Poeti Mehdi Dashi nuk jeton më, por kujtimi i tij është gjithmonë mes atyre që e njohën atë dhe sidomos poezinë , e cila akoma merr frymë , akoma është gjallë.
Për këtë poet, poezia ishte ajo çfarë e bënte të ishte interesant, i dallueshëm, çfarë bën, të jetë i pranishëm edhe tani.
Ai kishte “gjetur” një dritare të veçantë, nga e cila e vështronte botën, duke na lënë kështu, pamje të mrekullueshme poetike, në librat e pakët që botoi.
Mehdi Dashi jetonte me poezinë e vet dhe jetonte për atë, si një lidhje të veçantë dhe të pazëvendësueshme me jetën.
Ka shkruar vetëm dy libra, “ Autograf në qiell”, në vitin 2012 dhe “Planeti vret veten”, në vitin 2024, duke dhënë edhe një herë provën me këto dy libra, se poezia,së pari, është cilësi. Poezitë e shkruara prej tij, sapo t’i lexosh, të mbeten mendje, pasi shumë prej tyre, pasi janë gjetje aq shënuese dhe lënë gjurmë në kujtesën e lexuesit.
Çfarë krijoi poeti në të gjallë, mesazhi, struktura, stili i tij, janë “Patenta” e patjetërsueshme dhe e paimitueshme e Mehdi Dashit.
Poeti ka botuar heret tek “Drita”, kur redaktor ishte Kadareja.
Kjo, ”ngjarje” në jetën e tij, kishte ndodhur, pa e takuar asnjëherë Kadarenë.
Ciklin poetik e kishte dërguar nëpërmjet postës, në adresën e redaksisë të gazetës “Drita”.
Pas pak kohësh, e kishte takuar Kadarenë e madh, në Hotelin e Gjuetisë, ku poeti punonte aso kohe.
“ E pyeta Kadarenë, më tha vite më parë, pasi ia kujtova emrin dhe poezitë e botuara në gazetën, që drejtonte, duke e falenderuar.
Kadareja i madh u mendua pak, më shikoi drejt e në sy e më tha, me një zë plot siguri :
“ Në jetë, jam me të vegjlit kundër të mëdhenjve, kurse në Art jam me të mëdhenjtë kundër të vegjëlve!”
Mehdi Dashi ishte i shënuar nga fati, pikërisht, nga ajo me të cilën “jetonte” dhe krijonte me talent dhe dashuri.
Mehdi Dashi jetoi pak , iku aq shpejt dhe para kohe.
Ishte njeriu, që e donte dhe e meritonte jetën, besonte aq shumë dhe Zoti zgjati “dorën”, duke e “zgjedhur”.
E ndiej për detyrë të bëj përpjekjen, që admiruesit e poezisë, ta njohin poezinë e tij. Jam menduar gjatë dhe tani po bëj këtë provë dhe jam i bindur, se ai na sheh nga qielli, do ta kuptojë, se sa shumë na mungon, ndërsa e kërkojmë në adresën e tij të përhershmee të përjetshme, në poezinë e tij!
Preng Maca
20 Shtator 202
Gjergj Skënderbeu
Pak metra larg shtëpisë
Ku linda,
Ndodhet varri,
Pa “vdekjen” e heroit.
Feleminderit ,
Fëmijëria ime
Se më njohe me njeriun,
Që nuk i mjaftonte një emër!
Lypsat
Duke na uruar
Na gënjejnë
Ne, që me lëmoshë
I gënjejmë.
Tek varret e prindërve
Ata nuk janë larg.
Të lodhur,
Në buzëqeshje të derdhura
Në mermer.
Vij herë pas here tek ju,
Tek varret tuaja,
Por në qiell,
Nuk vij dot,
Pa urdhër.
Në Shkodër
Tek porta e qytetit,
Kështjella,
Me legjendën, e saj, të famshme.
Në këtë qytet
Kam fëmijërinë e nënës,
Pa fëmijëri,
Vdekjen 27 vjeçare të Migjenit,
Zërin e gjurmëve,
të viteve të mia.
Po tani vij aq rrallë,
Rrallë.
Për dashuritë e mëdha,
Shkohet aq rrallë!
Spaç
Me koka të qethura,
Aty,
Shkencëtarët,
Mjekët,
Shkrimtarët,
spiunët,
të pafajshëmit.
E dielli,
Rrinte aq pak,
Mbi atë vend!
Autograf në qiell
Japin autografë njerëzit,
Për një këngë,
Një libër,
Edhe një mis, e saposhpallur
Jep autografë.
Kurse unë,
si pilotët e lartësive të mëdha,
lidhur me rripat e mosvdekjes,
autografin,
dua ta shkruaj në qiell!
Hidroçentralet e veriut
U shkruan shumë në ato kohë
Telekronika pa fund
Vjersha për punëtorët,
Për djersën e tyre, heroizmat
Kur tej për tej i çanin malet
Tek ndërtonin hidroçentralet.
Tani të gjitha u harruan,
Por ato lane pas dritën
Për të parë njerëzit njëri – tjetrin.
Janë harruar tanimë,
Ata heronjtë e hidroçentraleve
Që nëpër shtëpitë tona,
Imituan diellin!
Antenat
Mbi pallate,
Mbi makina,
Mbi shtëpiza,
Ku sytë mbytën në pluhura,
Antena, antena, antena
Antena pa fund.
Bota, më tepër lajme,
Sesa bukë!
Fati
Në duart e jetës
Fati ynë.
Në duart e babës,
Buka e përditshme,
Basma e fustanit të nanës,
Bileta e kinemnasë.
Dhe ne,
shtrënguam duart!
Vjeshtë e ndezun
Është ndezur vjeshta,
Pikturët nguten,
Ta ruajnë në korniza.
Përvathi, mrekullisht
Po e shetit,
Nëpër ekspozita.
Është ndezun vjeshta.
Ditët me diell
Të verës së gjatë,
Kanë mbetur,
Nëpër degët e hurmave.
Është ndezun vjeshta
E unë, pres me frikë
Shiun,
Që don, fshehtas,
Me ma fshi
Këtë pikturë të vjeshtës,
Nga sytë.
Brengë e përditshme
Njëra brinjë
Mbështetur në det,
Tjetrën,
Në të bukurat male!
Atdheu im
Ngrysesh e zgjohesh,
Me halle.
Tek studentët
Në qytetin,
Që për vite me radhë
Ëndërrova,
Tani vij shpesh,
Me çanta ushqimesh
Dhe libra.
Pi kafe,
Me moshatarët,
E fëmijve të mi.
Nuk më qënka plakur ëndrra!
Në vendlindjen e Lasgushit
Arritëm shumë vonë.
Asfalti i lagur,
Këta punëtorët e natës,
Janë të njohurit tanë, të parë.
Në mëngjes herët,
Akoma pa i parë njerëzit,
Vjeshtën e artë të këtij qyteti,
Duke vështruar, nga driarja e hotelit
I gëzuar, si një fëmijë, thirra:
“Deti!”
Shokët e mi qeshnin.
Mua, më kishte ndjekur,
Vendlindja!
Dërgova diellin
Në tunelin e errët
E të pafund,
Me një pasqyrë të vogël,
Dërgova diellin e madh!
Luajta e luajta me të,
Derisa dielli im,
Perëndoi,
Ngadalë, ngadalë!
Kohë fushate
Me çakmakun me numër telefoni,
Mezi mund t’i ndez,
Duhanin e lirë, një pensionisti.
Me stilolapsin,
me emrin e kandidatit për deputet
nuk mbarova dot një skicë, për qytetin.
Fushta është në kulmin e saj.
Vajzat luajnë me kukulla
Vajzat lozin me kukulla
Nëpër qoshe shtëpishë,
Nëpër oborre,
Me kukulla në duar,
shfaqen kudo.
Vajzat lozin me kukulla.
Sa shpejt e nisin jetën, ato!
Ardhja e fëmijve kosovarë
Lozin e qeshin fëmijët,
Siç dinë vetëm fëmijët të qeshin,
Me zërin e tyre, gjer në kupë të qiellit
Këta fëmijë, të ikur nga lufta.
Në emrat e tyre, është Shqipëria
Berat, Shkëlzen, Milot, Elbasan, Saranda
Vlora e Drilon, Vjosë, Drin
Ngarkuar mbë shpinat e lodhura
Të nënave
Si mbi Arkën e Noes u ndodhën.
Lozin e qeshin
Ani se është luftë.
Të shpërndarë në gjithë Shqipërinë
Ata, po gjejnë emrat e tyre.
Ndarja
Të gjitha gjethet kishin rënë
Dhe binte shi vazhdimisht.
Duket, sikur stinët
Nuk ndërroheshin më,
Meqë u ndamë ,
Kaq ftohësisht.
Më mungojnë
(Gruas)
Më mungojnë
Shumë vite të tuat
Gabimet në abetare,
Lodrat me shoqet,
Kur ishe fëmijë.
Më mungojnë
Disa gjërat të tuat,
Prandaj vajzat tona
I dua aq shumë!
Në rrugë
Dritare të ndezura
Bori makinash,
Në rrugë,
Përshëndetje pafund.
Redaktorët nëpër zyra,
Prej vitesh,
Burgosin :
Dashurinë time.
Armiqtë e popullit
Në teatrin e gjykatave,
Ku “armiqtë” e pushtetit
Merrnin në “dorëzim”
Vitet e vuajtjeve,
Vitet e dhimbjes.
Populli i tyre, “i dehur”
“I pushkatonte”,
Me duartrokitje.
Daullja
Me daulle i pritën
Ata që përmbysen diktaturën.
Me të njejtë daulle,
E cila, njësoj, buçiste
Si atëhere, kur vinte komandanti.
Ata e dinë mirë,
Se kështu,
Do të presin edhe të tjerë.
E thonë,
se daullja çahet
Kur bën festë fukaraja!
Eskursione demokracie
Në demostrata,
Me furgona dhe autobusa.
Në mitngje festash,
Me makina e trena.
Gjithë kohën tjetër,
Shqipëria ecën …në këmbë.
Pemët fatkeqe
Ishin mirë atje mes maleve.
Përcillnin vera dhe dimra,
Mes flladeve të pranverave,
Nën simfoninë e zogjve,
U gëzoheshin foleve.
Ka kohë,
që u bënë shumë “shkrimtarë”
Më shumë, se lexues.
E tash shumë lisa, palma,
Blirë, pisha e ahe
Në rafte librash,
Po kalben.
Në një varrezë fshati
I njoh gjithë banorët e varrezave,
Disa janë të afërmit e shokëve të mi,
Kishin një jetë të varfër,
E të ushqyer keq,
Rritur mes shumë hallesh.
Tani në mermer,
Më ngjajnë, si mbretër
Të një jete, të gënjeshtërt!
Bota
Bota gjithë ditën,
Me aparat në dorë,
Hesht, si një fotograf i rëndomtë.
Ndërsa sytë e trembur
Të fëmijvë të pafajshëm,
Minutë pas minutë,
“Filmojnë” shëmtimin e Botës.
“Do ju padis tek Zoti!”
Tha dikur, diku
Një fëmijë,
para se të të vdiste.

