More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Shazim Mehmeti

    Poezi nga Shazim Mehmeti

    AFSHE!…

    Afshe, afshe, afshe!
    Gojë të panumërta,
    që i japin mirëseardhjen
    këtij agimi të përgjumtë.

    Qiej të ndezur,
    të padurimtë –
    gjuhë të përsosura kaltërie,
    që bien e bien,
    e nguten të prehen
    mbi përkëdhelitë e bardha
    të reliefit të çastit.

    Gjethnajë,
    që ëndërron ta përthithë
    gjithë klorofilin e ditës.

    Pëshpërima qeniesh ajrore,
    zogj që përzihen
    me tufa të pafundta
    fluturash jargavane.

    Dritë e hollë, e hollë,
    që bie, jeshilohet
    sipër krahëve të mi.

    Këto dy krahë
    që më shumëzohen
    për njëmijë
    dhe lëshohen në prekje,
    në përpushtim,
    gropëzave dritëprarime
    të barkut tënd…

    VLIM

    I kam ndigjue
    shtërzimet e gjata t’natës,
    n’çastet e fundit
    t’shtatzanisë shenjte,
    dhe kam qa.

    I kam pa 
    edhe kambët e vogla t’mëngjesit,
    n’lindjen e tij praptas,
    dhe kam qa.

    Kam vlue n’zemër –
    lotë gjaku kam derdhë,
    kur kam pa
    si bahet dritë
    mishi i territ…

    YLL MEDITUES, MBI DEGË BLIRI, ULUR…

    Ulur,
    mbi këtë degë bliri, meditoj.
    Për shikimin, për shijimin.

    Shoh.
    Shoh përtej muresh.
    Shoh përtej gjumit.
    Përtej terri shoh, përtej nate.
    Shoh në vet zemrën e qiellit,
    dhe përtej ëndrrës qiellore.
    Në vet zemrën e diellit,
    dhe përtej ëndrrës diellore.
    Shoh në gëzim, shoh në pikëllim.

    Dhe shijoj, shijoj, shijoj.
    Në mure e përtej muresh.
    Në terr,
    në zemrën e territ,
    dhe përtej territ.
    Në natë,
    në zemrën e natës,
    dhe përtej natës.
    Në diell,
    në zemrën e diellit,
    dhe prapa diellit.
    Shijoj në gëzim,
    dhe përtej gëzimit.
    Shijoj në pikëllim,
    dhe përtej pikëllimit.

    Nuk pres. Nuk logjikoj. Jetoj.
    Jeta nuk është ëndërr.
    Jeta nuk është pritje
    që nuk mbaron.
    Jeta është fruti
    që duhet shijuar,
    në këtë çast.
    Çast për çast.

    Jam plak, dhe i ri.
    Jam i ri, dhe plak.
    Tepër i ri, dhe tepër plak.
    Miliona vite drite mbaj mbi shpinë, dhe hiq.
    Njohjen, dhe mosnjohjen, njoh.
    Njoh molekulën e dritës, dhe dritën e molekulës.
    Kam fytyrë dhe zverk.
    Kam zverk dhe fytyrë.

    Kam dashuruar
    gjithë jetën,
    dhe s’kam urryer asnjëherë.
    Kam dashuruar shumëkend,
    dhe s’më ka dashuruar kush.
    Më ka dashuruar shumëkush,
    dhe s’kam dashuruar kend.

    Kam urryer gjithë jetën,
    dhe s’më ka urryer kush.
    Më kanë urryer gjithë jetën,
    dhe s’kam urryer kend.
    Kam qenë dashuria e shumëkujt, dhe e askujt.
    Shumëkush ka qenë dashuria ime, dhe askush.
    Kam miliona ëndrra,
    dhe asnjë.
    Jam ëndrra e shumëkujt, dhe e askujt.
    Shumëkush është ëndrra ime, dhe asnjë.

    Jam ikja e natës,
    dhe ditëlindja.
    Jam vetëshpërblimi,
    dhe vetëdënimi.
    Jam kujtesa, dhe harrimi.
    Jam vetmia,
    dhe shoqërimi.
    Jam fundi, dhe fillimi.
    Jam ikja, dhe kthimi.

    Në natën time jam.
    Në natën time,
    Qeni i Qiejve,
    u zhgënjye,
    në flirtin me Hënën
    e ftohtë.
    Ai u kthye në shtrat,
    ai e mbërtheu
    Moshën e Shtratit,
    fatin e tij, alias Venerën.

    Por, ai, tashmë, fle,
    e ndërkohë që ai fle,
    unë jam bërë pritja.
    Po pres.
    Pas vetëm pak çastesh,
    Venera do përvidhet nga Shtrati,
    e do vijë ta tradhtojë, me mua.

    A ha ha ha ha ha!…
    Kujt do t’i besosh ti?
    E di: askujt.
    Ti do t’i besosh dritës.
    Dritës që lind,
    dhe dritës që vdes…

    ÇASHTJE NJERËZORE…

    Çashtje ashtë,
    si me dijtë me i pasë 
    gjithnji me vete, 
    sytë e tu;

    çashtje ashtë,
    si me u ba lidhës 
    si kjo urë;

    çashtje ashtë, 
    si me dijtë mos me qenë, 
    gjithnji, prej guri;

    çashtje ashtë,
    si me qenë paksa i rrjedhshëm 
    si ky lumë;

    çashtje ashtë,
    si me qenë paksa kokëulun, 
    paksa krahëvarun 
    si ky shelg;

    çashtje ashtë,
    si me qenë zaambël 
    si ai zog n’shelg;

    çashtje ashtë,
    si me qenë paksa i ndritshëm 
    si ky mëngjes;

    çashtje ashtë,
    si me dijtë me e dhanë 
    dritën tande t’paktë,
    dhe si me dijtë me e shijue 
    dritën e shumtë 
    t’Zotit…

    GJAKU I HËNËS

    Sapozbrazur
    gotën e shpërbërjes,
    ecja mëdyshshëm,
    pa ditur për kah.

    E ndiqja hijen time
    të dyzuar,
    që si shtyllë e gjatë dykëmbëshe,
    shtrihej e m’zgjatej
    përpara meje.

    Ndër dhëmbë,
    pendueshëm mërmëroja
    një dhembjekëngë dalldie.

    Prapa krahësh,
    lënë e kisha,
    ikjen e pashmangshme,
    nga thyerja, nga derdhja
    e një zemre kristale.

    Më mbetej prapa krahësh
    edhe zëri këngëvajë
    i një gjinkalle të largët,
    që kushedi në qante a këndonte
    për virgjërinë e humbur
    në dehjen më të parë.

    Ndër buzë mbaja
    një lulemace të bardhë.

    Nuk dija në shkoja
    drejt kthimit t’agimtë
    a drejt kasollës së asgjësë.

    Nata,
    si kompozitë tunduese,
    e errët, e rëndë,
    më rëndonte mbi krye.

    Dehur, dehur, dehur,
    e humba veten, toruan.
    M’u morën mendtë,
    m’u ngatërruan këmbët, rashë,
    rashë dhe e pashë përmbysur,
    fytyrën e përgjakur t’hënës
    në një kanal fekalesh.

    Oh, qava, qava,
    për atë hënë!
    Qava, qava, qava,
    dhe e shkrova këtë vjershë
    me gjakun e saj…

    MUZIKA GJITHNJË MBARON…

    Muzika gjithnjë mbaron,
    secila këngë që dëgjon
    është një frymë goje,

    edhe mali
    që shohin largas sytë e tu,
    një çast i prishshëm është,

    edhe qielli, edhe dita,
    edhe ajo pemë
    që t’shpërfaqet lakuriq
    si stinë e largët,

    edhe ajo turmë  zogjsh
    atje lart
    që ik, ik, ik,

    edhe mendimi yt
    një zog a fekje është,
    që shfaqet e humb,

    beli i vashës flokëborë,
    ku drita ka vënë duart tani,
    nuk është i vërtetë,

    një formë e dridhshme 
    e flujës
    është ai bel,

    e kuqja e buzëve
    që sapo t’puthën
    është një shenjë ere,
    një tingull drite,
    që do fiket pas pak,

    merr frymë,
    prek, shiko, dëgjo,
    muzika gjithnjë mbaron,

    secila këngë që dëgjon,
    është një frymë goje…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË