More
    KreuLetërsiBibliotekë"Pierre Menard-i i dytë, autori i Kishotit", tregim nga Mira Meksi

    “Pierre Menard-i i dytë, autori i Kishotit”, tregim nga Mira Meksi

    “… Për fat të keq,vetëm një Pierre Menard i dytë, duke e kthyer së prapthi punën e paraardhësit, do të mund t’i zhvarroste dhe t’i ringjallte këto Troja…”
    Borges – Pierre Menard-i autori i Kishotit  (Ficciones)

    Vepra e dukshme e Pierre Menard-it të dytë, ishteca më lehtësisht e numërtueshme se ajo e romancierit paraardhës, Pierre Menard-it. Ajo që ishte kritikuar më shumë tribunave të forumeve online ishte ajo që edhe i stigmatizonte ato, titullohej: Terrorizmi i rrjeteve sociale dhe “maskat” e internetit. Porse më e bujshmja mes tyre, ishte një sprovë apo një traktat, a një sprovë-traktat me titullin më të gjatë që bota kish njohur për një vepër të kësillojtë: Dashuria është një përbindësh që duhet ushqyer përditë me mish të gjallë dhe me gjak zemre. Ishte një vepër që analizonte psikologjikisht dhe sociologjikisht dashurinë dhe që, për nga mënyra e trajtimit, shkërbente pak a shumë një vepër të shkruar 180 vjet më parë, esenë e titulluar De l’amour të Stendalit, botuar më 1822. Por, ndërsa bota mbarë e dinte se, nën mbulesën e analizave mbi dashurinë, Stendali fshihte pasionin e tij fatkeq për Mathilda Viscontini-n, askush nuk arriti dot të pikaste emrin e pasionit të fshehtë dashuror në veprën e Pierre Menard-it të dytë. Dyshimet ishin të mëdha. Të mos harrojmë se koha kur u botua vepra e tij, viti 2002, ishte koha e zbulimit me rrënjë e degë të gjërave të pathëna, e historive të mbuluara, e zhbirimit të jetës njerëzore që kur ndodhet në bark të nënës, e mungesës së intimitetit dhe ca më keq, e valvitjes së tij si flamur i kohëve moderne, e nxjerrjes së të fshehtave edhe nga varri në kuptimin literal të fjalës; ishte, në fund të fundit, epoka e gjurmimit të aluzioneve djallëzore të shkrimtarëve.

    Pierre Menard-i i dytë ishte, më së pari, një lexues i devotshëm i veprës së Servantesit Don Kishoti i Mançës. Më tej ishte, jo vetëm një lexues i devotshëm i aventurave të Hidalgo-s[1] të Mançës, por edhe një lexues i vëmendshëm dhe shumë i thellë. Si i tillë, nëpërmjet leximit, ai krijoi një autor të ri të veprës në fjalë, aventura letrare e të cilit do të mbetet analeve të historisë së letërsisë.

    Pierre Menard-i i dytë kishte hyrë në labirintin e veprës së spanjollit ku shtigjet e bigëzuara herë e nxirrnin në rrugën e madhe dhe herë e sillnin sërish në pikën nga ku qe nisur; ku koha qerthullore e shpinte lehtësisht pas në të shkuar, e hidhte mëpastaj përtej në të ardhme duke e mbajtur njëkohshëm të mbërthyer në të tashme. Kur, në një pikë të rrugëtimit të tij, u gjend në një udhë pa udhë, në një si shteg të mbyllur, të fshirë, një shëmbëlltyrë shtegu, të cilin duhet ta hapte vetë për të bërë përpara. Duhet të çante shtegun e tij në xhunglën e shkrimësisë së Don Kishotit të Mançës. Ndodhi, kur në arkivat mesjetare të Nimës në Francë, qyteti i tij i lindjes, Pierre Menard-i i dytë, gjeti një të dhënë në një dokument historik që dëshmonte se Miguel de Servantes-i kish njohur një robëri të parë, një paraardhëse, jo më pak të rëndësishme, të robërisë së famshme të mëpastajme të Algjerit, e njohur nga e tërë bota, dhe e përjetësuar në të pavdekshmin roman Don Kishoti i Mançës. Dokumenti ishte i vjetëruar mjaft, zverdhja dhe brejtja e kohës i kishin rrënuar dhe fshirë përgjysmë datat; herë hamendësohej viti 1571 dhe herë viti 1573. Herë dilte koha e pasbetejës së Lepantos, dhe herë pasekspedita ushtarake në Tuniz dhe Goleta. Sidoqoftë, kjo shenjë e historisë, kjo e dhënë apo fakt, çuditshëm nuk kishte gjurmë të dukshme në romanin e Kishotit, porse një gjurmë të tërthortë madhore, sipas Pierre Menard-it të dytë, një përndritje të saj, pas së cilës ai u kap fort, – ishte mjeti për të çarë shtegun e tij në xhunglën e romanit të spanjollit. E ndihu t’ia dilte mbanë aventurës së tij letrare.

    Si fillim, ai i vuri vetes qëllim të mprihte intuitën për të zbuluar anën e fshehtë të rrëfimit të Servantesit. Nëpërmjet kësaj intuite Pierre Menard-i i dytë ngulmonte të deshifronte aluzionet, tërthoret, kuptimet e mbuluara, mospërmendjet me kast të ngjarjeve prej autorit, të cilat veç e denonconin mungesën e tyre në rrëfim, errëtimin e disa të vërtetave që i kishin shkaktuar dhembje të madhe shpirti, apo dorëzimin ndaj një force që e kish detyruar t’i errëtonte ato të vërteta. Ishte i bindur për çka më sipër jo vetëm prej faktit se, si tek të gjithë shkrimtarët, shkrimi i Servantesit e kishte domosdo një anë të fshehtë, por edhe i siguruar pothuaj prej zbulimit të shenjës historike. Historia. Në romanin e tij, Servantesi i thur lavde Historisë: ...la verdad, cuya madre es la historia, émula del tiempo, depósito de las acciones, testigo de lo pasado,ejemplo y aviso de lo presente, advertencia de lo por venir[2]. Historia, sipas tij, është nëna e së vërtetës. Pierre Menard-i dytë u edukua dhe u frymëzua nga historianët dhe filozofët e historisë që u shfaqën në kohët pasmoderne, nga fenomenologët, nga Ricœur-i, dhe Rochlitz-it, nga dekonstruksionalistët, White-i, Jenkins-i, Musnlow dhe u bë dishepulli i Le Goff- it, kur lexoi veprën e tij Histoire et mémoire[3]. Për Pierre Mendard-in e dytë Kujtesa, si shqisa e shpirtit, është mëma e së vërtetës.

    *

    Sidoqoftë, Pierre Menard-i i dytë ishte i mendimit se Biblioteka e Botës mend po derdhej nga librat që i shtoheshin përditë e përçast nga shkrimaniakët, nga pasvdekja pjellore e shkrimtarëve të mirë dhe, sidomos, e atyre mediokër, nga soji i ri i politikanëve-grafomanë, apo i moderatorëve televizivë që kishin meritën e shpikjes së librit-televizion… Pierre Menard-i i dytë nuk donte t’i shtonte një libër të ri të kotë Bibliotekës së Botës, jo, ai donte të shkruante brenda një libri që tanimë ekzistonte; dëshëronte që, si një arkeolog, të zhvarroste të vërtetën që kish pikasur si lexues thellë nëpër shtresat e shkrimësisë së spanjollit, dhe ta shkruante atë si autor; dëshëronte të plotësonte të vërtetën e Servantesit te Don Kishoti i Mançës.   

    Ambicja e admirueshme e Pierre Menard-it të dytë ndryshonte nga ajo e paraardhësit të tij, Pierre Menard-it. Ky i fundit dëshironte të shkruante disa faqe të Don Kishotit që të përkonin pikë për pikë, pa i kopjuar mekanikisht, me ato që kish shkruar Servantesi; dëshironte të ishte Servantesi, duke qenë Pierre Menard-i. Pierre Menard-i i dytë kërkonte të ishte ana e fshehtë, ana e pandriçuar e Servantesit. Pierre Menard-i i dytë mëtonte të shkruante atë që nuk ekzistonte, tekstin e munguar të Servantesit te Don Kishoti i Mançës. Ai mëtonte të shkruante disa faqe të cilat, duke plotësuar të vërtetën, të mund të ndërkalleshin natyrshëm dhe në vendin e vet në mes shumëfaqeve të romanit, faqe që nuk do të ishin të pavdekshme si romani i spanjollit, por të pakoha.

    Metoda fillestare që përdori për të realizuar ndërmarrjen e tij të vështirë ishte gati po aq e thjeshtë sa ajo e paraardhësit të tij (e pamundur do të thotë lexuesi njëlloj si për paraardhësin e Pierre Mendard-it të dytë): i vuri vetes detyrë të mësonte spanjishten e kohës së Servantesit, të përqafonte katolicizmin, të harronte historinë e Europës nga viti 1602 gjer më 2014, të plagosej në duel me Antonio de Segura-n, të bëhej ushtar, të hynte në Tercio – regjiment i infanterisë spanjolle në shekujt XVI-XVII –, të mësonte të luftonte kundër osmanëve, të merrte pjesë në betejën e Lepantos në bordin e galerës “La Marquesa”, të plagosej në gjoks dhe të humbiste dorën e majtë nga një arkebuz, të merrte pjesë në ekspeditën ushtarake në Tuniz dhe Goleta, në shërbim të Don Huanit të Austrisë, të mësonte përmendësh sonetet dhe lirikat e Luis de Gongora-s, të ishte rob i zënë në Ulqin, – kjo robëri e Servantesit ishte çelësi i aventurës së Pierre Menard-it të dytë. Për këtë robëri flitej në dokumentin e vjetëruar që zverdhja dhe brejtja e kohës i kishin rrënuar dhe fshirë përgjysmë datat. Kjo robëri kish të ngjarë të ishte shtegu i fshirë i shkrimësisë te Don Kishoti i Mançës.

    *

    Më sipër u përmend se Pierre Menard-i i dytë i besonte Kujtesës, si shqisa e shpirtit dhe mëmë e së vërtetës. Historia me data, fakte dhe dokumente nuk i jepte dot më shumë. Kujtesa e gjallë e Ulqinit merrte stafetën paskëtaj: rrëfenjat e kusarëve të detit, këngët e marinarëve të mesjetës, shkrimet e kronikanëve, kujtimet e udhëtarëve të famshëm dhe aventurierëve të shndërruara në legjenda, gojëdhanat e të moçmëve, mitet që kishin lindur më pas, jehona e guackave detare të stërlashta…

    Metoda thelbësore që Pierre Menard-i i dytë përdori për ndërmarrjen e tij, ishte gjurmimi i Kujtesës Universale.

    Një vjeshtë të artë, kur ujërat e Adriatikut vezullonin nga diamantet e kaltër të një qielli të gatshëm për të çliruar realitete fantastike, në kalanë e Ulqinit, në pallatin venetikas të kthyer në një strehë luksi për turistët, Pierre Menard-i i dytë, në vitin e begatë për letrat historike, 2014, iu dorëzua Gjumit. Si proces, Gjumi është si një thikë dytehëshe për kujtesën njerëzore: nga njëra anë ai bllokon memorizimin e freskët, dhe nga ana tjetër është një passe-partout ( Pierre Menard-it të dytë i pëlqente të përdorte këtë fjalë të gjuhës së tij), një çelës magjik i portave të Kujtesës Universale. Doli të ishte një metodë punëmbaruar: Pierre Menard-i i dytë hyri në labirintet e Kujtesës Universale, përjetoi brenda një nate të vetme ngjarjet e ndodhura katërqind e dyzet e ca vjet më parë, të cilat i shkrimësoi më pas:

    …Ndodhej në një galerë spanjolle në ujërat e Mesdheut, kur u sulmuan nga një anije e shpejtë pirate dhe u zu rob nga i famshmi Uluç Alia, pirati renegat fekëmbyer. E hodhën në hapsanet[4]me fasadën e harkuar të kalasë së Dulcignumit[5], strehës së dëgjuar ku mbaheshin robërit e kusarisë së Mesdheut, në pritje të shpërblesës që kishin vënë për çlirimin e tij. Ngrysi ditë të trishta dhe gdhiu netë pambarim në qelinë e lagësht, nga ku soditi qiellin më të yjëzuar që i kish zënë syri ndonjëherë, shkroi mjerimin e tij dhe të robërve të tjerë në pergamenë me bojën e zezë të pakët që ruante në një kallamar të vogël briri, dhe vrau kohën duke ushqyer shpresën se, shpërblimtarët e tij, priftërinjtë e Spanjës, nuk do të vononin të vinin për të.

    Bukuria e pashoqe e Dulcignumit me kalanë e stërlashtë me gurë qiklopikë, me fortesën që mbante në majë kullën e madhe të Balshajve nga ku hëna e qiellit kapej me dorë, me pallatin venetikas dhe kishën e mrekullueshme që ishte gdhirë xhami, me ujërat e kristalta që i lagnin brinjët, me gjirthet detare me rërë sedefi dhe kurorat e pishave të buta poshtë këmbëve, i gëzonte syrin, por nuk ia prekte dot shpirtin. Gjer kur, në një nga shëtitjet mëngjesore nëpër rruginat e ngurta të kalasë që hapeshin përtej Tregut të Robërve, i shoqëruar nga dy roja, një rreze drite ndriçoi jetën e tij nxirane pa liri: përmbi një arabá të bardhë që tërhiqej nga kuaj të lartë arabë, mes jastëkëve të atllastë, përpara syve të robit u shfaq krijesa më e bukur e botës, e veshur me petka të sojme veneciane dhe e mbuluar me një vello osmane të bardhë. Robi i Spanjës mbajti këmbët kur arabaja i kaloi pranë, dhe gruaja e re, me një lëvizje të dorës, hoqi vellon dhe zbuloi, vetëm për të, kokën e saj prej perëndeshe bukurie, e cila tërhiqte pas një floknajë të thurur me rreze dielli. Sytë e gruas së re si dy diej vezullues u përplasën me sytë e spanjollit, dhe zemra e robit u dogj dhe u bë shkrumb në çast. Si i çmendur nga marrëzia e dashurisë që e kaploi të gjithin, djaloshi i pashëm njëzetë e ca vjeçar ra në gjunjë, dhe këndoi për të, me sa i hante fyti, vargjet e De Gongora-s që i erdhën në mendje:

    …Nga shpati i lulëzuar,

    që sot me perla përndritur qëndisi agimi,

    në gërsheta zbukuruar,

    përmbi ballin tënd vë kto lule jasemini.

    Në pergamenë asaj nate, me zemrën e çakërdisur nga vrundujt e dashurisë për kalaleshën e bukur, ai qëndisi portretin e saj që ta kishte përjetësisht përpara syve dhe zemrës: flokët si ar, balli-fushat eliziane, vetullat-ylber, sytë-diej, faqet-trëndafila, buzët-korale, dhëmbët-perla, qafa-alabastër, gjoksi-mermer, duart-fildish, me kurmin të bardhë si dëbora…

    Bukuroshja e kalasë së Dulcignumit, i cili para pak kohe kish rënë nën zgjedhën otomane, ishte nusja e re e dinjitarit osman të sapo emëruar në vend. Ditëve që pasuan, robi jetoi vetëm për krijesën diellore që e pagëzoi me emrin “la hermosita de Dulcignum[6],” dhe robëria iu bë pupël e lehtë. Lëvdoi perëndinë që e kish hedhur në parajsën e tokës ku kish gjetur një ëngjëll parajse. Çmimi që po paguante, humbja e lirisë, ishte shumë i lartë, por ia vlente barra qiranë. Me skudet që i kishin mbetur korruptoi rojat e tij dhe, çdo ditë, në të njëjtën orë, ndodhej në vendin e saktë ku pa për të parën herë kalaleshën e bukur; edhe ajo ishte e përpiktë në takimin e tyre të heshtur dashuror: vinte me arabanë e saj, ulur përmbi jastëkët e atllastë dhe, sapo karroca gjendej përpara tij, hiqte vellon e bardhë për disa çaste, si një rit dashuror, dhe vazhdonte rrugën. Robin cung nga dora e majtë, të cilin banorët e kalasë mësuan ta quanin” Servet” sipas zakonit të tyre, modës së kohës dhe pushtuesit të ri, e dëgjonin të këndonte paskëtaj me zë bilbili vargjet që thurte për të dashurën e tij magjepsëse, porsa rrezet e fundit të diellit kridheshin në det, duke gëzuar zemrën e hidhëruar të robërve të tjerë.

    Një mbrëmje të praruar vjeshte, nëpër skërkat e detit, fshehur nga sytë e botës, nga rojat e burgut të kalasë dhe nga rojat e dinjitarit osman, bukuroshja e Dulcignumit iu dha për herë të parë dhe të fundit robit të Spanjës, të dashuruar marrëzisht me të, i cili nuk rreshtte së pëshpërituri me buzët zhur, mes dy të puthurave, emrin e Dulcineas së tij, emrin e dashurisë së tij të parë dhe të vetme në jetë të jetëve dhe në vdekje të vdekjeve…Dashurisë së tij të paarritshme.

    *

    Në fund të fundit, ndërmarrja e Pierre Menard-it të dytë ishte zhvarrosja dhe ringjallja e të paktën njërës Trojë të Servantesit te Don Kishoti i Mançës: shkrimi i disa faqeve të cilat të mund të ndërkalleshin natyrshëm dhe në vend të vet në mes shumëfaqeve të romanit. U gjykua se përfundimi i kësaj ndërmarrjeje ishte një palimsest, tek i cili ndërshiheshin gjurmët, ndonëse të dobëta fare, të shkrimit parak të Servantesit. Përshfaqeshin vagullthi rrënojat e Trojës së tij, – dashuria e penguar për ulqinaken e bukur, Dulcinean e tij, – të censuruara nga autoriteti kishtar në Autorizimin e Klerit për botimin e Don Kishotit të Mançës më 1602.


    [1] Hidalgo – fisnik (në mbretërinë e Spanjës)

    [2] … e vërteta, që mëmë ka historinë, konkurruese e kohës, depozitë e veprimeve, dëshmitare e së shkuarës, shembull dhe njohje e së tashmes, paralajmërim i së ardhmes.

    [3] Historia dhe Kujtesa

    [4] burg (turq)

    [5] Emri i Ulqinit në Mesjetë

    [6] Bukuroshja e Dulcignumit (spanj.)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË