More
    KreuLetërsiBibliotekëPjesë nga krijimtaria në proces e poetes Ahmeti

    Pjesë nga krijimtaria në proces e poetes Ahmeti

    GJËJA

    E kishin mbështjellë. Sigurisht vetëm një pjesë të saj. Madje as atë.
    Kishin mbështjellë mendjen. Aq sa të orientoheshin brenda saj. Dhe këtë e quanin gjëja.
    Ata diskutonin rreth saj si qenie, si realitet dhe kush nuk i njihte këto, jetonte në ëndërr. Po prapë, brenda gjësë.
    Edhe kur takoheshin, pyesnin njëri-tjetrin:
    Ç’kemi ndonjë gjë?
    Gjëja ishte potenciali i tyre. Por edhe kjo nuk qe e vërtetë.
    Ata ishin të pafundmë, por askush prej tyre nuk e besonte pafundësinë e vet.
    Kështu gjëja u bë shpirt dhe u identifikua me mundësitë.
    Në të vërtetë, shpirti ishte i paidentifikueshëm. Ai madhërisht hapej në qeliza, kur gjëja harrohej.
    Vetëm atëherë solar pleksus çlirohej nga pesha e përgjegjësisë dhe merrte frymë lirisht.
    Pesha e gjësë nuk qe, por kristalizimi i rrethanës së parë, e cila si çdo tjetër ishte prej ere.
    Shumica e tyre ndërronin jetë kur nuk frynte erë, kur nuk rrymonte.
    Por as kjo nuk i bëri të kuptonin apo qoftë të vinin re rëndësinë e erës.

    URA

    Pa një urë që po ecte. Kjo i ndodhi para gjumit.
    Ajo dukej si një dinozaur pa krye, me qafën e shqepur nga autostrada dhe bishtin tendë.
    Kapi pikërisht momentin kur ajo putronte në det.
    Deti gri, ura gri dhe një ton i fshehtë kobalti që i përqafonte të dyja, madhështonin pamjen.
    Këmbët e saj të drejta, tani trapezoide, nga hapat e rëndë, e mahnitën!
    Ku shkonte ajo urë? Po ecën ura? mendoi në atë vegim tronditës.
    Ajo ishte një urë që po endej në tokë e në det për të kërkuar njerëz!

    TERMI

    Ai ishte dyqani më i hershëm i kryeqytetit. Quhej TERMI.
    Aty shkoja thuajse përditë të blija terma, në moshën e adoleshencës, me të cilat vishja shpirtin dhe pastaj dilja.
    Kisha kohë pa vajtur atje, nga rutina e ditëve.
    Arrita. Isha ngritur majë një palë takave të kuqe, të cilat, siç thotë fjalori i ëndrrave, simbolizojnë arritjen e qëllimit.
    Shitësi dukej i përhitur, e kishte përthithur gjithë kohën.
    Më jepni një term, ju lutem!
    Ekstravagancë, tha ai.
    Më bie i gjerë, një tjetër, i thashë.
    Strikt, tha ai.
    Më bie i ngushtë, i thashë e pakënaqur.
    Zgjidhni vetë, tha ai.
    I pashë termat e varur në kremastarët e nocioneve. Një nga një! Nuk më pëlqeu asnjëri.
    Nuk keni marrë furnizim të ri?
    I ri është, tha ai, para një jave erdhi.
    Po ky T-shirt metalik, ia bëra e çuditur!
    Është një këmishë lufte, e kohës së Skënderbeut, për dekor. Nuk shitet.
    Kuptoj, ia bëra. Gjithë ky mall më duket kaq i shëmtuar!
    Normal, zonjë, që kur rrobaqepësitë e Europës u transferuan të gjitha në Azi, mos prisni më terma të përsosur të prerjeve klasike. Thjesht mbulojeni shpirtin me diçka!
    Talleni? ia bëra e indinjuar dhe dola nga dyqani.
    Të nesërmen vendosa të kthehem e të marr ndonjë term çfarëdo, sa për t’ia hedhur shpirtit përsipër, pasi edhe koha po ftohej…
    Por kur arrita tek TERMI, qepeni ishte ulur, mbi të qe shkruar me kapitale:
    JEPET ME QIRA!

    SIGNIFIKANCA

    Buzëqeshte në gjumë kur i kujtohej signifikanca. Njësoj si një djaloshi kur i kujtohej e dashura tekanjoze!
    Ajo ishte një re najloni, që vishte trurin dhe zgjonte ambiciet.
    Edhe tani buzëqeshte nga rrengjet e saj. Ajo të krijonte përshtypjen e së vërtetës dhe të tërhiqte drejt saj me një etje të ndjellë.
    Të pi pak, edhe pak prej saj! Opa! U ngopa! Nuk dua më!
    Rrugët ishin si drejtimet. Por signifikanca bënte të pamundurën t’i ndryshonte ato. Të gjitha të çonin drejt qytetit, i cili të çonte drejt qendrës, domethënë – drejt smogut. (Aty brenda resë së tij mund të pije një kafe që ishte dhe kënaqësia e ditës.)
    Nuk kish të njohur dhe as të panjohur që të mos qe trazuar prej saj. Por edhe nëse kish, do të quhej i mbetur.
    Dukej si një lodër që nuk mbaronte lëvizjet.
    Ishte magnetike, megjithatë.
    Sa e dua këtë monstër, tha me vete! Ndërsa ëndrra e ajrit i lëvizte në mushkërinë e ndotur si Budha para braktisjes së Pallatit.

    Çfarë është poezia për Mimoza Ahmetin?
    “Poezia është sfera e gjendjeve të pashpjegueshme që kthehen në figura perceptimi dhe mahnisin atë që krijon njësoj si dhe Iexuesin. Është ky sensasion i fortë i saj që të bën të mendosh se poezia ka një forcë të mbinatyrshme për të t´i dhënë njeriut pikërisht atë që ai ia ndalon vetes: Jetën, në skajshmërinë e dëshirave dhe të pranive të pakapshme. Prej filozofësh bashkëkohore, poezia karakterizohet si një fenomen i një rangu të dytë, ku si primar shërbën ai racional, logjika, e cila ka tendencë të përsërisë veteveten për të ruajtur hapesirën që ka rrëmbyer. Poezia e rindan Hapësirën, e ringre, e ridimensionon, dhuron drejtime, kryen mohime, ngre arkitektura fantazie e shpirti, të gjitha këto nëpërmjet metaforës, duke freskuar fjalën nga mbingarkesa e komunikimit të zakonshëm, duke e bërë gjuhën fluide, njësoj si një grua e freskët dhe e bukur, kur del shëtitje në takim me veten! Origjina e poezisë është origjina e dëshirës, por edhe ajo e hapësirës, që ka ligjet e veta, kozmike, sociale, individuale. Është një informacion që na përdor duke na bërë të çuditshëm, të paparashikueshëm, gjuhë transformues, të bukur, rebele, të shtruar, madhështorë, pikërisht në kundërshtim me të zakonshmen që kemi ndërtuar e pranuar. Poeza na jep fluturim…”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË