More
    KreuLetërsiBibliotekë"Përkujtimi", tregim nga Shqiptar Oseku

    “Përkujtimi”, tregim nga Shqiptar Oseku

    I erdhi keq që Arlinda po e shikonte prapë në këtë gjendje, por s’ishte e zonja të ndryshojë diçka. Më fal që ta prisha prapë natën, i tha pa e këqyrë në sy, por s’dijsha kah me shku. Zëri i Arlindës qe i qetë, rehatues. S’më prishe moj natën, bane mirë që erdhe. E di që kjo javë asht e zorshme për ty. A do me pi?

    Ajo adhuronte këto çaste me Arlindën, këtë ritual të përvitshëm të shoqërimit. Një botile whisky, dy pako cigaresh, divani i rehatshëm në dhomë të ditës. Rrëmuja e dhomës, që dëshmonte për një jetë familjare, e mbështillte gjithmonë me një ndjenjë rehatie.

    Ishin njohur që në banga të fillores, gërshetat e Arlindës i kujtoheshin si sot, e ishin shoqëruar ndër vite me pak shkëputje. Pas luftës, Arlinda kish zgjedhur jetën në familje. Ish martuar me një koleg, kish bërë dy fëmijë. Ajo tashti mbahej zonjë, me fustane të shtrenjta e rruaza perlash, ja kështu si sonte, e duar të qëmtuara me manikurë. Por dikur ato kishin luftuar të dyjat në front. Dhe kjo u kish krijuar një lidhje të fortë, çfarë e kanë vetëm veteranët.

    Sa mirë që nuk janë Goni me djemtë këtu, i tha, më kish ardhë siklet me pasë qenë. Arlinda mbushi dy gota dëng. U shtoi nga një pikë ujë, i tundi pak, e ia zgjati njërën në heshtje. I ke fort të mirë, Zoti t’i ruejtë, por ti e di si po mendoj. Arlinda piu ngadalë një gllënjkë, i dha vetes kohë që ta shijojë, mandej ndezi një cigare. U kënaq me tymin gjatë, gjatë, para se të fliste. E di Edonë, tha dikur, e di; shyqyr që shkuen, se më patën luejtë mendjen e kresë. Edonës i plasi gazi. Djemtë e Arlindës ishin të gjallë, si e ama dikur. Të kanë ngja ty, i tha. Qeshën të dyjat. Çuan në heshtje gotën e dytë, e të tretë. Një dorë e padukshme filloi t’ia zgjidhte Edonës një nyje në krahëror: një, nga shumë sosh.

    Goni shkonte çdo prill te prindërit e vet në fshat, për të kremtuar pranverën. Katunar hesapi, tallej Arlinda, por ai kish dëshirë që djemtë të prisnin pranverat në fshat. Kjo përshtatej fort mirë për Edonën, se java e dytë e prillit ish re e zezë sterrë për të. Zbrazi gotën prapë, e ndezi një cigare. Arlinda po e këqyrte nga këndi i vet. Xhinsa blu të vjetër, një triko jashtë mode, flokët kaçurrela në një bisht të pakrehur. Edona dukej e thyer, e lakatur nga jeta. Çdo prill e njëjta torturë.

    Celulari i Edonës ra dhe ajo brofi ta hapte. Arlinda kafshoi buzën, kjo na duhej. Kush asht, tha Edona gjithë nerva. Kush asht. Por thirrja u ndërpre. Edona përplasi telefonin në tryezë. Imagjino të lutem, çdo përvjetor kështu a. Thirrje pa nam, e pa nishan. Arlinda ia mbushi gotën prapë, pa e pyetur. Mos u ban budallë Edonë. Normal që gjindja i bien gabim telefonit. Por Edona ishte shashtisur tashmë. Por çdo vit njësoj a, mu në këtë ditë. Si s’bani vaki një herë mos me ndodhë, a. Një herë mos me ra kot, ai dreq celulari.

    Arlinda psherëtiu. Kur Edona të niste monolog me whisky, s’kish njeri që ta ndalë.

    Imagjino a, çdo herë e njëjta gja, bie ky i zi celular e kurrkush s’folë. Është si thirrje nga ana tjetër, a merr vesh. Është sikur më thërret ai, nga ana tjetër. Edona çoi gotën me fund; Arlinda ia mbushi menjëherë. Pasha besën është si me qenë ai Arlindë, si me qenë ai që më thërret çdo vit. Ma kujton që e kam pre në besë. Arlinda deshi të flasë, por s’arriti.

    Celulari ra prapë dhe Edona e hapi prapë, duke këqyrë e flakëruar nga Arlinda. Kësaj radhe nuk tha gjë, vetëm e mbajti celularin te veshi. Arlinda mund të dëgjonte ca si krikëllima, si kërcitje në radiolidhje. Por jo ndonjë zë njeriu. U zgjat, e ia hoqi Edonës ngadalë celularin nga dora. E fiku, e ia la afër në tryezë.

    Edona zbrazi gotën prapë e nisi të lëkundej si lavjerrës, ulur tek ishte mbi divan. U desht me ia ble ato pllakat e namuna kur e pata rastin, Arlindë. U desht me ia ble, që mos me më ndjekë kështu vjet për vjet. Po harrova, emni m’u harroftë. Më dhanë leje nga komanda mue me shku në Kukës, Arlindë, e me hasë familjarët e mi, kishin ardhë atje si refugjatë si tanë tjerët. E mbaj mend si sot: e martë, 6 prill 1999. Hej mos harro me m’i ble pllakat, më thotë. E unë i them, hajt Ben mos ban dramë se shihemi prapë. E ai më lutet, amanet më blej një aso qafore, me pllakat ku skalitet emri, se s’due me humbë pa nam e pa nishan. E unë baj hajgare me të Arlindë, a merr vesh a jo. Baj hajgare me të. Hajt Ben se s’të do ty as dreqi. Hajt Ben se s’bjen rrufeja ndër hitha. Hajt Ben se s’të ha ujku ty. Luej me të Arlindë, a merr vesh a jo. Luej me të.

    E mandej harroj Arlindë, harroj, he ma harrofshin emnin. Harroj me ia ble atë qafore të mallkume. Më kish marrë malli për familjen Arlindë, për mamën. Kish dy vjet që s’ishim pa, qyshkur pata dalë ushtar. Ti e di vetë si të merr malli në front, e ke provu vetë. Kaluen dy ditë si mos me qenë. E të premten nadje herët më 9 prill, Beni me shokët ndezën luftën në Koshare. Aty kuptova Arlindë. Aty e dita, se më paskan dhanë leje për me më nisë prej frontit. Se u ka thanë Beni, me m’largu matanë. E mue m’u errën sytë kur ndiva radion. E dita n’vend se çka po bahet. U ndava prej familjes tue true e tue sha me za të naltë, Arlindë, a e merr vesh a jo. Tue true Benin, tue sha Benin. Ah pritmë Ben zeza sa të vi, se ahere sheh luftë me sy. A më beson Arlindë, u nisa nga mama tue true Benin. U ndava tue sha Benin. E aty harrova me ia ble atë qaforen. Atë qaforën me pllakëzat e vogla, Arlindë, ku u shkruejnë emnat ushtarëve. Harrova, emni m’u harroftë!

    Edona heshti, e i ktheu shpinën. Çdo prill përsëritej e njëjta torturë. Baj mirë që i nis prej këtu Gonin me fëmijët, mendoi Arlinda, duke ndier një sëmbim në krahëror. Një bollë e paemër e shtrëngonte, si kafshim në errësirë. Unë kam familje. Kam një burrë i cili më do, kam fëmijë. Jetë pa probleme s’ka askush, por unë së paku kam një jetë. E Edona? Ajo ka vetëm një kujtim, që i flen në Koshare.

    Rëndesa e kësaj padrejtësie të paanë e shtypte çdo vit, sa herë që i trokiste në derë Edona. E ajo i trokiste në derë rregullisht, çdo prill në të njëjtën kohë. Ashtu si stina e pranverës. A si kthimi i shpendëve shtegtarë.

    Kot e mundon veten Edonë, i tha me zë të ulët, sa për t’i thënë diçka. Zëri i doli i mbytur, iu kish mbledhur një si komb në grykë. Beni s’u vra pse nuk pati pllakëza, ti e di. Thjesht aty e ka pasë të shkrume.

    Celulari i Edonës ra përsëri, si bombë. Edona u drodh, por s’kish më fuqi të zgjasë dorën. Një herë. Dy herë. Tri. Arlinda u zgjat vetë dhe hapi celularin. Alo? Kush është, alo? Alo?

    A asht Edona aty. Burri nga ana tjetër mezi kuptohej mes kërcitjesh. Po asht, tha Arlinda duke ngritur zërin, por asht pak e zënë. Kush e kërkon? Alo? Alo? Kërcitjet vazhduan ca kohë, pa u ndier më njeri. Pastaj lidhja u këput.

    Edona kish ngelur e kthyer matanë, me shpinën nga Arlinda. Ka me m’thirrë Beni prapë Arlindë, i tha me zë të mbytur. Ka me m’thirrë prapë, sa herë të vjen pranvera. Se do me ia lanë te kryet qaforen me pllakëzat, e di. I kam ble, i kam këtu te zemra. Por s’mundem me ia lanë te kryet Arlindë, nuk mundem.

    Pse, pyeti Arlinda. Pse s’ia le emnin te kryet.

    Se atëhere Beni s’më thirrë ma.

    Edona u shtri ngadalë si zombie e dehur në divan, ashtu siç ishte, dhe Arlinda ia mbuloi shpinën sipër me një mbulesë që ish afër. Flej shoqja ime, flej. Flej se ta ruej shpinën unë. Celulari ra prapë, por këtë herë Arlinda ia fiku tonin.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË