është poezia që guxon më shumë dhe arrin të bëjë ndonjëherë atë që nuk ia dalin dot ta bëjnë dekadat, diplomacia, politika dhe marrëdhëniet tregtare, sidomos në Ballkan.
Poezia, duke sjellë të bukurën e përbashkët, atë të artit të madh, por dhe një të vërtetë jete, si dhe drejtësi, moral dhe etikë, përbashkon njerëz dhe vende.
Kjo ndodhi me poezinë e Visar Zhitit dhe ku, në kryeqytetin serb, në këto ditë tetori gjatë Panairit Ndërkombëtar të Librit në Beograd, i 64-ti, më i madhi në rajon e më gjerë, ndër më të njohurit në Europë, një univers me shkronja cirilike…
Sapo kishte dalë përmbledhja e gjerë “Shiu i fytyrës time”, botim i editorit “Alma”, në kolanën e shkrimtarëve të Europës, ku janë përzgjedhur poezi të kohëve të ndryshme të Visarit, të paraburgut, të burgut dhe të pasburgut, si dhe poezi për Kosovën, edhe nga më të fundit, madje dhe që botohen për herë të parë.
Takimi i autorit me lexues, gazetarë dhe shkrimtarë serbë e të huaj u mbajt në mjediset e panairit, nën kamerën e televizionit kombëtar të Beogradit.
Në hapje dr. Gjore Otasheviç, presidenti i shtëpisë botuese “Alma”, tha që “poezia e Visar Zhitit është e jashtëzakonshme dhe e sjellë në serbisht nga Smajl Smaka në mënyrë mjeshtërore. Jemi të mrekulluar…”
“Visar Zhiti shkruan ashtu siç jeton”, – do të thoshte ndër të tjera në diskutimin e tij drejtuesi i kolanës së botimeve “Shkrimtarë nga Europa”, akademiku Milutin Gjuriçkoviq, redaktor i librit të Zhitit dhe autori i parathënies. Pastaj ai u hap në vlerat e poezive të përmbledhjes “Shiu i fytyrës time”, duke theksuar se është një poezi e botuar dhe e njohur në Ballkan, e vlerësuar në Itali deri nga Umberto Eco, e përkthyer edhe në frëngjisht, gjermanisht, anglisht, e botuar në SHBA, deri dhe hebraisht e kinezisht etj., dhe u ndal edhe në vlerat e jetës së Visarit, nga ish-i burgosur politik në shkrimtar i njohur në vendin e tij dhe deputet e ministër Kulture.
Në takim u lexua edhe fjala e studiuesit, kritikut dhe poetit nga Kosova, prof. Agim Vinca, e cili e shikonte poezinë e Zhitit si dëshminë e një ecjeje të një uni kolektiv.
Pasi u recituan poezi nga libri, madje edhe nga ato me temë për Kosovën, Visar Zhiti, i ftuari nga Tirana posaçërisht për këtë veprimtari, pasi falënderoi për botimin dinjitoz të librit të tij dhe organizatorët e takimit, tha se vinte për herë të parë në Beograd, “edhe me druajtje, edhe me kërshëri, edhe me gëzimin e shkrimtarit për raste të tilla. Kufiri me ju ka qenë i ndaluar gjatë diktaturës, – vazhdoi Zhiti, – marrëdhëniet në shekuj janë tipike ballkanike, me drama, – dhe kujtoi se – ne në burgun e dikurshëm kishim të dënuar që ishin arratisur në Jugosllavinë e dikurshme dhe sipas një marrëveshjeje të fshehtë e të keqe ata i kthenin, ku i dënonin rëndë… Tani kam ardhur unë me poezinë time, gjej një metropol kulture dhe ky takim, sipas meje, është edhe një metaforë e vyer, bashkohen poezi nga Tirana, me përkthyes nga Kosova dhe botues nga Beogradi, të shikojmë së bashku përpara”, – përfundoi fjalën e tij Zhiti, për të cilën u duartrokit dhe u vlerësua nga të pranishmit.
Shoqata e poetëve dhe përkthyesve të Malit të Zi i dha Visar Zhitit në ceremoninë e këtij takim çmimin e saj të veçantë për librin në serbisht “Shiu i fytyrës time”, një risi me mesazhe kujtese dhe paqeje.
Takimi u mbyll me një koktej miqësor, teksa autori jepte autografe…
Më pas edhe një shëtitje nëpër Beograd, atje ku bashkohen lumenjtë Sava dhe Danubi, patjetër edhe në rrugën historike “Shkodra”, që vendasit e quajnë “Skadarlije”, plot me turistë, rini dhe hare mbrëmjesore. Edhe libri i Visarit “Shiu i fytyrës time” hapet me një poezi për këtë rrugë, ku kishte shëtitur edhe i biri i tij pas kthimit nga Barcelona, në takimin e fundit të Parlamentit Europian të të Rinjve.
Imazhi i një çasti të atillë frymëzoi piktorin e njohur me banim në Itali, Gjergj Kola, për të bërë disa punime në pikturë dhe njëra nga skicat shoqëronte poezinë.
Zëri që vjen nga dhimbjet e vetvetes, nga thellësitë e vuajtjes dhe dramat e atdheut është më i pranuari, kumt marrëveshjesh mes kohëve dhe vendeve, ka brenda dashuri, profeci dhe paqe mes popujve…
Sipas “Lajmëtari i së mirës”
KAQ PRANË DHE TË NDARË JU DUA TË GJITHËVE…
(Parathënia e librit “Shiu i fytyrës time”)
Nga Dr. Milutin Gjuriçkoviq
“Ç’forcë e madhe është te njeriu,
që di të heshtë edhe kur ka të drejtë”.
Lev Tolstoj
Rrallëkush nga poetët bashkëkohorë shqiptarë me arsye, natyrisht, ka përjetuar reputacion të tillë ndërkombëtar, siç është rasti me Visar Zhitin, poetin, prozatorin e njohur, shkrimtarin, eseistin, përkthyesin dhe disidentin politik i cili krejtësisht i pafajshëm është dënuar dhe është burgosur nëpër kazamatët dhjetë vite të plota. Pas daljes nga burgu ai ka pasur përkrahjen e shumë intelektualëve, të shkrimtarëve dhe të personaliteteve publike nga e gjithë bota, duke filluar që nga Umberto Eco, Sebastiano Grasso, Kevin HIgins, Robert Elsi, madje edhe nga Filip Davidi ynë.
Opusi i tij letrar është shumështresor dhe në aspektin zhanror i llojllojshëm. Pothuaj me sukses të njëjtë shprehet dhe dëshmohet në poezi, tregim, roman, ese, publicistikë dhe në përkthim. Është përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe është fitues i një sërë çmimesh në vendin e vet dhe botën e jashtme.
Para nesh është përzgjedhja komplekse e poezisë së Visar Zhitit, që nga përmbledhja e parë deri te libri i fundit poetik, që dëshmon në masë të mjaftueshme harkun zhvillimor poetik, metamorfozat krijimtare, ndikimet, gërshetimet lirike dhe mëvetësinë, autenticitetin e shprehjes.
Këto poezi, në fakt, në mënyrën më të mirë tregojnë sesi jeta dhe poezia gërshetohen reciprokisht dhe identifikohen, pa kurrfarë mistifikimesh apo mbindërtimi artistik. Ç’është e vërteta, poeti shkruan ashtu siç jeton dhe si ndien, respektivisht ashtu siç e përjeton botën e brendshme (psikologjike, etike) dhe të jashtme (fizike, historike), me të cilën ka shumë mosmarrëveshje, paqartësi dhe sfida.
Që në shikim të parë mund të hetohet se poezitë kanë varg të lirë, metrikë të thyer dhe dozë të caktuar narracioni, e cila e ndërlidhur me liriken, epiken dhe dramatiken i jep të gjithë përmbledhjes vulë të veçantë dhe rëndësi e kuptim artistik. Duke udhëtuar nëpër botë dhe duke takuar e njohur njerëz të rinj, vise dhe vende, Zhiti e shkruan një ditar të një lloji të veçantë të kujtimeve dhe të shtegtimeve, në të cilin ka edhe “llum të hidhur të përvojës”, siç do të thoshte Danilo Kishi, e që në radhë të parë ka të bëjë me burgosjen dhe izolimin krijues të tij. Disa poezi madje kanë atmosferë orveliane dhe kafkiane në sensin e simbolizimit të çuditshëm dhe të shprehjes së absurdit të kësaj bote.
Poezitë e tij nuk janë vetëm kryengritëse e plot revoltë dhe pezëm të pakënaqësisë, aq sa janë plot dashuri, njerëzillëk dhe falje (“Aq afër e të ndarë”). Ai, para së gjithash, është njeri dhe pas kësaj poet. Krijues me shpirt etik dhe me motiv mëmëdhetar, i cili di të falë dhe nuk urren askënd. Këtë e dëshmon edhe titulli i poezisë “Ju dua Ju të gjithëve”. Ai është kozmopolit, njeridashës i theksuar dhe vrojtues, analist dhe komentues, i cili urtësisht dhe stoikisht i përballon të gjitha padrejtësitë dhe krajatat të cilat e kanë goditur në jetë.
Duke e përjetuar tërë helmin e jetës, padrejtësitë e ndryshme, nënkëmbëzat, shantazhimet dhe të këqijat, poeti nuk ua kthen njësoj, veçse me gjerësinë, me spontanitetin e natyrshëm dhe me urtësi dëshiron që të gjitha këto t’i tejkalojë dhe të mos ia lërë harresës. Në këtë sens poezitë e tij janë gjurmë të papërsëritshme dhe dëshmi, gjegjësisht vraga shpirtërore dhe kujtime të dhimbshme të cilat edhe nuk harrohen aq shpejt.
Nuk është e tepërt të thuhet se disa poezi kanë, në njëfarë dore, kuptim testamentar, respektivisht amaneti se të gjitha mund të falen, por jo edhe të harrohen.
Më bëhet se poetika e Zhitit, filozofia jetësore dhe fenomenologjia e krijimtarisë është në përputhshme adekuate me qëndrimin e njohur të Rajner Marije Rilkes, i cili atëbotë kishte thënë:
Kush flet për fitoren?
Të rezistosh është e tëra.
Pra, nuk është e vështirë ta zbulosh dhe ta njohësh jetën e poetit dhe punën e tij, raportin e tij njerëzor dhe kozmopolit ndaj të gjithë njerëzve dhe vendeve të cilat i përmend dhe të cilat e preokupojnë fantazinë, kërshërinë dhe vëmendjen e tij. Në këtë kontekst kanë lindur poezitë antologjike të cilat ia ka kushtuar djalit të tij, me rastin e qëndrimit në Beograd, në rrugën “Shkodra”.
Në saje të përkthimit të frymëzuar dhe të suksesshëm të Smajl Smakajt, kemi rastin që më plotësisht ta kundrojmë, në mënyrë kritike ta vlerësojmë dhe estetikisht ta njohim poezinë dhe poetikën e Visar Zhitit, e cila për shumëçka është e jashtëzakonshme, e veçantë, e vetvetishme dhe jetësisht e fuqishme.
Beograd, 25 qershor 2019
Përktheu nga origjinali Smajl Smaka