More
    KreuLetërsiBibliotekëPërrallë popullore ruse: “Baba Ngrica”

    Përrallë popullore ruse: “Baba Ngrica”

    Përktheu nga rusishtja: Artemisa Kuznetsov

    Ishte një herë një plak që jetonte me gruan e tij të dytë. Plaku kishte një vajzë, ashtu si edhe gruaja e tij.

    Të gjithë e dinë si është jeta me një njerkë: sillesh mirë apo keq, gjithmonë ndëshkohesh. Ndërsa vajza e saj, çfarëdo që të bënte, llastohej dhe merrej me fjalë të mira.

    Thjeshtra ngrihej para agimit: u jepte për të ngrënë e për të pirë bagëtive, sillte dru zjarri në kasolle, ndizte zjarrin, pastronte. Por asgjë nuk e kënaqte njerkën: gjithçka, sipas saj, ishte bërë keq e gabim.

    Era mund të fryjë e pastaj të pushojë, por njerka kurrë nuk gjente qetësi. Më në fund, ajo mori një vendim të tmerrshëm: ta hiqte qafe thjeshtrën.

    -Merre dhe largoje prej këtej, o plak, – i tha burrit. – Çoje ku të duash, vetëm sytë e mi të mos e shohin! Çoje në pyll, në ngricën e acartë!

    Plaku u dëshpërua, por nuk kishte zgjidhje tjetër; nuk guxonte t’i dilte kundër gruas së tij. Ai lidhi kalin dhe i tha vajzës:

    -Eja, bija ime e dashur, hip në slitë.

    E mori dhe e çoi jetimen e gjorë në pyll, e braktisi në një grumbull dëbore nën një bredh të madh dhe u largua me slitën e tij.

    Vajza u ul nën bredh, duke u dridhur nga acari që i përshkonte trupin. Papritmas, ajo dëgjoi Baba Ngricën duke kërcyer midis bredhave aty pranë. Ai hidhej nga pema në pemë, derisa u ndal mbi bredhin ku ishte ulur vajza dhe e pyeti nga lart:

    -A ke ftohtë aty, vogëlushe?

    -Jo, Baba Ngrica, jam ngrohtë, – u përgjigj ajo me zë të butë.

    Baba Ngrica zbriti pak më poshtë, duke kërcyer edhe më fort:

    -A ke ftohtë, vogëlushe? A ke ftohtë, e dashur?

    Ajo mori frymë thellë:

    -Jam ngrohtë, i dashur Baba Ngrica.

    Ai zbriti edhe më poshtë, duke kërcyer gjithnjë e më fort:

    -A ke ftohtë, bukuroshe? A ke ftohtë, e dashur?

    Vajza mezi merrte frymë:

    -Jam ngrohtë, i dashur Baba Ngrica.

    Baba Ngrica zbriti edhe më poshtë:

    -Je ngrohtë, vajzë? Je ngrohtë, e dashur?

    Vajza po ngurtësohej nga të ftohtit, mezi lëvizte gjuhën:

    -Oh, jam ngrohtë, i dashur Baba Ngrica!

    Atëherë Baba Ngrica pati mëshirë për të. E mbështolli me një pallto të ngrohtë leshi dhe e mbuloi me batanije me push, duke e ngrohur.

    Ndërkohë, njerka po përgatiste përkujtimoren për të vdekurën, skuqte petulla dhe i bërtiste burrit:

    -Shko, plak i mjerë, shko ta varrosësh vajzën tënde!

    Plaku shkoi në pyll. Kur arriti te bredhi i madh ku e kishte braktisur të bijën, pa vajzën e tij të gjallë, buzagaz, me faqe të skuqura nga shëndeti, e mbështjellë me një pallto të zezë. Pranë saj qëndronte një arkë me dhurata të çmuara prej ari dhe argjendi.

    Plaku u gëzua pa masë. I ngarkoi të gjitha në slitë, e hipi vajzën dhe u kthye në shtëpi.

    Në shtëpi, plaka po skuqte petulla, ndërsa qeni rrinte nën tavolinë dhe lehte:

    -Ham, ham! Vajzën e plakut e veshin me ar e argjend, ndërsa vajzën e plakës s’e merr askush për nuse!

    Plaka i hodhi një petull:

    -Mos leh ashtu! Thuaj: “Vajzën e plakës e marrin për nuse, ndërsa vajzës së plakut i sjellin vetëm kockat!”

    Qeni e hëngri petullën, por prapë lehu:

    -Ham, ham! Vajzën e plakut e mbulojnë me ar e argjend, ndërsa vajzën e plakës s’e merr askush për nuse!

    Plaka u tërbua nga inati:

    -Lidh një kalë tjetër, o plak! Çoje vajzën time në pyll dhe vendose në të njëjtin vend!

    Plaku e futi vajzën e plakës në slitë, e çoi në pyll, e la në një grumbull dëbore nën të njëjtin bredh dhe u largua.

    Vajza e plakës rrinte aty, duke kërcitur dhëmbët nga të ftohtit.

    Baba Ngrica u shfaq përsëri, duke kërcyer nga dega në degë:

    -A ke ftohtë aty, vogëlushe?

    -Po, kam shumë ftohtë! Mos kërce ashtu, Baba Ngrica! – u ankua ajo.

    Ai zbriti më poshtë:

    -Ke ftohtë, vajzë? Ke ftohtë, e dashur?

    -Duart dhe këmbët m’i ka ngrirë acari! Shporru prej këtej, ngricë e mallkuar!

    Baba Ngrica u zemërua dhe e goditi me një të ftohtë aq të egër, sa vajza ngriu në vend.

    Në agim, plaka i tha burrit:

    -Lidh kuajt shpejt, o plak! Shko merr vajzën dhe kthehu me ar e argjend!

    Plaku u nis. Ndërsa qeni lehte nën tavolinë:

    -Ham, ham! Vajzën e plakut do ta marrin për nuse, ndërsa vajzës së plakës po ia sjellin kockat në thes!

    Plaka i hodhi një petull:

    -Po leh gabim! Thuaj: “Po e sjellin vajzën e plakës me ar e argjend!”

    Por qeni vazhdonte:

    -Ham, ham! Vajzën e plakut do ta marrin për nuse, ndërsa vajzës së plakës po ia sjellin kockat në një thes!

    Porta kërciti. Plaka vrapoi të takonte vajzën e saj. Ajo tërhoqi rrogozin dhe vajza e saj ra e vdekur nga slita.

    Plaka shpërtheu në vaj, por ishte tepër vonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË