More
    KreuLetërsiBibliotekë"Përshëndetja e nënës", tregim nga Ljudmilla Petrushevskaja

    “Përshëndetja e nënës”, tregim nga Ljudmilla Petrushevskaja

    Përktheu nga origjinali Aleksandër Koli

    Olegu, një djalosh i ri, kur i vdiq e ëma mbeti jetim. Mbeti vetëm me motrën, ndërsa i ati ndonëse ishte ende gjallë, siç u sqarua më vonë, nuk i binte të ishte babai i tij. Babai i vërtetë ishte një burrë tjetër, me të cilin takohej shpesh e ëma, edhe pse ishte e martuar. Këtë gjë Olegu e mësoi më vonë, kur filloi të kalonte nëpër duar letrat e mamasë së vdekur, duke shpresuar se mos mësonte diçka më shumë rreth saj. Mes letrave ai gjeti edhe dokumentin, a më saktë një pusullë, ku ai burri i panjohur i shkruante se ishte familjar dhe nuk kishte të drejtë t’i braktiste të dy fëmijët e tij falë një fëmije të ardhshëm, i cili nuk dihej se i kujt mund të ishte. Në fund të pusullës ishte data. Me sa dukej, jo shumë kohë përpara lindjes, e ëma kishte dashur ta braktiste të shoqin e të martohej me këtë burrin tjetër dhe kuptohet, gjithçka qëndronte vërtet ashtu siç kishte aluduar një herë ligësisht dhe në mënyrë hakmarrëse motra e tij e madhe, gjatë një bisede me Olegun.

    Pasi zbuloi pusullën, djaloshi nisi t’i kalonte me të shpejtë nëpër duar letrat e tjera dhe mes tyre gjeti një pako të zezë me fotografi, në të cilat e ëma kishte dalë zhveshur në pozicione të ndryshme, duke përfshirë edhe disa poza krejt lakuriq. Të gjitha këto ishin fotografuar si në një skenë, ku e ëma, madje edhe në pozimet nudo, mbante hedhur krahëve një shall të gjatë. Të gjitha këto ishin një goditje tepër e rëndë për djaloshin e ri. Ai dëgjoi nga të afërmit se në rininë e hershme, e ëma përmendej për bukurinë e saj, por tashmë në këto fotografi, ajo dukej si një tridhjetë e pesëvjeçare, ende e fortë, por jo më aq e bukur, thjesht, një grua e mbajtur mjaft mirë. Pas kësaj goditjeje, djaloshi–ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç–e la shkollën, braktisi gjithçka dhe përgjatë dy viteve, deri përpara ushtrisë, nuk bëri asgjë, nuk dëgjonte asnjeri, në shtëpi hante çfarë gjente në frigorifer, ikte, kur i ati dhe e motra vinin në shtëpi, kthehej, kur ata flinin.

    Ai arriti deri në një shkatërrim nervor dhe fizik të tillë, sa i ati u detyrua të ushtronte ndikimin e tij për t’i siguruar të birit një kontroll në komisionin mjekësor të punës, në mënyrë që t’i caktonin një pension për skizofreni, por pikërisht ditën e fundit, përpara vajtjes në komision, i ati dha shpirt natën në shtrat dhe gjithçka mori të tatëpjetën. Pas kësaj, pa e zgjatur shumë, e motra ndërroi apartamentin, duke e lënë të vetmuar vëllain në dhomën e tij dhe Olegun nuk vonuan ta merrnin në ushtri.

    Atje, Olegut i ndodhi një ngjarje: bashkë me disa ushtarë të tjerë, atë e vendosën të ruante monopatin e një qafe mali, përmes së cilës duhej të kalonte një i arratisur nga kolonia e të burgosurve. Po bëhej tashmë një muaj që ky njeri endej i lirë, dhe në rrugëtimin e tij kishte arritur të vriste pesë veta, mes të cilëve edhe një vajzë. Tani i ishte afruar qafës së vetme malore, përmes së cilës kalonte rruga drejt “Tokës së Madhe”, domethënë, pjesës europiane të Rusisë. Sipas të gjitha njoftimeve, i dënuari nuk do të dukej edhe aq shpejt tek ai shteg, megjithatë, si parapritje, pusinë e ngritën tre ditë më parë, ngaqë nuk i dihej se çfarë mjete transporti mund të shfrytëzonte i arratisuri.

    Në pritë zunë vende, Olegu, rreshteri dhe tre ushtarë të tjerë. Ata rrinin roje pas një shkëmbi të madh, duke mbështetur atje automatikët. Aty ndërroheshin me radhë dhe pikërisht, gjatë kohës që bënte roje Olegu, te shtegu u duk një burrë. Ai ngjasonte me fotografinë e të arratisurit, të cilën ua kishin treguar eprorët që më parë. Olegu nuk u përmbajt dhe e qëlloi, por pastaj doli se ky paskesh qenë dikush tjetër, një ish i burgosur, i cili e kishte kryer dënimin dhe tani po kthehej në Rusi, te shtëpia e tij, ndonëse ilegalisht, ngaqë nuk kishte leje për t’u endur nga vendi në vend.

    Kriminelin e vërtetë tashmë e kishin kapur te një shtegkalim tjetër diku pranë. Komanda u soll mirë ndaj Olegut, e deklaruan përkohësisht me të meta mendore, e shtruan në spital dhe më pas e liruan si të paaftë për vazhdimin e mëtejshëm të shërbimit ushtarak. Kjo gjë atij i doli për më mbarë, ngaqë flitej se gruaja e njeriut të vrarë, nuk la vend pa e kërkuar ushtarin anormal, i cili ia qëlloi të shoqin vetëm e vetëm ngaqë shkeli disa hapa pa leje kufirin e fshatit të tij–sepse nëpër atë shtegkalim kalonte vija ndarëse administrative e qarkut.

    Olegu u kthye në shtëpi. Tashmë ishte thuajse krejt i shogët, dhëmbët i patën rënë njëri pas tjetrit, nuk kishte asgjë për të ngrënë, nuk kishte asgjë me se të merrej, i mbetej veç të shkonte e të punonte, ndonëse pa asnjë lloj arsimimi.

    Mirëpo, krejt papritur, në jetën e tij u shfaq e motra, e cila i mori në duart e saj të gjitha punët. Ajo e rregulloi Olegun në teknikum, i pastronte dhomën, i sillte ushqime ose para, edhe pse nuk ishte plotësisht motër gjaku me të dhe më parë nuk e kishte dashur asnjëherë. Njëherë, në mbrëmje, kur po bëhej gati të largohej, mes të tjerash, ajo i tha:

    – Ti nuk duhet t’i besosh ato që të kam thënë dikur për nënën tonë. Babai ynë ka qenë njeri shumë dyshues. Ishte tip i rëndë dhe mund të luante mendsh kë të donte.

    Pastaj ajo doli jashtë.

    Pas largimit të motrës, Olegu hapi valixhen dhe filloi të rrëmonte nëpër shkresurinat ku ndodhej letra, por aty gjeti vetëm zarfin, me fotografitë e varrimit të nënës. Tek ajo pakoja e errët, ku ai priste të shihte fotografitë nudo të nënës, tani ndodhej veçse një fije e rrudhosur letre e zezë, shumë e vjetëruar dhe, kur Olegu nisi ta nxirrte, ajo iu shkërmoq në dorë, duke u bërë menjëherë pluhur.

    Ai nisi t’i shqyrtonte shkresurinat, dhe kudo lexonte letra të nënës drejtuar të atit, në të cilat shkruhej për dashurinë, për besnikërinë, për Olegun dhe sa i ngjante ai babait.

    Olegu ngashëreu tërë mbrëmjen, lotët i derdheshin pa dashje nga sytë, ndërsa ditën tjetër në mëngjes nisi të priste derisa t’i vinte e motra, në mënyrë që t’i rrëfente sesi kishte shkalluar nga mendtë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare dhe si kishte përfytyruar gjëra të paqena, madje nga ky shkak kishte vrarë një njeri, i cili nuk i ngjante aspak fotografisë, sipas së cilës duhej ta kishte njohur.

    Motra nuk i erdhi më kurrë. Me sa dukej, e kishte harruar të vëllain dhe pas disa kohësh edhe ai e harroi, ngaqë ishte mjaft i zënë me jetën e tij të re. Pasi mbaroi teknikumin, ai vazhdoi institutin, u martua dhe u bë me fëmijë.

    Ndonëse Olegu ishte syzi dhe e shoqja një zeshkane syzezë, për çudi, të dy fëmijët u dolën flokëverdhë dhe me syçka bojëqielli–pikë për pikë si gjyshja e tyre, e ëma e tij e vdekur.

    Njëherë, papritur, gruaja i propozoi të shkonin te varri i nënës së tij. Atë e gjetën me vështirësi, në varrezën e vjetër pllakat përkujtimore ngriheshin jashtëzakonisht ngjeshur pranë njëra-tjetrës dhe ngjitur me varrin e s’ëmës, u duk papritur një pllakë e dytë, paksa më e vogël.

    – Me siguri e babait, – tha Olegu, i cili nuk kishte qenë në varrimin e të atit.

    – Jo, lexoje, kjo është e motrës tënde të një gjaku, – iu përgjigj e shoqja.

    Olegu u tmerrua që kishte arritur ta harronte kështu të motrën. Ai u përkul mbi pllakë dhe lexoi mbishkrimin. Kjo ishte vërtet e së motrës.

    – Vetëm se, datën e vdekjes më duket që e kanë ngatërruar, – tha ai. – Motra erdhi tek unë shumë më vonë se kjo datë vdekjeje, kur isha kthyer nga ushtria. Se, të kam treguar, që ajo më ngriti në këmbë, ajo më riktheu vërtet në jetë. Unë isha i ri dhe shkalloja mendsh edhe për vogëlsira.

    – Kjo gjë nuk ndodh, këtu datat nuk i ngatërrojnë kurrë, – iu përgjigj e shoqja. – Je ti ai që i ke ngatërruar. Në çfarë viti u ktheve nga ushtria?

    Dhe ata nisën debatonin, duke qëndruar te cepi i varrit të braktisur dhe i lënë pas dore. Bari i egër që ishte rritur i harlisur gjatë verës, u arrinte deri te gjunjët. Më në fund, të dy burrë e grua nisën ta shkulnin atë.- Avioni nuk mund të fluturojë më asgjëkundi, – ia ktheu piloti.

    Koloneli nxori pistoletën dhe e kërcënoi pilotin se do ta vriste në vend, për moszbatim urdhëri.

    Por piloti mbajti një qëndrim shpërfillës dhe i vazhdoi përpjekjet për ta ngritur kërcurin mbi tokë, herë në njërën anë, herë në anën tjetër, me fjalët:

    – Hë, jepi tani, eja të shkojmë.

    Koloneli shtiu, por siç duket gaboi shenjë, sepse piloti vazhdonte të mërmëriste si më parë:

    – Eja të shkojmë, eja të shkojmë.

    Ndërkohë jehuan gumëzhima makinash dhe në fushë u shfaq autokolona e kamionëve me ushtarë gjermanë.

    Koloneli u fsheh mes barit mbas një çuke të vogël, kamionët vijonin të vinin pa mbarim, por nuk u dëgjuan as të shtëna, as komanda dhe as ndalim motorësh. Pas dhjetë minutave, makinat kaluan, koloneli ngriti kokën – piloti, si edhe më parë, vazhdonte të merrej me kërcurin e djegur, ndërsa atje larg, pranë zjarrit, njerëzit rrinin ulur a shtrirë, ose endeshin andej-këtej.

    Koloneli u ngrit dhe u afrua te zjarri. Atje, rreth e rrotull nuk njohu askënd, sepse ky nuk ishte aspak regjimenti i tij. Këtu gjendeshin edhe ushtarë këmbësorie, edhe artilierë, edhe një Zot e di çfarë tjetër, të gjithë me uniforma të grisura, me plagë të hapura nëpër krahë, në këmbë ose në bark. Vetëm fytyrat i kishin të kthjellëta.

    Njerëzit bisedonin me zë të ulët. Pranë zjarrit, e kthyer me shpinë nga koloneli, rrinte ulur një grua me kostum të errët civil dhe shami në kokë.

    – Kush është këtu me gradën më të lartë, të raportojë situatën, – kërkoi koloneli.

     Askush nuk lëvizi, askush nuk i kushtoi vëmendje oficerit, kur ai filloi të shtinte, mirëpo, kur piloti tërhoqi pranë zjarrit kërcurin e djegur, të gjithë e ndihmuan që ta hidhte në zjarr “shturmanin” e tij, siç e quante, dhe nga kjo gjë flaka u fik. U bë krejt errësirë.

    Koloneli dridhej i tëri nga i ftohti dhe nisi të shante e të thoshte se tani ishte krejt e pamundur të ngroheshin, ngaqë zjarri nuk do të ndizej prej këtij kërcuri.

    Dhe atë çast, gruaja, pa u kthyer, tha:

    – Përse më vështrove? Përse ma ngrite vellon? Tani, do të të thahet dora.

    Ky ishte zëri i së shoqes.

    Koloneli humbi ndjenjat dhe, kur u përmend, pa se gjendej në spital. Atij i thanë se e kishin gjetur te varrezat, pranë varrit të së shoqes dhe se krahu mbi të cilin kishte ndenjur shtrirë, i ishte dëmtuar rëndë dhe tani kishte mundësi t’ia hiqnin.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË